Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Paskal Milo: Historia bëhet vetëm njëherë, por rishkruhet disa herë

| E merkure, 16.11.2011, 07:48 PM |


Ekskluzivisht për “Telegraf”, Prof. Dr. Paskal Milo hedh dritë mbi disa ngjarje historike

 

Historia bëhet vetëm njëherë, por rishkruhet disa herë

 

Nga Albert ZHOLI

 

Le të përballojmë faktin se Lufta Italo-Greke dhe ai dekret i mbretërisë greke i vitit 1940 së bashku me dekretin tjetër të firmosur nga Shefqet Vërlaci është diskutuar vazhdimisht pas Luftës së Dytë Botërore, por sidomos është shfrytëzuar nga qeveritë greke të pasluftës për të mbajtur në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë.

 “Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”-  ka thënë Napoleon Bonaparti. Kështu mund të themi se ka ndodhur edhe në rastin e Shqipërisë, por se fundmi ka pasur polemika dhe debate (shterpë  në pjesën më të madh) për rishkrimin e historisë. Këto polemika janë apriori të veshura me mantel politik, por siç thotë edhe filozofi i mirënjohur gjerman dhe krijues i Idealizmit Gjerman, Georg VVilhelm Friedrich Hegel: “Qeveritë nuk kanë mësuar asnjëherë, asgjë nga historia dhe as kanë vepruar mbi parimet e deduktuara nga ajo”. Po, kështu është! Duket se qeveritarët shqiptarë nuk kanë mësuar asgjë nga historia, por vetëm e kanë përdorur atë  sipas interesave personale të çastit. Duke marrë shkas edhe nga promovimi i librit “Lufta Italo-Greke. Diktatorë e Kuislingë”  të Prof. Arben Puto, gazeta “Telegraf” hedh dritë mbi disa ngjarje (dyshuese) historike dhe kolaboracionistët që kanë kontribuar mbi këto ngjarje, duke intervistuar historianin dhe politikanin e njohur, Paskal Milo. Në një argumentim shumë objektiv shpjegohet sesi Greqia ruan ende Ligjin e Luftës më Shqipërinë dhe kush janë ato figura historike që çuan drejt rrënimit vendin.

 

-Prof. Milo, cilat janë disa nga përshtypjet tuaja si historian, për librin e ri të akademik të Prof. Arben Putos?

-Për herë të parë Profesor Puto na sjell  një studim monografik për një ngjarje shumë të rëndësishme që ka përcaktuar në një mënyrë ose në një tjetër qëndrimin  e popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, por dhe për pasojat që ka sjellë pas Luftës së Dytë Botërore për çështje të cilat i njohin sadopak edhe të tjerë. Në fakt libri nuk është një monografi por është një triologji. Këtë e them sepse ky libër është mbështetur në tre themele, në tre binarë, pra  ka në thelbin e vetë tri çështje të mëdha. Së pari, Luftën Italo-Greke si  ngjarje më vete, dhe rrjedhojat e saj. Së dyti, ka një përshkrim të karaktereve diktatoriale, por ka dhe një përshkrim të karaktereve kuislinge. Pra në vetvete  është një triologji, por që i bashkon një fije, që është Lufta e Dytë Botërore,  bashkëpunimi dhe ndërveprimi dhe kusilingët dhe diktatorët.

 

-Mund të flitet më me hollësi për ngjarjet që sapo përmendët?

-Përsa i përket Luftës Italo-Greke dua të theksoj se deri më sot për këtë çështje nuk ka patur studime të mirëfillta shkencore. Kjo vjen edhe për vetë faktin se ka qenë dhe mbetet një çështje shumë delikate. Këto marrëdhënie të tilla kanë qenë historikisht edhe në momentin që po promovohet ky libër. Mua më vjen  mirë që profesori mori guximin dhe u ul për të shkruar për këtë pjesë historie kaq enigmë dhe kaq të lënë në harresë. Deri më sot për këtë çështje ishin thënë disa të vërteta, që mund të them se ishin thënë shkarazi ose ishin bllokuar tërësisht në harresën e kohës. Ne gjithmonë jemi akuzuar nga monarko-fashistët grekë pas Luftës së Dytë Botërore në Konferencën e Paqes, që Shqipëria ka qenë përgjegjëse për agresionin e Italisë ndaj Greqisë në vitin 1940. Si shkak për këtë deklarim të autoriteteve greke merrej thjesht se disa formacione luftarake shqiptare kishin marrë pjesë së bashku me trupat fashiste në sulmin kundër Greqisë. Por dihet se me fillimin e luftimeve këto formacione shqiptare dezertuan. Por asnjëherë s’është bërë kaq qartë  si në këtë libër se nga pikëpamja juridike një e vërtetë duhet ta themi se është kuislingu Shefqet Vërlaci ai që ka firmosur në emër të qeverisë shqiptare për këtë sulm. Ky ishte një kryeministër kuisling që hodhi këtë firmë për këtë sulm. Është një dokument zyrtar ku ky kryeministër kuisling ka firmosur që i shpall luftë Greqisë. Këtë e ka bërë nën presion, por në fakt pavarësisht kësaj firme populli shqiptar në këtë luftë është rreshtuar përkrah boshtit të Aleancës kundër Nazi-Fashizmit. Kjo dihet botërisht pavarësisht qeverisë kuislinge shqiptare.

 

-Pra, mund të themi se veprimet e këtyre kuislingëve e çuan vendin në një vorbull historike?

-Por kur lexojmë dhe shikojmë që Shqipëria i ka shpallur luftë Greqisë (nga kjo qeveri kuislinge) edhe SHBA, edhe Francës, me akte zyrtare atëherë ne duhet të  themi se kjo qeveri kuislinge e ka angazhuar Shqipërinë zyrtarisht  në Luftën  e Dytë Botërore përkrah boshtit Fashist. Pra e kam fjalën  se tashmë dalin ca të vërteta historike që janë të dhimbshme për ne, pasi ato janë të sjella të dokumentuara në libër, të fotokopjuara, por duhet ti  themi, ti dimë, ti interpretojmë, ti ballafaqojmë për hir të fakteve historike por duke u bërë dhe interpretimin juridik, pasi ne ishim jo një vend sovran. Këto të vërteta historike duhet të thuhen siç janë në libër, pasi përndryshe do të vazhdohet siç po vazhdohet këto 20 vjet me politizimin e tejskajshëm të historisë në emër të të rishkruarit të historisë.

 

-Ç’do të ndodhë po të ecim me politizimin e historisë?

-Po të ecim me këto mendësi të 20 vjetëve të fundit do të përsërisim gabimet e 50 vjetëve të shkuara që politika dikton se si duhet të shkruhet historia. Është një gabim fatal në qoftë se politika, kolegët e mi politikanë, do të vazhdojmë të dëgjojmë ende se si cenohet historia në emër të dëshirave të politikës apo të bëhet loja e politikës në interpretimin e historisë sonë.  Përkundrazi ne historianët, por edhe politikanët e sinqertë duhet të bëjnë atë që ka bërë Prof. Puto që ngjarjet t’i themi ashtu siç janë të thjeshta, të vërteta, të sinqerta, paçka se mund të jenë dhe të hidhura. Le të përballojmë dhe një fakt tjetër që del nga libri  ku unë dua të dal nga korniza personale, të përballojmë faktin se Lufta Italo-Greke dhe ai dekret i mbretërisë greke i vitit 1940 së bashku me dekretin tjetër të firmosur nga Shefqet Vërlaci është diskutuar vazhdimisht pas Luftës së Dytë Botërore, por sidomos është shfrytëzuar nga qeveritë greke të pasluftës për të mbajtur në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë.

 

-Pra, për ata që e kishin harruar këtë fakt, Ligji i luftës Shqipëri-Greqi vazhdon të jetë në fuqi

-Po! Ligji për gjendjen e luftës Greqi-Shqipëri juridikisht  vazhdon të jetë në fuqi pavarësisht se është interpretuar  politikisht nga qeveria greke në vitin 1987. Pikërisht është diskutuar nga Andrea Papandreu. U diskutua sikur në këtë vit ky ligj është hequr. Por jo. Ai është diskutuar politikisht  për tu hequr në Fletoren Zyrtare të qeverisë greke (jo Parlamentit), kur në fakt për tu hequr duhet një dekret i veçantë. Pra e para, duhet një dekret i Presidentit të Republikës për tu hequr e cila  refuzoi që ta bënte pavarësisht kërkesës së qeverisë Papandreu dhe e dyta,  duhej  një vendim i Parlamentit grek sepse edhe miratimi i dekretit mbretëror i vitit 1940 ishte miratuar nga Parlamenti. Një dekret nga ana juridike shfuqizohet nga një dekret ekuivalent nga i njëjti institucion. Pra ky ligj nuk mund të hiqej me vendim qeverie në Fletore Zyrtare. Përpos kësaj, si ish- Ministër i Punëve të Jashtme, e kam vërtetuar me dokumente që ndodhen në arkivin e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë në vitin 2001 që  pohon se Ligji i Luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë është ende në fuqi, ku sot e kësaj kohe qarqet të caktuara greke vazhdojnë ta filtrojnë dhe propagandojnë se ky ligj është në fuqi. 

 

-Nga vjen gjithë kjo situatë?

-Vjen pikërisht  nga këto fakte, që Profesor Puto na sjell në këtë libër me dritë të plotë, me evidencë me saktësi që na rikujton se historia duhet lexuar objektivisht dhe duhet interpretuar objektivisht  dhe jo në bazë të konjukturave politike. Mësimi i dytë që nxjerrim nga libri i Prof. Putos është që ne përfundimisht duhet të heqim dorë nga ai  trajtim që kemi bërë përgjithësisht edhe në këto 20 vitet  e fundit, që nuk duam ti shikojmë ngjarjet historike me dritëhijet e tyre por ne i shohim ende bardhë e zi. Të gjithë kemi pasur rastin që të përjetojmë interpretimet e historiografisë shqiptare të periudhës së komunizmit që numër personalitetesh historike të së kaluarës që nga pavarësia dhe deri në Luftën e Dytë Botërore me gjithë meritat që kanë pasur midis të cilëve dhe firmëtarë të shpalljes së pavarësisë apo patriotë që kanë  dhënë kontribute të shquara në luftën  për konsolidimin e shtetit shqiptar, i kishin  shumëzuar me zero. Pse? Sepse në një moment të jetës së tyre politike në Luftën e Dytë Botërore,   mbajtën një pozicion të gabuar dhe regjimi  komunist i dënoi pa marrë parasysh edhe anët pozitive. Këto figura i njohim të gjithë. Por çfarë po ndodh tani? Tani që historiografia shqiptare  është ose duhet të jetë e çliruar nga prangat ose nga presioni politik na ndodh e  kundërta, që kolaboracionistë tipik si: Shefqet Vërlaci apo Mustafa Kruja, Xhaferr Deva Rexhep Mitrovica, apo dhe disa të tjerë tani dalin nëpër faqet e para të gazetave apo të librave  të veçantë sikur kanë qenë heronj, sikur këta kanë bërë Shqipërinë dhe mohohet fakti  madhor në vlerësimin e një personaliteti  historik siç është qëndrimi ndaj lirisë, qëndrimi ndaj pavarësisë së kombit dhe bashkëpunimi me pushtuesit. Njeriu vlerësohet se çfarë qëndrimi historik ka mbajtur në momente të tilla vendimtare kur vendoseshin apo vendosen fatet e kombit. Ke qenë me lirinë  apo ke qenë me skllavërinë, kur del në pah se me kë ke qenë e ke marrë notën e historisë. Prandaj figura të tilla dhe shumë të tjera që nuk janë pjesë e këtij libri nuk duhet të marrin nota që si takojnë, t’i vlerësojnë ndryshe nga sa kanë qenë, të mbushin faqet e gazetave apo të bëhen libra të pa merituar.

 

-Mund të përmendni figura që janë vlerësuar dhe mbivlerësuar pa e merituar sot?

-Vetë Mustafa Kruja, ka qenë një shkencëtar shumë i mirë dhe këtë duhet t’ia njohim, ka qenë një gjuhëtar shumë i mirë (kam lexuar për këtë pjesë të jetës së tij), një studiues i letërsisë shumë i mirë ka dhe kontribute të tjera shumë të mira, por ka qenë një kryeministër kuisling, Shefqet Vërlaci ka qenë firmëtar i disa dokumenteve që i rëndojnë Shqipërisë sot e kësaj dite madje i rëndojnë të gjithë shqiptarëve ato firma.  Xhaferr Devës, nuk i hyri një gjemb në këmbë dhe pse vrau 84 qytetarë të pafajshëm në qendër të Tiranës dhe bëri shumë krime  dhe e kaloi jetën e tij në paqe si një administrator i paguar mirë në një nga kolegjet në SHBA. Persona të tillë ka plot. Prandaj një drejtpeshim të vlerave të historisë na e jep profesor Puto me këtë libër. Këtu del qartë se si duhet ti vlerësojmë figurat historike pa ndikime politike apo ndjesi personale. Pikërisht për këtë arsye libri është shumë i çmuar, jo më shumë  për vetë ngjarjen, por më shumë për metodologjinë dhe për mënyrën se si jepen mësime për atë që quhet interpretim real i historisë. Historia bëhet vetëm njëherë, por shkruhet disa herë. Për arsye të ndryshme ajo shkruhet në këndvështrime të ndryshme. Historia është shkencë më vete me të cilën nuk duhet të luhet. Historia nuk ribëhet ajo ndodh vetëm njëherë, por rishkruhet disa herë sipas koncepteve e përshtypjeve tona. Puto në këtë libër na jep një model të të shkruarit të historisë, një model që duhet përkrahur.