| E hene, 12.09.2011, 07:07 PM |
PYETJE…NEXHMIJE HOXHËS
Sa prindër pa fëmijë ke lënë ti?
Sa fëmijë jetimë dhe pa çati?
Sa motra pa vëllezër, sa?
Sa burra pa motra e pa gra?
Sa vatra shove që në mëngjes?
Sa dashuri këpute në mes?
Sa zemra nxive si shark?
Sa jetë mbyte që në bark?
Sa varre ke lënë pa emra?
Sa meshkuj dhe sa femra?
Sa helmove ditën dhe sa natën?
Sa vocërrakëve ju kalle datën?
Sa zhduke me të stisurit gjyqe?
Sa minare dogje dhe sa kryqe?
Sa për shokun Tito bëre kurbanë?
Sa për Mao Ce Dun vëllanë?
Sa për të Stalinit mustaqe?
Sa për ahengje dhe sa për rraqe?
Sa djem e vajza vure në litar?
Sa mbyte në puse dhe sa në zjarr?
Sa shokë të njohur në hell i poqe?
Sa mikesha e sa shoqe?
Sa punëtorë dhe sa fshatarë?
Sa artistë dhe sa shkrimtarë?
Sa ushtarë dhe gjeneralë?
Sa bashkëkombas rrënjëdalë?
Sa dete gjaku ti ke pirë?
Sa ton flori ne na i ke fshirë?
Sa vjet drejtove Shqipërinë?
Sa si Helenë, e sa si Cian Çin?
Sa zagarë pate rritur?
Sa të blerë e sa të shitur?
Për këto na fol,
o zgjyrë e çdo zgjyre!
O mënxyra e çdo mënxyre!!!