| E shtune, 19.11.2011, 08:42 PM |
Lexuesit e Blendi Fevziut e blejnë injorancën me para (2)
Nga Kastriot MYFTARAJ
Libri i Blendi Fevziut për Enver Hoxhën është vitrina e injorancës së tij. Të pafundme janë shembujt që mund të sillen nga libri, për të treguar këtë gjë. Fevziu shkruan në libër, për Enver Hoxhën: “Hysen Hoxha u bë mecena i tij”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 23) Nga kjo që thotë Fevziu kuptohet se ai nuk e di kuptimin e fjalës “mecenat”, të cilën e shkruan gabim “mecena”. Mecenat quhen të gjithë ata njerëz të pasur që bëjnë sponsorin e artistëve. Fjala vjen nga emri i një patrici të pasur në Romën e Vjetër, Gaius Maecenas, i cili ndihmonte me para artistët në kohën e Oktavian Augustit. Emri i tij është bërë, për antonomazi ai i sponsorit të artistëve. Në rastin e marrëdhënieve të Enver Hoxhës, me xhaxhain e tij, Hysen Hoxha, nuk ka vend fjala “mecenat”, se Enver Hoxha nuk ishte artist dhe Hysen Hoxha e ndihmoi në fëmijëri, deri kur u kthye i ati i Enverit nga emigracioni në ShBA. Fjalën “mecenat” Fevziu e përdor përsëri gabim kur shkruan: “Hoxha gëzonte ndihmën e Eqrem Libohovës, ministër i Jashtëm i Mbretërisë, njeri me ndikim nga një familje me emër, që ishte njëfarë mecene i familjes Hoxha”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 32) Fjala “mecenat”, apo “mecene” siç e përdor Fevzo sharlatani, këtu do të ishte me vend nëse familja Hoxha do të ishte familje artistësh, çka nuk ishte rasti. Kulmi i keqpërdorimit të fjalës “mecenat”, apo “mecenë”, siç e thotë Fevzoja, është kur ai thotë në libër se: “Eqrem Libohova, njeriu që e ndihmoi tri herë, ndryshe nga shumë mecenë të tjerë të tij, nuk e pësoi drejtpërsëdrejt”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 46) Kështu, të gjithë ata të cilët e kanë ndihmuar financiarisht Enver Hoxhën, Fevziu i quan mecenatë. Redaktori i librit, Aurel Plasari, sigurisht që e ka vënë re përdorimin e gabuar të fjalës “mecenë”, por e ka lënë siç është, për t’ u tallur me Fevziun. Fjala “mecene” vlen vetëm për një gjë, për të përcaktuar mendimin e Fevziut, si me cene.Në librin e vet Fevziu shkruan: “incidenti i bombës në Ambasadën sovjetike në 1953”. (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 28) Kjo ngjarje siç dihet ka ndodhur në 1951. Këtu nuk kemi të bëjmë me një lapsus, se Fevziu e përsërit disa herë, por kemi të bëjmë me një ilustrim të injorancës së Fevziut. Në librin e Fevziut shërbimi sekret i Italisë fashiste së kohës së Mussolinit, përmendet si ORVA (f. 316), kur në fakt është OVRA. Një gjë e çuditshme kjo, se Fevziu ka një pasion për shërbimet sekrete.Mit’hat Frashërin, Fevziu e quan “botues, albanolog dhe albanofil” (f. 98), çka tregon se ai nuk e di kuptimin e fjalës “albanofil”. Mit’hat Frashëri ishte albanolog, por jo albanofil. Mit’ hat Frashëri nuk mund të ishte albanofil për faktin e thjeshtë se ai ishte shqiptar. Fjala “albanofil” do të thotë mik i shqiptarëve. Në këtë përcaktim për Frashërin, Fevziu ka kopjuar qartësisht përcaktimin që studiuesi Ndriçim Kulla i bën At Zef Valentinit, si albanolog dhe albanofil. Në rastin e Valentinit përcaktimi është korrekt se ai ishte italian. Kur flet për hyrjen e Enver Hoxhës në Tiranë, në nëntor 1944, Fevziu e përshkruan atë kështu: “I graduar gjeneral-kolonel dhe komandant i përgjithshëm i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare”. (f. 18) Enver Hoxha nuk ka qenë kurrë Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Që prej korrikut 1943, deri në maj 1944, ai ka qenë komisar i UNÇSH. Komandant i Shtabit të Përgjithshëm, që prej korrikut 1943, ka qenë Spiro Moisiu. Në Përmet, në maj 1944, Enver Hoxha u bë Komandant i Përgjithshëm i UNÇSH, kurse Moisiu mbeti drejtues i shtabit të ushtrisë.Në librin e vet, Fevziu, duke komentuar një fotografi të Enver Hoxhës gjatë festimit të vitit të ri në familjen e tij, thotë: “Pema e Krishtlindjeve ishte e ndaluar për shqiptarët”. (f. 392) Kjo është një nga marrëzitë e çuditshme të librit të Fevziut, se diktatura komuniste nuk e ndaloi pemën, por e quajti Pema e Vitit të Ri. Kjo pemë vihej në qendër të qyteteve, e zbukuruar, dhe me një yll të kuq në majë. Pema vendosej gjithandej në shkolla, ndërmarrje, shtëpi, varësisht dëshirës.Fevziu tregon injorancë edhe sa i përket historisë së shtetit shqiptar. Kur flet për marrjen e bursës nga ana e Enver Hoxhës, për në Liceun e Korçës, në 1927, Fevziu shkruan: “Nuk do të ishte bursa e parë në jetën e Enver Hoxhës, përfituar nga Mbretëria Shqiptare”. (f. 26) Por, kur Enver Hoxha mori bursën shtetërore për në Liceun e Korçës, në 1927, ekzistonte Republika e Shqipërisë, e shpallur në 1925, dhe jo Monarkia, e cila u shpall një vit më pas në 1928. Natyrisht se Fevziu për të gjitha këto kritika e ka gati përgjigjen prej sharlatani, ai do të thotë se libri i tij është ese, çka në fantazinë e Fevziut do të thotë se saktësia e fakteve historike nuk ka shumë rëndësi.