| E hene, 19.09.2011, 08:02 PM |
JUBILE SA I NDERUEM AQ I TRISHTUESHEM…
Në 20 vjetorin e Shoqatës së të Persekutuemëve Politikë
Nga Fritz RADOVANI
Viti 1991 do të mbetet ndër vitet e ngjarjeve ma të lavdishme dhe të trishtueshme për qytetin Martir të Shkodrës. Kujtime të pashlyeshme në historinë e Atij Qyteti, që pa u thye asnjëherë, edhe pse asht masakrue dhe gjakosë, arrijti me i dhurue edhe njëherë mbas vitit 1924, gjithë Shqiptarëve, Formulen e Demokracisë Europjane Perëndimore!
“E duem Shqipninë si gjithë Europa!” Kjo ka qenë dhurata e madhe e Shkodres!
Lëvizja e përgjithëshme demokratike, së ciles i ka parapri 11 Nandori 1990, një nga Martirët e Mëdhej të periudhës terroriste komuniste, Don Simon Jubani, solli edhe tek né ditët e dëshirueme ç’ prej atij viti që u shue me të gjithë kolosët e vet, viti 1924.
Formimi i BSPSh dhe organizimi i forcave demokratike në Shkodër, janë sinjali i dritës që do të ndizej për mos me u shue kurrma! Ndonse kriminelët Ramiz Alia, me të gjithë grupin terroristë të presidencës komuniste, organizuen masakren e 2 Prillit 1991, ku u vranë pabesisht i riu sindikalist demokrat Arben Broci, 21 vjeç, Besnik Bishanaku, 22 vjeç, Nazmi Kryeziu, 38 vjeç dhe Besnik Ceka, 21 vjeç, Ajo datë për Shqiptarët kjé vdekja e përgjithmonëshme e komunizmit në mbarë Shqipninë. Lufta e BSPSh dhe e të gjithë demokratëve shkodranë kjé e pandërpreme dhe e pakompromis kundër tiranisë. Ato ditë në Shkoder nuk merrej vesht çfarë sillte minuti. I madh e i vogel shihej i gëzuem e njëherësh n’ ankth, i grumbulluem tek BSPSh dhe godina e PD, në pritje të lajmeve të reja... Kërkohej me ngulm gjyqi i 2 Prillit. Grevat kishin shpërthye në të katër anët. Dukeshin e zhdukeshin sa një zv.minister i mbrendshem, sa një kryetar apo nënkryetar i kuvendit popullor... Vinin e shkonin vizitorët e deleguem nga Ramiz Alia, Gramoz Ruçi apo Kastriot Islami dhe secili sillte me vete një ide të re për ndjekjen e çeshtjes së vrasjeve... Asnjeni nuk tregohej aq i padijtun sa mundohej me u shfaqë nga ndjekja e çeshtjes. Gjithshka simbas porosisë së projektuesit të vrasjeve dukej se ka ngja krejt spontanisht, gati edhe na që e kishim pa me sy gjakun rrëkajë para sheshit të komitetit të PPSh, me kujtue se ashtu ka ndodhë!!
Secili, kur mbaronte mbledhja në Komitetit Ekzekutiv të Shkodres, jepte porosi që të rikthehej qetësia dhe të rivendosej rendi...mbasi ashtu i zgjatej jeta edhe veprimeve terroriste të PPSh, veprime të cilat kontrolloheshin me leven e saj, “sigurimin e shtetit”.
Të gjithë dukeshin të interesuem për zbardhjen e çeshtjes, tue tregue mënyren me të cilen kerkonin me fajsue turmat e të rijëve, që gjoja dogjen edhe komitetin e partisë...
Mbas secilit grup fshihej një djallëzi. Asnjeni s’ dinte as çfarë kishte përgatitë një ditë para Çapajev Taçi, as Dilaver Papare, as Gjekë Çeli. Boll u lodhën tue kerkue cilët ishin organizatorët Kiço Koçi, Rapi Mina, Qemal Lame dhe Hajredin Shyti...po gjithkund në veprimet e tyne kryefjala e krimit ishte Ramiz Alia, Gramoz Ruçi e Fatos Nano.
Me daten 12 Prill 1991 në mbledhjen e komitetit ekzekutiv, BSPSh i hoqi masken veprimeve të fshehta të sigurimit të shtetit dhe akuzoi me fakte veprimet e terroristëve.
Me daten 23 Prill u organizue mbledhja me grupin parlamentar dhe u vue në dukje qendrimi mashtrues i grupit hetimor të organizuem nga presidenca me hetuesinë.
Mbas takimit të BSPSh në Tiranë me daten 1 Maji, u planifikue në mbarë vendin greva e pergjithëshme, e cila shpartalloi të gjitha planet e Ramiz Alisë dhe veglave të tij kriminale në filialet e disa partive që mbinë nga “nëna parti e punës”...
Menjëherë, në mbledhjen e parë në komitetin ekzekutiv të Shkodres, BSPSh ka kërkue mbështetjen e të persekutuemëve dhe të përndjekunëve politikë të Shkodres.
Pjesmarrja e tyne kjé e menjëhershme në greven e përgjithëshme, ku solidariteti i tyne dhe i Shoqatës Pronësi me Drejtësi me BSPSh, trandi pushtetin qendror të Tiranës.
Në muejn Shtator erdhi nga Tirana z. Gramoz Pashko, dhe në takimin me Tè, unë bashkë me kryetarin e BSPSh Ferdinand Temali dhe sekretarin Arben Borshi, i kam kerkue që të formojmë Shoqaten e të Persekutuemëve dhe të Perndjekunëve Politikë në Shkoder. Unë në mbledhje kam kerkue edhe që Ajo Shoqatë të drejtohet nga zotni Bardh Shiroka, ose Karlet Luka, të cilët as sot nuk e di pse nuk ishin dakord.
Z. Pashko ishte shumë dakord dhe premtoi njohjen e saj. Mbas tri ditësh ka vue në dijeni Ferdinandin se “Shoqata e të Persekutuemëve Politikë e Shkodres” asht aprovue.
Në muejn Tetor Ajo ka fillue veprimin e vet pranë komitetit ekzekutiv Shkoder.
Seksioni fillimisht filloi me tre nëpunës dhe mbas pak kohe Kryetar i Shoqates u zgjodh z. Lin Martini, i burgosun politik, për të cilin vite ma parë më ka thanë për Té At Pjeter Mëshkalla: “Një nga djelmët e rijë që ka mbajtë qendrim shumë të mirë dhe ka nderue rininë shkodrane në Burgun e Burrelit”. Mbas Tij u zgjodhën z. Nik Pavaci, Ernest Perdoda, Kastrito Bajraktari etj., figura vertetë të nderueme dhe të respektueme në Shkoder dhe në lëvizjen demokratike mbarkombëtare. Nën shembullin e Shkodres u krijuene Shoqata edhe në Tiranë dhe rrethe të tjera të Shqipnisë.
Shoqata e të Persekutuemëve Politikë e Shkodres ishte një Fortesë e Dytë e ngjitun me BSPSh, që krijuen blokun antikomunist të pathyeshem në Shqipni. Një shembull që friksoi jo vetem komunistët e plagosun e të shkrryem për tokë, po edhe sigurimin e tij, që nuk shmangej nga terrori dhe vrasjet e pabesa mbas shpine si zakonisht ka veprue ai. Ishte Ali Kazazi dhe Pjeter Arbnori, që perçanë Shoqaten e të Persekutuemëve të Shkodres, dhe krijuen “Shoqaten e të Persekutuarëve Antikomunistë” sikur Shoqata e Parë, si mbas tyne, kishte në perbamjen e saj edhe spijunët apo ishkomunistët e burgosun, të cilët pa kalue as tre muej këta zotnijë u perfshinë dhe u vunë edhe drejtues në shoqatat e tyne, një gja të tillë që këta e kishin zbatue edhe në organet drejtuese të PD-së.
Shoqata e të Persekutuemëve dhe të Perndjekunëve Politikë e Shkodres, në vitin 1996, nën drejtimin e Nik Pavacit, Ballin Kombëtar me kryetar Mentor Qukun, Partinë e Legalitetit me kryetar Nikolin Destanishen dhe Partinë Demokristjane me kryetar Ndrekë Bazhdarin, i tregoi mbarë Shqipnisë, se në Shkoder ishte uniteti i Tyne me Popullin në të “Djathten e Bashkueme Shkodrane” që korri fitoren e madhe në Zgjedhjet lokale dhe i tronditi për vdekje mbeturinat dhe servilët e anadollakut R. Alia.
Shteti Shqiptar pa të Persekutuemit Politikë nuk mundet asnjëherë me u quejtë dhe me u mendue Demokratik. Ata mund të mendojnë se Demokracia nuk ka nevojë për me u vendosë në Shqipni me të Persekutuemit Politik, por pa Ata shteti asht prap komunist! Nuk e mbulojnë fytyren e vertetë komuniste të tyne as perçja anadollake, as korrupsioni, as vjedhjet dhe as të pasunit apo miljonerët trafikantë që po drejtojnë dhe që po plaçkisin sot Shqipninë e vorfnueme dhe të martirizueme.
Në këte 20 vjetor të Asaj Shoqate Atdhetare...e të Persekutuemëve Politik,
Këto pak rreshta lé të jenë një homazh dhe kujtim i imi ndaj vepres s’Atyne që nuk jetojnë ma edhe pse vepra e Tyne Atdhetare e Antikomuniste asht e Pavdekshme!