| E merkure, 09.11.2011, 08:42 PM |
BAJAME HOXHA - ÇELIKU
S'KA SHTRAT PËR MUA NË SHQIPËRI
Shumë të desha, edhe të dua
O mëmë, e bukura Shqipëri
Ti s'më deshe asnjëherë mua
Më trete baltrave në internim
Që fëmijë për ty punova
Fushat t'i mbolla me grurë
Kanale të thella të hapa
Që ty, mos të të mbyste ujë.
Myzeqenë ta zbukurova
ta qëndisa oh me blerim
Të tëra shërbimet t'i bëra
Tamam si një bijë e mirë.
Në fund më flake në mërgim
Dhe dua të vij mikeshë një natë
S'ka shtrat për mua në atdheun tim.
Pasdite vere
Kur shpirti i duruar më thoshte: hesht !
ti tregoje dashuritë, e flisje pa pushim
Ndërsa unë e plagosur, Shtiresha e qetë.
Ç'mendoja thua në ato çaste?
Të dashuroja apo ndjeja ftohtësi
Si këto ti, ke patur shumë raste
Ndërsa unë, të kisha vetëm ty.
Dashuria tek unë, nisi të tretej ngadalë
Brenda meje, po fikej çdo shkëndijë
Ashtu si gjetet e vjeshtë që ranë
Ndjenjat nga shpirti, po binin, nji nga nji.
Pranë teje isha, çuditrisht, s'po të ndjeja më
Dashuri e çmuar, ish arratisur sa larg ...
E tepërt koha, me kë po rri, me kë?
I thashë vetes: Ngrehu ! Këtu s'ka më asgjë !