| E marte, 11.10.2011, 02:58 PM |
Ramiz Alia dhe personaliteti tij kontradiktor
Nga Pirro PRIFTI
priftipirro@hotmail.com
Vdekja e Ramiz Alisë i dha fund epokës të dirigjentëve të ish-komunizmit shqiptar, por nuk i dha fund përfundimisht problemit të mentalitetit komunist të drejtimit të vendit, mentalitet i cili për fat të keq është ngulitur keq në klasën e sotme politike, mentalitet i cili jo vetëm dominon sot në vendim-marrjen politik, por dominon gjithashtu dhe në klasën e re politike e cila është formuar dhe ka punuar këto 20 vite nën drejtimin e ish- nomeklaturës së kuqe në drejtim. Një nga filozofët e vjetër ka thënë: Për të bërë revolucionin duhen 3-4 vjet për të ndryshuar mentalitetin duhen 30-40 vjet, pra 10 herë më shumë vite se sa fitoret reale. Gjithashtu, po ky autor thotë se: revolucionin e ideojnë filozofët, e drejtojnë sociopatët dhe përfitojnë po nga ky revolucion- maskarenjtë.Për Ramiz Alinë, sekretar i parë e Partisë së punës dhe shefi direkt i diktaturës së proletariatit pas vdekjes së Enver Hoxhës për 7 vjet dhe 1 vit president i Republikës së Shqipërisë në kohën e demokracisë mund të flitet shumë, por karakteri kontradiktor i veprimtarisë së tij politike mund të vihet re në disa raste vendimtare:
- Në rastin kur së bashku me Nexhmije Hoxhën, asgjësojnë me djallëzi numrin 2 të shtetit shqiptar të atëhershëm, Mehmet Shehun dhe ky rast konfirmohet jo vetëm nga aludimet e Liljanës, por unë kam një dëshmi personale interesante në një darkë të 20 viteve më parë, me Shefin e Mjekësisë Ligjore të viteve 1979-1989, i cili në një darkë në të cilën merrja pjesë edhe unë (darkë e shtruar pasi kishte kryer një operacion një vit më parë të femurit) ai përmendi këtë histori: ...kur sollën Mehmetin në morg, pas pak erdhi Llambi Ziçishti. Kur ia hapa kufomën, ai klithi nga shqetësimi dhe tha: ou, po këtë e paskan vrarë more... -jo more Llambi –i thashë unë, ai është vetëvrarë... –po si more... është vetëvrarë me dy plumba është vetëvrarë?.. Unë (tha shefi i mjekoligjores) qesha, i thashë Llambit. Ik ore Llambi ai është i vetvrarë. Llambi doli ashtu i çartallosur dhe u largua. Ajo frazë i shkaktoi dënimin me vdekje gjithashtu dhe vetë ish ministrit të atëhershëm për atë fjalë që tha. Vrasja e Mehmet Shehut, e përgatitur pa dijeni e Hoxhës i solli telashe të mëdha shtetit shqiptar por vendosi si numur 2 të shtetit shqiptar Ramiz Alinë, me dëshirën e familjes Hoxha. Pra, vrasja e fundit dhe e vetme që bëri Ramiz Alia direkt me ndihmën sigurimit, ishte heqja qafe e rivalit të tij Mehmet Shehut.
- Në rastin kur nuk guxoi të bënte reforma të thella ekonomike pas vdekjes së Hoxhës, zbatoi një metodë, e cila u quajt shkatërrimtare për ekonominë e Shqipërinë me ato tufëzat dhe arëzat, por duke mbartur përsipër dështimin total të ekonomisë shqiptare por duke ruajtur diktaturën në dëm të popullit; megjithatë gjithmonë u ruajt që të mos binte më në gabimet e Hoxhës.
- Në rastin kur për të shpëtuar me çdo kusht drejtuesit komunistë të të gjithë sektorëve organizoi takimin në gusht të ‘90 me të ashtuquajturit “intelektualë të shquar” të asaj kohe, nga të cilët ai mori mesazhin që edhe sikur të ndërrohej sistemi- ai nuk do të prekej, ai dhe kasta e ish diktaturës së proletariatit dhe se me ndihmën e këtyre “intelektualëve komuniste” që në fakt rezultuan 99-sha, siguroi gjithashtu dhe drejtimin edhe për 1 vit pas përmbysjes së butë të sistemit komunist.
- Në rastin kur dha dorëheqjen pas fitores së PD, dorëheqje e cila tregoi se tek personaliteti kontradiktor i Ramiz Alisë kishte mbetur ende grimca të ndërgjegjes dhe të përgjegjësisë që ka një njeri normal përpara një sfide. Ramiz Alia nuk ishte diktator, por jetoi me diktatorin dhe diktaturën gjë e cila ja shkatërroi personalitetin e butë dhe oportunist që kishte, personalitet me anë të të cilit ai ngjiti shkallët gradualisht deri tek Diktatori, e pastaj mësoi aty se si mund të merrej pushteti dhe të mbahej edhe pa përlyer duart personalisht.Ramiz Alia nuk ishte Makbethi i diktaturës siç ishte Enver Hoxha, por ishte miku i ngushtë i ledi Makbethit, e për pasojë është fajtor për shumë padrejtësi që ndodhën para dhe pas vdekjes së Enver Hoxhës, megjithëse ai ishte aq i djallëzuar së të lante duart si Pilati para popullit për të thënë që ai (pra Ramiz Alia) është i pafajshëm për kohën e diktaturës...Pa-aftësia e tij për të menaxhuar mirë ngjarjet e fund-diktaturës dhe fillim-demokracisë është për tu mbajtur mënd sepse gjithmonë priste lëvizjen e kundërshtarit dhe pastaj vepronte, ose luante rolin e “bol-it” të thesit të boksit, ku boksierët e qëllonin por bol-i vinte prapë në vend. Kjo pa-aftësi në mjekësi quhet ambi-tendencë, pra ishte një person i dyzuar që nuk vendoste dot se çfarë të bënte, duke patur shumë ide- por duke mos zgjedhur atë që duhet, ai rrinte pa vepruar ose duke vepruar ngathët.Vdekja e Ramiz Alisë mbyll një kapitull të komunizmit dhe të pasuesve të tij por dera është hapur ende porsa i përket mentalitetit komunist të drejtimit.Ne mund të shohim qartë se si qoftë mazhoranca qoftë opozita gjatë këtyre 20 viteve, kanë drejtuar me një mentalitet të tillë duke mos pranuar tolerancën dhe transparencën e veprimeve qoftë brenda partive të mëdha qoftë në drejtimin e shtetit nëpërmjet 3 pushteteve, duke i shkaktuar Shqipërisë shumë probleme sociale, politike dhe ekonomike.Po të mos ishte BE dhe SHBA, Shqipëria do të kishte rënë shumë lehtë nën një drejtim diktatorial edhe gjatë këtyre viteve sepse mentaliteti i luftës së klasave, i urrejtjes klasore, i mungesë së transparencës dhe tolerancës, mungesa e programeve ekonomike, janë pasoje e këtij mentaliteti në klasën drejtuese politike të zgjedhur, klasë drejtuese e cila është ende një klasë vendosur që ne fillimet e demokracisë nga Ramiz Alia. Të mos harrojmë se edhe populli, mezi po e pranon demokracinë, sepse për shumë vite ka jetuar e kaluar në diktatura të rëndë: në diktaturën e djathtë të Zogut dhe në diktaturën e majtë të Hoxhës. Ramiz Alia përfaqëson njeriun politik të rrahur që këlysh nga diktatori dhe diktatura, duke lënë atë të pa-aftë të bënte ndryshimet e nevojshme atëhere kur duhej, dhe të vepronte atëhere kur nuk duhej. Megjithatë ai mbetet një personazh historik kontradiktor si të gjithë udhëheqësit që kanë jetuar e drejtuar në dy sisteme të ndryshme. Le të prehet në Paqe.