Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhafer Leci: Vrasja e Kadri Zekës dhe brengosja e familjes së tij

| E diele, 28.08.2011, 08:03 PM |


Nga e majta: Hetem Rudaku, mr. Bislim Pireva, Shaip Zeka dhe Xhafer Leci
Nga e majta: Hetem Rudaku, mr. Bislim Pireva, Shaip Zeka dhe Xhafer Leci

 

VRASJA E KADRI ZEKËS DHE BRENGOSJA E FAMILJE SË TIJ

 

Shkruan Xhafer Leci

 

Edhepse kanë kaluar 29 vjet nga ekzekutimi makabër i Kadriut me shokë, ndjesitë e dhembjes janë gjithnjë të freskëta.

Gjatë pushimeve verore, në fillim të gushtit 2011, bashkë me vëllain e madh të Kadri Zekës z. Shaip Zeka dhe mr. Bislim Pireva vizituam shtëpinë e lindjës të Heroit Kadri Zeka. Edhepse kanë kaluar 29 vjet nga ekzekutimi makabër i Kadriut me shokë, ndjesitë e dhembjes janë gjithnjë të freskëta dhe tema e këtij ekzekutimi vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite aktuale. Kur njeriun e ke njohur dhe ndjenja e madhe e lirisë ka qenë e përbashkët, dhembja ka përmasat e njeriut të afërtë. Dhe, kjo përmasë kur sot  gjendesh në Shtëpinë Muze të tij, ka një ndjeshmëri të veçantë. Domosdo edhe shoqëruesit e mij të nderuar  vëllai i Heroit të Kosovës Kadri Zeka, Shaipi dhe studiusi Bislim Pireva, këtë përjetim kanë. Dhe, kjo dëshmohet në fytyrat tona, në heshtjen tonë të rastit.

Gjatë udhtimit nga Gjilani deri në fshatin Poliçkë të Dardanës, ish- Kamenicë, ka përafërsisht nja 100 km, vajtje - ardhje. Gjatë gjithë kohës biseduam për shumëçka e më së shumti rreth vrasjes të vëllazërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe të Kadri Zekës. Shaip Zeka beson se vrasjen e këtyre tre Pishtarëve të Lirisë e ka projektuar dhe kryer UDB-a serbo jugosllave. Por, dyshon se mund të kishte edhe shqipfolës të implikuar në këtë mizori, të cilët kanë shpijunuar dhe ndihmuar UDB-ën për vrasjen e tyre. Dyshimi shtohet ende më shumë kur dihet se gjatë dhe pas luftës të Kosovës janë vrarë në pusi dhe prapa shpine qindra aktivista shqiptarë pikërisht nga shqipfolësit.

Zotit Shaip Zeka i shpjegova si i kam njohur këta tre Heronj dhe se kam marrë pjesë në demonstrata dhe në ceremoninë e varrimit të tyre. I fola gjithashtu  edhe për qëndresën e fortë të nënës Ajshe të vëllezërve Gërvalla dhe babës të Kadrisë, Pajazitit, të cilët gjatë ceremonisë të varrimit në Varrezat e Bad Canstsdt-Stuttgart të Gjermanisë, nëna Ajshe dhe baca Pajazit-Ziti, qendronin dhe nuk lëshonin asnjë lotë. Ndërkohë që ne, disa pjesëmarrës, qanim,  prindërit e Heronjëve na ngushëllonin, duka na thënë: E kuptojmë dhimbjen tuaj, i keni pasur shokë, por duhet të mbaheni të fortë, mos u mërzitni...! Edhe pse Shaipi e dinte  megjithëatë e informova për themelimin e SHKSH“Kadri Zeka“ në Nürtingen të Gjermanisë, në vitin 1992. Atëherë, me iniciativen e autorit të ktyre rreshtave u thirr një Kuvend zgjedhor për themelimin e Shoqatës “Kadri Zeka”. Gjthëçka shkojë në rregull, dhe  hasi në përkrahje  shumë të madhe tek bashkatdhetarët Ndër të tjera z.Shaip e informova se, në kuadër të kësaj shoqate janë zhvilluar shumë aktivitete dhe janë arritur shumë rezultate, si në fushën e sportit, kulturës, manifestimeve të shumta kombëtare etj. e sidomos rezultate të mëdha janë realizuar në mdihma humanitare, duke i dërguar ato në Kosovë dhe Shqipëri.

Kur arritëm tek Shtëpia Muze, aty gjetëm z.Imer Shurdhanin, i cili kujdesej për mirëmbajtjen e shtëpisë, të oborrit dhe bënte pritjen e përcjelljen e vizitorëve të herëpashershëm. Më pas erdhi edhe z. Hetem Rudaku, arsimtarë dhe kultivues i bletëve në fshatin Poliçkë. Shaip Zeka më foli edhe për  axhën tim Zukë Leci, i cili kishte pasur miqësi me gjyshin dhe babën e Shaipit dhe se kishte marë pjesë në dasmën e  Shaipit… Shaipi rrëfen se në atë kohë, kur jam martuar kam pasur 300 krushqi, pak shtëpia në vitet e 1960-ta kanë pasur mundësi të kenë aq shumë krushqi, por,kemi qenë shtëpi bukur e madhe dhe kemi bërë një jetë normale... Edhe Hasan Malaj i vëllai i heroit Rexhep Malaj me një rast në një demonstratë në Zvicër në vitet e 1980-ta më pati thënë, baci Zukë vinte tek neve shpesh dhe bisedonte me babën tim Mehmet Malajn. Zukë Leci, 1900-1987, ka qenë një kaçak, luftëtar, i burgosur shumë vjeçar dhe pleçnar

U largova nga Shtëpia Muze e Heroit Kadri Zeka dhe nga Poliçka e tij e dashur, me ndjenjen e dhimbjes dhe të krenarisë të ligjshme. Njëherësh, bëra urimin e madh për të gjithë ata që ndihmuan në ndërtim-rinovimin e kësaj Shtëpie Muze. Kam bindjen se urime dhe falenderime për kontribuesit fisnikë e dorëlirë do të bëjnë, kur të mësojnë për këtë Shtëpi Muze, jo vetëm shokët e Kadriz Zekës, por të gjithë njerëzit liridashës të Kosovës tonë.

Shtëpia e lindjës së heroit Kadri Zeka
Shtëpia e lindjës së heroit Kadri Zeka

Hambari i drithnave  para shtëpisë së Zadri Zekës, këtu duket edhe një makinë e vjetër, e cila dikur ka shërbyer për pastrimin-hjedhjen e drithnave.

Krevati në të cilin në vitet 1960-ta ka fjetur Kadri Zeka

Nga e majta: Hetem Rudaku, Mr.Bislim Pireva, Shaip Zeka dhe Imer Shurdhani
Nga e majta: Hetem Rudaku, Mr.Bislim Pireva, Shaip Zeka dhe Imer Shurdhani

Rreth oxhakut të shtëpisë nga e majta heronjët: Kadri Zeka, portret i vllazërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla e K.Zeka, Adem Jashari, K. Zeka, vëllazërit Gërvalla në mes K. Zeka
Rreth oxhakut të shtëpisë nga e majta heronjët: Kadri Zeka, portret i vllazërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla e K.Zeka, Adem Jashari, K. Zeka, vëllazërit Gërvalla në mes K. Zeka