E premte, 25.06.2021, 12:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjon Neçaj: Rrugёtimi i pandalshёm i Bedri Tahirit

E hene, 29.08.2011, 07:58 PM


RRUGËTIMI I PANDALSHËM I BEDRI TAHIRIT

 

(Bedri TAHIRI:”Nё grykё tё Valbonёs”, SMS, Prishtinё, 2011)

 

Nga Gjon NEÇAJ

 

Bedri Tahiri, padyshim është sot një nga zërat më të spikatur të fjalës shqipe. Ai jeton në Galicën e tij të dashur të Drenicës heroike dhe, i zhytur në strofullën e pabujshme të jetës së tij, krijimtarisë së gjithëpushtetshme, që vetëm ajo i ka dhënë statusin e të qënit prijëtar i apokalipsit gjenial të rrugëtimit mijëravjecar të shkrimit arbëror.

Ai me librin “Në grykë të Valbonës”u ngrit në sfondin e një krijuesi me kontribute të pamohueshme në shkrimtarinë  shqiptare. Ne nuk do bëjmë kritikën e librit, atë ua lëmë kritikëve të mirëfilltë, por po cekim shkarazi marrëdhëniet e krijuesit me botën e të shkruarit të një letërsie të mirëfilltë letrare shqipe, se mendjet e ndritura janë zgjuar dhe nderojnë dishepujt që u shkrinë dhe po shkrihen si qiriri për fjalën e bukur shqipe!!!

Në apokalipsin mijëravjeçar që ka kaluar një komb me moshë sa guri, ende në sinoret e ndarjes së botëve të epokës së gurit dhe internetit, nuk zbulohet opiumi që ndan (e zor i bashkon), penelopat e zhurmave të mistershme të kësaj bote të pakuptimtë, sidomos në fjalën e shkruar.

Por, dishepujt ende janë gjallë, e punojnë e punojnë, mbase për të ndryshuar këtë botë dreq, që "Bedri Tahiri paska lindur që ta ndreq"...E Bedri Tahiri ende rrugëton kah Diogjeni, skutave të botës për të sjellë dritë, sa më shumë dritë kombit të tij.

“Në grykë të Valbonës”, titullohet libri më i ri që tashmë së shpejti do të gjendet në dorë të lexuesve, si një buçetë lulesh të mbledhura në Drenicë e Valbonë, me intervista e reportazhe me personalitete të shquara të artit, historisë dhe politikës: intervistë me Raif Mehmetin, përfaqësuesi i mërgatës shqiptare në Suedi, me avokatin e njohur, me politikanin dhe nacionalistin e thekur, Spartak Ngjela, me poetin kombëtar e akademikun, Xhevahir Spahiu.

Reportazhet reflektojnë historinë e lavdishme të Kosovës martire dhe luftën për pavarësi të saj, për Azemin e Galicës e Drenicën historimadhe, për Durrësin buzë Adriatikut, për Valbonën kaltëroshe në çdo stinë të vitit, kjo perlë e Alpeve shqiptare…për historinë e Malësisë së Gjakovës, për Bacë Bajramin, Shpend Balinë e deri te binjakëzimi i shkollave shqiptare ndër shqiptarë…

…Atë mot të largët e të mjegullt, por ugurmirë, gjysmë e kalim shekulli më parë, në Galicën e Azemit të Drenicës, lindi  një fëmijë mashkull, i cili do të bëhej zulmëmadh, jo në trimëri gackeqje si Azemi, por në një hulli tjetër, në atë të të shkruarit, sepse “e para ishte fjala”, - thotë Bibla. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Gjimnazin e Skënderajt e studimet i mbaroi në Universitetin e Prishtinës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Që nga janari i vitit 1980 ligjëron lëndën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Gjimnazin “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë.

Krahas punës edukativo- arsimore dhe veprimtarive të tjera shoqërore, qysh herët merret edhe me artin letrar. Shkrimet e tij letrare- historike- dokumentare- publicistike mund t’i gjesh nëpër faqet e revistave e të gazetave shqipe që dalin në Prishtinë, në Tiranë e në mërgatë. Merr pjesë nëpër Simpoziume e Sesione shkencore me tema hulumtuese, historike e  shkencore gjithandej Trojeve Shqiptare.

Gjatë tërë kohës së luftës çlirimtare UÇK-së qëndroi në shkrepat e Arbërisë së Vogël, përkrah luftëtarëve të lirisë, duke mbajtur shënime dhe ditar lufte. Është veteran i Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës dhe anëtar i Lidhjes se Shkrimtarëve të Kosovës.

Gjeografia e veprave të Bedri Tahirit është e plotë, ajo përfshin gjithë trojet etnike shqiptare. Edhe idetë e veprave bartin mesazhe të qarta dhe të gjitha nënkuptojnë synimet tona shekullore që konsistojnë në bashkimin tonë kombëtar.

Bedri Tahiri deri më tash ka botuar 20 libra të zhanreve të ndryshme letrare, me konglomerat temash të larmishme, për t’u lexuar bujshëm nga lexuesit dhe adhuruesit e shumtë të tij.

Ky krijues i palodhur nuk pushon për asnjë çast. Pena e tij e mprehtë nuk i lëshon lehtë as dukuritë negative të aktualitetit tonë shoqëror. I ka të gatshme për botim edhe shumë libra të tjerë në dorëshkrim. Para disa kohësh doli nga shtypi libri “Opusi krijues i Bedri Tahirit- lapidar për dëshmorët e lirisë”, përgatitur nga Zenun Gjocaj e Xhavit Aliu.

Pa ndonjë ekzistencializëm  të tepruar në këtë sfond, Bedri Tahiri duket se i takon  Panteonit të  atyre krijuesve  më të shquar të popullit ose më sakt, të kombit tonë që e shkruajnë krijimtarinë  e tyre të gjithanshme me gjakun, gjuhën dhe me shpirtin e vet krijues dhe artistik. Duke iu dhënë veprave edhe peshën dhe forcën e pashuar të shkëmbinjëve dhe  bjeshkëve kushtrimtare e kryengritëse, ku lindi, u rrit dhe jeton si granit Bedri Tahiri, ku përçojnë kushtrim dhe një amanet të thellë gjenetik tek njerëzit, lexuesit dhe adhuruesit e shumtë të rreshtave të bukur letrar dhe artistik të  shkrimtarit dhe studiuesit Bedri Tahiri.

Intervistat dhe reportazhet  e librit të Bedri Tahirit, janë "simfoni" dhe  "melodi e brendshme" shpirtërore dhe artistike në sfondin e njohur të Valbonës së bukur që rrjedh nga Bjeshkët e Nemuna për të gurgulluar cicërima ngjarjesh historike dhe përjetime letrare dhe poetike të kombit tonë, në mendjen çuçuritëse të autorit.

Bedri Tahiri është një yll margaritar i letrave shqipe, i cili zbriti nga piedestali i buronjave mëmëzonja të kohëve plot  zymëtira, të një jete që kurrë nuk u shua, ndonëse u munduan ta errësojnë e ta zhdukin jo vetëm jetën, por edhe racën e këtyre krijuesve (të cilëve u prin Bedri Tahiri) që kanë lindur dhe shkruar në tokën e lyer me gjak, duke  ngjyer penën në lulebegonjat e shpateve të Bjeshkëve të Arbërisë së Epërme.

Padyshim që me librin më të ri “Në grykë të Valbonës”, Bedri Tahiri jo vetëm që vendosi një gur themeli në opusin e krijimtarisë së tij, por përforcoi mendimin e artikuluar te lexuesit e shumtë, se Bedriu  njeri dhe Bedriu krijues është i lidhur në mënyrë të pashkëputshme me fatin e Kosovës, me fatin e kombit të tij.

Ky rrugëtim është i pandalshëm për Bedri Tahirin.

 

 

 

Bajram Curri,                                          Gjon NEÇAJ

12 dhjetor 2010                               poet  e publicist  Tropojë

 

 

 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora