Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shkatërrohet kisha e Gjon Pagëzorit

| E marte, 19.02.2008, 06:04 PM |


Blerina Goce

Kisha e Gjon Pagëzorit, një monument i rrallë i shek. XIII-XIV, i rizbuluar një vit më parë në fshatin Derven në zonën e Krujës, është shkatërruar në një pjesë të mirë të elementëve të tij.

Monumenti, i cili u shfaq gjatë ndërtimit në këtë zonë të një kishe të re, iu nënshtrua një sërë gërmimesh nga Instituti i Arkeologjisë, që nxorën në dritë shumë të dhëna interesante. Porse në ndryshim nga ç'ishte thënë, ruajtja e kishës nuk u mor përsipër nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Kështu, një prej afreskeve më domethënëse të "Gjon Pagëzorit", ajo që njihet si "Skena e lajmërimit", ku engjëlli Gabriel lajmëron Marinë që është shtatzënë, është shkatërruar plotësisht. Po ashtu edhe nga skena që paraqiste Shën Gjon Pagëzorin, të cilit i kushtohej dhe kjo kishë, nuk ka mbetur asnjë fragment. Pa përmendur edhe skena të tjera në ballë të kishës, që paraqisnin një pjesë të engjëjve lajmëtarë e skena të ungjijve, që sot, një vit pas gërmimeve nga IA-ja, nuk ekzistojnë në asnjë formë të tyre.

Prof. Skënder Muçaj, nga Instituti Arkeologjik, i cili udhëhoqi gërmimet për kishën e Dervenit një vit më parë e që ka ndjekur hap pas hapi gjendjen e objektit, e quan " të mjerueshme" gjendjen, ndërsa u bën thirrje institucioneve dhe personave përgjegjës të vënë dorë mbi këto monumente të trashëgimisë kulturore, që në pjesën e tyre më të madhe janë lënë në mëshirë të fatit.

Ai e quan flagrant mosrespektimin e marrëveshjes së bërë vitin e kaluar me Institutin e Monumenteve, mes drejtorëve aktualë të dy institucioneve, drejtorin e IA-së, Muzaferr Korrkuti dhe ish-drejtorin e IMK-së, Apollon Baçe. "Ata bënë marrëveshje të gërmohej kisha e Dervenit, që përbënte një monument të rrallë për atë zonë. Ekipi punoi në kushte të vështira përgjatë 30 ditëve punë, në muajin janar, shkurt dhe mars e arriti të zbulonte pjesën më të madhe të këtij monumenti. Marrëveshja ishte e tillë që ne të gërmonim, kurse IMK-ja me specialistët e tyre të bënin restaurimin, kryesisht të afreskut", shpjegon Muaçaj, ndërsa e cilëson afreskun e zbuluar në Derven, një afresk shumë cilësor dhe të bukur. Ai e vlerëson kishën si një monument që ka vlerat e tij për periudhën e shek. XIII-XIV, për më tepër që "kishat e kësaj periudhe, që ruhen në sipërfaqe të plota janë të rralla".

Duke ritheksuar se gjendja e monumentit në pjesën më të madhe të tij është e mjerueshme dhe nuk ka asnjë mbulim, specialisti Muçaj shton se po të vazhdohet në këtë mënyrë, do të vazhdojmë të humbim shumë nga vlerat tona kulturore e historike. "Do të ishte fatkeqësi që ne të gërmojmë dhe pjesa tjetër të mos marrë asnjë masë. Për më tepër që në rastin konkret nuk kishte nevojë as për shpenzime të mëdha. Por mund t'i bëhej një strehë provizore dhe një përforcim i afreskut dhe një gjë e tillë e ruante, derisa t'i vinte koha për ta pastruar më mirë e me radhë. Ajo që bëhet në fillim është konsolidimi dhe kjo punë nuk u krye. Arsyeja se pse nuk u krye, nuk e di. Kam dëgjuar herë pas here se do të shkonte një ekip në Derven. Edhe gjatë kohës që kemi qenë në gërmime kanë ardhur herë pas here nga IMK-ja specialistë dhe ekipe duke thënë se do ta fillojmë sot, do ta fillojmë nesër. Për sa kohë ishim atje nuk u fillua, por as më vonë nuk erdhi njeri për të marrë masa dhe për ta konsoliduar. Kjo është një fatkeqësi për kulturën kombëtare", shprehet Muçaj. Ai vëren se edhe në vende të tjera, monumentet, përveç atyre që janë kthyer në park e janë qendra të rëndësishme, të gjithë janë të harruar. Për Muçajn "kërkohet urgjentisht ndërhyrje në mënyrë konkrete nga Ministria e Kulturës, jo vetëm për të bërë inventarin e tyre, për t'i parë të gjitha monumentet çdo drejtori rajonale apo institut. Por për të marrë masa konkrete dhe për t'i ruajtur, që të mos shkojnë drejt degradimit".

Afresku, pas zbulimit

"Në fazën e parë të përdorimit të kishës, muret kanë qenë të suvatuara dhe të lyera me gëlqere të bardhë mbi të cilën duken edhe gjurmë ngjyre të kuqe dhe okër, pa mundur të dallojmë në të ndonjë motiv. Në një fazë të dytë, pjesa lindore e kishës është veshur me afresk, ku janë vendosur tri piktura, njëra në absidë dhe dy të tjerat në veri dhe në jug të saj".

Afresku, tani

Të dhëna për monumentin

Kisha e Shën Gjon Pagëzorit në fshatin Derven u rizbulua gjatë punimeve për ndërtimin e kishës së re pranë saj. E mbuluar krejtësisht nga aluvionet e lumit Gjoles ajo nuk njihej nga banorët vendas, ndonëse kisha e fundit e ndërtuar aty (e shkatërruar më 1967-n) ishte ngritur mbi muret e ndërtimit origjinal. Edhe pse gjatë hapjes së një kanali drenazhi ishte prishur një pjesë muri, kjo nuk ishte bërë shtysë për kërkime të mëtejshme. Fushata 21-ditore e gërmimeve filloi më 6 shkurt 2007, me synim zbulimin e monumentit dhe sqarimin e fazave të ndryshme të përdorimit të tij. Nisur nga plani dhe elementët e tjerë të saj, kisha e Gjon Pagëzorit renditet deri tani me një numër kishash njënefshe të datuara kryesisht në shek. XIII-XIV. Në plan më afër ajo është me kishën e Sh. Markut në kalanë e Danjës, e datuar në fundin e shek. XIII dhe fillim të shek. XIV, kurse elementë të tjerë të arkitekturës e përafrojnë atë me kishën e Kuçit, Priskës së Vogël, Priskës së Madhe, Përcëlleshit, Zgërdheshit, Maxharës dhe Pllanës, të datuara po në këtë periudhë. Kisha e Shën Gjon Pagëzorit është një monument me vlera të veçanta arkitektonike dhe artistike dhe ndihmon për një studim të dokumentuar sa më mirë për kishat e Shqipërisë së Mesme dhe Veriut gjatë periudhës mesjetare.

Historiku "i pagjurmuar" i një territori kishtar

Pjesa e territorit midis lumenjve Mat dhe Shkumbin, në shpinë të kryeqendrës së Dyrrahut, megjithëse ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm gjatë gjithë periudhave historike, në pikëpamje arkeologjike është gjurmuar shumë pak. Kësaj të mete nuk i kanë shpëtuar dhe gjurmimet për identifikimin dhe studimin e monumenteve të kultit kristian nga fillimet e tij deri nga fundi i shekullit XVII, kur pjesa më e madhe e popullsisë së kësaj zone u konvertua në fenë myslimane dhe nuk mund të bëhet fjalë për ndërtime të reja. Treva për të cilën bëhet fjalë sot gjendet e ndarë në katër njësi të ndryshme administrative: Tiranë, Krujë, Durrës dhe Kurbin; kurse me pushtimin turk, në regjistrimin e vitit 1431-1432, shumë fshatra të kësaj treve ishin pjesë e timarit të Akçahisarit (Krujës). Në pikëpamje të ndarjes kishtare, duke filluar nga shek. X, ajo ka qenë pjesë e Dioqezës së Krujës.

Kërkimet dhe gjurmimet e sapofilluara, nga punonjësit e Departamentit të Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës në territorin e rrethit të Tiranës, kanë treguar se në këtë zonë ka një numër të madh kishash dhe kuvendesh të ndërtuara duke filluar nga fundi i shekullit XI deri në fundin e shek. XIV. Zona e Kurbinit, po aq e pasur sa ajo e Tiranës, ka ngelur deri tani jashtë vëmendjes së këtij projekti. Zbulimi dhe gërmimi i kishës së Dervenit do të jetë një shtysë për të eksploruar në vazhdim edhe këtë zonë.

Pas tërheqjes së Bizantit, më 1071-n, dhe kalimit të kryqtarëve të parë, më 1096-n, ky territor ka qenë jo vetëm në synimet ushtarake të shteteve perëndimore por dhe në vëmendjen e kishës katolike, e cila është përpjekur që këto territore t’i vërë nën juridiksionin e saj. Me anë të urdhrave benediktinë, dominikanë dhe françeskanë ajo ka ushtruar influencën e saj në kishat e kësaj zone edhe kur kryepeshkopata e Durrësit ishte ortodokse. Kjo duket më së miri në arkitekturën e Kuvendit të Shën Mërisë në Shërmi të Tiranës dhe në kishën e manastirit të Shna Ndout të Rodonit, në afreskun e kishës së Shën Mërisë në Shërmi të Krujës, Shën Kollin e Priskës së Vogël, Shën Lukën e Madh (Shuksimadh) në Herraj, Manastirin e Priskës së Madhe dhe kapelat rreth tij, kishën e Shën Todrit në Kuç (TR) etj. 

Metropol