| E diele, 23.10.2011, 07:45 PM |
Cikël poezish: TI, QË MA KE DJEGUR PRITEN...!
Sejdi BERISHA:
TI, E PAEMËR
Ti, e paemër
Më zgjo nga gjumi
Se shumë gjatë kam pritur
Buzëqeshjen e hënës për ta shijuar
Për ta prekur sythin
Që në pranverë çmendet
Për ta mësuar fshehtësinë e shkëmbit
Blegërimën e deleve për ta deshifruar
Gëzofin e bariut për ta përqafuar
Ti, ti
Më zgjo nga gjumi
Që ma ke djegur pritjen
Por
Nëse nuk e shoh
Drenushën duke ardhur
Më lë në ëndrrat e gjumit
Jo, në gjumë
Do të vijnë kalorësit e hidhëruar
Me flutura me shumë ngjyra në krahë
Stinët e shëmtuara për t’i zbukuruar
Ti, ti
Ti, e paemër
Më zgjo nga gjumi
Flutur e stinëve të bëhem
Mbi petalet e luleve të fle
Si njeriu pa vendlindje
Si poeti pa këngën e vatanit
Kështu bëhet koha
Dëshmi vetëm imja
Dëshmi vetëm e poetit
Me vargjet e humbura
Me këngën e lënduar
Me amanetin e etjes
Sa e dua Mollën e Kuqe
Kur e bashkoj me kokrrën e ullirit
Që piqet me ngrohtësinë e jugut
Që kuqëlohet me flladin e veriut
MË KËRKONI NË NJË TJETËR ADRESË
Nëse e keni humbur adresën time
Unë jam lutje kohe
Provoni
I bini kambanës
Atëherë
Ndoshta u kujtohet adresa ime
Ndoshta shikimi i syrit
U shndërrohet në dritë fosfori
Ndoshta rrudhat e ballit tim
Pikturë do t’i bëni
Unë kam edhe telefon pa numër
Ejani të kuvendojmë
Por mos nxitoni
Se shkelni në kurthin e dashurisë
Si dhelpra në pyllin e dendur
Tash
E kam një tjetër adresë
Më kërkoni
Të provoj sa më doni
Sepse
Unë nuk këndoj për vetveten
ËMBËL MË ZURI GJUMI...
Jo
S’më zuri gjumi
Mesi i natës e çmendte qetësinë
Kisha etje për të shëtitur
Në bulevardin e derdhur në vetmi
Shëtitja nuk më qetësoi
Edhe më shumë ma trenoi gjumin
Ngela duke u endur rrugëve bosh
Prapa më shoqëronte një qen
Sa herë që ktheja kokën pas
E lëvizte bishtin me peshën e lutjes
Me buzëqeshjen e urrejtjes
Ku ta di
Kështu deri në mëngjes
Kur agoi, doli drita
Në dhomën
Me libra mbuluar me pluhur
Ëmbël më zuri gjumi
Ngela pa ngrënë mëngjes