Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tefik R. Qarri: Lam Breznica dhe lufta e Ushit – Përkujtim me rastin e 67 vjetorit të luftës së Ushit

| E premte, 18.11.2011, 09:02 PM |


Lam Breznica dhe lufta e Ushit – Përkujtim me rastin e 67 vjetorit të luftës së Ushit

 

Shkruan Tefik R. Qarri

 

Në pranverën e vitit 1987, martohej kunata ime e vogël M. Dasma bëhej në Bujanoc. Skishte 4 muaj që isha liruar nga burgu. Për ti pritur dasmorët (krushqit), vjehrri i kishte ftuar fqinjët e tij dhe shumë musafirë, sepse po martonte fëmiun e fundit.Në dasëm shkova, me insistimin e mikut, Veliut. Burrat që ishin në dhomë u përshëndetën me mua, por shumë të rezervuar. Perjashtim bënin  Bajram Bërnjashi, Hajredin Asllani dhe mixha Lam. Bajrami duke më përqafuar më tha, shumë po gëzohem që po të shoh edhe ty këtu ( ai shumë më ka ndihmuar gjatë vuajtjes së denimit në burgun e Prizrenit). Edhe Hajredin Asllani nga Tërnoci , shoku im i vjetër  i aktiviteteve, shumë u gëzua  për ardhjen time (Hajredini  ka kontribuar shumë për çështjen e Kosovës, duke ndihmuar shumë njerëz përmes aksioneve humanitare).      

   Në pritje të miqve në dhomën tjetër, ndodhej edhe mixha Lam ( fqiu i parë i vjehrrit tim). Sapo mori  vesh për mua , erdhi  menjëherë , edhe pse në fakt une duhej të shkoja dhe ta përshëndesja. Me të hyrë në dhomë, me za të ngritur mu drejtua, oh sa po gëzohem që po të shoh. Ti je djali i shokut tim të vjetër, met të cilin kemi shërbyer nji vjet në Shqipni . Ishalla plasin dushmanët. Me mori për dore, duke më thënë,  eja me mua të rrimë, se“ne e kemi dertë të njejtën sëmundje“dhe „mos po frikohet kush se po ja ngjesim “.    

  I pritëm krushqit siç e donte zakoni. Pas ceremonisë së dasmës, mixha Lam më ftoi që të shkoja  tek ai, në shtëpi. Aty ndejta deri në mbrëmje, duke bisedur gjerë e gjatë me te.E luta të më tregoj dicka nga e kaluara e tij. Ai filloi të rrëfej për luftërat e shumta, të zhvilluara gjatë kohës së luftës së dytë botërore, për strehimin në mal, për burgosjen dhe dënimin, si dhe për kohën e kaluar në burgje (10 vite i dënuar). Ndër të tjera, foli edhe për luftën e Ushit.

Ai e filloi rrëfimin  me pushtimin Gjerman të Jugosllavisë.

Gjermanët për tri ditë e kanë pushtue Jugosllavinë e kralit. Me Gjermanët,  erdhën edhe Bullgarët. Shqiptarët në zonat lindore të Kosovës kaluan nga pushtimi Serb, në duartë e një okupatori  tjetër, të Bullgarëve gjakpirës. Gjanari huej tha, kurrë nuk pe dike kur asht boll  mbi popull te huej. Katundi im Breznica, bashkë me fshatrat shqiptare të komunës së sotme të Bujanocit, ishte nën okupimin Bullgar, ndërsa arat dhe livadhet e katundit tonë, mbeten ndër Itali.

Historia nuk njeh asnjë “ okupator të mirë“, ama kur të shtinte Bugari n`dorë, mjerë lëkura për ty. Të rrehte me kamxhik, apo me dru 90 herë,  e në fund thoshte, dreçi e mart, gabova, dhe ja niste prej fillimit. Unë u vonova tua dorëzoi  leshin e dhenve, dhe xhandari  Bullgar më ra shuplakë ndër sy të katundarëve të mi. Ne këtë moment mu ba sikur krejtë bota po më shiqonte, dhe kurrë  nuk jam ndie ma keq në jetën time. Atë ditë u përshëndeta me familjen, mora pushkën dhe u nisa të kaloj në zonën e okupimit Italian (në Shqipni). Kur dola në Rogocicë, masi mora frymë lirishtë, thash me vehte: „lehtë ashtë me kanë shqiptar në Tiranë apo në Prizeren, por me kanë shqiptar nën sun të Bugarit, bukur vështirë koka“.

Në fund te  43 kapitulluen Italia dhe Bullgaria. Tani, deri në maje te Sitilisë u ba „Shqipni“. Qeveria e dr. Rexhep Mitrovicës, me ministrin e brendshëm z.Xhafer Deven, morën nismën për të formue xhandarmërinë e shtetit, sikur në kohën e mbretit Zog. Kështu u formue rexhimenti i Kosovës, nën komandën e Pajazit Boletinit (djali i Isa Boletinit). Mixha Lam emërohet komandant i kompanisë së Gjilanit. Ne Shqipni qëndruem rreth  11 muej, vazhdoi mixha Lam. Unë komandoja kompaninë prej 70 xhandarëve të anës së Gjilanit. Ne në Tiranë siguronim hotel „Dajtin“, ku ishte selia e Ballit Kombëtarë. Një kohë të shkurtër kemi qenë në Shkodër, pastaj kemi qëndrue pak edhe në Lushnje dhe Kavajë, por prap jemi kthye në Tiranë. Disa xhandarë të kompanisë tonë, kanë ba  edhe roje në burgun e Tiranës. Nga Kosova na vinin lajme të këqia, për zullumin e partizanëve në kufijtë lindor të Kosovës.

Ishte pranvera e hershme e vitit 44. Një ditë më ftuan në bisedë komandanti i rexhimentit z.Pajazit Boletini dhe Ministri i mbrendshëm z.Xhafer Deva. Ata kërkuan nga unë që ti njoftoi me kufinin e vjetër në mes të Serbisë dhe Shqipnisë, si dhe për „karaullat e Turkut“, në relacionin Kitkë, Guri Zi, Sitili, Reistoc, Bujanoc dhe Preshevë. Ata më urdhnuan që unë me shokët e mi  të kthehemi  në Kosovën Lindore, për ta organizuar luftën mbrojtëse në ate  rexhion. Ata u interesuan për parinë e kësaj ane, dhe për njerëzit e shkolluar. Ata, komandant të kufinit e emnuen mulla Xhemailin e Breznicës, që kishte gradën e togerit të kohës së kralit të Jugosllavisë, dhe ishte i shkolluem, ndërsa unë u caktova zavendës i tij. Në pranverë të 44 u ktheva në Breznicë. E mblodha parinë e kësaj ane, dhe i njoftova me vendimet e qeverisë së Tiranës, por, mulla Xhemaili nuk pranoi të jetë komandant, por vetëm të më ndihmoj mue, në organizimin e vullnetarëve shqiptarë. Shumë shpejtë ne i formuem kompanitë e vullnetarëve, si në Breznicë, Qarr, Muçiverc, Shipashnicë, Zarbicë e Karaqevë, ndërsa në Hogosht e Rogocicë ishin formue ma herët. Këto kompani, bashkarishtë e përbënin batalionin e komunës së Rogocicës, me komandant Sadri Misim Dermakun. Kryetar i komunës ishte Xhafer Podina i Desivojcit. Komandant të kompanive ishin: Azem Sylku, Metë Shipashnica, Lam Shahini-Breznica, Sylë Ademi,  Asllan Bislimi, Sylë Shabani-Zarbica, Sulejman Qarri, Sali Murati e tj. Me fjalët  „ah kjo virane pleqni as për qenë nuk ish“, mixha Lam vazhdonte bisedën e tij. Luftëtarët e këtyne kompanive treguen trimni të pashoqe, duke e mbajtun frontin prej korrikut e deri në nandor te 44, përgjatë vijës Kitkë, Guri i Zi, Sitili, Ush e Bujanoc, në duartë tona. Forcat e anmikut ishin disa herë ma të shumta, dhe shumë ma mirë të armatosuna, por deri në fund të tetorit, nuk arritën me thye frontin, edhe pse një brigadë partizane nga rrethi i Vrajës, kishte përshkue katundet shqiptare, tue kalue prej Kitkës për në Ush, por nuk kishin mund të vendosen aty. (Komisarja e kësaj brigade , kishte mbet e vrame në arat e Karaqevës së Poshtme. Për këtë shkak, në vitin 1950, burgosen dhe akuzohen tre Qarrali, (Ramushi Qazimit, Zejna i Alisë dhe Jakupi i Rexhepit).

Një prej betejave më të përgjakshme që u zhvillua në mes të forcave vullnetare dhe brigadave partizane Serbe, është ajo e zhvilluar me 18 tetor 1944, në qafen e malit Ush, aty ku është karaolli i turkut, e cila në popull njihet si lufta e Ushit. Atë ditë aty u ba ni kasaphane e madhe, vazhdon mixha Lam. Disa brigada dhe kompani partizane, të ardhuna nga Piroti,Nishi, Leskoci e Vraja, ngjiteshin grykës së Vratagoshit për me dal në Ush.  Aq shumë ishin, sa neve na u dukshin si mali me dushk.

Mirëpo, trimat tanë u treguen sypatrembun. Me komandantët e kompanive e bamë planin, dhe u besatuem, mos me lëshue frontin të gjallë. Zumë pozitat, dhe pritshim të na ofroheshin deri  në nishana të pushkëve. Masi ja morëm hallallin njani tjetrit, tash vetëm pritshim kush po qet i pari. Ne ishim marë vesh, që ma spari të qitshin komandantat e kompanive.Një komandant i brigadës së Pirotit, hypun me ni kali të bardh i printe asaj. I pari qiti Azem Sylku, komandantin e qëlloi në krye. Kali hinglloi tmerrshëm, duke  e marë komandantin nëpër kamë. Pastaj, gjëmuen tana armët , në të dy anët e Ushit, nga Sitilia e deri në Llucan. Gjatë tër frontit, atë ditë u zhvillue luftë e përgjakshme. Anmiku sulmonte pa ndërpre. Ne kishim zanë pritën, dhe e njihnim terenin, sepse ishte vendlindja jonë. E njihnim qdo rrugicë kambesori, apo luginë mali. Fronti shkonte përgjatë kurrizit të malit. Partizanët ishin në lindje nga Vraja, Vratagoshi e Bujanoci, ndërsa ne ishim në perëndim nga Ramabuqa, Gjergjeci, Muhoci, Breznica e deri    Konçul. Anmiku vërsulej, por mbetej i kositur nga plumbat tonë. Lufta vazhdoi gjithë ditën, deri në orët  e mbramjes. Ne kishim mase 40 të vramë, ndërsa anmiku mbi 1000, dhe trefish të plagosun. Katundarët Serb të Vratagoshit, nji javë kanë bajtë kufoma me kerr, e shumë prej tyne mbetën prrockave, ose i varrosën në gropa të përbashkëta. Atë ditë i madh e i vogël u gjendën në Ush. Ah, sikur t`ishim kanë gjthmonë qashtu bashkë, fshante mixha Lam. Në nji moment ,vazhdon mixha Lam, u ndëgjue ni za në gjuhën Serbe, tue thanë“ jeli rodila majka siptara, da mi izlazi na mejdan ( a ka lind nana shqiptar, qi guxon mem dal n`mejdan). Askush su pergjegj thot mixha Lam.  Shkau thirri për herë të dytë. Unë, thotë mixha Lam u ngrita dhe dola në ledinë, duke i thanë, unë të dal n`mejdan. Ecnim me pushkë të ngrituna në drejtim të njeni tjetrit.Të dy pushktë krisën. Ai që kerkoi dyluftim u rrëxue për toke. Unë qe , hala jam gjall. Edhe pse në moshë të shtyer, kujtimet i kishte ende të freskëta. Për këto punë tha, guxoj të flas, vetëm me njerëz që ju besoj. Prandaj po flas me ty ,se të besoj (Kam fol edhe me Kadrush Sulejmanin, djalin e Azemit, sepse edhe atij i besoj). Fronti, vazhdonte mixha Lam,  ishte i gjatë. Shtrihej nga Guri i Zi, nëpër rranzën e Karadakut e deri në Shkup. Nga Sitilia e deri në Konçul, në këtë kohë luftonin rreth 1200 vullnetarë shqiptarë. Ne u munduam  dhe e mbrojtëm vendin, dhe ata, deri në nandor të 44, nuk munden me depërtue në katundet tona. Pas luftës së Ushit tha mixha Lam, nuk duhet me e harrue edhe luftën e Qarrit, në dhetor të 44, që ashtë lufta e fundit e madhe e fitueme, që u zhvillue nga forcat vullnetare të kësaj ane, me Brigdën e XVII Serbo-Maqedone. Por, këtë fitore qarralitë e paguen shtrejtë. Në kallnuer të 45, u morën dhe u pushkatuen 21 qarrali, të cilëve as sot nuk u dihen vorret.

Fatkeqësishtë, ne ishim pak, dhe të armatosun dobet ,ndërsa ata, shumëfish ma shumë se na, dhe të armatosun mirë. Ne nuk mundem me ju përballue. Ata e muren krejtë Kosovën. Por, duhet të thuhet edhe kjo, se atyne ju ndihmuen edhe komunistët e Shqipnisë dhe komunistët e paktë të Kosovës. Edhe në katunet tona,  shumë veta i banë per vehte. E përmend Karaqevën, ku hoxha i katundit i kishte nxitë katundarët  me qitë peshqira të bardhë nëpër dyer, si shenjë dorëzimi para partizanëve.

Mixha Lam vazhdon rrëfimin, duke thanë se në fillim të 45, në Kosovë u vnue rexhimi ushtarak. Njerëzit pushkatoheshin pa gjyq hiq. Mbi shqiptarë ushtrohej terror i zi. Me mija u vranë dhe u masakruan (Kujton masakrën e Gjilanit të atij viti, ku u maskrauen me dur lidhun,  mbi 7000 shqiptarë).

Unë në këtë kohë, me 14 shokë dola në mal, në mesin e tyne ishte edhe Gjon Sereçi. Deri  në fillim të marsit të 47, ne qëndruam bashkë, në malet ndërmjet Breznicës dhe Shipashnicës. Por mbasi u zbulue vendqëndrimi ynë, ne na u dashtë të ndahemi , dy nga dy. Osman Gagica kërkoi që Gjon Sereçi të shkoj me te. Para se të ndahem nga Gjoni, për të mos e parë kurrë ma, i thash Osman Gagicës, le të vij Gjoni me ty, por dije se ke marë përgjegjësi të madhe mbi  vete. Kur e përshkruan ndarjen nga Gjon Sereçi, dikund në mes të Novosellës së Poshtme dhe Rogocicës, mixhës Lam i rrjedhin lotët. Kosova thot, rrallë lind trima dhe atdhetarë të tillë. Ai ishte zemra dhe mendja e popullit të Kosovës. Kur më erdh haberi se Gjonin e kishin zanë me tradhëti në Laqiq, sa nuk më lëshoi shpirti. OZN-a po na hante nji nga nji. Ai vazhdonte rrëfimin, duke treguar se si përmes bashkëpuntorëve të vet OZN-a tentonte me e zan mixhen Lam. Njëherë i ofrojnë si kusht ,përmes B.Z. nga Breznica, per me e vra Sylë  Zarbicën, që pastaj ata, tia siguronin një punë rojtari në komunë (punë që kurrë nuk e pranonte mixha Lam). Por, e dija se do ta gjenin dikend, ashtu si e gjetën në Gjergjec, dhe e vranë Sylën  (i pëvluar me valë). E dija se edhe mue ni ditë kanë mem vra, siç e vranë Sylën, Muharrem Fejzën, Gjon Sereçin e shumë të tjerë. Prandaj, vendosa me u dorëzue, se rezistenca ishte e kotë. U dorëzova në fillim të pranverës 47, në Breznicë,  në duar të majorit të OZN-ës nga Bujanoci, Stanimir Pantes. Para se të dorezohem e parashtrova vetëm nji kusht. Të më lejojnë të takohem me robtë e mi,  të ngujuem në Muçiverc, sepse unë mendoja që skam kurrë  me i pa ma, se isha i bindun, që do të më pushkatonin. Por, pa të denue zoti, njeri nuk mundet me të denue. Mbasi u dorëzova,  më dërguen në burgun e Vrajës. Torturat  ishin të tmerrshme. Gjyqi ushtarak , më bashkoi me grupin e Avni Qorovinës nga Tërnoci dhe më denuan me 11 vjet burg.

Ne saje të prindërve të Avni Qorovinës dhe Pajazit Hajdarit nga Tërrnoci, që ishin të pasun, dhe OZN-ës i kishin dhanë pare të madhe, dolëm para kohe nga burgu. U gëzova shumë kur dola, por tek pasi dola përjashta, e kuptova gjendjen time t`vërtetë. Familja ime ishte e izolueme, e shpallun anmike. Askush nuk më hynte në shtëpi. Shokët  dhe miqtë e paktë, më vizitoni me droe të madhe, dhe vetëm natën. Isha i ndamë si në darsëm, si në dekë. Nëse dikend e takoja në rrugë, ai ose e ndërronte drejtimin, ose e shpejtonte hapin. Por, dikur  tha u mësova, nuk ua vnoja veshin. Duke u ndarë prej mixhes Lam mi tha edhe këto fjalë: e di se e ki t`vështirë me e përballue izolimin, sepse edhe tani, situata po i ngjan kohës së dikurshme, mirëpo gjenerata e juej arriti me u shkollue , dhe ne saje të njerëzve të shkolluem, vetëdija e popullit shqiptarë  është shumë ma e madhe. Burgosjet sjanë nal asnjiherë, bile edhe vrasjet, siç po ndodhin edhe sot, sepse jemi të okupuem. Mirëpo, populli kadal po e humb tutën. Kjo po shihet në të pamet qe bo u bahen të vramëve në ushtri, si dhe vizitat te të burgosunit, që po lirohen nga burgjet. Këto vizita ia shtinë tutën në barke hyqmetit,  dhe zagarëve të tij, tha mixha Lam. Unë po gëzohna shumë, qi populli po bashkohet ngadal. Unë tani jam plak, por juve ju ruejt zoti. Ju po ja vnoni temelet Republikës së Kosovës dhe bashkimit të popullit shqiptarë. Kosovën ta fitoni e ta rueni , me mendë e me laps. Por, kur nuk banë punë lapsi,  Kosovën fitone dhe mbrone me pushkë. Kjo ishte porosia e mixhës Lam. Duke u ndare prej tij, i premtova se këto fjalë një ditë do të botohen. Besoj se nuk është i vonuar ky shkrim.

P.S./ Një bisedë të ngjajshme, mixha Lam e ka zhvillue edhe me të ndjerin Kadrush Sulejmani nga Muçiverci.

Më poshtë teksti i këngës për luftën e Ushit, e kënduar msheftas, nëpër odat e Gollakut dhe Anamoravës.  Këtë këngë e ka kënduar Shaqir Karaqeva nga Karaqeva e Poshtme,  ndërsa për herë të parë,  është botuar nga i ndjeri Kadrush Sulejmani. Pason teksti:

 

A po nini o vllazni!

Në mal Ush çka ka ba vaki

Azem Sylku me shtatë-tetë vetë

Me Lam Breznicën osht zatet

Kanë besëlidh, kanë marue qetë

Për Kosovën na sod me dekë!

Prej Pirotit e der n`Leskoc

E prej Nishit n`Bujanoc

Shki çetnikë, haj terr i zi

Nanë Kosovës ja kanë mësy

Kanë mar udhë, me dal n`Breznicë

N` Karaçevë e n` Rogoçicë

Janë betue tanë n`Vratagosh

Shqiptarinë krejtë me bo shoshë

Sa ka dushk, n`Ush ma shumë çetnikë

Shumë ma shumë bajnë munafik

Propagandë e madhe ashtë maru

Donë shqiptarët, o mej mashtru

Frontin pa luftë për me lshu

Përmi Ush o shkijet kur kanë dalë

Krejt Kosovën me sy e kanë marë

Si te çartun nisen me uluru

M.H. e S.G., janë frigu

Karaqevalive ju kanë urdhnu

Peshkir  t`bardhë n`dyer me vnu

Behë „cullakëve“, haberi u ka shku

Behë „cullakëve“, haberi u ka mrri

Hamdi Beha ashtë shtërngu

Monit e Rexhep Fazlisë fjalë u ka qu

Ni mashinkë mu mka qillu

Shpejt na n`Ush duhet me shku

Azem Muçiverrcit mi nimu

Mi  dal n`dihmë Lam Breznicës!

Azemi e Lami çka po bajnë

Fjalim t`shkurt komandarëve po u majnë

Kem pak armë, ma pak fishekë

Nuk banë kot ni plum me shkrep

Pushka e Azemit kur t`shkrep e parë

Ni çetnikë mos me lshue t`gjall!

Behë Cullakt n`dakik kanë mrri

Shumë shqiptarë i kanë gjet n`vrri

U kanë dal shkive ball per ball

N`Ush kanë dal të tanë me dekë

N`ër kamë t`shkaut mos me metë!

Azem Muçiverci shkrep i parë

Komandarin e ka marë n`ball

Rrashta e kresë, hop përpjetë

N`tokë pa shpirt komandari u metë

E merr kali nëpër kamë

Shkojke pluhni sikur n`lamë

Kadri Spahia ka zanë pritë

N`ball togerit ja ka ngjitë

Metë Haliti ashtë varru

Shumë herë vetën e ka pagu

Shumë të vramë dhetëfish varru

Rexhep Garoshi po banë gajret

Njizet a tridhetë  i qoi n`qetër jetë

Hamdi Beha t`madhe pisket

Azemi sa herë po qet

N`ball çetniktë po i vret

Hiq ma pak se katërdhetë

Lam Breznica ai uk mali

Pushkës flakën kurrë sja nali

Ushton Ushi, gjimon mali

Ushin flakë krejt e kalli!

Ni bajloz u lyp shqiptarëve mejdan

Lam Breznica ai trim azgan

N`kikë  t`ledinës i ka dalë

Krisin pushkët-shkaut n`ball

Lami mes nesh, sod a gjall

Rexhep Fazlia be po banë

T`gjall majorin kam me e nxanë

I shkon Mani rreth për ane

Po luftojnë si dy dragon

Luftë e madhe n`Ush a maru

Prej ferkut t`sabahit, ter n`aksham

U faruen shumë bataljon

Nja t`gjall nuk e kanë lanë

Njo t`gjall, bre, as për be

Përmi nimi, t`vramë mbi dhe

Shumë me pushkë, ma shumë me buma

Azemi myt çetnikë me cunga               

  (Kur nuk i punon pushka prej t`nxehtit,  kacafytet me një çetnik, dhe e mbyt me cung).

15.10.2011 - Gjermani