Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Vaso Papaj

| E enjte, 22.09.2011, 07:34 PM |


Vaso Papaj

 

 

Vera

 

Vera në Dhërmi

Puthja e parë e dhënë

Shportë me dashuri

S’ ngopem duke ngrënë

      

 

I njejti qiell

 

Bie nata mbi çatit’ e qytetit dhe gëlltitet

(Nata me çatitë sikur ka zënë dashuri)

Puthet, jargavitet, ngjitet dhe nuk shqitet

Ndërkoh’ një qen rrugaç te plehrat po skërmitet

Dhe ditë e re po ngjizet në qetësi. 

 

Sa i bukur qielli ynë, kaq i bekuar

I njejti qiell, qielli i piktorëve, i poetëve të rinj

Me dashuritë e tyre fshehtas konsumuar

Atje tek qeparisat lartë, krejt të harruar

I bukur qielli, si ty, ka mbetur po ai.

 

Një yll dashka oborreve tona të dremitet

Ky  yll me ty na paska rënë në dashuri

Tingëllon një telefon e askush s’ përgjigjet

Një radio të përtyp lajmet e fundit përpiqet

Natën e kam pranë, më përqafon, më jep liri.

 

Zgjat ngadalë nata krahët në qiellin tim

Shihe, e dashur, i njejti qiell si dikur

Ai që na ka parë të vuajm’ në mjerim

Ai që na ka parë të ikim pa drejtim

Djepi ynë ky qiell, një ditë edhe qivur.

 

E zbret ngadal ajo, çative ledhatiset

Po një e shtënë  rrugicave pa krye më gjëmoi

Si një grua e dhimbsur, fëmijën që po niset

Kërkon ta mbajë në gji : (O Zot, të mos degdiset…)

Mos nata po vetvritet?... Nuk di si të veprojë.

 

E dashur, sa i bukur është qielli me det

Sonte rrugicës  tonë po i bien yjet-shi

E ndoshta tani s’ të ngjan si e vërtetë

Po është i njejti qiell, i njejti dhe qytet

S’u lodhka kurrë kjo natë përmbi çati.

 

Ndaj i kam mbetur rob edhe në gjum’

Më ka parë të vuaj, të nisem,… larg të shkoj

E përsëri në heshtje më don edhe më shumë

Ndonse i larguar, më pret si të vetmin çun

S’do ta le të vetvritet. Do t’ dij si ta shpëtojë.

 

 

Tek semafori, në Kombinat

 

Mbi Ford ç’ më bie  sipër  një  vogëlushe

Sa herë frenoj tek  semafori, n’ Kombinat

E më ofron me drojë ca lule - fushe

Her’ kikirik’ të pjekur,  a manikyr’ për gratë.

 

I pavemendshëm jam, i lodhur në timon

Por xhamin, gjithsesi, e ul deri në fund

E marr gjithmon nga ato ç’ ka më ofron

Po dhe ca sy të kaltërt, që s’i kam par’ kërkund.

 

Më ndodh gjithmonë, vogëlushja aty pret

Si engjëllushe e vrarë nga një rrebesh

Vështrimi i saj i butë më ngulet si shigjetë

Dhe një bisedë pa zë zhvillohet midis nesh.

 

Dhe ja, një ditë, mora një Barby të vajzës

E pata fat, e pashë, frenova prap’ në samafor

Nuk prita vogëlushen t’i ngjitej Fordit anës

Si ëndërr të praruar ia lashë asaj në dorë.

 

Kaluan ditë e muaj, në Kombinat, n’udhëkryqe

Sa desha një mëngjes: mungesë në semafor

Të kisha pranë buzëqeshjen, të hapej dritë e kuqe

Mbi vijat, mes fëmijësh, ajo me çantë në dorë.

 

 

Jepmë

 

Jepmë zjarr,

          që vdekjes t’i kall flakën

Jepmë ujë,

                dhe  vdekjen do ta pi

Jepmë dritë,

          t’ i  fus  dhe territ  datën

Jepmë puthje

          e  s’ do t’ më  mund njeri.