Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Flet ish-mjeku veteriner Ferrik Veliaj: Ju rrëfej kush i gërryente nga brenda kooperativat bujqësore

| E shtune, 19.11.2011, 07:52 PM |


Flet ish-mjeku veteriner Ferrik Veliaj, që ka punuar mbi 30 vjet në disa kooperativa të Tiranës

Ju rrëfej kush i gërryente nga brenda kooperativat bujqësore

 

Nga Albert ZHOLI

 

Jeta e tij është plot peripeci. Lindi në një fshat të Beratit, me ëndrrën e vetme për të studiuar dhe për të shkuar në kryeqytet. Sipas tij, jeta dhe përparimi ndodhen vetëm në kryeqytet. Shkollën e lartë e përfundoi në moshën 35 vjeç kur kishte tre fëmijë. E pabesueshme. Ka lëvizur në të gjitha fermat dhe kooperativat e Tiranës si mjek veteriner, por jo pak kohë ka punuar edhe si punëtor krahu.

 

Si ka qenë fëmijëria juaj?

Kam lindur në fshatin Paraspuar, një fshat rreth 26 km në jug të qytetit të Beratit. Duke menduar se fshati është i vështirë dhe jeta jo se është e lehtë, por më e mirë bëhet në qytete, madje në kryeqytet. Tratativat për të marrë transferimin për në Tiranë ishin të mëdha. Duhet thënë se unë në kokën time bluaja si të shkoja në Tiranë, për të vazhduar studimet dhe për të jetuar atje. Për këtë m’u krijua rasti: Në pranverën e 1957 vjen një ekip për problemet e zonës. Fshati ynë qe në qendër, duhej thyer akulli, duhej ngritur kooperativa. Kryetari i ekipit për kolektivizimin ishte Riza Kuçi, nga Vëndresha e Skraparit. Më thirri, biseduam, më dëgjoi me shumë interesim ankesën dhe pranoi me dashamirësi kërkesën, e cila në thelb ishte të shpërngulesha familjarisht nga fshati për në Tiranë, për studime. Fisniku bëri një vlerësim e veprim, që për mua është i pari, që i dedikoj, prosperitetin e të ardhmen e fëmijëve, duke më shkëputur nga kthetrat e meskinëve, që për të zier vezën e tyre digjnin shtëpinë e tjetrit. Atyre u bëri vërejtje në sy dhe tha: "Mua nuk do të më thonë Riza Kuçi, pa të çuar ty në Tiranë". I bëri të heshtnin, sa fola unë më sipër. Pastaj më pyeti: Do të bëhesh kooperativë? Thashë "Po". "Do të flasësh para fshatit"? I përgjigjem: "Po". Fjala ime impresionoi bashkëfshatarët e mi, ata e dinin enigmën e absurdit të luftës së klasave. Jam dakord me vendimin që shtroi kryetari i ekipit, por unë do të shkoj në Tiranë për studime. Pasi mora aprovimin, mora me vete djalin që e kisha 8 vjeç dhe nxora në pazar mallin tim komplet (7-8 lopë me mëshqerra) dhe pelën me shalë (hobi im ). Por për një moment se ku u largova. Kur u ktheva pashë se malli qe i rrethuar nga disa policë dhe djali që po qante. Pasi e qetësova djalin, u drejtohem klientëve, që asnjeri të mos e prekte mallin me dorë, se është i imi dhe unë jam i lirë ta shes. "Policët të largohen, një polic të vijë me mua në Degën e Brendshme. Në Degë u shpjegova dhe kërkova të merret në telefon komiteti i partisë, mundësisht shoku Riza Kuçi. Për fat doli ai vetë dhe u mor vesh me Kryetarin e Degës së Brendshme dhe i thotë: «Të lejohet, përveç kësaj të mos i nxirret asnjë pengesë për shpërnguljen e regjistrit themeltar, se shkon në Tiranë për studime». 

Kur e mbaruat shkollën?

Në periudhën nga shtatori i vitit 1959 deri në qershorin e vitit 1963 kreva studimet universitare në Fakultetin Veterinarisë të Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Hyrja në universitet, për mua ishte një eveniment që më shkaktonte një ndjesi të veçantë. Ishte një realizim i dëshirave të mia, i etjes për dije dhe i zotërimit të një disipline shkencore, që unë të shërbeja me vullnet siç e ëndërroja. Kështu unë po lija pas punët me krahë në bujqësi dhe kjo ishte kënaqësi dhe gëzim i papërshkueshëm. Përshtypjet e mija të para të jetës universitare qenë vërtetë mbresëlënëse. Unë isha student i vonuar. Nga absurdi i luftës së klasave që më qëndroi për 36 vjet mbi kokë, si shpata e Demokleut, pavarësisht se, kisha qenë që i vogël partizan. E kaluara është pjesë e jetës sime (e secilit) dhe nuk ka të drejtë askush ta falë atë. Jeta është një roman, për dikë zbavitës e kënaqësi e për tjetrin mundim e peripeci. Pra, jeta është një dramë, ku të gjithë ne jemi aktorë që luajmë rolet që na ka caktuar regjisori fat. Jo rrallëherë rasti e fati janë deçizivë në të dy kahet. Dhe pse 35 vjeç dhe me tre fëmijë mbarova me rezultate të shkëlqyera.

Diçka nga puna?

Unë kam punuar pothuajse në shumicën e kooperativave të Tiranës. Kam shumë kujtime të bukura, por edhe të hidhura. Ja një prej tyre. Ishte muaji shkurt i vitit 1965. Kishte raste që në ditët e festave, bajrameve mungonin mjelëset, binte qumështi dhe duhet të përgjigjeshin. Në këtë muaj binte Festa e Bajramit. Atë natë që të nesërmen gdhihej festa, u ngrita herët nga Yzberishti, natën, por nuk pashë orën dhe u nisa drejt për në Ahmetaq, ku qenë përqendruar shumica e lopëve. Ishte ftohtë. Me të mbërritur pranë stallave, qëndrova buzë xhades, ulem në vendroje për të ngrohur duart, pa e ngritur motorin. Më qëndron para një veturë klasike dhe del një person që thotë: "Na e shty pak se na u fik". Hezitoj, pasi ishte ftohtë e më në fund e shtyva. Kur e ndezi e pyeta se e kujt është makina. M'u përgjigj: "Ambasada Jugosllave". Një moment shtanga në vend. Pa ecur 100 metra, ia mbërriti një xhips para meje dhe zbriti një person që më thirri: "Mos lëviz!", duke m'u drejtuar, ndërsa makina ndoqi rrugën pas veturës. Ai më pyeti: "Kush jeni ju?" I përgjigjem: "Veterineri i kooperativës së Prezës” dhe emër e mbiemër. Bëri disa hapa dhe pyeti për mua një nga rojet që e thirri: Kush është ky, sa gjuhë di etj.. Siç më thanë, ata i treguan se është doktor veteriner i lartë dhe di 2 a 3 gjuhë të huaja. Më ndoqi hap pas hapi gjatë gjithë kontrollit të stallave, kur u thirra punonjësve në emër dhe bëra apelin, mora masat për ata që mungonin. Ngarkuam qerren me bidonët e qumështit, për në pikën e grumbullimit buzë xhadesë. U bë kontrolli i qumështit para se të ngarkohej në makinë për në Tiranë. Grumbulluesi tha: "Doktor, kur jeni ju prezent, qumështi është në rregull. Ka raste që na hedhin ujë". Kjo varet nga ndërgjegjja, se të gjithë i kishim këshilluar. Personi i degës u përcoll, hipi në makinën e qumështit për në Tiranë. Ç'të thuash! U përhap lajmi siç i binte për hosh secilit, pa koment, ndërsa vetë isha i qetë. Kur më pyetën në kryesi u shpjegova tekstualisht si më lart. Pas një jave, një ditë të diel, kisha dalë në pazar te sheshi "Avni Rustemi", takoj civilin e natës së shtytjes së makinës. Duket se kishte marrë të dhënat dhe çdo gjë ishte bërë "sinonim" me mua, se është kategorik, nuk të fal, nuk e lëshon të vërtetën, punon pa orar, ditë e natë. Më pyet: « Doktori i Prezës ? » "Po",- i them.- "Si punokëke ashtu natën?" "E do puna", -i them. "Ajo punë që bën ti është ndërgjegje e kombit". I përgjigjem se nuk më takon gjithë ai vlerësim, pasi unë nuk jam veçse një fije floku i kombit". Ai u përgjigj: "Po të ishin të gjithë njerëzit kështu, ku do të ishte vendi ynë!" pra kishte njerëz që vlerësonin me objektivitet, pavarësisht metodat, porosi "sui generis", të mos abuzohet e të mos përgjithësohet në të dyja kahet. Personin në fjalë nuk e takova më, as e njoh, as ia di emrin.

Keni qenë për një kohë të gjatë në Prezë?

Po. Në kooperativën e Prezës vjen kryespecialisti zooteknik i komitetit ekzekutiv Kleo Duka, për të kontrolluar ecurinë e rritjes së shpendit dhe të prodhimit, se kishim mungesa dhe mosarritje kuotash. Thënia e tij më ka mbetur në mendje edhe sot kur po shkruaj këto rreshta. "Kokrrat e vezës, duan kokrrën e misrit. Pulat duan koncentrat". Pra, mosarritjet në prodhim nuk varen nga ti, kryesisht ka shumë faktorë. Por unë po të mos luftoj ty, dëmtoj veten time. Ndjesë fisnikut që nuk jeton më. Shprehja ishte shumë domethënëse, porosi "sui generis" për kategoritë, klasat. Kush nuk e zbatonte, e pësonte. Sa njerëzve fisnikë u është përkulur karakteri, por nuk mund të bënin ndryshe. Në këtë moment ngrihem e i them: "Po e konstatove se është për fajin tim, qoftë edhe për më të voglin shkak, ta raportosh. Unë ta vuaj dhe jo ju".

Si zura Tiranën në këmbim të qeve të parmendës dhe 20 kv bereqet

Kur erdha në Tiranë, kooperativës i fala pendën e qeve, dy dema race me vlerë 90 mijë lekë dhe veglat e punës. Kam një sasi 20 kv bereqet (grurë, misër). Gjysmën e merr xhaxhai dhe gjysmën, 10 kv kujt nuk i del buka deri në fund të vitit të vijë të marrë dhe lekët të m'i dërgoni". U ngritën e më uruan të gjithë, një pjesë me lot në sy. Një plakë e moshuar, Sado Hyra, tha: "Bir i nënës, i vetmi i Pashakos, na ike. Të kishim si bankë, sa herë që kishim nevojë ". E gjithë kjo te kryetari i ekipit, Riza Kuçi, la një mbresë të thellë dhe bëri një vlerësim: "Nuk do t’i mbajmë falas pendën e qeve prej 90 mijë lekësh". Dhe ashtu u bë. M'i dërguan lekët.

Fshatarët e mi, si gratë e liga, xhelozë për një motor

Qysh në vitin e parë të shkollës (1959) bleva një motor "Guzzi" 500 kubik, mbi 250 kg peshë, me një vlerë 90 mijë lekë ( lopët që shita, disa jepnin 20 kg qumësht në ditë, një xhersej e shita 90 mijë lekë). Motori ishte i vëllezërve Riza, Emin dhe Hajro Bermema. Një vëlla ishte shofer i Enver Hoxhës, Emini ishte shef i Inspektoratit të Tiranës. Unë ia bleva Hajros dhe ai bleu makinën "Tatra planin" e Uran Dinos. Kjo lëvizje me këtë motor i ra në sy Dr. Vasfi Saminit, i cili një ditë citoi një thënie të Engelsit në "Dialektikën e natyrës": "Çdo gjë perceptohet në lëvizje, e kjo në kohë e në hapësirë". Pas tre vjetësh pasi u vendosa në Tiranë (1959), kur erdha në fshat për një vizitë te xhaxhai, qëndrova në lokalitet. Panë motorin dhe pyetën "sa e ke blerë". U thashë, 90 mijë lekë. "T'ëmën,- thanë, -pelën e shiti 30 mijë dhe tani vjen me një motor me vlerë sa tre kuaj me shalë"! Pa i futur të gjithë në një thes, po përgjithësoj: "Shqiptarët nuk e duan njëri-tjetrin, aq më tepër të indoktrinuar. Këta janë njerëz që s'kanë vetvete, vegël e rëndomtë e politikës. Fryma totalitare është shprehur me fjalët slogane "për çështjet e partisë dhe të popullit jemi gjithmonë gati". Asnjë parti nuk ka vlerë, në qoftë se nuk përfill familjen e tij. Te ne i biri ka mohuar babanë, vëllai vëllanë e kunati kunatin. Bile janë bërë shkes për ta vrarë.

Mllefi i Nezir Goricës, se i kisha shkruar Enver Hoxhës

Në vijim të kalvarit, në vitin 1965 bëhet një mbledhje në kooperativën e Yzberishtit. Nga të gjitha kooperativat fushore kishin ardhur nga 2-3 mjelëse për eksperiencë. Nga kooperativa e Prezës kisha prurë 2 mjelëse. Mbledhjen e kryesonte Nezir Gorica, anëtar i byrosë së rrethit. Asistonte edhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv. Ky sa më pa, tha:- "Doktor Ferriku të dalë jashtë!". Të gjithë kuadrot, Neziri, Besnik Bejleri, Qemal Jegeni u habitën, por e dinin dhe thanë: "Çfarë mllefi! Nuk e honepsi dot sepse i ka çuar letër Enver Hoxhës!".

Një episod nga  Arbana me Manush Myftiun

 

Bëhej Kongresi i I-rë i kooperativave bujqësore. Në një organizatë, të deleguar për të përshëndetur më kishin caktuar edhe mua. Në intervalin e pushimit, kur dolëm në korridor, u ndeshëm pa dashur me Manush Myftiun ballë për ballë. Më pa, seç iu kujtua e m'u drejtua me shikim e mimikë. Mora qëndrim, u përshëndetëm, por nuk po orientohej. V.O. Njerëzit gjykoheshin në forumet lart duke u vënë përpara foton 6x9 bashkë me pasqyrën nga zyra e kuadrit. Përsërita: "Doktor veteriner F.V. i Arban Bulticës ose "Mihal Durit". U kujtua. "Si të shkojnë punët tani?" "Shumë mirë, shoku Manush". "Mirë, të punonin të gjithë kuadrot kështu si ti". Nuk bën të përgjithësojmë dhe t'u veshim gjithë negativet e epokës njerëzve, pa ditur brendinë në kushtet e ambientit e psikologjisë së kohës."Rrethanat justifikojnë gjithçka".

 Në Zallherr, ku ujku me dy këmbë bënte kërdinë

Në shtator 1970 transferohem në Zalherr. Në këtë zonë e pata shumë të vështirë punën. Që në ditët e para e pashë se porositë (sipas mënyrës pa koment), më përpara vinin të dhënat sesa të paraqitej kuadri. Pritja në fillim qe mirëseardhje. Pa kaluar pak ditë takoj në mensë një drekë e shtruar me njerëz të panjohur, më thonë, se është ky ose ai, por nga kondicioni dukeshin shumë të mirë. Njëri qeshi e kur uroi tha: Të paçim o doktor, punë të mbarë e na lënç mbrapa (fjalë e thënë, guri shtënë). Kishin therur një rurëz pasi hëngrëm shkoj të paguaj në sportel. Më thonë: Nuk paguhet janë shpenzime për kryesinë i mbulon kooperativa. Më vonë prapë dikush vjen, theren dy pula, shtruan drekë për tre vetë, ku isha edhe unë me ta në drekë. Pyes infermierin - veterinar kush i pagoi, i pagova unë m'u përgjigj ai. Kur e verifikova më thanë jo. U ther një mëshqerrë pasi u nda, u bë lista e reduktuar. Mbas këtyre tre episodeve vjen sekretari i byrosë e më thotë: Ti do të bësh si të themi ne. Përndryshe nuk do të hash bukë këtu. Unë i përgjigjem: Ju do të lini teserën e partisë dhe unë do të shkoj gjetkë, por të paktën nuk humbas nderin. Vinin bagëtitë thereshin. Dashi tre vjeç kërkohej të justifikohej me 7 kg mish, kur një qengj 3-4 javësh në kushte optimale peshon 7 kg. Mjerë kuadri në rrugë kryq. "Të rrallë janë njerëzit që, kur nuk shohin drejtësinë, përdorin fuqinë se i pret gjëma.". I ndala këto marrëzi që më kushtuan stres.

Në Vaqar, pse tha Mumtazi, më mirë një Ferrik se sa pesë doktorë 

Më pritën keq, mos ta pranojmë, versione nga më të ndryshmet. Kryetar kish ardhur Mumtaz Kotoni një agronom shumë i aftë që e ngriti nivelin e kooperativës bashkuar Arban - Bulticë, deri në kohën që u bashkua me Vaqarrin, njeri zemërgjerë u qante hallin dhe njerëzve sidomos ata që i ndiqte absurdi i luftës së klasave. Në një mbledhje i drejtohen Muntazit të mos e pranojmë Ferikun. Por ai u përgjigj, më mirë të mbaj një Ferik, se sa 5 doktorë të tjerë. Ai punon pa orar, gjendet në çdo rast urgjence natën. Kryeagronom vjen dhe Maliq Bulku, njeri punë shumë e fjalë pakë. Vlerësonte punën e njerëzve, i jam mirënjohës për vlerësimin e punës e djersës sime gjatë kalvarit. Me të gjithë kuadrot kemi pasur relata shumë të mira, ndërsa nga smira e egoja e sëmurë sulmohesha nga kolegët e mi.