| E diele, 13.11.2011, 08:57 PM |
Anila Toto, lindur, rritur dhe jeton në qytetin e Vlorës.
UNË DHE VLORA
Unë me “Vlorën” u ulëm një herë,
Oxhakut përreth, si miq të mirë.
Ajo thithte llullën e vjetër
Unë përkdhelja fëmijërinë.
Më futej thellë në zemër,
Dehesha e tëra me lumturi,
Jeta ime s’kishte një emër!
Quhesha dhe “Vlorë” emër-magji,
Pagëzuar dhe me emër tjetër.
I pari për apel, i dyti dashuri,
Vlora ime, dy dete, një zemër
E ashpra Vlorë, e urta legjendë,
Edhe në djep u bëre këngë,
Këngë mbete në përjetësi!
Tetor 2010
GAZI I JETËS
Të qeshurën e vesh në mëngjes,
Përzgjedh ngjyrat që më shkojnë.
E di, e qeshura më jep jetë,
Trishtimi i keq më shemton:
Dritën në shpirt, jetën në duar,
Dhe nëse padashur diku më griset,
Me penjtë e zemrës e kam arnuar,
Duart nga marazi, nuk më dridhen.
Është jeta ime, dhuratë e Zotit,
Unë do e jetoj, e kush tjetër?
Sa dua viteve, t’ua kursej lotët,
Me gaz e shpresë ta mbush jetën!
Tetor 2010
KRENARIA IME
Krenari e mbetur shterpë,
Si s’të hodha, si s’të flaka!
Ngado shkoj më
Me gërshërë m’i pret flatrat!
Brenda meje zien vullkan,
Si s’të dogja, si s’të mbyta!
Ta marrë djalli, ta marrë,
Krenarinë me majë si thika.
Dil nga unë se nuk të dua,
Dhe të më veshësh me ar.
Do e marrë dritën hua,
Helm i egoizmit plagë.
Shtator 2010