| E hene, 19.09.2011, 07:59 PM |
Në 80 vjetorin e botimit të librit…
“RRIMË SHTREMTË E FLASIM NDREJTË”
(Shkoder, Dajç i Bregut të Bunës, 14 Shtator 1931).
Autor: Don Kolec PRENNUSHI (1902 – 1950):
PARAFJALË.
Koha kalon e na kalojmë me té. Doket e moçme zhduken prej lame të jetës për mos me jetue mâ veçse në fletët e vdekuna të historisë. Me fitimin e lirisë e të pavarsisë sonë kombëtare asht mbyllë nji kapitull i mjerueshem e njiherit i lumnueshem në historinë shqiptare. Shqiptari i ka ulë armët e bartuna për sa shekuj aq me nderë e ndjekë në qetinë e paqës udhët e naltsimit shpirtnor. Perditë ma teper vjen tue e kuptue gjendjen e kohës së tashme; ai e ndien se boten në ditët tona e sundon fjala, idea, perparimi, armë ma të fuqishme se të çeliktat, që kalojnë ngadhnjyeshem mbi popuj tue mkambë e tue rroposë frone.
Bursat e shumta që Ministria e Arsimit u ka caktue djelmoçave shqiptarë për të ndjekë n’ atené të permendun t’ Europës studimet e nalta, asht prova ma e fortë e këtij kuptimi. Por mjerisht nxanësve tonë u bjen me vijue studimet të shumten, në shkolla ku prostitucionit të jetës shpirtnore i janë hapë të gjitha dyertë, në kohën ma kritike t’ epsheve të harlisuna ndër qytete ku vehet në lojë studenti që nuk e ka “të dashtunen” e vet; me ndigjue leksione prej profesorave materialista e panteista.
Ndjekës e apostuj të liberalizmit, t’ indiferentizmit, t’ ateizmit, kthejnë n’ Atdhé, mbasi kanë ba falimentim në shpirt. Këto teori që i pelqejnë aq
Pse ju do të veni ré që Shqipnisë i ra me u zgjue prej letargjisë qindvjeçare e me rilé në të njimëdhjeten orë, kur popujt e Perëndimit të plakun e të shkrimë prej nji kulture mishit, me nji fanatizem të verbët rrâjnë gjithnji kah gryka e vorrit. Arrijtë në kulmin e zhvillimit shpirtnor e teknik, janë gati me u rrokollisë poshtë në thellsi.
Vetë me duer të veta i kanë vue kazmen kulturës mijëvjeçare me e dermue deri në themel.
Ateizmi, hove – hove i shtymë deri në mëni satanike kundër Hyjit, don me përpi në furi të vet gjithçka në jerkull (humnerë) të pafund. Gjithçka kjé ma të kushtueshme, ma e shejtë e ma të bindshme për njeriun kjé poshtnue, kjé dhunue prej asaj demagogji që s’ asht doktrinë, por korrupsion, pa fé, pa ligjë, pa doke, që jeton nen dhé në skutat e errta të shoqnive të mshehta, që i vénë priten popullit për me i kjasue helmin, mëninë kundër besimit e shoqnisë.
Nuk asht jo nji krizë ekonomije, por nji krizë jete, që vuejnë popujt. Jeta për ta a ka kuptim mâ. Asht shlye prej saj çdo mendim amshimi, të gjitha kujtimet e tyne janë sjellë nga balta e kësaj tokë. E jeta atëherë s’ asht e dêjë me u jetue. Pa shpnesë, pa t’ardhme t’ amshueme, çfarë kuptimi ka ajo? E prej atëherë se nisë me u merzitë jeta, e me nji plumb i japin fund asaj golle (boshllek) të mnershme që i mundon përmbrenda. Porsa ven dorë sakrilegje në jeten që asht tue perftue e i zenë frymen pa u zhvillue.
Si me e mbytë merzinë që i mundon në këte jetë të shkurtë mbi këte tokë të mallkueme. Automobilizëm, sportizem, sensualizem, nudizem, të gjithë ushtrohen e ndiqen me nji epsh t’
P a n e m et c i r c e n s e s kjé brima e fundit e perandorisë romake para se të shembej në llom e në gjak. Sot asht e jona.
Mjedis kësaj shoqni mëson studenti shqiptar, mësuesi, udhëheqësi i breznisë së ardhshme.
Shka do të bajë nxanësi i ngratë për mos me humbë me këte kaos, për mos me thithë në atmosferen e sëmuet helmin e ateizmit?
Duhet të ketë nji themel besimi të patundun e parime morale të kjarta, të drejta, të ngurrta pse çdo parim i gabuem të çon nji ditë ad absurdum.
Liberali modern i vjedh popullit Zotin prej zemre: predikon dogmat e shoqnisë moderne: L i b e r t é, é g a l i t é, f r a t e r n i t é.
Tri fjalë të bukura porse u ka hjekë qendren. Ai i thotë popullit: S’ ka besim.
Ai i thotë: S’ ka mbretni qiellore, asht nji mitologji. Ka vetem nji shtet mbi tokë, që ná do të adhurojmë: Kulti i shtetarit. E populli ka me i përgjegjë: S’ ka Atdhé. E me arsye. Të vjetrit thojshin Atdheu janë altarët e votrat. Por ju s’ doni mâ altarë! Shugurohet dashnija e flijimi: Ju i përbuzni, i dhunoni; me vështirësi keni nji voter; e ndoshta nji voter të zymtë, të përlyeme, ku s’ perkundet djep. Për ç’ punë do të vdisni ju atëherë, për hir të shtetit e t’ Atdheut ? Ju s’ keni porse interesa e knaqa. Dy gjana për të cillat nuk vdes askush.
Liberali thotë: Njeriu lén natyrisht i mirë; të gjitha epshet e tija janë të mira. Asht shoqnija që e prish. E popullit i trumhasen epshet; në gjiun e tij zijnë e vlon. Ai çon grushtin me kercnim me dermue e me rroposë atë shoqni të praksueme.
Parimi i gabuem nuk vonon me pjellë rrjedhimet e hatashme.
E kështu shohim na në ditët tona kah shperthen si duhi revolucioni.
Prej kumbonareve, kishave, universiteteve ngjitet tymi i zi e përhapet mbi qytetet e trondituna prej degâme. Votra kulture mijvjeçare rrokullisen e bijnë nën mâjin e liberal – radikalit që mbi germadhat e parimeve të vjetra kremton triumfin e idésë së lirisë. Gjaku i pafaj i atyne që guxojnë t’ ushqejnë të tjera idé shkon rrëkajë nëpër rruga të qytetit. E në ketë gjak ai ngjyen doren e vet trueshkyese e shkruen mbi flamur të ri: L i b e r t é, é g a l i t é, f r a t e r n i t é.
O kulturë fetare, o bolshevizem.
Contemnimus servare pacem bonorum morum et periit pax temporum nostrum. (S. Aug. Serm. De tempore barbarico).
D.K.Prennushi..
Dajç i Bregut të Bunës, 14 Shtator 1931.