Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elida Buçpapaj: George Clooney le të bëhet serb, por Konstandini i Madh është dhe do të mbetet Ilir

| E shtune, 22.10.2011, 05:58 PM |


GEORGE CLOONEY LE TË BËHET SERB, POR KONSTANDINI I MADH ËSHTË DHE DO TË MBETET ILIR

 

Nga ELIDA BUÇPAPAJ

 

Serbia po investon që t’i japë krishterimit origjinë serbe. Të ngjan si anekdotë, kur dihet se sllavët zbarkuan në shekullin e shtatë e më vonë atje ku janë sot, pra kur Konstandini i Madh kishte të paktën disa shekuj që kishte vdekur. Por kjo nuk do të thotë gjë për ta. Mjafton që qyteti ku lindi Konstandini, Nishi i dikurshëm ilir, sot të jetë qytet i Serbisë dhe asgjë nuk i ndal për të manipuluar historinë e njerëzimit e të krishterimit. Bëma të ngjashme me përvetësimin e figurave shqiptare nga fqinjët tanë. Kështu kanë vepruar edhe me Skënderbeun, edhe me Nënë Terezën, së cilës Maqedonia e sotme kishte vendosur t’i jepte origjinë maqedone apo bullgare, si t’i shkrepej, sepse, në fund të fundit, për fatin e ikonave të kulturës shqiptare nuk shqetësohet kush. Të gjithë flenë. Partitë interesohen për pushtet për vete, shteti mbetet nën hijen e partive, ashtu sikur edhe akademitë e shkencave, të gjithë konformohen, por për fatin e kulturës shqiptare nuk mendon kush.

 

Një pretendim i tillë është skandaloz. T’ia heqësh Konstandinit të Madh origjinën ilire, dhe ta bësh serb, është manipulim i hapur i historisë të krishtërimit, është çmenduri, ashtu sikur ishte çmenduri edhe kur vendosën që Nënë Terezën ta bënin bullgaro-maqedone. Por ky pretendim serb nuk është një rastësi, se i shkrepi një universiteti të Serbisë të paguante Hollywood-in apo George Clooney-n. Jo, kjo është një strategji e shtetit serb, paçka se është e ngjashme me të ashtuquajturin „mitin e Kosovës". E si na qenka Kosova e Serbisë, gjersa serbët u dyndën në Ballkan kur Kosova ishte disa mijëvjeçare si Dardani ilire. Pra ideja për ta shpallur serb Konstandinin e Madh ilir është mitomane, produkt i mitomanisë serbe, e cila gjen fushë të lirë veprimi sepse në Shqipëri dhe në Kosovën të gjithë flenë, janë në letargji, duke filluar nga Ministritë e Jashtme, nga Ministritë e Kulturës, nga Akademitë e Shkencave, nga shoqëria civile, nga historianët, nga elita intelektuale nga opinionistët e ashtuquajtur. Të gjithë këta të ashtuquajtur pretendojnë se janë, ngaqë marrin rroga të majme, ngaqë kanë përfitime të majme prej votëbesimit që u kemi dhënë ne që paskemi qenë më budallenjtë e botës.

 

Nuk janë të reja këto pretendimet e Serbisë për ta përvetësuar Konstandinin e Madh, për t’ia ndryshuar Konstandinit të Madh babë e nënë.

 

Ka qenë i pari vetë presidenti i Serbisë, një viti e ca të shkuar, ai që ka deklaruar gjatë një vizite në Vjenë me rastin e 150 vjetorit të Kishës Ortodokse se djepi i krishtërimit është në Serbi, meqë Konstandini i Madh, perandori ilir kishte lindur në qytetin ilir Naissus, që sot është Nishi dhe territor i Serbisë.  Ne nuk na prishet puna aspak nëse George Clooney na del me rrënjë serbe, paçka se në të vërtetë rrënjët i ka irlandeze, ashtu qoftë, por Konstandini i Madh jo, ai nuk është as serb, ai është me origjinë ilire. Ndaj pretendimeve të Tadiçit për ta përvetësuar Konstandinin e Madh dhe Krishtërimin nuk reagoi askush, as në Shqipëri dhe as në Kosovë, e bënë syrin qorr dhe veshin shurdh për turpin dhe marren e tyre, ndërsa vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të enden në dilemën më monstruoze të tranzicionit nëse ishte Ramiz Alia diktator apo demokrat. Për hir të së vërtetës ndaj pretendimeve të Tadiçit reagova unë me një opinion titulluar „ZOTËRI TADIÇ, SHQIPTARËT E KOSOVËS JANË PASARDHËSIT E KONSTANDINIT TË MADH DHE SKËNDERBEUT, HEROIT TË KRISHTËRIMIT QË SHPËTOI AUSTRINË NGA INVAZIONI OTOMAN". Opinioni im është botuar edhe tek Bota Sot, ndërsa shtypi i Tiranës, i gjithi i majtë, nuk denjoi ta botojë, me pretendimin se si guxoka një shqiptare që t’i kujtojë presidentit të Serbisë se Konstandini i Madh është ilir, dhe se Nishi i kohës kur lindi ai nuk ishte Serbi.

 

Edhe tani kur shtypi i Serbisë ka trumpetuar me bujë filmin e Hollywood-it ku George Clooney-in do ta shpallë serb në kontekstin për t’i përvetësuar identitetin ilir Perandorit Konstandin, askush nuk ka bëzajtur, në asnjë lloj niveli, gjumë Ministritë e Jashtme, gjumë Ministritë e Kulturës, gjumë opinionistët, gjumë historianë, të gjithë gjumë, veç një deklaratë e historianit Pëllumb Xhufi, e botuar tek gazeta Shqiptare, së cilës nuk do t’i jepja rëndësi pasi Pëllumb Xhufi ose kolegët e tij si historianë do t’i duhej të kishte shkruar të paktën disa libra që t’i kushtoheshin Konstandinit të Madh. Dhe sepse, në raste të tilla, reagohet institucionalisht, çka do të thotë se reagon kryetari i Akademisë së Shkencave në Tiranë e Prishtinë; reagon Ministri i Jashtëm në Tiranë e Prishtinë, reagon Ministri i Kulturës në Tiranë e Prishtinë, reagojnë edhe pjesa shtetformuese shqiptare në Maqedoni, diaspora, mediumet e informimit e kështu me radhë.

 

Serbia bën çfarë t’i teket me historinë e shqiptarëve, pasi historianët shqiptarë kanë mbetur vegla të politikës qorre. Kështu edhe nivelet tekniciene-akademike deri tek shtypi i lirë. Sot Serbia nuk do të kishte asnjë lloj pretendimi për ta serbizuar Konstandinin e Madh ilir, nëse kjo figurë madhështore e krishterimit do të ishte nderuar dhe vlerësuar në trevat shqiptare, duke filluar prej Shqipërisë. A ka Shqipëria ndonjë katedrale me emrin e Konstandinit të Madh? A ka Shqipëria ndonjë Muzeum që mban emrin e Nënë Terezës? Jo, Shqipëria ka veç vila të reja të politikanëve që kanë pushtuar plazhet shqiptare, ndërsa edhe sot e kësaj dite pronarët e tyre legjitimë vazhdojnë të mbeten të shpronësuar nga diktatura dhe diktatorët.

 

Deri kur kështu ?

 

PS

Më poshtë keni reagimin tim ndaj deklaratave të Presidentit serb bërë në Vjenë në korrikun e vitit 2010:

 

 

ZOTËRI TADIÇ, SHQIPTARËT E KOSOVËS JANË PASARDHËSIT E KONSTANDINIT TË MADH DHE SKËNDERBEUT, HEROIT TË KRISHTËRIMIT QË SHPËTOI AUSTRINË NGA INVAZIONI OTOMAN

 

Nga ELIDA BUÇPAPAJ

07.01.2010

 

Gjatë vizitës së tij në Vjenë, me rastin e 150 vjetorit të Kishës ordodokse serbe, presidenti i Serbisë Boris Tadiç, deshi të prekte zemrat e austriakëve, në një pikë ku ata kanë ndjeshmëri të madhe, duke dalë me tezën se shqiptarët e Kosovës ( kosovarët -sipas tij) rrezikokan të depersonalizojnë djepin e kristianizmit që sipas tij është në Serbi.

 

“Çështja e Kosovës për Serbinë nuk është problem integriteti dhe sovraniteti territorial, por së pari një çështje që ka të bëjë me ruajtjen e identitetit të tyre." Meqë serbët janë dyndur në Europë në shekullin e VII pas Krishtit, ndërsa Shqiptarët janë pasardhësit e Iliro-Dardanëve dhe autoktonë në trojet e tyre, ku e ka fjalën z.Tadiç ?

 

Po t'i referohemi  historisë së antikitetit Dardania është pjesë e Ilirisë,  ndërsa dardanët janë fis ilir, pasardhësit e të cilëve sot janë shqiptarët e Kosovës. Qytetet më të mëdha të Dardanisë ishin Naissus (Nishi i sotshëm), Scupi, (Shkupi i sotëm) dhe kryeqyteti i Dardanisë ishte Ulpiana, Prishtina e sotshme ( ku përfshihej natyrisht edhe Fushë Kosova, ku ndodhet Gazimestani dhe ku serbët e festojnë Vidovdanin).

 

Dhe meqë Boris Tadiçi e mbajti këtë fjalim nga Austria, unë po i referohem studiuesit të famshëm austriak Ami Boué, i cili edhe etimologjinë e emrit "Dardani", e gjen nga trajta ilire e fjalës shqip "dardhë".

 

Fjalimi i Tadiçit në Vjenë mbahej pothuaj në të njëjtën kohë kur mijëra serbë u dyndën nga Serbia në Fushë Kosovë me një arrogancë dhe brutalitet që të sillte ndërmend arrogancën e fjalimit të Milosheviçit, më 28 qershorin e 1989, me rastin e 600 vjetorit të Betejës së Fushë Kosovës, ose ndyshe Betejës së Gazimestanit, kur përpara  1 milion serbëve të ardhur nga e gjithë Serbia do të mbante fjalimin famëkeq duke iu shpallur luftën fetare kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

 

Nëse serbët sot i referohen Fushëkosovës, Gazimestanit apo Vidodvanit, atëhere shqiptarët e Kosovës duhet t'i referohen Nishit, një nga qytetet e lashta të Ilirisë që përbën djepin e tyre.

 

Tadiçi po ashtu deshi t'i habisë austriakët me pretendimet se Imperatori Roman Konstandin ka lindur në territorin e sotshëm të Serbisë, duke nënvizuar faktin se gjatë perandorisë së Konstandinit të madh, Krishtërimi u kthye në një religjon shtetëror në perandorinë Romake. Nisur nga ky fakt, Tadiçi arriti në konkluzonin se Europa dhe identiteti i saj kristian paskan lindur në Serbi.

 

Perandori romak Konstandini i madh (272  – 337), të cilit i referohet Tadiçi, vërtetë është perandori i parë që ka njohur krishtërimin fe zyrtare të Perandorisë Romake. Tadiçi ka të drejtë kur thotë se Konstandini ka lindur në territoret e sotshme të Serbisë, por harron të thotë se Nishi ku kish lindur Konstanditi ishte qyteti më i madh i Dardanisë, dhe Konstandini vetë ishte dardan, ndërsa në shekullin III dhe IV kur ka ushtruar veprimtarinë e vet Imperatori Konstandini, Serbisë i duheshin edhe tre-katër shekuj që të vinte e të zbarkonte në Gadishullin Ilirik dhe shekuj të tjerë që të shtrihej atje ku është sot.

 

Pra në ligjëratën e tij, Tadiçi, duke folur për krishterimin dhe Konstandinin, iu ka kujtuar austriakëve dhe Europës, se themeluesi i krishtërimit është në fakt një stërgjysh antik  i shqiptarëve të sotshëm të Kosovës.

 

Në fjalimin e tij Tadiçi i paraqit shqiptarët në Vjenë si "uzurpues të identitetit Serb-ortodoks në territoret e Kosovës", çka bie ndesh me të vërtetën, pasi janë serbët ata që kishin uzurpuar Kosovën deri më 12 Qershorin e vitit 1999.

 

Shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë të uzurpojnë identitetin serbo-ordokoks pasi atyre u mjafton identiteti që kanë, duke qenë pasardhës të Konstandinit të madh, që është zyrtarizuesi i parë i krishtërimit, dhe duke pasur si hero të tyre kombëtar Gjergj Kastriot Skëndebeun i cili e mbrojti krishtërimin nga uzurpimi i perandorisë Otomane ndërsa ishte duke u afruar dyerve të Vjenës.

 

Nëse Serbët krenohen me Car Lazarin, punë e tyre, ne shqiptarët nuk shqetësohemi për këtë, por nga ana tjetër askush nuk mund të na ndalë që të krenohemi me rrënjët dhe me heronjtë tanë.

 

Dhe nëse flasim për Skënderbeun, austriakët janë shumë të ndjeshëm për këtë temë, pasi ata e dinë se çfarë roli luajti Skënderbeu për ta, dhe në fakt Austriakët do të duhej ta kishin shpallur Skënderbeun hero të tyre kombëtar siç e kemi ne shqiptarët, pasi i shpëtoi nga pushtimi otoman.

 

Ndërsa shqiptarët, pas vdekjes së Skënderbeut nuk i bën dot ballë Perandorisë Otomane, kohë edhe kur filloi konvertimi i shqiptarëve nga të krishterë në mysliman. Pra konvertimi i shqiptarëve në mysliman është i vonshëm, ai tash është pjesë e identitetit shqiptar, që nuk i cënon aspak rrënjët apo djepin e shqiptarëve.

 

Pra nëse do të flasim për  rrënjët e shqiptarëve të Kosovës janë ato iliro-dardane, të cilët e pranuan fenë e Jezusit shumë kohë para njohjes së saj si fe zyrtare, ndërsa me pushtimin Otoman u myslimanizuan dhe i rezistuan dyndjes serbe. Deri pas Kongresit të Berlinit madje Sanxhaku i Nishit dhe Sanxhaku i Novi Pazarit ishin pjesë e Vilajetit të Kosovës, vilajet që përbënte pjesën më të madhe të Shqipërisë së asaj kohe. Duke i rezistuar dyndjes serbe shqiptarët i shpëtuan edhe asimilimit kombëtar që do të ishte imponuar nëpërmjet ortodoksizmit serb, kështu ata do të shpëtonin qytetërimin shqiptar, një nga qytetërimet themeluese të Evropës.

 

Megjithë identitetin e vet të krishterë, Europa ka ndërtuar një sistem shoqëroro-politik laik, ndryshe nga Serbia që vazhdon të mbetet një shtet teokratik, ku kisha orthodokse është shumë më e fuqishme se presidenti i Serbisë, diçka që bie ndesh me identitetin e Europës sot, ku feja mbetet jashtë politikës.

 

Nga ana e tyre, Shqiptarët nuk përzihen me identitetin dhe monumentet e kulturës dhe historisë të Serbisë, duke pasur prejardhjen nga figura si Konstandini i Madh, Skënderbeu dhe Nënë Tereza. Aq më tepër, kur Shqiptarët, aktualisht një komb me tre religjone, dallohen për tolerancën e tyre fetare, duke qenë shembull për Europën.

 

(Ky shkrim është botuar në korrikun e vitit 2010, pra një vit e ca më parë si reagim kur presidenti serb Tadiç deklaroi nga Vjena se djepi i krishtërimit është në Serbi, meqë Konstandini i Madh, perandori ilir kishte lindur në qytetin ilir Naissus, që sot është Nishi dhe territor i Serbisë)