Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shefik Shkodra: Në kontekst me fjalët e Nolit

| E enjte, 29.09.2011, 03:02 PM |


NË KONTEKST ME FJALËT E NOLIT

 

NGA SHEFIK SHKODRA

 

“Kusha” në simetritë e harmonishme të personazheve të kohëve historike (sot dhe dje) te shqiptarët, sjellin aq rezultate sa dhe veprimi. Apo, pritet shpejt ndryshimi i gjendjes. Në ç’mënyrë veprojmë në të mirë të atdheut, ashtu edhe presim rezultatet. Prej lojtarëve në lojë varet krejt e ardhmja. Një anekdotë e njohur ndër shqiptarët, dhe shumë pak janë ata që nuk e kanë dëgjuar, po e përfoli më këtë rast. Një kali, kur i vjen koha të cofë, i zoti i tij që e kishte shaluar pa i zbrit poshtë e përpjetë, e kishte ngarkuar shumë, në fund ia bën një pyetje: - Meqë po shkon nga kjo botë, a mund të thuash diç për kohën që ke shërbye te unë dhe kudo në punë të mija, a ke ndonjë vërejtje? Kali përgjigjet: - krejt e lë në rregull dhe nuk më dhimbset mundi që e kam bërë, veç kur ma shtoje ngarkesën e gomarit dhe atë ma qitshi  përpara, këtë s’mundëm ta fali! Ngjashëm është sot me do ‘pehlivana’ te ne, që nuk e kanë as sjelljen e as veprën që të dalin para popullit, do të thotë, të kryejnë punë publike shtetërore, qoftë në atë qeverisjen lokale, apo qendrore. Lidhur me këtë dua të shtoj disa rreshta të Fan Nolit, i cili më së miri ka ditur ta analizoj gjendjen e atëhershme në Shqipëri. Shqiptarët kudo që janë një mentalitet e kanë. Nuk ka thënie më të qëlluara se të këtij atdhetari e poeti shqiptar, për “anarkinë fetare”, për “anarkinë sociale”, për “anarkinë morale”, për “anarkinë patriotike”, për “anarkinë e idealeve”, etj. Ligjëratë e mbajtur në parlamentin e vitit 1924, me shumë ilustrime figurative e shumëllojshmëri ngjyrimesh, në pikëpamje psikike e socio-kulturore dhe politike.

 

*

Ka mbetur fjala nga populli, “i marrumi”, ai që është koritur. Po, është një e vërtetë, ai që është koritur një herë, vijon të koritet sa herë. Krejt njësoj. Si të kishte bërë një punë të mbarë. Nis nga rrethi më i ngushtë familjar dhe vijon deri në institucione (një pjesë e atyre që kanë depërtuar deri aty e atje) e që pret gjithë shoqëria prej tij. Kur i sheh cilët ishin disa njerëz të atij sistemi, të përcjellë me veprimet e tyre sot, (të vjen turp për ta), duket se ata që ishin zullumqarë (hajdutë e plaçkatarë, ‘dilenxhi’ e spiunë, intrigantë, e jo të pafytyrë, por me shumë fytyra, etj.) më mirë e kanë kaluar karrierën e tyre. Më të respektueshëm ishin e edhe tash janë, kështu u duken një pjese të qytetarëve. Batakçi të mëdhenj, thamë, edhe të pamoralshëm (dikush në mos është gjetur edhe në incest)...e të tillët të përftojnë kudo, jo si lepuj, po si ‘engjëj’ të vërtetë. Ani, nëse kanë bërë të gjitha këto që thamë më lartë në ato anët nga vinë në qendra, pesë para, kush nuk i shikon ato karakteristika. Ata i hyjnë në shërbim sërish edhe këtij pushteti. S’ka rëndësi për ata të urtit dhe të meritueshmit. Noli thoshte për anarkinë patriotike: “Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme [...] Këtu si më thoshte një mik është më mirë që njeriu të jetë tradhëtor e të shikoj interesat e tij sepse kështu do të jetë e sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.”

Po pra! Në vend se të kesh njerëz me karakter e aftësi, e dëshpërojmë masën. Prej gabimit për burg, veç kur e sheh befasisht në vend pune si është më mirë. Do të vinte keq ta pohosh se është e vërtetë diç e tillë për ndonjërin. Plaçkatarët e lugëve dhe enëve të palara kurdoherë e edhe pas luftës së fundit, ta zënë frymën me tendencë të prijësve. Bile, edhe privilegje kërkojnë në çdo hyrje, para çdokujt. Lakmitarët janë tipa të mbyllur në vete. Ata veç ‘grabisin’ dhe asnjëherë nuk ‘japin’. Janë zjarr i mbuluar me hi. Nuk e zbulojnë veten me kurrfarë shenjash dhe për asnjë ëndërr. Njeriu thotë, ky është ai shenjti që e kam lyp për qiell e e gjeta për tokë. Është ai ‘babëloku’ i të gjithë njerëzisë, është ai që rri me engjëjt e Zotit dhe vetë duhet të jetë bërë i tillë. Ah! Si lëndë e bërë shkrumb! Kur e kap e e peshon, në duar të mbetet veç hi.

 

*

Është dashur që të merren vesh partitë në mes veti, për momentet që kemi pasur dhe ende kemi në vendosjen e një konsensusi për shumë çështje të mirëvajtjes edhe në politikat e brendshme. Të mos krijohen monopole vetëm të koalicionit në pushtet. Të ndihen të barabartë të gjithë qytetarët. Ky (de)centralizimi shpesh në qeverisjen lokale po shkakton ç’rregullime e urrejtje në mes të qytetarëve. Ndërvarësia krijohet nga prirja e zanatliut që fshin këpucë padroni. Ia shkundë ‘cuklat’ dhe ia lëmon shpinën e...jo veç padronit, por edhe padronëve kushdo qofshin. Mendja e tij shumë e hollë vetë e krijon padronin. Ai atë e do dhe e zgjedh në përgjime si një qen i dresuar. Ai e sheh veten shumë në perspektivë, ani pse injorantë, i lakueshëm si thupra e shelgut. Tregtari i ideve i vë në lojë të tjerët, i provokon dhe bën intriga, ani se ai nuk vlen as sa një insekt. Nuk ka njohuri për asgjë. Po, andej i mbath këmbët, e mendjen e orienton në tjetrën anë, që deri dje ishte me fjalë të një matrapazi kundërshtar. Përjargej dhe fëlliqej vërtet si një qen i çartur, duke sharë e shkumuar, kur ia përmendte dikush ndonjë partizan të kësaj partie. Sa ka parti te ne (të shumta për ne) ai i ka ndërruar gati të gjitha. Dëftohej kundërshtar i ashpër, sepse, kishte “dëgjuar” nga tabori tjetër “çmos” për ta. Tash i ka varë veshët dhe krejt ndryshe i “grinë guha” në të majtë. Bile edhe këshilla të jep përmes fjalamanit të partisë kundërshtare (dikur), atë që nuk mund e duronte atëherë. Po të gjithë s’mund të bëhen të tillë. Varshmëria është edhe te shtresa më e madhe e qytetarëve, që janë të rrezikuar për bukën e gojës. Këtu s’ka ende kapital për një kapitalizëm. Grupe të vogla kanë akumuluar një pasuri dhe atë, bëhet pyetja, si e bënë disa? Te pjesa më e madhe nuk ka asgjë. Thoshin të vjetrit: “rrogëtari rrogëtarin s’mund e mban!” Kur ia shtojmë edhe mungesën e ligjit të  punës, atëherë dalim në një anarki. Disa “kapitalistë” te ne, i marrin punëtorë(e)t duke i varur e duke i kushtëzuar. Orari i punës sa do vetë patroni pa kurrfarë page, as për “bukë në gojë”. Të shtojmë çka shihte e thoshte Noli në atë kohë të zorshme, gjithashtu, për anarkinë sociale:“Këtu s’ka klasë bejlerësh, as klasë bujqish, as klasë burzhuazie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu më bujk se bujku. Kemi një shembull të bukur për partinë popullore e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve vetëm nga oxhakët më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.” Është e qartë për çdo njeri edhe sot te ne. Këtu s’ka më veç dy klasë shoqërore, po dhjetëra dalin.

 

*

“Kusho!” eh, kjo fjalë, beso, më duket shumë e poshtër, e kanë shpik disa rrugaçë dhe e futën në fjalorin e përditshmërisë. Më neverit sikur ndonjë barbarizëm e futur në gjuhën tonë. Dhe këtë e bëjnë “gjuhëtarët” me përkthime e modifikime nga mendja e shëndoshë. Edhe do intelektualë nuk përtojnë që sa herë të thërrasin me këtë epitet, sikur është diçka e re e me interes, në vend se të shqiptohet emri i plotë “kushëri”. Me këtë epitet del se, gjoja për akëcilin je shumë intim e i respektueshëm. Tash kanë filluar të thërrasin edhe ata që nuk i ke lidhje gjaku. Po, “kusho” (cilido qoftë), ndryshe të pash dhe të dëgjova dje sikur t’ishte sot. E mirë ishe ujdisur në foto me atë që do kohë më parë, s’lejoje me fol fare për të. Ia dije kësaj partie të gjitha të zezat. Informatat i kishe marrë nga do ‘kusha’ të tjerë. Ata, njëherë ishin të lidhur tjetër kah. Kishe leverdi të madhe edhe ti, hë? Thoshe, koha është për fitim! Lerën ‘përrallat’ politike. Veprimin e kësaj tjetrës parti e quaje me  një fjalë, shumë “e rrezikshme”. Ti, si kah fryn era “kusho”. Tash, si pulë e zbutur, a? A po të duket vetja mu ashtu? si ndonjë rosë e lagur e ngërdheshur nga rosakët. Hë, ai interesi material shumë i madh, sa krejt bota! Si shkon te shpija e thua se, nuk kam punë! më kanë mënjanuar nga lidhja se, unë isha kundërshtar i kësaj partie. Do të shfaroste ajo hundaçja. Edhe ata kaubojt e tu, duke u ‘sorollat’, si ata kuajt e feudalëve në livadhe të fqinjëve. Sigurisht, s’do të kishe vend më në shtëpi tënde. Ajo do të bëhej e huaj, sikur i  ke tëhuajsuar do “kusha” të rrethit dhe do ‘kolegë’, po të pavlerë si dikur edhe gjithherë. Prej tyre s’ka kurrfarë interesi material. Shko ti te ata ku del ujë... Kjo farë farse më bëhet e ngjashme me ato fjalët e Nolit, për ‘anarkinë e idealeve’, që tashmë është dashur të harrohen krejtësisht: “këtu idealet e shtrembra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buhares përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla, më elegante e më të ndritshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim,....në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë; atëherë e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atëherë e kapi me dhëmbë e s’e lëshoj gjersa ia prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i qitësh këta tanët nga kulltuku duhet të presh jo vetëm duar e kokën po dhe këmbët e trupin.”

Dhe tash, ti “kusho” e qortoje këtë tjetrin për kritikat që i bënte këtyre në pushtet...nëpër mes atij lajmëtarit të rrugëve që s’ia pret kund mendja, veç dalldisje. Veç krekosje. Veç i shastisur. Edhe atë kasnecin dikur nuk e respektoje se, ti ishe me atë taborin e qetë që e shkërdheu disa vite me radhë Kosovën bashkë me ata të huajt.

 

*

Noli, nga ajo ligjërata e parlamentit të 1924, ndër të tjera, pikatë edhe këtë gjendje  tërësisht idiote për anarkinë morale, si sot: “Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita më ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pa zoti është i zoti për të gjitha.”

– Kusho,” kush është ky? – ky është ai gomari që kur të shihte ty duke kaluar rrugës vrik e kthente kokën e sytë në anën tjetër. Sepse, ti ishe me shqiptarët, ndërsa ai ishte njeri që i mërinte këta. Prandaj, ishte në anën e pushtetit. I diferenconte të tjerët. Thjesht, e mendonte vetën si prej arit, të “pastër” dhe nuk donte ta ndyje ti dhe të tillët. Kishte miqësi me njerëz të pushtetit dhe atyre u mbeti besnik gjatë gjithë kohës deri në fund të fundit. – Po tash? – Tash edhe më mirë. Krejt përgjegjës është këtu pari. Mos u habit, është lidhur sërish me këto garniturat e udhëheqësve të pas luftës. – Po, ky kodoshi me zë të lartë që veç flet e s’ndalet kurrë? – Ky ishte në lidhje të mirë, gjithashtu me do kumbarë e i kishte edhe miq shtëpie. E nxitën dhe e bën njëfarë udhëheqësi të dhunshëm. Pastaj edhe e zgjodhën në organe të larta e të besueshme partiake, kur ajo botë ishte e rrejshme tashmë edhe për një analfabet. Po, ia besuan edhe shumë punë të tjera pak më të fshehta. Nuk thuhet krejt se çka ka vepruar pas viteve të tetëdhjeta. – Tash, çfarë është gjendja e tij?- Shumë mirë. Zuri këtu e aty pas luftës, ku del fitimi më i mirë, “...jam pragmatist...” thoshte. Ua fshinte këpucë e setra dhe i përvetësoj edhe këta “interesxhinjtë” për ndonjë votë. Pa e zgjat shumë, sërish u zgjodh në vend udhëheqës. – E ky që po përzien, duket shumë i hareshëm, kush është ky? – Ky vërtet është gomar, sa herë me një telefon në vesh e mban rrugës. Bëhet që  ka thirrje pa ndërprerë. Dinak i prajshëm. S’ia merr anën kush. Hokatar në mënyrën e vet. Të gjithë përpiqet t’i manipuloj. Askënd nuk e pranon se mund të krahasohet me të. Do kohë ka mundur të bëj shumë dëm. Çka ka vepruar me të jashtmit nuk mund të them. E ngre veten shumë lartë prej një farë profesori miks. - Ai që po vjen kah ne, pak i lakuar, me duar që i fërfëllon shumë, si çlirimtari i këtij vendi. – Po, ai është tip i veçantë. S’e bën nëna më injorantë. Po ‘digjet si qiriri’ për karrierë, jo për realitetin kosovar e qytetar. Për nga kultura e njohuritë, krejt çka flet është trillim e intrigë e tij. Është trimosh, sidomos kur këta “pehlivanat” ia japin “shtagën” në dorë. Plaçkitës i ndytë. Tregohet i mençur, me dy-tri faqe libër të pa verifikuar, apo, si atij tjetrit që ia kanë shkruar të tjerët doktoratën dhe e botoi.  Tregon përralla, jo shkencë, kur i gjen do si vetën. Asnjë koleg nuk e llogarit për diçka të vlefshme. Intrigant i dorës së parë, por edhe spiun në mënyrën e vet. Fëlliq çka të zë përpara, ama ’tutën’ e di hak, si thotë populli. Meraku i tij është që të tregohet “burrë” dhe një farë soji që del nga familje e “mirë”. Pas shumë dredhive e dërguan një farë udhëheqësi. Portreti i tij del i veçantë. Ka edhe një merak të madh, të jetë diktatorë, e pëlqen monizmin, me fjalë shitet demokrat. Është një mikrob. Eh, “kusho”, të tilla mikrobe të llojeve të ndryshme (me shumicë) ta udhëheqin shoqërinë shqiptare. Nuk ka sektor që nuk gjinden. U kanë bërë edhe kushtëzime partive të veta, unë punoj për ju, po mua dhe gruan dua të na punësoni. Ai tjetri, këta janë njerëzit e mi, i kam obliguar të votojnë për ju, duan që të kenë nga një punë, s’ka rëndësi është i aftë për atë punë a jo. E zë vendin e merr pagën. Po atë me kualifikim e me përvojë më të gjatë, dhe që bën punë realisht më mirë, themi, ‘lëreni more’, në Kosovë zgjatën këto punë ‘me lidhje’, më mirë të thuhet – pa lidhje.