Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Durrës, promovohet romani “Kush e vrau dashurinë ?!” i Albert Zholit

| E merkure, 02.11.2011, 07:44 PM |


Moderatorja e talentuar Silvana Braçe prezanton aktivitetin kulturor

 

Flasin: Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Skënder Sallaku, Iliriana Sulkuqi, Adem Harxhi

 

Blerina Braho

 

– Ditën e shtunë datë 29 tetor, në qytetin e Durrësit u zhvillua promovimi i romanit  “Kush e vrau dashurinë ?!” i shkrimtarit dhe gazetarit Albert Zholi. Shkak për këtë promovim të librit të fundit të Zholit u bë një takim mes ish detarëve durrsakë me temë mbi  traditat e detarisë durrsake. Këtë aktivitet interesant e drejtoi prezantuesja e njohur Silvana Braçe, së bashku me organizatorin e veprimtarisë Ardi Omeri. Aktiviteti me një pjesëmarrje të gjerë u zhvillua  në sallën e Odeonit “Nikolin Xhoja”. Për Zholin kishin ardhur nga Tirana “Artistët e Popullit”, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Skënder Sallaku, Luftar Paja,  poetët Iliriana Sulkuqi, Besnik Meta, Hyqmet Hasko, publicisti Xhelal Marku, miku i Zholit, dr. Adem Harxhi si dhe ish- akrobatja Vitore Sallaku. Në këtë aktivitet ndodheshin dhe aktorët e qytetit të Durrësit Aishe Stari, Roland Koça, deputeti Gazmend Oketa etj…

Në fjalën e tij Kryetari i Shoqatës Kombëtare të detarëve Adri-Jon (Durrës), Dashamir Janina, bëri një rezyme të punës së detarëve të qytetit në periudha të ndryshme historike si një nga profesionet më të bukur dhe më të vështirë dhe njëkohësisht hodhi idenë  e ngritjes së një muzeu të detarisë në Durrës. Këtë nismë e përkrahën të gjithë detarët e pranishëm. 

 

Me mjaft interes  u prit fjala e deputetit, Gazmend Oketa, i cili përshëndeti detarët veteranë të pranishëm. Ai përcolli në këtë takim vitet e izolimit të madh të Shqipërisë ku bashkë me ekranet televizive të huaja informacionet e detarëve që ktheheshin nga lundrimi mbeteshin njoftime të vyera për të mësuar diçka mbi botën. “Ishin ata, që na sollën shumë të reja nga bota përtej detit, të cilat për ne ishin krejt të panjohura. Ne ishim kureshtarë për atë çka ata na tregonin dhe ne i përpinim fjalët e tyre, për bollëkun e tregut, për lirinë e fjalës  përfundoi Oketa”.

 

“Artistja e Merituar”, aktorja e talentuar Aishe Stari, bija e një detari me prejardhje ulqinake, duke përkrahur mendimin e detarëve tha se ngritja e një muzeu të detarisë në Durrës është një domosdoshmëri, që lidhet edhe me 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së vendit

Pas këtij diskutimi takimi u përqendrua në romanin “Kush e vrau dashurinë ?!” të Albert Zholit. Në fjalën e tij (i ftuar nga Braçe), Zholi theksoi se, është një nder i madh, që i bëhet që libri i tij të promovohet në qytetin e Durrësit. Në këtë roman theksoi ai ka një pjesë deti, një pjesë nga ikja e madhe. Një pjesë nga jeta e detarëve dhe jam shumë i emocionuar mes këtij auditori të zgjedhur. Pas diskutimit të tij u lexuan vlerësimet e shkrimtarëve: Dritëro Agolli. Helena Kadare dhe Xhevahir Spahiu për veprimtarinë letrare të Zholit.

 

Thanë për Albert Zholin

 

Margarita Xhepa: Alberti më ka intervistuar disa herë dhe me të më ka lidhur korrektesa dhe mënyra e ndërtimit të intervistës. Në këtë libër ai vjen disi ndryshe, vjen me një gjini të re që e lëvron për herë të parë, pra me një roman. Për mua është ndër veprat e tij më të mira

Tinka Kurti:

“Kush e vrau dashurinë ?!' i Albert Zholit për mua është një roman i veçantë për temën që trajton dhe mënyrën se si e ka trajtuar. Në gjithë zhvillimin e ngjarjes ai ka një fjalor të pasur dhe mjaft korrekt. Ka një imagjinatë që e cilësoj si dhunti.

 

Adem Harxhi:

E kam lexuar Albertin nëpërmjet intervistave në gazetën “Telegraf’. Personazhet e tij janë të kudondodhur dhe të profesioneve të ndryshme. Kjo ka bërë që dhe ai të ketë një kulturë të gjerë. Librin e tij ndoshta e kam lexuar ndër të parët. Për mua është një roman, që duhet lexuar nga të gjithë.

 

 Iliriana Sulkuqi:

“Kush e vrau dashurinë ?!” i Albert Zholit, është një roman që më mbërtheu. Unë e njoh stilin e tij, sepse me të kam shumë bashkëpunime. Krijimtaria e tij letrare njeh vetëm ngjitje. Pas disa vëllimeve me tregime ai vjen me këtë roman që ka shumë frymëmarrje shumë personazhe me karaktere të ndryshme. Aty është vetë jeta shqiptare në dy sisteme.

 

Në fund të takimit “Artistet e Popullit” Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa lexuan pjesë nga veprimtaria letrare e autorit Albert Zholi.