| E shtune, 16.02.2008, 05:53 PM |
PRITJE SHEKULLORE
Kasam Shaqirvela
Sot edhe dita agoi ndryshe
edhe dielli buzqeshi prore
do përmbushet amaneti i t’parëve
për këtë pritje shekullore
Bota demokratike vlon si zgjua
n’përpjekjet për stabilitet,
Ballkani-fuçi baruti, u pajtua,
nesër Kosova po shpallet shtet
Edhe satanikët tashmë janë gjunjëzua’
pas shum’ shantazheve, absurditet ?
turpërisht e me pezëm u kuptua
i pashmangshëm është ky realitet !
Çdo shqiptari, zemra fort i rrah
në kët’ çast të madh e historik
demokracia perëndimore i rri përkrah
padrejtësia ngadalë po ik
Për ju martirë, për ju dëshmorë
gjatë shekujve ndër gjenerata
Diademë xhevahirësh në kurorë,
historia shkruhet me shkronja t’arta
Ëndrra e juaj, e bardha sot
nis e po zhgjëndërrohet,
nesër mbase për jetë e mot
plaga jonë e përgjakur,
përfundimisht do të shërohet
Feston Dardania prekshëm sot
Përshëndetje vinë nga bota mbarë
uron Ilirida, uron Çamëria pa lot
e nesërmja, bujshëm na thërret,
t’bashkuar qofshi shqiptarë !
Tetovë, 16.02.2008
Kasam SHAQIRVELA