| E marte, 06.09.2011, 05:59 PM |
Një monument për …monumentet.
Përsiatje rreth librit “Pse qanë kuajt e Akilit” të Vaso Toles
Nga Timo Mërkuri
1- Sa bukur qanë dhe …kuajt e Akilit.
E kuptoj një farë hutimi të lexuesit qysh te nëntitulli i këtij shkrimi, ku, jo vetëm që qëndrojnë pranë e pranë cilësori “bukur” me foljen “qanë”, por ca më tepër ky cilësor, që kudo e kurdo flet për shije, estetikë dhe finesë, këtë herë dëshmon për bukurinë e vajtimit, të këtij fenomeni që, qysh në emër të kujton zinë dhe zezonën.
Përkundër hamëndjes së përgjithëshme për vajtimin, unë ju them se ka dhe ai bukurinë e tij, finesën dhe elegancën .
Të kuptohemi, nuk e kam fjalën këtu për shprehjet e zakonëshme nëpër morte ;
-Sa bukur e qau, sa mirë e vajtoi ..filania të ndjerin. As për vargjet porositëse të vajtimit ( më shumë debatuese ndërmjet vajtoreve) kur një vajtore porosit tjetrën me vargjet ; -Qaje mirë (bukur) moj gushëbardhë/ Thuaja gjitha me rradhë..
Ca më pak dua të flas për bukurinë e pamohueshmë të veprës madhore dhe …dokumentare… të Homerit, aty ku ende dëgjohet …edhe vajtimi i kuajve të Akilit.
Unë dua të flas vërtet për bukurinë e vajtimit, si fillesa e këngës iso-polifonike dhe e valles dhe për thellësinë e analizës që i ka bërë atij (vajtimit) Vaso Tole te libri i tij “ Pse qanë kuajt e Akilit”.
Ndonëse kuajt e Akilit qanë vërtet mbi trupin e pajetë të Patroklit.
Qanë aqë bukur, sa që u mallëgjye gjithë ajo ushtri vrastare, të cilën asnjë lloj vdekjeje nuk e prekte, sepse ajo ishte ushtri në luftë dhe kishte vetëm një mision, të mbillte vdekje kudo.
Edhe kali i Skënderbeut qau mbi varrin e Kryezotit të Arbërit, duke parathënë zezonën që po i vinte kombit. Por ama dhe ky kal kryeheroi, qau gjersa ngordhi dhe më pas asgjë s’mbeti prej tij.
Krejt ndryshe është puna me nënat tona që kanë qarë gjithë jetën, herë për burrat e herë për bijtë. Kanë qarë me lotë e me ligje, duke lënë…monumente nëpër ksodhe e nëpër kohë.
Kanë qarë e kanë mbetur të bukura edhe ashtu me lotët që u ridhnin nëpër faqet e çjerura dhe të gëricura gjer në përgjakje.
Jemi mësuar të vëmë re se si shtrëmbërohet e “shëmtohet” fytyra e çdo njeriu kur qan nga dhimbja e një plage,e një sëmundjeje apo padrejtësie.
E pra, kjo nuk ndodh me nënat tona, vajtoret nëpër ksodhe. Ato dhe ashtu të përlotura e të përgjakura nga çjerjet në fytyrë, kanë mbetur gjithsesi të bukura, ikona të dhimshurisë njerëzore. Ikona të shpresës së jetës. Të shërimit të dhimbjeve e plagëve. Ndaj dhe në dhimbje klithim ;-Oh moj nënë.
Kaqë thellë ka hyrë në jetën tonë vajtimi me ligje i nënave tona vajtore, ai rrënkim vaji i pambarim nëpër ksodhe i cili identifikohet me gërmën “ë”, sa që jemi ndoshta i vetmi komb në botë që e kemi mbartur këtë rënkim edhe te alfabeti. Vini re shqiptimin e gërmave të alfabetit të shqipes, psh bashkëtingëlloret b(ë)…c(ë)… t(ë),…m(ë),..n(ë) etj etj të cilat përfundojnë me atë gërmën “ë” rrënkuese të vajtoreve. E pra, popujt e tjerë kanë në shqiptim të alfabetit zanore më “optimiste”( e-t,.. e-m,… e-n) dhe kjo ndoshta është një dëshmi e moshës më të re të këtyre kombeve në raport me kombin tonë. Por me këtë problem, le të meren soecialistët përkatës.
Ne do mermemi me vajtimin.
2-Loti i shndruar në …verë.
Të gjithë e kanë lexuar historinë e Krishtit që e shndroi ujin në verë në një dasëm. Me këtë ai dëshmoi së pari, origjinën e tij si bir perëndie por serviri gjithashtu edhe verën si…magji jete.
Por nënat tona, të thjeshtat nënat tona, shndruan në verë…lotin e derdhur nëpër morte.., atë lot, me të cilin lanë trupat e pajetë të të dashurve bij e bija, prindër, bashkëshortë e të afërm. Sepse shqiptari trupin e të ndjerit e respekton si të ishte një altar perëndie dhe rreth tij e për të ngre hymne vajesh, të cilat shumë shpejt shndrohen në këngë.
Dëshmon Lukiani , të cilin e citon edhe autori, se trupin e të vdekurve….greku e djeg, persiani e kall në dhe, indiani e mbulon me një tis të tejdukshëm, skiti e ha dhe egjiptiani e than.
Vetëm nënat shqiptare e shënjtërojnë trupin e të vdekurit duke e mbuluar me vaje, ligjërime dhe gjestilacione, prej të cilave mbijnë këngët e vallet që e përjetësojnë emrin dhe veprën e të vdekurit, më shumë dhe më bukur se çdo arkitekturë varezash.
Dhe jo vetëm kaqë, por këto vaje e ligjërime na dhanë një art të cilin shumëkush na e ka zili, por që ne ende nuk ja dimë vlerën e vërtetë.
Dhe duke mos ja ditur këtë vlerë, duke e quajtur të “zakonëshme e të përditëshme, mbeturinë e kohëve të shkuara” etj etj, në vend që të meremi më studime serioze dhe të evidentojmë vlerat reale të saj, e citojmë si me “turp”.
E pra, është njësojë si të keshë një diamante në dorë, të cilit duke mos ja ditur vlerën, aqë më tepër që është edhe i përlyer me baltë, në vënd që ta çosh te specialistët e duhur ja jep fëmijës i cili e përdor pafajësisht si gur llastiku për të vrarë zogj.
Dhe Vaso Tole na vërteton shkencërisht se vajtimi me ligje është pikërisht ky diamant, nuk është thjeshtë një e qarë plakash dhe aqë.
a-Vajtimi ose e qara me botë, me ligje nuk është vetëm një shfrim ndjenjash, një autoterapi, një nxjerje jashtë trupit dhe shpirtit të vajtores e dhimbjes për ikjen e një njeriu të dashur nga jeta.
b-Vajtimi me ligje nuk është vetëm një prezantim i vlerave dhe meritave të të ndjerit para pjesmarësve në ksodh dhe as një rikujtim për ata, se tani që ai, mbartësi i këtyre meritave ka vdekur, të pranishmit do vuajnë mungesën e tij dhe të aftësive të tij për zgjidhjen e problemeve të jetës, së paku gjer sa të dalë një tjetër më i zoti se i ndjeri ose së paku sa ai. E thënë sipas një vaji,… sa të ritet djali e të bëhet burrë.
c-Vajtimi me ligje është një atelie monumentesh, sepse aty, nëpër vargjet e vajit gdhëndet figura e të ndjerit me një realizëm të pagabueshëm. Ky monument na paraqet jo vetëm figurën reale fizike të të ndjerit, shpesh edhe hollësitë e mezidukëshme fizike, shtatin, flokët, ngjyrat e syve dhe të flokëve etj etj, por paraqet edhe botën e tij shpirtërore , ëndrat e shpresat etj etj.
Prej kësaj udhëton për te kënga ky portret i gatshëm i heronjve e mendëtareve.
ç-Vajtimi me ligje është një Akademi e Artit.
Vajtimi me ligje ka vajtoren kryesore, që mund ta quajmë “marrëse” me termin iso-polifonik, për vetë faktin së është kryesorja që ligjëron tekstin e vajtimit. Roli i saj është primar, të gjitha janë të detyruara ta respektojnë radhën dhe fjalëvargun e saj. Jo vetëm kaqë, por prania e tyre është në shërbim të këtij vargvajtimi duke e shoqëruar atë me një rënkim, gjë që krijon shtratin e “iso-s”. Grupi i vajtoreve ka dhe “hedhësen” e “kthyesen” si dhe sidomos grupin e mbajtëseve të “iso-s”, ato gra që rënkojnë me zë, që ja bëjnë “ë ë ë”.
Këto “role” janë provizore për arsye se në vajtimin tjetër del një tjetër vajtore në rolin e “marrëses” apo “hedhëses” e “kthyeses”.
Dikush me siguri, duke lexuar këto radhë, do kujtojë se unë u ngatërova dhe nisa të flas për grupin iso-polifonik.
Lexoni me kujdes tragjeditë e antikitetit, strofat dhe apostrofat e korit dhe të korifeut dhe unë ju siguroj se do kujtoni se ndodheni në një ksodh, diku në Labëri apo Bregdet.
Dhe në qoftë se ndonjë regjizori do ti shkonte ndërmënd që tragjeditë antike ti shoqëronte me muzikë, asgjë më mirë se kori i vajtoreve shqiptare nuk do ti shkone asaj skene. Ose së paku logatja e labërisë. Mos u përpiqni ti shoqëroni me tjetër lloj muzike, se do dështoni pa dyshim.
ç/1- A e kini parë vallen e nuseve, ku nusia në krye të vargut të vajzave tund shaminë e bardhë në një tundje lamtumire. Ajo i jep lamtumirën vajzërisë sepse është nisur në një ikje pa kthim te kjo kohë e pafajësisë vajzërore. Se sido që të kthehet e kurdo që të kthehet, do vijë si grua e jo si vajzë. E trishtueshme është ikja e vajzave nuse, shoqëruar gjithmon me lotë. Dhe me atë shami të bardhë që tundet pa pushim në kujtesën tonë.
Por Vaso Tole na thotë se ajo shami para se të tundej në atë dasëm në shesh të fshatit, është tundur mbi kryet e një të porsavdekuri, në një mort, duke i dhënë lamtumirën shpirtit të tij, që po ikën në pakthim. Se sa për këngën që shoqëron atë ikje nusesh nëpër valle dhe që të provokon vetëm lotë e dënesa, ju siguroj unë që është mot a mo si vaji i ligjëruar dikur diku në një ksodh. Me shumë pak ndryshime.
ç/2- Vaso Tolia na flet për vallen e famëshme pirike, që ka marë emrin nga Piro Neptolemi, biri i Akilit. Unë nuk e di në se Piro Neptolemi e hoqi këtë valle reth trupit të Akilit, sigurish si akt ceremonial mortor, por unë ju them me siguri praktike se vallja e rëndë e burrave, ajo valle që kërcehet sup më sup e shoqëruar më këngën e fortë të valltarëve, nuk është gje tjetër veçse “imitimi” i vajtimit të burrave në mortet e djeshme. Sepse edhe burrat vajtonin me gjëmë e rrahje të gjoksit e mandje dhe shkulje të flokëve.
ç/3-Zakonisht vajtoret i japin porosi të ndjerit për njerëzit e paravdekur dhe shpesh interpretojne dhe dialogë me të ose të vdekurit e mëparshëm duke u bërë kështu paraproja e tragjedive të lashta.
d- Vajtoret janë edhe “redaktore të rrepta” në vajet e njëratjetrës, pikërisht në momentin e përjetësimit të vlerave të njeriut që vajtohet. Në vajtim asnjë nuk mund të mbivlerësoje meritat e të ndjerit, sado të afërm ta ketë vajtorja, sepse vajtorja tjetër menjëherë e korigjon duke e “ulur”lavdinë e pamerituar. Dhe kjo bëhet shpesh edhe me sherr. “Hilet” e vlerësimit të njeriut bëhen në gjallje të tij, por në mort i jipet vetëm haka reale. Kështu shpjegohet fakti që ndërsa kemi vajtime për rënie trimash në beteja, kemi edhe vajtime për ..rënie …hajdutësh në vjedhje e sipër.
Kështu, nëpër këto debate vajtoresh ne gjejmë fillesat e dialogëve tragjikë të teatrove antikë.
e-Ligjërimet janë krijime të vërteta, shpesh në një nivel të paaritshëm artistik.Në këtë mënyrë ato kanë shërbyer si fidanishte të artit tonë poetik, qoftë për nga tematika e këtij arti, qoftë edhe për faktin se lëvruesit e parë të artit popullor në formën e bejteve dhe këngëve heroike kanë qënë pikërisht vajtoret dhe vajtorët.
e/1-E parë në këtë këndvështrim ligjërimet janë edhe mburoja e gjuhës sonë kombëtare, sepse, në tërësinë e trysnive gjuhësore ardhur te ne nëpër shekuj, në jetën tonë të përditëshme kanë hyrë dhe fjalë të huaja. Por hyrja e këtyre fjalëve në ligjërimet ka qënë gati e pamundur. Kjo është arsyeja që nëpër vajtime gjen shpeshë fjalë të vjetra dhe gati të haruara, por që çuditërisht tingëllojnë bukur dhe plot jetë në ato momente vajtimi.
f-Vajtimi ështe dhe një “kala e patjetërsueshme” e identitetit tonë, sepse pavarësisht nga kultura që kemi, gjuhët që dimë , vendit ku banojmë etj etj, vajtimi bëhet vetëm në gjuhën shqipe, në gjuhën e nënës.
Përgjithësisht dhimbja dhe zemërimi mund të shprehen vetëm në gjuhën e nënës. Prandaj, kushdo që vajtohet shqip nga nëna dhe motra e tij, është thjeshtë shqiptar. Të tjerat janë gjëra të dorës së dytë.
g-Vajtimet janë arkiva dhe kujtesa e kombit, historia e tij e pashkruar, për shkak të mungesës së shkrimit apo shkaqe të tjera, por gjithsesi e vajtuar dhe më pas e kënduar dhe duke dëshmuar kështu për kalendarin historik dhe gjeografinë e veprimit të njeriut shqiptar. Çuditërisht nëpër vajtime gjen shpesh edhe ditën dhe orën e vdekljes së të ndjerit,ashtu siç gjen edhe fshatrat,shtetet dhe sheshbetejat ku ai ka gjesdisur në gjallje të tij.
3-Eh sa e vjetër dhe sa e fortë qënka kjo…verë e prodhuar nga lotët e nënave shqiptare.
E ç’popull qënka ky populli ynë, që zinë e zbardh, vajin e kthen në këngë dhe ecjen e kortezhit e shndron në një valle plot finesë nusesh të brishta apo në valle të rëndë burrash të zemëruar.
Sa i lashtë qënka mbi këtë dhe.
Sa i ri dhe i bukur qënka.
Ruaje o zot, mos e marin më sysh.
4-Libri i Vaso Toles është një libër i shumëpritur nga lexuesit, njohësit, studiuesit dhe këngëtarët e iso-polifonisë. Këtë libër sa herë ta lexosh, aqë më shumë hyn në labirinthet plot stalagmite e stalagtite vajesh e lotësh të shndruara në këngë e valle të kujtesës së kombit tonë. Në vezullimin e tyrë të qelibartë mund të shikosh plotësisht bukurinë e asaj magjie iso-polifonike, ritur pika pika lotësh nëpër shekuj..
Aty mund të shikosh dhe të admirosh tërësinë e monumenteve të kombit tone.
E pra, ky libër i Vaso Toles është … një monument për… këto monumente.
Dhe unë dua vërtet që mbi kapakun e tij të vë këto shënime momenti, si një lule.
Si në çdo monument.