| E premte, 23.09.2011, 06:25 PM |
Mbi gjuhën e urrejtjes
Instrumentalizimi i urrejtjes është një krim shumë herë më i madh sesa vetë aktet e urrejtjes që mund të kryejnë individë të caktuar të nxitur prej këtij instrumentalizimi
Nga Fatos Lubonja
(…) Edi Rama dhe Sali Berisha janë përballur në ceremoninë e 20-vjetorit të fondacionit gjerman në Shqipëri, Fridriech Ebert dhe, me gjithë përpjekjen e ambasadores që ata t’i japin dorën njëri-tjetrit, kjo s’ka ndodhur, përkundrazi të dy liderët kanë derdhur helmin e urrejtjes së ndërsjellë me një sërë batutash denigruese për njëri-tjetrin.
Duke parë dy liderë që kanë në dorë fatet tona të sillen si fëmijë, që edhe në familje t’i kesh të bëjnë gjëmën e jo më në krye të vendit nuk mund të mos të të lindin një sërë pyetjesh, të tilla si: këtë gjuhë e sjellje të urrejtjes e prodhon lufta për pushtet e për para apo është gjuha e urrejtjes që e ka ashpërsuar këtë luftë deri në këtë shkallë? Në ç’masë është kjo gjuhë e urrejtjes instrument i një pjese për të sunduar partinë dhe çfarë do të mund të ndodhte sikur kjo pjesë të sfidohej nga pjesa më racionale në emër të arsyes e të së mirës së shumicës? A nuk ka ardhur koha t’i ndërrojmë liderë si Berisha dhe Rama, që kanë gjeneruar gjithë këtë urrejtje, saqë as dorën nuk i japin njëri- tjetrit, apo këta, me sjelljen e tyre, nuk janë tjetër veçse shprehje e mënyrës se si ne sillemi në përgjithësi me kundërshtarin, çka do të thotë se ndryshimin duhet ta kërkojmë më thellë.
Personalisht mendoj se ndryshimin duhet ta kërkojmë më thellë; nga ana tjetër gjykoj se liderë/elitë me tjetër kulturë, me tjetër shembull sjelljeje, do të ishin një instrument i rëndësishëm ndryshimi. Përndryshe, me këta urrejtës në pushtet, zor se mund të bëjmë përpara. (…)
Nëse do të kërkonim rrënjët kulturore të kësaj urrejtjeje, do të thosha më së pari se, individualisht, ajo është shenjë e, mungesës së pjekjes së këtyre individëve, shenjë e një egoizmi, që nuk është temperuar me moshën nga edukata e mirë, nga ndjenja më të larta e më fisnike, përkundrazi që ka ardhur duke u bërë më i rrezikshëm për shkak të pushtetit. Por, kjo urrejtje ka edhe një dimension të fortë social-politik. Urrejtja ka vetinë t’i bashkojë njerëzit rreth ndjenjave më të ulëta, që sillen rreth dhunës dhe frikës, veçanërisht në një shoqëri ku padituria dhe mungesa e ndjenjave të kultivuara bashkohet me frustracionet e varfërisë dhe të pasigurisë. Për të gjitha këto duhet të kemi/gjejmë/krijojmë një shkaktar/armik, të cilin duhet ta urrejmë, ta asgjësojmë, që të shpëtojmë. Kësisoj, asgjësimi i armikut bëhet shpejt program politik. Fatkeqësisht, ky është fillimi dhe fundi i programeve politike të partive tona. Përtej këtyre nuk ka asnjë projekt racional se çfarë duhet të bëjmë për të dalë nga gjendja ku jemi.
Përkundrazi, ka një ngulmim për të na mbajtur në këtë gjendje, që të kujton ngulmimin e Enver Hoxhës për të na mbajtur vazhdimisht të rrethuar nga armiku i jashtëm e i brendshëm. Sepse urrejtja, për nga natyra e saj, nuk ka veti ndërtuese, por shkatërruese; sepse ajo nuk na e lejon vetëkritikën, që është kushti për ndryshim jo vetëm i vetes, por edhe i tjetrit; sepse ajo, sikurse thotë Scarga, nuk synon përmirësimin e gjendjes – përkundrazi, situata e krijuar asaj i shkon për osh, ajo konstaton me kënaqësi çdo gabim të armikut që i konfirmon drejtësinë e pozicionit të vet.
Po të vesh re teknikat që përdor gjuha e urrejtjes për ta ndezur e mbajtur gjallë këtë ndjenjë, që e bën njeriun instrument të dhunës, – për çka ka mobilizuar një numër jo të vogël gazetarësh e propagandistësh në të dy kampet, – do të konstatosh se ajo ngulmon të godasë pareshtur thjesht e vetëm pjesën emotive të njerëzve, atje ku janë përqendruar frikërat dhe shpresat, inatet dhe mëritë e së tashmes e të së kaluarës, paragjykimet, supersticionet, tabutë, kodet morale. Për t’i prekur këto tastiera, urrejtësi nuk ngurron aspak t’i hyjnë të urryerit në jetën private, në familje, në marrëdhëniet intime, në krevat, në nevojtore, në të kaluarën komuniste, në mënyrë që t’i gjejë dobësi për t’i bërë ato publike, ashtu sikurse nuk ngurron të përdorë shpifjen, fyerjen, shtrembërimin.
Në pamundësi apo në pritje për ta vrarë atë fizikisht, ai kërkon “ta vrasë” atë moralisht, ta mohojnë, ta poshtërojnë, deri në pikën që ta përjashtojë mundësinë që ky të mund t’i japë dorën urrejtësit – në rastin më të mirë vetëm mund t’ia puthë ngaqë s’ia kafshon dot. E, për të mbretëruar i qetë në këtë punë, urrejtësi ngulmon ta helmojë krejt opinionin publik me frymën dhe teknikat e tij. Opinioni publik, – thotë Pazolini, – si një kafshë e egër, ashtu sikurse ka nevojë të qetësohet lidhur me gjëra që nuk do t’i urrejë, po ashtu ka nevojë të nxitet lidhur me gjëra që kërkon t’i urrejë. A e keni vënë re se si urrejtja arrin të bashkojë në tryeza kafenesh apo mbledhje partie individë që mund të kenë kritika pa fund për njëri-tjetrin, kujtime më se të këqija, por këto qetësohen e harrohen pasi, sapo ulen së bashku, fillojnë e flasin për armikun e urryer me një solidaritet të rremë.
Kam përshtypjen, megjithatë, se tani që kanë kaluar njëzet vjet nga rënia e komunizmit, njerëzit sikur janë zgjuar nga një gjumë i thellë me një ëndërr të gjatë, duke thënë: njëzet vjet janë shumë, janë vërtet shumë. Dhe ky zgjim shoqërohet me zhgënjimin e madh me këtë klasë politike, që i ka drejtuar me një zemërim e neveri, e thellë ndaj saj. Dhe më duket se më të madhen neveri e ngjall gjuha e urrejtjes që përdor kjo klasë si shoqëruese e korrupsionit të saj, akuzat e ndërsjella plot urrejtje pa asnjë program serioz, racional ndryshimi, pa asnjë dashuri të vërtetë ndaj tyre. Ajo sikur është faqja më e shprehur së jashtmi e degradimit të saj moral. Nëse korrupsioni është dëmi material që pësojnë njerëzit përditë, kjo gjuhë është dëmi shpirtëror.
E megjithatë, dikush mund të thotë: po çfarë ndjenje do të duhet të provojnë të ndershmit ndaj tyre? A nuk meritojnë këta urrejtje dhe kjo që po shkruan ti, a nuk është gjuhë urrejtjeje ndaj tyre? E kjo pyetje lidhet me pyetjen: në kërkim të ndryshimit a duhet të mbështetemi tek kjo ndjenjë që i ka çuar njerëzit edhe në revolta e rebelime çliruese? Pyetje më se e drejtë, përgjigjet ndaj së cilës mund të jenë edhe kontradiktore. Ka të urtë që thonë se ndjenjën e urrejtjes duhet ta evitojmë, gjithsesi, të tjerë se të urresh maskarenjtë është një gjë fisnike sepse, po ta shohësh thellë-thellë, kjo do të thotë të çmosh të ndershmit.
Personalisht e njoh këtë ndjenjë si çdo qenie tjetër njerëzore, e mund të bashkohem me ata që thonë se s’ka gjë më të urryer sesa njerëz që përdorin mashtrimin, dhunën, padrejtësinë ndaj të tjerëve për qëllime të ulëta. Por, nga përvoja mund të them se edhe në marrëdhëniet private duhet përpjekur që asnjëherë të mos e lemë urrejtjen në dorë vetëm të zemrës, por ta kontrollojmë përherë me arsyen, në atë masë sa ta kthejmë në përçmim, por edhe në kuptim. Po ashtu mendoj se, gjithë me ndihmën e arsyes, duhet të dimë të ndajmë në ndjenjën tonë të urrejtjes individin nga fenomeni që paraqet një punë e tij e urryer. Sepse një urrejtje e madhe e pakontrolluar nga arsyeja mund të na vendosë poshtë atyre që urrejmë. Ndërsa kur bëhet fjalë për shprehjen e urrejtjes publikisht, gjykoj se cilido ka një përgjegjësi të madhe për gjuhën me të cilën i drejtohet tjetrit.
Instrumentalizimi i urrejtjes është një krim shumë herë më i madh sesa vetë aktet e urrejtjes që mund të kryejnë individë të caktuar të nxitur prej këtij instrumentalizimi. Jo vetëm kur bëhet fjalë për instrumentalizime për qëllime të ulëta, siç bën rëndom politika jonë, por dhe kur bëhet fjalë për rebelime e revolta të drejta e të përligjura, këto nuk duhet të na bëjnë humbasim humanitetin brenda nesh si aftësi për të dashuruar, për të qenë të drejtë e për të arsyetuar. Përndryshe, mbetemi tek rebelimi si urrejtje e verbër dhe, sikurse thotë Georges Bernanos, “Kam frikë se rebeli nuk do të jetë kurrë në gjendje të ushqejë për ata që do një dashuri po aq të madhe sa urrejtja që ushqen për ata që urren.”