Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shpat Bregu: Jo gjithkush mund ta shkruajë historinë kombëtare

| E shtune, 03.09.2011, 06:02 PM |


Jo gjithkush mund ta shkruajë historinë kombëtare

 

(Përkitazi me shkrimin e Halil Matoshit „As Enveri as Omeri“, publikuar në « Zemra Shqiptare », 28.8.2011)

 

Nga Shpat Bregu

 

Ka vite që Halil Matoshi para opinionit shqiptar paraqitet në role të ndryshme : herë si kritik letrar e historian, e herë si filozof e sociolog,  madje, e herë-herë edhe si psikolog e në role të tjera. Dhe, çdo herë mundohet të na bind se ka të drejtë, madje të pakontestueshme. Kësaj here merret me një problem që kohëve të fundit është shumë aktual.

Përfaqësues të shumtë nga Turqia, politikë e jopolitikë, por gjithherë me detyrë të lartë politike, kanë vërshuar në Kosovë dhe po mundohen të na bindin se ne, shqiptarët e turqit, qenkemi vëllezër. Dhe, meqë qenkemi të tillë, si vëllai që ia fal gabimet vëllait, edhe ne po u dashka ta ndryshojmë historinë, të heqim fjalët fyese për pushtuesit otomanë dhe në vend se t’i quajmë vrasës e barbarë, t’i quajmë vëllezër,  e pse jo, sikur do të dëshironin ata, madje edhe dikush nga « tanët », t’i quajmë çlirimtarë ?! Halil Matoshi, për sa i përket këtij problemi, me të drejtë ngre zërin, megjithëse mua më duket një zë i dobët. Madje, më duket se, edhe në këtë rast,  qëllimi kryesor i tij është më shumë kritika ndaj historisë sonë.

« Dallimi mes neootomanizmit turk dhe romantizmit shqiptar është i madh… »,  thotë  Halil Matoshi. Sigurisht se ky dallim është i madh, madje, meqë është aq i madh,  mendoj se ky është një krahasim i pavend. E them këtë, sepse, përderisa neootomanizmi turk është i qartë, shihet nga të gjithë që duan ta shohin (këtë e sheh edhe Halili), romantizëm shqiptar, si kundërvënje këtij neootomanizmi, unë për vete nuk shoh. Por kjo thënje e tija është në vazhdën e asaj që Halili ka thënë edhe më heret për historinë tonë. Dhe, kjo nuk më habit, madje do të thosha se mund të kapërdihet disi. Mirëpo,  kjo që thotë në vazhdim : «…deri te kundërvënia me mjete raciste, etnonacionaliste dhe fyese », më duket të jetë e tepërt, madje edhe për një Halil Matosh. Halili, me gjasë dyshon se lexuesi do ta kuptojë atë që shkruan ai, prandaj bëhet edhe më konkret : « Pra shqiptarët kosovarë i kundërvihen një doktrine të përpunuar hollësisht në shekullin e 21 me mjetet e shekullit 19, duke cituar farashëllinjtë ».  Pra, shqiptarët e Kosovës, sipas të madhit H. Matoshi, na qenkan racistë, sepse neootomanizmit po iu kundërvëkan me doktrinë raciste të frashëllinjve. Për këtë zbulim kaq të madh (deri tash, me sa di unë, nuk e ka thënë askush tjetër), Halil Matoshi meriton përgëzime. I lumtë, Halilit ! Një e shtënë e tri të qëlluara. Zotëriu i nderuar, pa një pa dy, na i bëri të mëdhenjtë frashërllinj racistë dhe, nëpërmes tyre, një nga periudhat më të ndritshme të historisë sonë, Rilindjen Kombëtare, periudhë raciste (lëvizje raciste)?! Ndryshe nuk mund të jetë, nëse ideologët e saj janë racistë edhe lëvizja doemos është e tillë. Dhe së fundi, edhe « romantikët » e sotëm të Kosovës, na dalin të jenë racistë.

Halil Matoshi, duke u munduar të na bind se është pikërisht ashtu siç thotë ai, vazhdon avazin e tij, por për fat të keq bie në kundërshtim me vetvete : « Nëse Ataturku ishte shkëputur përfundimisht nga kjo trashëgimi, cilësimet e Perandorisë Osmane si barbare dhe pushtuese nuk janë fyerje për Turqinë e re, popullin turk dhe absolutisht jo për komunitettin e vogël turk në Kosovë ». Po të ndalej këtu, do të ishte krejt në rregull, sepse vërtet askush nuk dëshiron t’i fyejë turqit e sotëm, aq më pak ata që jetojnë me ne në Kosovë. Por Halili, si Halili më, së pari citon një nga « kryeracistët » frashërllinj, të madhin Naim Frashëri: « …kur një e madhe egërsirë/ duke dalë p’ej Asije/ u përhap si errësirë/ dhe mbuloj botën si hije… » , dhe pastaj vazhdon përrallisjet e tija. Këto vargje, thotë i gjithdijshmi H. Matoshi, u bën levë e kombkrijimit dhe e shkrimit të historisë shqiptare. Dhe, meqë këto vargje që u bënë levë e tillë janë shkruar nga një frashërllinj  « racist », do të thotë se kombi ynë u krijua mbi baza jo të shëndosha, mbi baza raciste, pra. Po kjo vlen edhe për historinë tonë. Dhe këtë e thotë një shqiptar, pardon një kosovar. Do të kishte qenë mirë sikur Halili të ishte ndalur pak më gjatë e të na tregonte se ku e sheh racizmin në këto vargje, por ai nuk e ka bërë.

Halil Matoshi nuk ngopet me kaq, ai vazhdon me vjelljet e tija.Ai kësaj here, ne shqiptarët e Kosovës, duke u munduar të na veçoj nga pjesa tjetër, na bën edhe pa histori. « As Beteja e Kosovës (koalicioni i krishterë ballkanik, ku realisht shqiptarët ishin aktorë periferikë) e vitit 1389 dhe as luftërat e Skënderbeut (vitet 1400) kundër ushtrive perandorake Osmane nuk kanë ndonjë rol jetik, të matshëm, as në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve kosovarë, deri te rikthimi i tyre ne mendësinë zyrtare gjatë Lidhjes së Prizreni (1878), dhe hiq se hiq në motivimin e idesë së lirisë dhe shtetkrijimit të Kosovës ». Me këtë Halili, jo vetëm se mohon kontributin e shqiptarëve në përgjithësi në Betejën e Kosovës (1389), pra e bën pikërisht atë që duan shovinistët serbë, por e bën edhe atë dallimin, shumë të dëshiruar për të, në mes të shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Unë nuk mund të them se çfarë ndikimi kanë pasur te shqiptarët e Kosovës ngjarjet e sipërpërmendura, por mund të them se qëllimi i shqiptarëve, gjatë shekujve, ka qenë një.

Halil Matoshi vazhdon me jashtëqitjet e tija. Ai, pasi që frashërllinjtë, gjegjesisht Naim Frashërin, e akuzon për racizëm të vrazhdë, shpreh edhe mllefin e tij pse këta « …kanë njohur një çështje unike shqiptare (pra nuk kanë projektuar ndonjë ide kosovare).. ». Ky, sikur harron se jo vetëm frashëllinjtë, por të gjithë rilindësit atdhetarë e kanë pasur një qëllim: çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm me emrin Shqipëri. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, të cilën e thekson Halil Matoshi, ka pasur këtë qëllim, dhe në krye të saj ka qenë një shqiptar nga Kosova. Ndarjet në Kosovë e Shqipëri janë produkt i veprimeve antishqiptare, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Këtë ndarje po e kërkon sot Halil Matoshi dhe disa bashkëmendimtarë të tij, ndërsa dikur këtë e kanë bërë Sinan Hasani, Ali Shukrija e të tjerë.

Në fund, siç e theksova edhe më lart, Halil Matoshi herë-herë vjen në kundërshtim me vetveten. Ai herë lë të nënkuptohet se historia nuk duhet të ndryshohet, bëhet fjalë për pjesën ku shkruhet për Perandorinë Osmane,  e herë-herë lë të nënkuptohet se duhet të ndryshohet. « Prandaj është historikisht i pambështetje dhe jo moral leksioni i thjeshtëzuar që krerët e Turqisë së sotme po u mbajnë sot shqiptarëve kosovarë », shkruan Matoshi. Por, kur kësaj i kundërvihen akuzat që ai drejton kundër frashërllinjve, më sakt kundër Naim Frashërit, në bazë të veprës së të cilit na qenka shkruar historia jonë ( ?!), lë të nënkuptohet se mbështet kërkesat e sotme të turqve. Madje, megjithëse prap paraqitet paksa konfuz, në favor të ndryshimit të historisë del te një shkrim tjetër i tiji (Turqia dhe « jetimit » e Ballkani, « zemrashqiptare », 30.8.2011).  « Së këndejmi, cilësimet si ‘hordhitë turke’, ‘barbarët turq’ etj. në tekstet e historisë shqiptare nuk përkojnë me gjuhën e shkencës, (sepse ushtritë osmane nuk ishin monolite turke, por perandorake, pra shumetnike), prandaj mund të tingëllojnë fyese, dhe si të tilla duhet mënjanuar », shkruan vetë Halil Matoshi. Pra, megjithatë, preferon ndryshimet e historisë. E pse ne t’i bëjmë  këto ndryshime ndërsa të tjerët, si p.sh. serbët, siç e thotë edhe Matoshi në shkrimin e sipërcekur,  nuk duhet t’i bëjnë ?! Mos turqit, si « vëllezër » që na qenkan, janë sjell me ne shqiptarët më mirë se me të tjerët?! Përkundrazi, turqit osmanllinj, siç na ka mësuar historia, pikërisht kundër shqiptarëve kanë treguar tërë barbarinë e tyre. Mirëpo Halil Matoshi nuk e njeh këtë histori, ai dëshiron të shkruajë një histori tjetër, sipas kutit të tij.