| E enjte, 15.09.2011, 07:40 PM |
Dy revolucionet e mëdha serbe - Në vitet ’90 të shekullit XX, Serbia bëri dy revolucione të mëdha:
- jogurt revolucionin – anembanë Serbisë, dhe
- ballvan revolucionin – në Kroaci.
Nga Xhelal Zejneli
U quajt jogurt revolucion (revolucioni i kosit), për arsye se çdo pjesëmarrësi në mitingjet nacionaliste serbe, që mbaheshin nëpër Serbi dhe Vojvodinë, i jepej nga një gotë kos (jogurt), me një gjevrek. Mitingje të këtilla nëpër Serbi, më 1991 dhe 1992 organizoheshin shpesh, në mos çdo ditë. Personat që merrnin pjesë në çdo miting, u quajtën mitingues (mitingashi). Këta persona, këtë veprimtari e shndërruan në zanat. Endeshin prej një qyteti në tjetrin, duke udhëtuar me autobusë dhe me vetura. Si shtesë, këtyre u jepej – falas - edhe nga një byrek. Për këto mitingje, qarqe të caktuara serbe thanë: Ndodhi populli (Dogodio se narodi. Me fjalë të tjera: U ngrit populli, u zgjua populli, fjalën e ka populli, çështjen e mori në dorë populli.
U quajt ballvan revolucion (revolucioni me trupa të drunjve), ngase organizuesit e protestave serbe në Kroaci, i prenin drunjtë në pyjet përreth dhe trungjet i shtronin nëpër rrugët automobilistike, për të parandaluar qarkullimin e forcave policore të Kroacisë, në viset kroate të banuara me serbë.
Të njëjtën gjë, në gusht 2011 e provuan edhe në Kosovë. I zunë rrugët duke krijuar barrikada me trungje drunjsh. Shpejt u pa se veprimet e tilla në Kosovë janë punë groteske dhe bizare.
* * *
Beogradi, qysh në vitet ’70 të shekullit XX, filloi të jetë i vetëdijshëm se Kosova është një kafshatë e madhe të cilën nuk do të mund ta përpijë.
Në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë më 1991, Kosova, njësoj si republikat e veriut – Sllovenia dhe Kroacia, mori rrugën e mëvetësimit.
Qarqet nacionaliste serbe ishin të vetëdijshëm se shqiptarët nuk janë sllavë, ndaj shkëputja e tyre nga bashkësia e sllavëve të jugut është shumë më e natyrshme sesa shkëputja e sllovenëve dhe e kroatëve. Me fjalë të tjera – më se e natyrshme.
Qysh në fillim të viteve ’90 të shekullit XX nisën të shfaqen botërisht idetë e një ndarjeje të mundshme të Kosovës. Ndër të parët që e lansoi një ide të tillë është akademiku serb Dobrica Qosiqi (1926).
Ideja e ndarjes së Kosovës ka qenë e ngulitur në mendjet e nacionalistëve serbë, në të gjitha konferencat dhe takimet për Kosovën, që nga Rambujea e deri në ditët tona.
Mirëpo serbët, kurrë nuk kanë dashur ta bëjnë publike një ide të tillë. Përse? Për arsye se pala që del me idenë e ndarjes së Kosovës, vetvetiu dëshmon se ajo (Kosova) nuk është e saj.
Pas largimit të forcave kolonialiste serbe nga Kosova më 1999 dhe pas shpalljes së pavarësisë së saj, Beogradi e kuptoi përfundimisht se Kosovën e ka humbur përgjithmonë. Rrjedhimisht, idetë për ndarjen e saj nisën t’i afirmojnë gjithnjë më shpesh dhe gjithnjë më hapur.
Kryetari i Serbisë Boris Tadiqi shpesh e ka përsëritur refrenin e vet: “S’është mirë që njëra palë t’i realizojë të gjitha kërkesat, e tjetra asgjë. Nuk është mirë që njëra palë t’i marrë të gjitha, e tjetra të mbetet me duar zbrazët”. Kjo fjali e B. Tadiqit është propozim i drejtpërdrejtë për ndarjen e Kosovës.
Më në fund, njëri prej ministrave të qeverisë së përtashme serbe - Ivica Daçiq, kohët e fundit, disa herë e shtroi publikisht kërkesën e Beogradit për ndarjen e Kosovës.
Duhet shtuar se serbët paraqitën edhe një ide tjetër: bisedimet për ndarjen e Kosovës, të zhvillohen ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.
Duke qenë se serbët kërkojnë ndarjen e Kosovës, vetvetiu kjo dëshmon se Kosova s’është e tyre. Mund ta nxjerrësh në ankand vetëm një mall që s’është i yti.
Deri më sot, kur bëhej fjalë për Kosovën, autoritetet serbe i referoheshin Kushtetutës së Serbisë, sipas së cilës Kosova na qenkësh pjesë e saj .
Meqë sot, edhe ministrat serbë dalin botërisht me idenë e ndarjes së Kosovës, shtrohet pyetja: Ç’u bë vallë me kushtetutën serbe, sipas së cilës Kosova është pjesë e Serbisë?!
Me fjalë të tjera, serbët, kur u shkon për shtati, i referohen kushtetutës së tyre, dhe vice versa: Kur u shkon në favor diç tjetër, atëherë aspak nuk ngurojnë ta shkelin kushtetutën e vet.
* * *
BE-ja duhet të ketë parasysh faktin se Kosova, sikur çdo shtet tjetër i kontinentit, përpos popullit shumicë shtetformues, ka edhe disa pakica etnike. Nga kjo del se, trajtimi i veçantë i minoritetit serb në Kosovë, do të ishte në kundërshti me parimet perëndimore mbi minoritetet. Shkëputja e një pjese të Kosovës do të krijonte një Kosovë pothuajse etnikisht të pastër, gjë që do të ishte në kundërshti me standardet evropiane mbi pakicat.
BE-ja duhet të ketë parasysh faktin se minoritetet serbe në disa nga ex-republikat e Jugosllavisë, s’janë të vetmit që jetojnë jashtë vendi amë – Serbisë.
Shqiptarët jetojnë në gjashtë shtete të rajonit: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Greqi.
Po qe se serbët e veriut të Kosovës kërkojnë të shkëputen nga Kosova për t’iu bashkëngjitur Serbisë, atëherë të njëjtën do ta kërkonin:
- shqiptarët e Kosovës lindore;
- shqiptarët në Maqedoni;
- shqiptarët në Mal të Zi;
- shqiptarët në Greqi.
Ndarja e Kosovës do të determinonte edhe ndarjen e Maqedonisë midis Shqipërisë dhe Bullgarisë. Me fjalë të tjera, ajo do të tretej si flluskë sapuni dhe do të zhdukej nga harta gjeografike dhe politike e Ballkanit.
Mirëpo, Serbia nuk çanë fort kokën për pasojat e mundshme të amputimit të një pjese të Kosovës. Beogradi dëshiron trazira dhe rrëmujë. Ideologjitë johistorike ushqehen me të keqen.
Sikundër shihet, me ndarjen e Kosovës do të çelej Kutia e Pandorës dhe do të shkaktohej edhe efekti i dominos.
Efekti i dominos do t’i përfshinte të gjitha shtetet e rajonit, ngase kudo ka minoritete, grupe etnike dhe pakica.
Pakica kombëtare ka në çdo shtet të gadishullit: turq – në Bullgari; hungarez – në Rumani, në Vojvodinë (Serbi), në Sllovaki; muslimanë boshnjakë – në Sanxhak të Serbisë dhe të Malit të Zi; grupi etnik sllavofon – në Greqi; kroatë – në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Vojvodinë; serbë – në Kroaci dhe në Republikën Serbe të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Në çdo vend të rajonit ka edhe: romë, vllehë (aromunë, cincarë), hebrenj, egjiptas, grupi etnik me fe islame, e që flet në gjuhët sllave (në vende të ndryshme figurojnë me emra të ndryshëm). Sipas të dhënave kurde, në Turqi ka mbi katërmbëdhjetë milionëkurdë.
Serbët duan që privilegji i bashkëngjitjes vendit amë t’u takojë vetëm atyre dhe askujt tjetër në rajon. Në këtë pikëpamje, BE-ja nuk duhet ta ledhatojë Serbinë.
Atë që e kërkon për vete, Serbia ua ndalon bashkësive etnike që jetojnë nën sundimin e saj. Për shembull, ua ndalon shkëputjen:
- shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë);
- myslimanëve të Sanxhakut;
- hungarezëve të Vojvodinës;
- bullgarëve, në juglindje të Serbisë.
Vojvodina është një rajon nën dominimin e Serbisë. Në të jetojnë 26 minoritete, duke përfshirë edhe mbi 400 mijë hungarezë. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Serbia dëboi nga Vojvodina rreth 500 mijë gjermanë, duke i fajësuar për kolaboracionizëm.
Asnjë nga bashkësitë etnike joserbe që jetojnë nën pushtetin serb, si shqiptarët e Kosovës lindore, myslimanët e Sanxhakut dhe hungarezët e Vojvodinës, nuk e ndjejnë Serbinë si shtet të vetin.
Viset joserbe që janë nën administrimin e Beogradit, si janë Kosova lindore dhe Sanxhaku i banuar me myslimanë janë zonat më të prapambetura dhe ekonomikisht më të pazhvilluara të Serbisë. Kjo është pasqyrë e kthjellët e politikës serbe mbi barazinë kombëtare.
Beogradi në ato zona, që nga dita e pushtimit të tyre e deri më sot, nuk ka investuar as edhe një dollar. Përkundrazi, i ka shfrytëzuar, i ka margjinalizuar, i ka getoizuar dhe i ka shndërruar në treg. Në ato zona mbizotërojnë papunësia, skamja, problemet sociale dhe shpërnguljet.
Kur thotë BE-ja se azilkërkuesit vijnë nga Serbia dhe nga Maqedonia, me këtë nënkuptohet se ata vijnë, jo nga Serbia dhe Maqedonia, por nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja si dhe nga viset shqiptare në Maqedoni.
Nëpërmjet papunësisë së skajshme, Beogradi dhe Shkupi e bëjnë pastrimin etnik të Luginës së Preshevës si dhe të pjesëve veriperëndimore të Maqedonisë.
Përveç kësaj, për të ngulfatur çfarëdo kërkese të shqiptarëve të Kosovës lindore, Serbia në atë rajon ka përqendruar forca ushtarake të mëdha.
BE-ja duhet t’i imponojë Serbisë një Plan të Ahtisarit, që do t’u garantonte të drejta ekskluzive shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc si dhe Medvegje), si dhe myslimanëve në Sanxhak.
Mbi çfarë baze Serbia e kërkon për vete atë që s’ua njeh të tjerëve?! Në bazë të politikës së forcës. Dhe shih hipokrizinë, dhelpërinë dhe dredhinë! Në një anë Beogradi, pa reshtur deklaron se “çështjes” së veriut të Kosovës do t’i qaset në rrugën paqësore, e në anën tjetër, qasjen paqësore e mbështet kryekëput me forcë. Çfarë paradoksi! A duhet ta lejojë vallë BE-ja një kundërthënie dredharake të këtillë .
Beogradi synon t’ia shkëpusë Kosovës pjesët e banuara me 5% serbë. Atëherë shtrohet pyetja: Si do ta kompensojë dhe në ç‘mënyrë do ta arsyetojë shfrytëzimin serb të Kosovës – të viseve të banuara me shqiptarë, që nga pushtimi më 1912 e deri më 1999?
Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli, duhet t’ia bëjnë me dije Beogradit që, më parë se ndarja e Kosovës, duhet të bëhet ndarja, dekompozimi dhe fragmentarizimi i Serbisë. BE-ja pra, nuk duhet ta mbajë gjallë Serbinë e madhe, por duhet t’ia bëjë me dije Beogradit se procesi i dekompozimit dhe i fragmentarizmit të Serbisë garashaniniste, mund të fillojë në çdo çast.
Prej Serbisë duhet të ndahen: Kosova lindore (Presheva, Bujanovci dhe Medvegja), Vojvodina, Sanxhaku i banuar me myslimanë si dhe zonat në juglindje të Serbisë, të banuara me bullgarë.
Strukturat paralele serbe në Kosovë, Beogradi i ka mbështetu me mjetet financiare që i ka fituar nga eksporti i mallrave në Kosovë, pa asnjë procedurë doganore, duke e shndërruar Kosovën në treg kolonial. Sipas të dhënave të Beogradit (gusht 2011), Serbia ka eksportuar në Kosovë mallra në një vlerë prej 400 milionë eurosh në vit. Paskësh qenë planifikuar që eksporti të shtohej për rreth 15 për qind.
* * *
Lidhur me tërësinë e tokave të Kosovës, për dallim nga Evropa e pavendosur, SHBA-ja ka qëndrim të prerë: Tërësia tokësore e Kosovës është e pacenueshme. Rreth kësaj çështjeje, në vijën e Uashingtonit ndodhet edhe Ankaraja. Prononcimet e Ankarasë në dobi të tërësisë tokësore të Kosovës, e detyrojnë Brukselin që më në fund, rreth kësaj çështjeje, të tregohet më e vendosur. Nuk është në interes të BE-së që Turqia të luajë ndonjë rol më të theksuar lidhur me Kosovën dhe rreth saj.
Shtrohet pyetja: Si ndodhi që një pjesë e veriut të Kosovës, pas ndërhyrjes së NATO-s (1999), të mbetet jashtë kontrollimit dhe administrimit të forcave ndërkombëtare?!
Logjikisht del se midis rusëve dhe fuqive perëndimore, duhet të ketë ekzistuar ndonjë marrëveshje, sipas së cilës, Moska mund të jetë pajtuar me sulmet e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, me kusht që një pjesë e veriut të Kosovës të mbetet jashtë administrimit të ndërkombëtarëve.
Perëndimorët, duke mos pasur një zgjedhje më të mirë, mund të jenë pajtuar me një kusht të tillë të Rusisë, duke shpresuar që, pjesa e mbetur jashtë kontrollit ndërkombëtar, t’i rikthehet qeverisjes së Prishtinës - në një fazë tjetër.
Serbia gjithmonë gjatë historisë ka vënë në dyshim aftësinë shtetformuese, shtetkrijuese apo shtetndërtuese të shqiptarëve. Sipas nacionalistëve serbë, shqiptarët janë popull joshtetformues dhe joshtetadhurues. Me fjalë të tjera, shqiptarët nuk paskan aftësi apo zotësi për të krijuar shtet dhe qenkëshin popull që nuk e adhuruakan shtetin e vet. Sipas kësaj pikëpamjeje të nacionalistëve serbë, shqiptarët, duke qenë një popull joshtetformues dhe joshtetadhurues, nuk mund t’i qeverisin serbët e Kosovës. Një popull i ulët nuk mund ta qeverisë një popull të qytetëruar. Ndaj ata (serbët), duhet të ndahen. Paragjykimet serbe ndaj shqiptarëve tregojnë se ndërmjet këtyre dy popujve, jo vetëm që s’mund të ketë bashkëjetesë, por vështirë mund të ketë edhefqinjësi të mirë. Për fqinjësi të mirë nevojitet politikë paqësore, konstruktive dhe stabilizuese.
Kosova për Beogradin mund të jetë edhe çështje argëtimi. Për shqiptarët ndërkaq, përveçse çështje kombëtare është edhe çështje ekzistenciale, sociale dhe e zhvillimit ekonomik. Është çështje e ndërtimit të standardit jetësor për dy milionë qytetarët e saj dhe e kapërcimit të pasojave - të natës një shekull të gjatë - të shfrytëzimit serb.
Për politikën kolonialiste ndaj shqiptarëve që ka ndjekur në periudhën e viteve 1912-1999, Serbia duhet t’i paguajë Kosovës reparacion dhe zhdëmtim. Parlamenti serb duhet të miratojë një rezolutë në të cilën do t’u kërkojë falje shqiptarëve për sundimin shekullor.
Politika e Boris Tadiqit është në kundërshti të plotë me parimet e demokracisë liberale të Perëndimit. Paraqet vazhdimin e politikës së Nikola Pashiqit, të politikës së karagjorgjeviqëve, të politikës së Aleksandër Rankoviqit, si dhe të politikës së S. Milosheviqit.
Politika e tij, përkundër retorikës paqësore, në thelb është politikë e ndryshimit të kufijve dhe e luftës për territore.
Sot në Ballkan, lufta për territore ka përfunduar.
Derisa të mos ripërkufizohet ideologjia kombëtare serbomadhe, Beogradit duhet t’i ndërpritet çdo proces i integrimit në familjen euro-atlantike.