Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ryzhdi Baloku: Si u stacionuan kolonët malazezë në regjionin e Pejës

| E diele, 30.10.2011, 04:02 PM |


 

SI U STACIONUAN KOLONËT MALAZEZË NË REGJION TË PEJËS

 

Nga Ryzhdi BALOKU

 

Një nga format e kolonizimit të trojeve shqiptare nga malazezët e kuptova më përafërt dhe më konkretisht derisa shkollohesha në studimet universitare në Prishtinë.

Derisa i vijoja mësimet në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës, banoja në konvikt të studentëve. Në vitin akademik 1973 / 74 sipas regjistrit të përpiluar nga kompetentët për këtë destinacion, banoja në një dhomë vetë i treti. Njëri nga bashkëbanuesit e dhomës që e quanim ”cimer” ishte malazez nga Vitomirica e Pejës, ai quhej Jovo, derisa tjetri  ”cimer” ishte shqiptar i anës së Llapit, quhej Zeqir.

Me të vendosur në dhomë sipas regjistrit, që në atë kohë konvikti e kishte numrin 1., secili nga ”cimerët” që arrinte për vendosje prezantohej si quhej, nga vinte dhe në cilin vit të studimeve i vijonte mësimet, por në cilin fakultet nuk kishte nevojë ta prezantonte meqë sipas praktikës së asaj kohe duhej  të ishte i të njëjtit fakultet si të tjerët nga dhoma.

Në fillim gjatë atij viti universitar, Jova nuk komunikonte shumë me ne banuesit e kësaj dhome edhe pse vërehej se ishte goxha njëfarë llafazani.

Derisa me Zeqirin që e quanim Zeqë komunikoja lirshëm, Jova rrinte i tërhequr, por ne nuk e dinim shkakun. Na vizitonin shokët dhe shoqet, derisa Jova përsëri rrinte anash si i pa interesuar për shoqërim.

Në një rast derisa drita e hënës e ndriçonte dhomën gjatë mbrëmjes, kishim rënë që të tre ”cimerët” për të fjetur,  meqë nuk me zinte gjumi, nganjëherë e ndërroja krahun ashtu i shtrirë në shtrat, pas çdo lëvizjeje që e bëja, Jova ngrihej dhe qëndronte ulur me këmbë të shtrira e me prapanicë të mbështetur për shtrati. Të nesërmen për këtë veprim të Jovës i tregova Zeqës. Ai mu përgjigj: ”Edhe mua njëjtë më ka ndodhur, por nuk po e di shkakun”. Duke menduar lidhur me shkakun e veprimeve të tilla të Jovës mu kujtua një ngjarje e hershme e ndodhur moti, për të cilën kisha dëgjuar dhe këtë ia tregova Zeqës. I thash: dikur në Pejë me nahije kur i konvertonin shqiptarët në pravo-sllav, ia caktonin një kumbarë malazez. Edhe pse konvertiti ”Vukashin” më vonë prapë iu kishte kthyer besimit islam respektivisht fesë myslimane me emrin e mëparshëm Ukshin, megjithatë kumbaria iu kishte mbetur. Meqë Ukshini kishte shumë meshkuj në shtëpi, gjatë gjithë kohës i ndihmonte kumbarës së vet që quhej Vuksan, rreth punëve të bujqësisë, blegtorisë dhe nevojave të tjera shtëpiake, sepse i biri dhe e bija e tij punonin në organet e sigurimit shtetëror e nuk kishin kohë të merreshin me ato punë, derisa edhe Milica nga pleqëria nuk kishte më fuqi për këto punë.

Kumbaria e tyre zhvillohej ashtu saqë mund të thuhej, si të ishin vëllezër.

Kur të dy kumbarët kishin arritur në moshë të shtyrë të pleqërisë, kumbara malazez Vuksani sëmuret aq sa ishte i vetëdijshëm se do të vdesë. Për këtë Ukshini kishte dëgjuar prandaj dhe shkoi për ta vizituar me disa ushqime të zgjedhura.

 

Me rastin e vizitës, e shoqja e Vuksanit, Milica i solli një gotë të madhe shurupi dhe një gotë të vogël ”osmicë” raki kumbulle ”shlivovicë” për ta shërbyer Ukshinin, i cili në ato momente bisedonte me Vuksanin.

Pas një kohë Milica doli nga dhoma për t’ia bërë kafen Ukshinit dhe të dy kumbarët mbetën vetëm në dhomë.

Po i thotë Vuksani me zë të ulët Ukshinit: ”kume, hape njaty dollapin e komodes”, Ukshini u ngrit ngadalë, ndërsa Vuksani po ia kthen, më shpejt ”kume” sa nuk ka hyrë Milica në dhomë, kështu Ukshini me nxitim e hapi dollapin me ç’rast e pa një sëpatë me bisht të shkurtër dhe pastaj Vuksani po i thotë ”kume - mbylle shpejt dhe ulu ku ishe”.

Derisa Ukshini e pinte rakinë ”shlivovicë” Vuksani i shpjegon kumbarës e po i thotë: ”kume” sëpatën për çdo ditë e kam mprehur, a e di pse ? Ukshini i rrudhi krihet në shenjë të mos dijenisë që t’i përgjigjej. Vuksani vazhdoi shpjegimin: këtë sëpatë e kam përgatitur për ty, që kur të më vijë dita me ta këputur kokën me të. Ukshini u habit, i çatalloi sytë dhe filloi të djersitet. Kjo vërehej nga të skuqurit e fytyrës, pastaj u kollit një herë dhe e ngriti ”shlivovicën” duke iu drejtuar Vuksanit me fjalët: ”Për shëndetin tënd kume” që pasoi me pirje të përnjëhershme ”eks” të tërë rakisë së mbetur nga gota.

Vuksani pas kësaj iu drejtua Ukshinit: Dëgjo ”kume” dhe mbaje në mend, më të vërtetë të dua si vëllain, por në momentet kur atdheu i im do ishte në rrezik, unë kam pasur obligim parësor t’ia filloj me prerjen e kokës tënde, si njeriun më të afërm nga shqiptarët që të kam, pastaj ta vazhdoj me të tjerët. Mos harro këtu nuk ka besë, kur është në pyetje shteti e atdheu, këtë e kemi obligim të gjithë malazezët, këtë e kanë edhe serbët, e besoj edhe sllavët tjerë e kanë njëjtë si ne.

Me të përfunduar të këtyre fjalëve, biseda në dhomë në mes të kumbarëve u ndërpre, meqë në dhomë hyri Milica me ”tabake” për t’ia sjellë Ukshinit kafen, me të cilin rast e vërejti se Ukshini ishte i shqetësuar, prandaj edhe pyeti se çka po ndodh. Ukshini ia ktheu: asgjë Milicë, por po brengosem për shëndetin e Vuksanit. Milica duke e tundur kokën iu përgjigj, me ndihmën e Zotit sa e ka shkruar do të jetojë.

Vuksani ashtu i shtrirë në shtrat, gjëmonte nga sëmundja, fliste me ndërprerje duke dihatur, e kohë pas kohe edhe e mbërthente kolli. Në atë gjendje në prezencë të Milicës iu drejtua Ukshinit me fjalët: shiko ”kume” unë nuk e kam gjatë, por po ta la një amanet që familja e jote të kujdeset për plakën time, sepse djali dhe vajza e ime po ndodh që ndonjë mbrëmje fare nuk po kthejnë në shtëpi, po janë të zënë, e po frikohem që mos po sëmuret kjo plaka ime e nuk ka kush ta dërgojë të mjeku. Ukshini ia ktheu, mos u mërzit për këtë ”kume”, familja e ime të ka ndihmuar në punë më të mëdha se kjo, po edhe mos të kishim kumbari ne shqiptarët nuk e kemi zakon të mos i ndihmojmë tjetrit, e lere familjes sate që kemi kumbari të hershme.

Pasi e përfundova rrëfimin, Zeqa mu drejtua me fjalët, po këta qenkan të pabesë, prandaj Jova ka menduar se edhe ne jemi të tillë si ata me e mprehë sëpatën për t’ia shkurtuar jetën dhe është sjellë në atë mënyrë.

Pas ca kohësh banimi në atë dhomë konvikti, dalëngadalë Jova filloi të çlirohej prej disa paragjykimeve ndaj shqiptarëve. Filloi të bisedojë me ne për tema të ndryshme nga jeta e përditshme. Një ditë, me një bisedë rasti e pyeta Jovën se prej cilit vit familja e tij është stacionuar për të jetuar në Kosovë, gjegjësisht në Arbnesh të Pejës, apo siç e quanin këtë vendbanim ata, Vitomiricë.

Këtë pyetje ia bëra me qëllim, sepse e dija që gjatë periudhës së sundimit të turqve në Pejë, pos disa familjeve vllahesh dhe serbësh, që i kanë quajtur rajë, pejanet i njihnin si ”simitçi”, bukëpjekës e që mund të numëroheshin në gishta të duarve, malazezët nuk kanë jetuar në këtë anë, por janë stacionuar si kolonizues më vonë.

Jova mu përgjigj, se familja e tij, përkatësisht gjyshi i tij ka ardhur këndej si çlirimtar, kur e kanë përzënë turkun nga këto troje. Unë ia ktheva po prej kujt e ka blerë tokën. Jova u mbërdhez nga pyetja që ia bëra dhe më tha: Po shiko, malazezët i dëbuan turqit dhe u vendosën si fitimtarë. Për këtë na ka treguar gjyshi i cili pat thënë: prej mëngjesit të hershëm e derisa më zuri muzgu, duke kalëruar i ngulita hunjtë dhe i përcaktova kufijtë e pronës që na dhuroi Krajl Nikolla si pre lufte.

Unë përsëri e ngacmova me pyetje po gjyshi i yt në tokë të kujt u vendos. Jova u përgjigj po në tokën sllave, atëherë përmes një meseleje ia ktheva: Një politikan serb ia kishte bërë pyetjen një pleqnari odash, duke i thënë: A di me më treguar se kush i ka banuar i pari këto troje? Ky pleqnar, duke e vlerësuar këtë si pyetje provokuese ia kishte kthyer: Dreqi, është i dyti. Politikani serb duke qenë i pakënaqur me përgjigjeje, përsëri e pyet: Të pyeta, kush është i pari ? Pleqnari mendon po pse mos t’ia them dhe i përgjigjet: Po, po, po të tregoj, se kur kishte ardhur dreqi kishte gjetur vetëm shqiptarë. Pas kësaj meseleje vazhdova me sqarim: nëpërmjet shkencës së historisë dhe formave tjera të dokumentimit dihet saktësisht se kur kanë zbritur sllavët prej Karpateve, në cilën periudhë janë bërë dyndjet sllave e kur janë vendosur në Ballkan. Kështu fillova t’i shpjegoj histori, që nga antika, me periudha të pushtimit dhe çlirimit të këtyre trojeve nga të huajt.

 

(Fragment nga libri: Udhëtim nëpër vitet dramatike shqiptare)