| E merkure, 14.09.2011, 06:24 PM |
Të hiqet ose të kufizohet imuniteti parlamentar
Imuniteti është institut juridik e jo politik. Paqartësitë dhe kundërshtitë e akteve duhet të evitohen e harmonizohen, ndërsa imuniteti të lidhet vetëm me fushëveprimin e funksionit parlamentar
Nga Adil Fetahu, jurist
Është bërë shumë zhurmë kohëve të fundit lidhur me imunitetin e deputetëve dhe shtrirjen e tij në kohë e në hapësirë, sa që çështja tashmë ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për të dhënë interpretimin kushtetues për imunitetin. Konkretisht ka filluar me ‘rastin Limaj’, por çështja e imunitetit duhet të sqarohet përgjithësisht, sepse nesër mund të bëhet fjalë edhe për tjerë deputetë, ministra, kryeministër, kryetar shteti e funksionarë tjerë. Në krejt këtë zhurmë vërehet se nuk ka dominuar parimësia dhe interpretimi i esencës së imunitetit, por simpatia ose antipatia ndaj personit të caktuar, ose ka pasur moskuptim të esencës së institutit të imunitetit. Sa i përket rastit Limaj, ndonëse konsideron se ndaj tij po bëhet presion politik, si jurist që është, i sigurt në pafajësinë e tij, ai vet nuk ka vringëlluar me imunitetin veçse është treguar i gatshëm të bashkëpunojë me organet kompetente hetuese.
Çështja e imunitetit të funksionarëve shtetërorë nuk është ndonjë risi në Kosovë e në Shqipëri, as në vendet e tjera. Shpeshherë shfrytëzohet si mburojë prej hetimeve dhe procedurave penale e civile të personave të caktuar, të privilegjuar natyrisht. Po ç’është imuniteti?
Sipas fjalorëve juridik, imuniteti është institut juridik sipas të cilit u jepen privilegje disa kategorive të qytetarëve të cilët janë në zgjedhur në funksione të ndryshme shtetërore. Imuniteti nënkupton se ndaj tyre nuk zbatohen disa procedura e ligje të cilat rëndom zbatohen ndaj qytetarëve tjerë, që do të thotë se ata nuk përgjigjen para ligjit si qytetarët e tjerë. Papërgjegjësia e garantuar me imunitet është e natyrës politike dhe penale, madje në disa shtete përfshinë edhe procedurën civile.
Imuniteti parlamentar dhe imuniteti diplomatik
a) Imuniteti parlamentar
Format më të përhapura të imunitetit janë imuniteti parlamentar dhe imuniteti diplomatik. Por imunitet më të ngushtë gëzojnë edhe gjykatësit e prokurorët në fushëveprimin e punës së tyre. Instituti i imunitetit parlamentar për herë të parë është paraparë në Angli, me Ligjin për të drejtat (“Bill of rights”), e më vonë është përhapur e përfshirë në shumë kushtetuta të vendeve të ndryshme.
Imuniteti parlamentar përfshin papërgjegjësinë dhe paprekshmërinë penale të përfaqësuesve të popullit në parlament. Papërgjegjësia nënkupton se anëtari i parlamentit, deputeti, nuk mban përgjegjësi për mendimin e shprehur dhe për votën e dhënë në kuvend. Ky është imunitet i plotë materialo-juridik i deputetit dhe nuk është i kufizuar me kohë, sepse për mendimin dhe votën e dhënë në parlament, nuk mund të merret në përgjegjësi as pasi t’i ketë pushuar mandati i deputetit. Ndonëse në dispozitat e akteve juridike të Kosovës të cilat e sanksionojnë imunitetin, nuk përmendet edhe puna e deputetëve nëpër komisione, sipas nënkuptohet se imuniteti i deputetit shtrihet edhe në ato trupa të Kuvendit.
Paprekshmëria është aspekti tjetër i imunitetit parlamentar, është imunitet penalo-procedural, sipas të cilit kundër deputetit nuk mund të zhvillohet procedurë penale as të arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit, respektivisht pa ia hequr imunitetin Kuvendi. Ky imunitet është i karakterit penalo-procedural dhe është relativ dhe i kufizuar në kohë, vetëm deri sa e ka imunitetin. Ndonëse dispozitat me të cilat garantohet imuniteti i deputetit, në tiparet e paprekshmërisë nuk e përmendin bastisjen e banesës as përgjimin e bisedave telefonike, kjo gati vetëkuptohet se bënë pjesë në paprekshmërinë e personit me imunitet.
Disa kushtetuta të vendeve tjera i mbrojnë deputetët me imunitet edhe nga këto veprime. Kështu, bie fjala, me amendamentin e nenit 68 të Kushtetutës së Italisë, nuk është e nevojshme leja e parlamentit për fillimin e procedurës, por është e domosdoshme për arrestimin, bastisjen ose përgjimin e deputetit/senatorit. Paprekshmëria e deputetit nuk është absolute. Sepse, kushtetutat e pothuajse të gjitha shteteve parashohin se kur deputeti (parlamentari) kapet në flagrancë duke kryer ndonjë vepër penale të rëndë, për të cilën parashihet dënimi me 5 vjet a më tepër burgim, imuniteti nuk e mbron nga arrestimi, por organi që bënë arrestimin duhet ta njoftojë menjëherë parlamentin, në mënyrë që ai ta shqyrtojë pastaj heqjen ose jo të imunitetit. Për këtë shkrim kam lexuar dhe krahasuar shumë kushtetuta të vendeve të ndryshme: të Kosovës (neni 75); Shqipërisë (neni 73); Malit të Zi (neni 79); Kroacisë (neni 75); Serbisë (neni 103); Bullgarisë (nenet 69-70); Francës (neni 26); Greqisë (nenet 61-62); Gjermanisë (nenet 46-47); Hungarisë (neni 20 par.3, që vet kushtetuta nuk e rregullon, veçse e len që të rregullohet me dispozitat e Aktit mbi statusin legal të përfaqësuesve të Asamblesë Kombëtare); Italisë (neni 68); Kanadës (kapit.IV, pika 18); Rumanisë (nenet 69-70); ShBA-ve (paragrafi 6), dhe ato në mënyrë përafërsisht të ngjashme e sanksionojnë institutin e imunitetit parlamentar.
Natyrisht ka disa ndryshime prej një shteti në tjetrin; diku nuk mund të fillohet procedurë penale ndaj deputetit pa pëlqimin e parlamentit, diku tjetër mund të fillohet procedura por nuk mund të arrestohet, bastiset, përgjohet (Itali). Sipas doktrinës dhe jurisprudencës së Francës, papërgjegjësia ka të bëjë vetëm me funksionin parlamentar, por imuniteti nuk e mbron për fjalët ose veprimet fyese apo shpifjet, të cilat nuk janë të lidhura me funksionin e deputetit. Pothuajse të gjitha kushtetutat e vendeve të përmendura, nga paprekshmëria i përjashtojnë rastet kur parlamentari, senatori, deputeti kapet në flagrancë duke kryer ndonjë vepër penale të rëndë, për të cilën parashihet dënimi me burgim me 5 e më shumë vjet.
b)Imuniteti diplomatik
Imuniteti diplomatik iu garanton përfaqësuesve diplomatik të shteteve të jashtme se ndaj tyre nuk mund të ndërmerren sanksione të parapara me ligjet e brendshme të shtetit ku diplomati është i akredituar. Imuniteti penalo-juridik vlen për të gjitha veprat penale, ashtu që diplomati nuk mund të arrestohet pa lejen e shtetit të tij. Por, me gjithë imunitetin që i mbron, edhe diplomatët e huaj janë të detyruar t’iu përmbahen ligjeve të vendit ku shërbejnë. Përndryshe, ata mund të shpallen si persona të padëshiruar dhe shteti pritës mund t’i përzejë.
Ndaj diplomatit të huaj nuk mund të fillohet procedurë penale as civile para gjykatave të vendit ku shërben, madje ai nuk është i detyruar t’i përgjigjet as ftesës së gjykatës për të dëshmuar për ndonjë çështje. Për veprat e kryera gjatë kohës së misionit diplomatik, diplomati gëzon mbrojtjen e imunitetit edhe në qoftë se pas përfundimit të misionit mbetet të jetojë në atë vend si qytetar i huaj i rëndomtë.
Përveç imunitetit, diplomatët e huaj gëzojnë edhe privilegje dhe lehtësira tjera. Diplomati është i liruar nga pagesa e tatimit për të hyrat e realizuara nga shteti i vet. Në kushte të reciprocitetit ose kushte tjera të caktuara, ai gëzon imunitet doganor. Ka liri të pacënueshme të lëvizjes dhe të komunikimit në vendin ku është i akredituar. Në automjetin zyrtar dhe atë privat mbanë targa të posaçme. Ndërtesa dhe lokalet e tjera të misionit diplomatik janë të pacënueshme. Natyrisht, kjo është kështu e rregulluar dhe zbatohet në shtetet demokratike ku sundon ligji. Përndryshe, në disa shtete jodemokratike e ku ligji nuk respektohet, ka shkelje flagrante të imunitetit të diplomatëve dhe cënim të integritetit të selisë së diplomatëve të huaj. Ju kujtohet vënia e zjarrit dhe shkatërrimi i disa ambasadave të vendeve perëndimore në Beograd me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës!
Imunitetin diplomatik dhe privilegjet duhet t’i njohë edhe shteti i tretë nëpër të cilin kalon diplomati duke shkuar në shërbim ose duke u kthyer, madje edhe në qoftë se vendi i tij nuk ka marrëdhënie diplomatike me atë shtet. Kornizë ligjore për imunitetin diplomatik dhe privilegjet është Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike (1961).
Korniza ligjore për imunitetin parlamentar në Kosovë
Imuniteti parlamentar është garantuar dhe përcaktuar me akte të brendshme juridike: me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Ligjin mbi të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetët, dhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës.
Në dispozitën e nenit 75 të Kushtetutës, është përcaktuar se “1. Deputetët e Kuvendit gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet e tyre brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputet të Kuvendit. Imuniteti nuk pengon ndjekjen penale të deputetëve të Kuvendit për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputet të Kuvendit; 2. Deputeti nuk mund të arrestohet dhe as të ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij/saj si deputet i Kuvendit, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit”.
Duke u mbështetur në dispozitën e cituar të Kushtetutës, imuniteti i deputetit, sidomos aspekti procedural i heqjes së imunitetit është rregulluar më hollësisht me Ligjin Nr.03/L-111, dt. 4 qershor 2010, për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit (neni 9 e 10). Dy paragrafët e parë të nenit 9, janë identike me dispozitën e nenit 75 të Kushtetutës, kurse paragrafët 3-8 janë të karakterit procedural për heqjen e imunitetit. Paragrafi 9 është i karakterit materialo-juridik, pasi që përcakton se “Përjashtimisht nga paragrafi 2 i nenit 9, masa e paraburgimit mund të ndërmerret ndaj deputetit pa pëlqimin paraprak të Kuvendit, në rastin kur ai ose ajo kapet në kryerje e sipër të një vepre të rëndë penale, që është e dënueshme me pesë ose më shumë vjet burgim”. Do të thotë, në këto raste imuniteti është i kushtëzuar me peshën e veprës që kryen. Ky përjashtim penalo-procedural, nuk është i bërë pa shkak, dhe mbështetet në dy arsye. Arsye e parë mund të jetë e karakterit moralo-politik, sepse kur një deputet kapet in flagranti duke kryer një vepër të rëndë penale, mbrojtja e tij me imunitetin e deputetit do të shkaktonte pakënaqësi dhe reagim në popull.
Arsyeja e dytë është e natyrës juridiko-teknike, ngase veprimet procedurale të mëvonshme nuk mund të zbatohen apo nuk mund të jenë efikase. Sipas Ligjit, kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit e bën vetëm Prokurori i Përgjithshëm i Kosovës. Vetëm në rastet kur ndaj deputetit është ngritur padi private sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kërkesën për suspendimin e imunitetit të deputetit mund ta paraqet gjykata e cila e ka rastin në hetim.
Nuk ia vlen këtu të analizojmë dispozitën e rregullës 13 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën është përcaktuar imuniteti i deputetëve të Kosovës, sepse ajo Rregullore as nuk është e harmonizuar me Kushtetutën as me Ligjin përkatës, bile është në kundërshtim me dy aktet më të larta, prej të cilave duhet të burojë, por kjo nuk meriton ndonjë vëmendje të veçantë as interes për lexuesit.
Imuniteti të hiqet ose të kufizohet, të reduktohet në minimum e të lidhet vetëm me aktivitetin e punës në Kuvend dhe në komisionet e Kuvendit
Ideja burimore e imunitetit parlamentar ka qenë krijimi i kushteve për liri të shprehjes dhe të votës në parlament, në interesin më të mirë të qytetarëve. Nuk është menduar kjo si mbrojtje për individët, sikur imunizimi medicinal ose biologjik kundër gripit të derrave e të pulave, kundër viruseve e mikrobeve, por për funksionimin më të mirë të institucionit të parlamentit. Në kohën tonë, të përhapjes së korrupsionit, kontrabandës dhe formave tjera të kriminalitetit, fshehja pas imunitetit është bërë pengesë për luftimin efikas të dukurive negative.
Në kushtet tona, kur në pozitat e deputetit, të ministrave e të zyrtarëve tjerë të lartë, kanë ardhur edhe disa njerëz të pa karrierë, pa përvojë parlamentare e shtetërore, pa pasuri, pa ditur të udhëheqë familjen e vet e lere më të udhëheqë shtetin. Ata mendojnë që të gjitha këto mangësi t’i plotësojnë gjatë kohës sa janë në pushtet.
Thuhet se secili popull e ka pushtetin që e meriton. Unë kësaj thënie nuk i besoj, sepse populli i Kosovës e ka pushtetin më të keq se sa që e meriton. Për këtë shkak kemi korrupsion të lartë, hajni, kontrabandë, prostitucion. Për luftimin e korrupsionit, hajnisë, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe dukurive tjera negative, imuniteti nuk guxon të bëhet pengesë, as zyrtarët të bëhen të mbrojtur nga “samari” i imunitetit si breshkat e Gallapagosit. Populli kur voton, beson se po i zgjedh njerëzit më të mirë, më të ndershëm, me moral e integritet, të arsyeshëm e tolerantë, të mençur për të udhëhequr vendin; që nuk vjedhin, nuk shajnë e nuk shpifin, nuk rrahën në parlament. Nuk mund të tolerohet më që disa deputetë e ministra të jenë më kriminel, më të korruptuar, më hajna, më arrogant e më të pa kulturë se qytetarët e rëndomtë!
Për shkak të korrupsionit dhe dukurive tjera negative që janë shtuar, jo vetëm te ne në Kosovë, por në të gjitha vendet e Ballkanit dhe më gjerë, ka ide dhe nisma që imuniteti parlamentar të rishikohet, të heqet krejtësisht ose të kufizohet dhe të vlejë vetëm për lirinë e shprehjes e të votës në parlament dhe në trupat e tij, por jo edhe jashtë fushëveprimit të parlamentit. Diku kjo po bëhet duke hequr dorë vet deputetët nga imuniteti (si deputetët e PD në Shqipëri), e diku duke ndryshuar rregulloret e punës së parlamentit, ligjet përkatëse. Por pa bërë ndryshimet në kushtetutë, nuk mund të bëhen ndryshime në ligje as rregullore, sepse imuniteti është kategori juridike e garantuar me kushtetutë. Derisa te ne në Kosovë është iniciuar ndryshimi i Kushtetutës, është momenti që Komisioni përkatës të saktësojë, precizojë e propozojë formulime për ndryshimin e dispozitave kushtetuese që kanë të bëjnë me imunitetin parlamentar.