| E hene, 19.09.2011, 08:01 PM |
Agim Gashi
Lamtumirë o miku i vjetër
Në rininë time të hershme
Kisha një mik që s‘e kishte dheu,
Më primare për atë nuk kishte
Se sa liria e se sa atdheu.
Si bilbili ia thoshte këngës
Bukur shkruante edhe poezi,
Në ahengje e kafene
Hanim meze e pinim raki.
Verën e kuqe nga Rahoveci
E pinte burrërisht me marifet
Raki rrushi me bidona
Dhe këndonim me lezet.
Por një ditë na ndau jeta
Mora rrugën për kurbet të zi,
Tridhjetë vite kaluan të rënda
E unë për mikun s’kisha ndi.
Kësaj vere mora rrugën
Atdheun tim e vizitova,
Me një ndeje, një të pame,
Mikun tim unë e takova.
Ishte strukë në qysh të odës
Kishte lëshu një mjekër t´gjatë,
-Pse e lëshove o lum miku?
-Me u dallue, më tha, nga gratë!
-Po pantollonat pse i shkurtove,
Përse gruan me shami?
-Jemi kthye, tha, në rrugë të Zotit,
Pa Allah nuk ka liri!!!
Oh, sa më dhimbsesh o miku i vjetër
Dikur ishe burrë zotëri,
Punë të mëdha bëje me nder
Për Kosovë e nënën Shqipëri.
A e din kur fjalim mbaje?
Të dëgjonim mbarë shoqëria,
E kur thoje me zë të lartë
-„Fe e shqiptarit është shqiptaria“!
Kur recitoje vargje të Fishtës
Të Vaso Pashës e Naimit,
Që të kishim ne ty mik
Na kaplonte majë e gëzimit.
Sa fuqishëm kritikoje
Doket e huaja e prapambeturinë,
Ndërsa sot ke lëshue mjekër
Për atdhe kërkon robërinë.
Po sot ti nga zemra jote
Hoqe gjithë burrat kombëtar,
I ndërrove me vehabista
Me lesh mjekre e „hoxhollarë“.
Hyre në sekt me kulturë të huej
Që bëjnë varre kate-kate,
Nderojnë Zotin me rregulla të reja
Taravitë me tri reçate.
Ti o miku im i “shtrenjtë”
Vizitor i rregullt në xhami,
A të vjen shija e së kaluarës
Kur e pije nga një okë raki?
Nuk kam fjalë për befasinë
Që ma dhe në kohë të keqe,
Por ai që e shet zemrën e kombit
Çdo kujt n´këtë botë do t'i bëj leçe.
Më vjen keq që të humba
Se të kisha mik të rrallë,
Për ca lekë nuk shitet nderi
Jetën tënde e ke bërë prrallë.
Të kam mik të lus si vëlla
Kthehu në jetë për nder t'shoqërisë,
Veju në shërbim të kombit
Të Kosovës dhe Nënë Shqipërisë.
Po s'u ktheve unë s'jam me ty
As për melaqe e as për dreq,
Që ke marrë këtë rrugë pa sy
Gjithmonë do të më vie keq.
Shumë miq sot humb njerëzia
Që dikur ishin bujarë,
Po tronditet keq atdheu
Se më ata nuk janë shqiptar!
19.09.11-Düren