Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ardian Ndreca: Harta e miqve tanë të vërtetë

| E diele, 24.02.2008, 02:33 PM |


Harta e miqve tanë të vërtetë

Nga Ardian Ndreca     

Jemi mësue me stereotipe: miq të vjetër, vllazën, përkrahës... por të gjithë ne e dijmë se miqtë e vërtetë njihen në orët kritike. Këto javë shenjuen disa orë kritike me randësi historike për kombin shqiptar: Kosova u shpall e pamvarun.Kjo ngjarje ndau mëdysh gjithë botën: nji pjesë pro e nji pjesë kundër pamvarsisë.
Tue u nisë prej ndamjeve ideologjike mund të themi se disa parti me frymzim komunist u shpallën kundër Kosovës së pamvarun.
Në anën tjetër shumë parti me tendenca liberale e disa të djathta ishin pro pamvarsisë.
Ndër vende që njohën pa hezitim pamvarsinë, përposë SHBA, qenë Kroacia, Gjermania, Austria, Italia, Franca, Mbretnia e Bashkueme, Letonia, Hungaria etj.
Në Europë vetëm Greqia, Qiproja, Spanja dhe Rumania nuk njohin tash për tash Kosovën.
Kuptohet Rusia, aleatja e madhe e Serbisë, mban qëndrimin ma anakronik dhe negativ në këtë çështje.
Ajo që ne na intereson në Ballkan asht aksi i vendeve kundër: Greqia dhe Rumania janë ma të vendosunat në këtë qëndrim.
Nuk na çudit Greqia, e cila gjithnji ka mbajt anën e Serbisë dhe asht mundue me përfitue prej dobësisë së vendit tonë, ajo që na çudit asht Rumania – vend që historikisht ka mbështetë përpjekjet tona për liri dhe ndriçim kombtar.
Kundërshtimi i Rumanisë ndaj pamvarsisë së Kosovës motivohet me rrezikun që i kërcënohet këtij shteti prej pakicave hungareze që kërkojnë pamvarsinë e Transilvanisë.
Edhe diktatori Çaushesku i kishte frikë pakicat hungareze në Rumani. Po të vizitohet edhe sot zona e Çelsave të Karpateve (Cheile Bicazului) do të vërehet sesi prej kohës së komunizmit ende kanë mbetë rrugët kombtare të shtrueme me beton e jo me asfalt, për me shpejtue ecjet e divizioneve të tankeve në zonat e rrezikshme me shumicë hungareze.
Megjithatë sot rreziku i irredentizmit hungarez në Rumani ka ra ndieshëm e arsyeja asht integrimi i dy vendeve në Bashkimin Europian.
Mësimi që duhet nxjerrë asht ky: nuk shtypen popujt me shpresë se nuk kanë me çue krye, vetëm integrimi dhe parimet demokratike munden me superue kontradiktat etnike apo të nji natyre tjetër.
Pikërisht, politika e integrimit, vija e njejtë e politikës europiane në çeshtjet ndërkombtare duhet të kishin shty Rumaninë me e njohtë pa ngurrim pamvarsinë e Kosovës dhe mos me u rreshtue me vendet reaksionare.
Gjithë bota sot i ka drejtue sytë kah Kosova dhe leadershipi kosovar që së bashku me popullin po tregon matuní dhe besim në vetvete, tue mos iu përgjegjë provokimeve dhe tue i qëndrue besnik rrugës demokratike që asht ndërmarrë.
Sfida ma e randësishme asht ndërtimi i institucioneve demokratike dhe rritja e besimit që njerzit duhet të kenë në këto institucione.
Shpresat janë të mëdhaja dhe fillimi asht i mbarë.
Nga ana tjetër në Beograd sulmohen ambasadat, institutet e kulturës së vendeve që kanë njohtë Kosovën, përfaqsitë e bankave, dyqanet e markave perëndimore... të cilat thjesht vidhen.
Në anën tjetër, të premten, Putini, mik pranë ish kryetarit të kooperativës, diktatatorit të Bjellorusisë Llukashenko, buçiste me zanin e tij verdhacuk prej ish spijuni të KGB kundër NATO-s dhe SHBA.
Të gjithë e dijnë se sot kjo nuk asht koha e kërcënimeve me armë kundër shtetit të vogël të Kosovës. Nuk jemi në 1878 apo në 1913, në Kosovo ka trupa të NATO-s dhe kosovarët vetë janë të gatshëm me e mbrojtë atdheun e tyne.
Por me gjasë, protestat e serbve dhe të miqve të tyne rusë kanë si qëllim vetëm me e rrit «çmimin» që duhet të marrin Serbia prej Bashkimit Europian për ndamjen e Kosovës, pra me marrë sa ma shumë ndihma tue përshpejtue kështu integrimin në BE.
Kjo gja veç nuk duhet të lejojë nji dhunë jashtë përmasave të «logjikshme», pse asht e vërtetë që Serbia nuk duhet të poshtnohet shumë, por kah ana tjetër nuk asht pozitën e atij që mund qesin shqelma pa qenë i penalizuem.
Përveç qëndrimit negativ të Rumanisë ndaj çeshtjes kosovare, na bani përshtypje këto ditë edhe pozicionimi i nji intelektuali me origjinë polake: Marek Halter, i cili jeton prej vitesh në Francë.
Halteri shprehte keqardhjen për ngritjen e kufijve të ri në Europë.
Lindjen e nji shteti të ri në Europë ai e konsideronte si nji kthim mbrapsht– mbasi primja asht me i heq kufijtë dhe jo me vu kufij të ri.
Teorikisht ky qëndrim tingllon drejt, por praktika ka tregue se heqja e kufijve nuk asht gjithmonë nji gja pozitive, kufijtë nuk janë nji gja abstrakte, ato janë shprehje e aspiratave dhe e individualitetit të popujve.
Për shembull heqja e kufijve mes shteteve të ndryshme në BRSS nuk ka qenë nji gja pozitive, por thjesht ka shenjue nënshtrimin e shumë popujve prej padronëve rusë.
Në rastin e Kosovës – mbetja e Kosovës mbrenda kufijve të Serbisë do të kishte qenë shprehje tiranije dhe padrejtësije, jo historike - pse nuk po flasim për shekujt e kaluem, ne flasim për padrejtësitë e nji dhjetëvjeçari të sapokaluem.
Por Marek Halteri, hebre polak i ikun me familje gjatë Luftës së Dytë botnore në Uzbekistan, kur thotë këto gjana për aspiratat e Kosovës, kthehet mbapsht në historinë e tij personale dhe bahet rishtas ai pionieri me shall të kuq e me shikimin krenar që i dhuronte dikur personalisht shokut Stalin nji buqetë me lule të freskëta.
I nderuemi zoti Halter, parimet staliniane apo sllobodaniane të nënshtrimit të popujve, bashkimi i dhunshëm i tyne, grabitja e së ardhmes së tyne – nuk janë parimet e Europës, drejt së cilës shkon edhe Kosova e lirë.
Parimet prej të cilave ka lindë Kosova janë parime demokratike dhe si të tilla kanë nji atdhe të vetëm: atdheun e njerzve të lirë kudo në botë.