| E merkure, 14.09.2011, 06:29 PM |
Vullnet Mato
MES ZOGJVE TË ZJARRTË
Pashë veten
mes një tufe zogjsh të zjarrtë,
duke kënduar perëndimin e diellit
pas një reje.
Cicëroja mbi një tel
të shtyllës së tensioni të lartë,
kur era i binte violinës së muzgut
me hark rrufeje.
Humnerat më thërrisnin rreptas:
Lere këngën, o shpend vdekatar,
me sqepin e ngrënë
nga meloditë dashurore!
Vajto natën e zezë me qefin të bardhë,
që të pret te mermeri i prerë
në guroret malore!
Krahët dhe puplat m’i mbuluan
mornicat sa një grosh,
nga frika e bilbilit të rreptë
të “Policisë elektrike”,
për shkeljen e rregullave
në tensionin mijëra kilovolt,
ku hidrocentralet u shfrynin telave
me elektrone të rrezikshme.
Në kulmin e zallahisë së tmerrshme,
kur humnerat egërsuan timbrin,
më thirri befas një zogëz e re,
me zërin e saj mandolinatë:
Eja, o zogu i melodive
që më kanë dehur shpirtin,
të ta puth një herë
atë sqepin tënd të artë!...
Ndjeva papritmas se sqepi
më ishte mprehur çuditërisht
dhe zëri më ishte ëmbëlsuar
për të tjera horizonte.
Zogëza fërkoi te sqepi im
sqepin e saj magjik,
dhe më marrosi të fluturonim në qiej,
ku vdekja nuk ekzistonte...
SOT
Burri mund të ngjitet në lartësi deri
te qeveria.
Gruaja mund të zbulojë një minierë
te mishi.
Njeriut mund të lëshojë mjaftë degë
te pasuria.
Por shumë njerëz mund të thahen
te shpirti.
Sot mund të jetosh e shkelësh disa
kufij shtetesh.
Sot mund të marrësh çdo titull, apo
emër të ri.
Sot mund të sigurosh disa diploma
universitetesh
Por është e vështirë të formohesh
tamam njeri...
PUTHMËNI, O LULE !
Mirë se ju gjej,
o lule të bukurisë së çelur
në të gjitha ngjyra
dhe nuancat e spektrit!
Unë jam ajri i padukshëm
që vij pareshtur,
t’u fekondoj
në çdo fragment kohor të qiellit.
Kur vij i freskët,
nga lartësitë pa mbarim,
puthmëni fort sytë
dhe buzët e mia transparente,
me buzët e petaleve tuaja
të çelura në agim,
që të shpërndaj aromat
në hapësirat e njerëzve.
Vij përherë të përkëdhel
bisqet e njomë tek ju,
por kur ndalem
në stinën e flladit tim epshor,
për tu çiftuar në shtrat gjethesh,
gju më gju,
nën rrezet e vakëta
të diellit pranveror;
Atëherë më thithni fort,
me të gjitha poret në lulëzim,
që gonxhet e reja
t’i lë shtatzëna nëpër erë,
dhe nga kuzhinat e reve
t’u dërgoj ushqim,
të shuani etjen
me shirat e mi garsonierë.
Unë s’jam vetëm
dashnori i gjithë luleve të globit
por dhe i gjithë grave
që u jap bukuri lulesh me erë.
Puthmëni dhe thithmëni fort,
se ju dua përjetësisht,
o lule dhe gra
që lulëzoni botën në çdo hemisferë!
SIKUR TA DINË NËNAT...
Për të ngjizur njeriun
në kontakt me femrën,
krijimi ka ngritur
lakun e kënaqësisë,
që të mpiksen zogj
me gjakun e zemrës,
por jo për t’i vrarë
në folenë e amësisë.
Kur çifti s’është gati
për të ngrohur vezët,
përse të sjellë në jetë
fetusin e gjallë.
Dashurinë e ruajnë
dhe në sqep njerëzit,
pa rënë në krim,
në gjynah e në hall.
Fetusi mund të ishte
Filozof, a shkencëtar.
Mbase artist që u shua
bashkë me veprën.
Ndoshta një astronaut,
i kozmodromit fillestar,
hidhet në kosh plehrash
bashkë me raketën.
Eh, sikur ta dinë nënat
kur nxitohen pa menduar,
sa njerëz të mëdhenj
ndodh t’i flakin kot.
Sa personalitete të rrallë
sa gjeni të talentuar,
përjashtojnë e ndalojnë
të vijnë në këtë botë!...