| E shtune, 17.09.2011, 05:44 PM |
Adem Berisha
NGADHËNJIM PËRBALLË INJORANCËS E ANAKRONISË
-Viktoria Xhako-s, alias Zhorzh Sand -
Si një margaritar, simbol i një shëmbëlltyre për të mirë
në këtë botë mëkatare përplot hipokrizi, zili e smirë,
nuk je e sëmurë por, lënduar në shpirtin tënd të dëlirë
nga injoranca e shëmtuar dhe anakronizmi i pamëshirë.
Mendja jote e ndritur me veprat tuaja të mëdha
që artit, kulturës e humanizmit Ti i dhurove,
të kanë stolisur, lartësuar e bërë të fortë si kala
përkrah gjithë asaj me çfarë u përballe e përjetove.
Brezat që Ti arsimove dhe edukove për së mbari
sot e përherë të janë mirënjohës oj e mirë,
në sytë e mendjet e tyre Ti shkëlqen si ari
krenohu me atë që ishe dhe je si një fisnike e arrirë.
Me Ty le të mburren ata që linde, rrite dhe edukove
por edhe ne që të njohëm e futëm në zemrat tona,
Ti je ajo që pa armë e barot shumë zemra pushtove
oj e dashura, e madhja Viktoria, e çiltra si Valbona.
Me këto fjalë zemre asgjë nuk hiperbolizova
dhe as që desha Ty e veprës tënde diç t’i shtoja,
i shkrova thjeshtë por i bindur që nuk gabova,
thash vetëm një pjesë të asaj që për Ty mendoja.
Rahovec, 10 shtator 2011.