| E premte, 18.11.2011, 09:04 PM |
EDHE ZEF BARDHOKU MË KA TREGUE SI…
“65 vjet perpara sigurimi i shtetit futi armët ndër Kisha…”
Nga Fritz RADOVANI
Ma shumë se 37 vjet perpara më duhej me kenë në ora 8.00 të mengjesit në zbor tek Zooteknika e Shkodres. Mbërrijta në kohë, por përveç oficerit nuk njoha pothuej asnjë njeri. Kaluem derën kryesore tue na numrue oficeri si delet...dhe shkuem në një sallë të vogël teatri. U ulëm ndër stola, ndërsa oficeri filloi apelin. As nga apeli nuk mujta me njohë njeri. Burri që kisha në krah më tha se kishte emnin Zef, por mbiemni m’u shue nga kujtesa menjëherë. Porsa mbaroi shpjegimin e asaj ore oficeri, Zefi më ftoi për një kafe tek një klub i vogël. Shkuem dhe Zefi nuk më la me pague. Të nesërmen e ftova unë Zefin mbasi më dukej vetja borxhli, ndonse as nuk bahej fjalë për 5 lekë të vjetra që kushtonte një kafe... Zefi ishte një burrë mesatar, po ma shumë i shkurtë, dhe shumë i pamajtun, me rroba të vjetra, bardhosh, që dukej se në rini kishte pasë shëndet të mirë. Për duhan nuk di me thanë se cili e pinte ma shumë! Ndrruem cigare tue marrë edhe unë nga kutija e tij dhe tue dredhë me copa letrash, mbasi siç më tregoi: “Nuk i delte rroga me ble kutija cigaresh!...” nj? dishka normale.
Tue pi kafe, më pyeti: “A më ke njohë përpara se me ardhë në zbor?” - Iu përgjegja jo! As nuk të kujtoj se të kam pa ndonjëherë, madje, përveç emnit Zef, nuk të kujtoj as edhe mbiemnin...mbasi për natyrë kujtoj fëtyrat e harroj emnat. Qeshi me dashamirsi dhe nuk u vonue me më tregue se kush ishte: “Unë jam Zef Bardhoku, i rritun jetim, ardhë i vogël në
Unë e pyeta për arësyen e arrestimit të tyne dhe gjyqin shumë të përfolun, ku flitej se asht denoncue çashtja e armëve dhe se nga Pjerini asht tregue e vërteta.
Zefi më shikoi në sy dhe më shpjegoi pa asnjë hezitim të vërtetën për të cilën unë po kërkojshe me dijtë prej tij: “Dëgjo, Fritz, né do të na vinte fundi, po jo si menduem na, sepse kur i sherbyem sigurimit me të gjitha forcat tona, kemi kujtue se nuk po mbesim rreshterë e togera, mbasi mendonim se jugosllavët, ashtu si banë gjenerala Enver Hoxhen e Koçi Xoxe me shokë, do të na banin edhe né për sherbimet tona ndaj tyne. Kështu ndër né lindi ajo që quhej “pakënaqësi ndaj sigurimit” e që na hangri kokat. Edhe organizatat e partisë nuk u angazhuen me né, por mbajtën krahun e sigurimit, ndërsa Zoj Thëmeli luejti lojën në dy krahët, sa me né, por edhe tue na denoncue direkt e në Ministri të Mbrendshme, kur na, të dishpruem, filluem me hjedhë trakte mbrendë në ndertesen e sigurimit. Kjo ishte marrija jonë...që shumë shpejtë na çoi në pranga. I pari që ka shprehë dyshimin për né asht kenë Dulaç Lekiqi. Ai vetë ka shkue me topolino dhe i ka thanë Pjerin Kçirës tek shtëpia: “Eja shpejt me mue se kemi një urgjencë e na duhet me shkue me arrestue një përson..!” Porsa kanë hy në zyrë tek Zoji, i ka thanë: “Shoku Kryetar, ta solla qenin..!” - dhe i ka vu prangat aty ai vetë ndër duer...që deri atëherë arrestonin njerëzit bashkë.
Kur asht zhvillue gjyqi, na kemi mendue për dënime të pakta, vetëm sa me na hjekë qafet, por jo për shumë vite burg. I vetmi që rrezikohej ishte Pjerini, i cili dinte rrjetin e të githë spijunëve të sigurimit të shtetit dhe u paguente edhe shpërblimet atyne që kryenin sherbime të veçanta në favor të sigurimit. Kjo e rrezikonte ate ma shumë se të tjerët, mbasi në të tilla raste, nuk i çonin të tillë oficera në burgje e kampe me ata përsona ku mund të dekonspirohej arësyeja e vërtetë e arrestimit të tyne nga shteti komunist, e këta raste janë të njohuna, prandej shokët e Pjerinit sigurimi i ka vra të gjithë pa i dërgue tek viktimat e tyne. Përsa i përket gjyqit unë nuk kam dëgjue se aty asht folë për armët në Kishën e Fretënve. Kur Pjerinit i asht thanë pretenca nga prokurori...ai asht shtangë në vend, se atij as nuk i ka shkue mendja se dënohet 20 vjet, atëherë asht çue në kambë i nervozuem dhe me za të fortë i asht drejtue trupit gjykues: “Ke kujtoni se jeni tue dënue ju, mor ju q...nanat tueja, po a kujtoni se jeni tue dënue klerin katolik, mor zogj kurvash...!?” - dhe aty në vend asht ngritë në kambë kryetari i gjyqit dhe ka mbyllë seancën. Atë natë kemi hangër dajak si në karadak dhe të nesërmen, pa folë as fjalën e fundit në gjyq, na janë dhanë vendimet me dyer të mbylluna. Cila kje arësyeja që Pjerinit ia sollen në takim nanën e të fejuemen para se me e pushkatue nuk e di, ndoshta pse e ama e tij delte ndër rradha të kooperativave me triska kur pushkatoheshin njerëzit e i thonte popullit: “Pse pritni këtu, shkoni e bleni mish në Zallin e Kirit nga 3 lek kg., se po qelbet, po shpejtoni se po e mbarojnë zagarët e barakave të lagjes Skenderbeg..!” Edhe fejuemja e tij asht kenë agjente e sigurimit...Ndërsa i vllaj, Biku, asht edhe sot agjent. Bisedat tjera janë vetëm shtojca e rrena të sigurimit per me justifikue dënimet e randa që na dhanë né, punojësve ‘besnikë’ të tyne...e mirë na e banë… A iu dhimtëm kujt?!”
Ky shpjegim i Zefit më asht ba plotësisht i besueshëm në vitin 1992...kur unë kam përkujtue në Radio “Shkodra”përvjetorin e 11 Marsit 1948. Të nesërmen, mu tek shkolla e Fretenve, kam takue z. Karlet Loro Luka dhe më ka shpjegue saktësisht si Zefi ngjarjen e gjyqit të Pjerinit me shokë ku Karleti ishte kenë vetë prezent në sallë.
Me datën 3 Mars 1993 këte temë ma ka hapë edhe z. Gjon Ljarja, i cili ishte kenë aso kohe në hetuesi i arrestuem njëheresh me këte grup. Deri atë ditë nuk e dijshe se Gjoni ka dijeni për arsyen e vërtetë të pushkatimit të Pjerin Kçirës. Me thanë të vërtetën, u çudita kur më shpjegoi se: “Katër muej para se me më dënue, më ka thanë Lin Çollaku se Pjerin Kçirën do ta pushkatojnë se din rrjetin informativ të krejt Shkodres.” Gjoni asht i pari që më ka folë për aktivitetin e Seksionit Katolik në Degen e Punëve të Mbrendshme Shkoder.
Në vitin 1996, At Konrrad Gjolaj, tue shkrue librin e tij “Çinarët”, më ka shpjegue: “...Kur prokurori dha pretencen, ai (Pjerini) nxori dufin që kishte për klerin...E ku asht pendimi i tij që pretendojnë disa?...”. Citova até që At Gjolaj ka lanë të shkrueme ... (At K.Gjolaj “Çinarët” fq. 113, Shkoder, Botimi I, 1996).
Me Zefin jam takue edhe një herë tjetër para Kafes së Madhe dhe kemi hy me pi prap kafe me té. U ulëm në një tavolinë ku më çoi Ai, djathtas, rreth 5 – 6 tavolina larg derës. Filloi me tregue se: “U ulëm këtu për me dëgjue ti se çfarë shpirti smirzi kemi pasë na kur ishim të rij. Ishim këtu një të dielë me Pjerinin, Nushi, Zoj Thëmeli e Dulaç Lekiqi tue pi nga një birrë. Po shetitshin njerzit, që kishin dalë nga Kisha e Fretënve prej Meshës së orës 11.00. Po kalon para kafes Kolë Kurti, atëherë djalë i ri, i gjatë, i pashëm dhe i veshun me një kostum ngjyrë të bardhë në qumësht...Njeni prej nesh lakmoi kostumin e Kolës dhe Zoji i tha: A të pelqen fort ai kostum, se për hater tand sonte shkojmë e ia marrim?...Dhe me të vërtetë, atë natë kemi shkue dhe kemi arrestue Kolën e shkretë si “armik i popullit”, vetëm e vetëm për me i marrë kostumin, ndonse kur hapëm raftin morëm edhe dy kostume të tjera dhe disa këmisha me polseti të bukra...vodhëm edhe butonat e tij...Njëkëta burra ishim na, që kemi punue në sigurimin e shtetit...për një kostum, Kolës së shkretë i kaloi gjithë jeta burgjesh e i deklasuem...”
Herën e tretë, Zefin e kam takue në Gjuhadol. Atë ditë, kur kaluem nga Kisha e Fretënve (kinema Puntori), Zefi më tha: “Ké me e pa njëkëte kinema prap Kishë...” – Unë, pak i çuditun nga thanja e tij, e pyeta pse? – Gjaku i Martirve të Saj nuk shkon huptë, - më tha, – janë shumë Ata që janë masakrue për këta thëmele. Deri Ai fra Ndue Vila asht një nga Ata Burra që nuk duhet lanë pa u kujtue. Atë natë kur donim me futë armët këtu, ishte 15 nandor 1946, Ai nuk na i dha çelsat, por na tha: “Mundeni me më vra e me ba çka të doni, çelsat e Kishës nuk i jap pa leje të At Mati Prennushit edhe me kenë ju fretën, jo ma ju që nuk ju njoh!”... Veç i ka hypë në shqelma Dilaver Sadiku, në prani të Hulusi Hakos të ardhun për këte qellim nga Tirana, gati sa nuk e mbyti fukaranë... e kemi marrë zvarrë, e kemi çue tek shtëpia e Çiurçisë ku ishte hetuesia dhe nuk na e tregoi vendin ku i kishte mëshehë çelsat e veç Ai e Zoti në qiell e di se çka ka hjekë Ai Burrë prej duerve tona...ndër ata muej dhe s’e nxori një fjalë për Fretën. Pak Burra kanë mujtë me qindrue sa ka qindrue fra Ndue Vila. Kur i thonim: Po armët, kush i futi nën Elterë? Ai, pa ju tutë syni, na thonte: Ju, se ju mi keni kërkue çelsat për atë qellim, tjetërkush nuk futë armë në Kishë!”
Prej Zefit pata mësue se çelsin e derës së Kuvendit për me kalue nga Kisha nëpër derën e kompanjelit, sigurimi asht orjentue nga një informacion që i kishte dhanë atyne Ndoc Vasili, (Antoni Kapaj) nga Berdica e simbas fjalës së tij çelsin ata kanë shkue dhe e kanë marrë nga kuzhinjeri i fretënve, Martin Tarri, që asht mbajtë pak ditë në arrest me humbë gjurmë, po asht lirue menjëherë. Pa asnjë ndryshim këte ngjarje në vitin 1993 ma ka vërtetue At Vinko Malaj e ma vonë At Konrrad Gjolaj. At Gjolaj më pat shpjegue se sa u kjé mbushë viti i pushkatimit të Klerikëve për “armët e futuna në Kishë...”, “grueja e vjetër shkodrane” që delte tallall i djalit të saj, aspirantit të sigurimit Pjerin Kçira, “se Shna Ndou nën zhgun kishte mëshehë revolvera e bombe...”, aty ndër ato gropa ku derdhej plehu i xhirizit të Shkodres mbas Rëmajit, brigada e pushkatimit kishte zhytë kokën e “shefit të Burgut të Kishës së Fretenve” e mbas pushkatimit, edhe kufomen e tij, që ajo, me një shkop ndej tue e kerkue për disa ditë... si duket e kishin ngranë qenët e barakave..!
Zefin nuk e takova ma, mbasi ndrroi jetë, po e kam thanë dhe po e përsëris se asht ndër të vetmit njerëz që kam njohë plotësisht të penduem për veprat që ka krye kur ka shërbye në Sigurimin e shtetit të Shkodres. Ai asht kenë vetëm Zef Bardhoku.
Po a ka ndonjë shokë sot Zef Bardhoku? – E tham me bindje se jo!...
Koha ka tregue dhe po tregon përditë se ata që i kanë shërbye Sigurimit të shtetit jo vetëm nuk janë pendue, por vazhdojnë me kenë bisha dhe ajo që duhet vue në dukje e fatkeqësisht asht me u cilësue se edhe ata që kanë ngordhë me atë instinkt kafshësh, e kanë trashigue ndër mbasardhësit e tyne...tue mbetë përjetësisht edhe ata: “ushujzat gjakatare...” të Popullit të shumvuejtun e të masakruem Shqiptar!