| E hene, 21.11.2011, 07:46 PM |
Ja pse thotë pedagogia e Universitetit të Arteve, Prof. Zana Frashëri, se ndihet e vlerësuar
Studentët e mi vënë në CV-të e tyre me krenari emrin tim si pedagoge
Nga Albert ZHOLI
Disa herë jeta të çon aty ku s’e ke menduar dhe ku prindërit se kanë pasur profesionin e tyre. Ka ndodhur me pedagoge Zanën kështu?
Kur kam qenë fëmijë kam kënduar që 6 vjeç në Pallatin e Pionierëve të Tiranës. Në atë moshë nuk mund të mendoja se mund të bëhesha një këngëtare lirike, klasike. Ëndrra e çdo fëmije apo e çdo prindi është që fëmija të bëhet dikushi në jetë apo të shprehë talentin e vetë. Unë kam qenë fëmijë me fat, se kam pasur dy prindër intelektualë të mirë, të cilët më mbështetën në fushën e muzikës dhe pse ata s’kanë pasur fare lidhje me muzikën. Prindërit e mi e pëlqenin muzikën dhe ne si fëmijë na kanë përkrahur në hobet tona dhe konkretisht mua në muzikë. Atëherë mundësitë për t’u futur në këto labirinte ishin shumë të pakta, se ishte vetëm një shtëpi apo pallat kulture.
Kur ke kënduar në organizime të mëdha?
Kam kënduar në Festivalin e Parë për Fëmijë në Tiranë që është zhvilluar në Teatrin e Kukullave në Tiranë. Në këtë festival dua të them se kam qenë në kor. Në Festivalin e Dytë që kam qenë, 7 vjeç, kam kënduar këngën “Fshati im”. Këngë për fëmijë. Ndërsa kur isha 8 vjeç kam kënduar në Festivalin e 3- të këngën “Ra zilja” të Kolgjinajt. Kam zënë vendin e tretë me këtë këngë dhe kjo këngë këndohej çdo fillim shtatori në Radio Tirana. Këtë këngë e kam kënduar së bashku me Zana Turkun, pra dy Zanat. Ishte një këngë që na ndoqi për shumë vjet në çdo një shtator. Teksti dhe muzika ishin shumë të bukura.
Ç’të kujton Pallati Kulturës së Fëmijëve të asaj kohe?
Më kujton një plejadë këngëtarësh që edhe sot janë me emër. Si Yllka Muja, Eva Pëllumbi, Ermira Çiço, Rajmonda Dabulla, Alqi Boshnjaku, Dorian Nini, Drita Mata që sot janë bërë artistë të skenës. Ne kemi qenë pionierët e parë që në atë kohë jemi udhëhequr nga Tonin Arapi aq dashamirës që ka lënë gjurmë në shkollën shqiptare të kompozicionit, por edhe në themelimin e një muzike të mirëfilltë shqiptare, tradicionale. Pastaj kemi vazhduar me Prof. Robert Radoja dhe me Ermir Dizdarin, që na kanë dhënë ndihmë të madhe në profesionin tonë apo më mirë të themi në ecjen tonë, në udhëzimin tonë. Ata na ngjizën dëshirën për të parë të ardhmen në sy. Për të njohur këtë rrugë të artit kaq të vështirë që ky mësim të na shërbente në të ardhmen. Këta profesorë ishin vizionarë që na ndriçuan mendjen me mësimet e tyre dhe aftësitë e tyre.
Studimet tuaja?
Studimet për muzikë i fillova për kanto në Liceun Artistik, ku mësova katër vjet. Pas këtyre katër viteve për kanto klasike dhe solfezh konkurrova për Institutin e Arteve (sot Universitetit i Arteve) për këtë degë. Në Institut pata një pedagog që kishte ardhur nga Rumania, që e quanin Bajesu. Ishte periudha kur po ftoheshin marrëdhëniet Shqipëri-Rumani dhe mua më doli e drejta e studimit për në Rumani, pasi isha me rezultate të shkëlqyera. Me ndërprerjen e marrëdhënieve, unë i përfundova studimet me pedagogun Gjoni Athanas, një nga tenorët e TOB. Në vitin 1975 unë jam prezantuar para publikut shqiptar në Dekadën e Majit me “Mëngjes në Pyll”, që është një romancë shumë e njohur. Në këtë romancë në TOB kishte ardhur gjithë udhëheqja e kohës. Në këtë konkurrim unë mora çmimin e parë kur ende isha studente e vitit të dytë. Në vitin 1977 unë mbarova studimet. Më vonë unë kam fituar një bursë nga Universiteti Santa Çiçilia në Romë të Italisë ku studiova në vitet 1985-87 në fushën pedagogjike. .
Pas përfundimit të studimeve ku u emëruat?
U emërova në Ansamblin e Ushtrisë ku kam debutuar për afro një dekadë në jetën koncertore të këtij institucioni kaq të rëndësishëm të kulturës shqiptare. Ky ansambël kishte profesionistë të shkëlqyer, aktorë, këngëtarë dhe instrumentistë shumë të mirë. Ishin ndër vitet më të bukura të karrierës time. Një ndër drejtuesit e këtij institucioni ishte kompozitori i mirënjohur Kujtim Laro.
Në qoftë se do të ishit marrë me politikë do të ndiheshit më e vlerësuar?
Unë iI vlerësoj njerëzit që merren me politikë, se politika do guxim, do ndershmëri, drejtësi fleksibilitet etj…Politika do njerëz të forte, aq më tepër në Shqipëri, që është një tranzicion i gjatë plot befasi. Për të gjitha këto unë kam respekt për njerëzit e politikës, aq më tepër kur plotësohen kërkesat dhe ëndrrat e popullit ky vlerësim do të jetë absolut. Unë vetë nuk jam e aftë të luaj në politikë as të gjykoj politikanët.
Ka prioritetin e duhur femra shqiptare sot?
Besoj se jo. Duhet të kenë më shumë hapësira. Ende ka derivate të maskilizmit në Shqipëri. Në Shqipëri ka gra me shumë kapacitete që duhen mbështetur.
A ka më shumë xhelozi tek femrat brenda profesionit?
S’e besoj se mund të ketë më shumë tek femrat. Xhelozia është shenjë e të paaftit. Një i aftë nuk ka kurrë xhelozi. Këtu luan rol formimi kulturor, formimi individual bën që njeriu të jetë me këmbë në tokë.
A ka qenë i vlerësuar artisti në diktaturë?
Dua të jem e sinqertë. Jam kundër çdo diktature, jam kundër atij regjimi, s’e kam dashur atë sistem. Por aktivitete kishte dhe artisti kishte hapësira. Është tjetër ideologjia, dhe tjetër vlerësimi. Ndiheshim të respektuar, edhe pse kishim privime.
Disa nga këto aktivitete?
Po. Unë jam fituese e çmimit “Luani i Artë” së bashku me Ferdinand Dedën dhe poetin Dritëro Agolli në vitin 1997. Kam bërë shumë koncerte recitale në Pallatin e Kongreseve si “Tre tenorët”, duke qenë e vetmja soprano koncertiste. Kjo do të thotë që, unë kam në repertorin tim vepra të koncertit të dhomës, vepra klasike të literaturës botërore dhe shqiptare, duke futur të gjithë kompozitorët e të gjithë stileve. Të stilit barok, impresionistë postmodern, normalë dhe klasikë me pjesë të Rosinit etj… Të gjitha këto pjesë janë luajtur me orkestrën e RTSH-së, ku me këtë orkestër kam deri në 200 inçizime dhe filmime të ruajtura në këtë arkiv me dirigjent si: Ferdinand Deda, Mustafa Krantja, Rifat Teqja, Alqi Lepuri, Eno Koço e shumë të tjerë.
Ku jeni ndjerë më mirë si pedagoge apo si soprano koncertiste?
Në të dyja. Njëra plotëson tjetrën. Më janë dukur si binjakë. Më kanë sjellë kënaqësi të dyfishtë.
Produkti im, si një prind që ndihet i gëzuar për fëmijët e tij që ecin me guxim në jetë
Ata janë shumë. Do përmend disa: Ermonela Jaho, Orjana Korteshi, Alketa Çela, Gëzim Mishketa, Ema Bektashi, Erjona Gjyzeli, Lindita Kola, Inis Mitro etj…(të gjithë kanë mbaruar për kanto), që kanë emër në botë apo dhe ata që janë në TOB apo në RTSH, si Mimoza Kosturi. Unë jam krenare që kam nxjerrë studentë të këtij niveli. Josif Gjipali po shkëlqen në Itali apo Inva Mula…Këndej kanë dalë të gjithë. Enkelejda Shkoza ka dalë po këndej. Personalisht ndihem e vlerësuar për vetë faktin se të gjithë studentët e mi e shkruajnë në CV e tyre ku kanë mbaruar dhe me kë pedagog kanë mësuar. Aktualisht jam në bordin e pedagogëve të Kantos në botë dhe ky status nuk të jepet pa merita. Por kjo nuk është vetëm për mua, por për të gjithë pedagogët që kanë nxjerrë këta studentë. Por brenda atdheut nuk ndjehemi aq të vlerësuar.