| E merkure, 28.09.2011, 08:00 PM |
Sabit IDRIZI
BASHKUDHËTARJA IME
(Gruas sime, Hajries, e cila po lëngon nga një sëmundje e rëndë)
Nga po resh gjithë kjo verdhësi
Mbi hartën e përhirtë të ëndrrave tua
Kur të pashë sot në mëngjes
Aty përpara Shtëpisë së Shëndetit
Thashë se nga vetura nuk zbrite ti
Me atë shikim prej mjegulle
S’dija a po më luteshe për diçka
A po m’i shigjetoje vitet e mbetura
Ani
Le të ketë mungesë barërash
Mungesë filmash të rëntgenit
Shkelje betimesh të Hipokratit...
Ne do të shkojmë prapë tek doktoreshë Mevlydja në Shupkovc
E ta marrim edhe pak melhem shpirti
Që t’mos na pëlcasë kjo ditë këtu
Ndalja nuk është rrugë
Bashkudhëtarja ime prej ëndrrash
E ne kemi për të shkuar diku...
Mitrovicë, mars 2011
KËMBIMI
Me një kavanoz zorrë në dorë
Trup i bie Prishtinës
Më prinë përpara shpresa
Hallet m’rëndojnë shpinës
Diku te “Bill Klintoni”, më thonë
Është laboratori “Shpresa”
Aty ku dritëson dielli
Aty ku veson vesa
Kërkoj dhe e gjej “Shpresën”
Hallet m’rrinë karshi
E jap një grusht lekë
Marr një kumt të zi
Prishtinë, maj 2011
KËRKOJ FALJE
(Gruas sime Hajries, në dymujorin e vdekjes)
A të kujtohen ato ilaçet që t’i përmendja përditë
(Aty tek shtrati i dergjës)
E që po vononin të na vinin
Nuk kanë qenë ilaçe
Kanë qenë përpëlitjet e mia të fundit
Përpara se t’ia dorëzoja qiellit
Flakën e shkrumbimit tim
Mitrovicë, më 1 shtator 2011
SINJALE TË MJEGULLTA
Unë të flisja për arritjet e mëdha në Shkencat e Mjekësisë
Ti e haje shtatin nga dhembjet e padurueshme
E diku nga pellgu i thellë i verdhësisë sate
M’i dërgoje do sinjale të mjegullta
Që t’i deshifroja prometheisht
Ç’po ndodh kështu me këtë shekull të ri
Që po sqepton kaq pamëshirshëm
E s’po ngopet mëlçi
BUZËQESHJE E VYSHKUR
Më së shumti më dhimbseshe
Kur shtërzoje me krejt fuqinë e shpirtit
Për ta pjellë një buzëqeshje të vyshkur
FALJE-MARRJE
Kur hoqën dorë të gjithë mjekët
(Kemi arritur shumë në Shkencat e Mjekësisë, s’ka fjalë!)
Ajo m’u dorëzua mua
Dhe Krijuesit të Madhërishëm
Unë për vete
(Me pafuqinë time prej vdekatari)
S’lashë ilaç pa trilluar
S’lashë guri pa rrotulluar
Që t’ia falja bile do pritje
Kurse ai...
Krijuesi i Madhërishëm
(Që s’ka çka s’ka)
Pse ia mori të gjitha përnjëherë nuk e di
BISEDA E FUNDIT ME TË
Kësmet
Posa t’ia japë syri i pranverës (më tha)
Do t’ia nisim shtëpisë
Ndoshta deri atëherë (vazhdoi ajo me gjysmë zëri)
Do të punësohet bile njëri djalë
Posa ta ndërtojmë shtëpinë (i shkëlqyen sytë nga gëzimi)
Do t’i marrim dy nuse të mira
Do të na mbushet shtëpia plot me nipa e mbesa (u fundos ajo krejtësisht në pellgun e ëndrrave të veta)
Ani kur të na vijnë edhe ata të Linditës, të Albanës...
Kur u ktheva sërish në dhomë
Ajo tashmë ishe nisur pakthyeshëm
Dhe po fluturonte drejt yllit të vet
Në dy pika loti të kristaltë
Që ende po rrëshqisnin ngadalë faqeve të saj të vyshkura
Po fundosej qetësisht një anije me ëndrra...
DORËZOHEM
Ndonjëherë kur të kesh kohë me bollëk
Ktheji sytë edhe kah fëmijët e mi
E shihi si vdesin nga dash (uria)
Të lutem shumë atdhe
M’u hëngër mëlçia
Nuk jam më Promethe...