| E marte, 20.09.2011, 07:58 PM |
DANIEL GÀZULLI
NË KËTË FUND VERE
1. VERA QË SHKOI …
Vera që shkoi
mbolli andërra -
andërra të zeshkëta
vajzash.
Dhe ja,
erdhi vjeshta
e andërrat korrë
në vello të bardha.
Mbi tokën e zeshkët
dikush ka shkelë,
po ajo, përsëri,
andërra do të çelë
edhe në stinë të tjera.
Pse prushi e verës
i ndezun ngelë.
2. DUART ….
Duart mezi
lapsin mbajnë,
dridhën.
Fjalët fluturojnë pa mue
drejt teje.
Ç’të të shkruej, e dashun?
Ti fletët e shpirtit tim
Shfleto ne heshtje.
Në këte mbramje gushti
freskue nga flladi
e përndezë nga shikimet
e etëshme të vajzave,
do të doja
që sytë e mi
pasqyrë të ishin
e para tyne
të ndaleshin
me u shikue
vajzat e peshkatarëve
që mbajnë erë kripe
e jodi,
vajzat sirena,
që pijnë venë të kuqe
tek “Tarraca”,
kambën përmbi kambë,
gjysmën e gjiut përjashta.
4. U R A
Përshëndeta të parin që takova:
Mirëmëngjes!
E ai vëngër më vështroi,
as përgjgije s’më ktheu.
Se ç’u shemb një kambë ure.
Si do të kaloj në bregun tjetër?
5. BASHKË
Aq thellë ke hy
në jetën time,
mun në zemër të zemrës,
të dalish ma, jo,
s’asht e mundun
zemrën pa më ba thërrime.
Më pyet: ku shkojmë kështu,
dimni po vjen?
Eje, të them, eja,
në zemër të zemrës të të marr,
e po fryu murla
a të bajë stuhi,
shtërngom dhe ma fort,
shtërngom, e mira ime,
të të ngroh me dashuni.