| E shtune, 27.08.2011, 08:02 PM |
Mesazhet e qarta të Angela Merkel në Beograd
Nga Enver Bytyçi
eb_shqip@hotmail.com
Angela Merkel është e njohur tashmë për modelin e mesazheve direkte që jep gjatë vizitave të shumta të saj në vende të ndryshme dhe e njëjta ka ndodhur dje në rastin e vizitës së saj në Kroaci e në Serbi. Mediat e kontinentit europian i kanë dhënë vend sidomos qëndrimit të Merkelit sa i përket Kosovës. Në këtë adresë ajo ka dhënë mesazhin më të qartë të mundshëm. Vizita e saj e parë në
Ndërkaq, Beogradi ishte pikë takimi e njëkohësisht pika e ndarjes midis Angela Merkel e presidentit serb, Boris Tadiç. Para se ajo të takohej me presidentin e Serbisë, po dje kishte folur në fondacionin “Zoran Xhinxhiç” dhe prej këtu kishte paralajmëruar kreun e shtetit serb se, Berlini dhe BE-ja janë të interesuar për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, por ndërkohë Serbisë i duhej që para pranimit, të njohë shtetin e Kosovës. Asnjëherë nuk ishte artikuluar më parë një kërkesë si kjo.
Kërkesat e lartpërmendura duket se janë ndikuar jo thjesht prej parimeve europiane, ngaqë Brukseli nuk dëshiron që rastin ‘Qipro’ ta mbartë edhe në Europën Juglindore. Kërkesat e drejtpërdrejta të Merkel nuk vijnë as vetëm si domosdoshmëri e faktit se Bashkimi Europian nuk mund të zgjerohet me vende të cilat janë në konflikt midis tyre. Në rastin e konfliktit të Kosovës me Serbinë ka edhe një element tjetër: - Sa më shumë Serbia afrohet me Brukselin e pakushtëzuar me Kosovën, aq më shumë qeveria e Prishtinës i largohet qasjes së saj në veri të vendit. Kjo do të çonte në ndarjen de facto të territorit, e për pasojë do të sillte një konflikt të ri në rajon. Pikërisht këtë drojë kishte parasysh Guido Vestervele, kur para dy javësh u shpreh në Prishtinë se, “kufijtë e Ballkanit janë tashmë të vendosur”. Një Europë stabile e në paqe është e rrezikuar kur shtetet anëtare të saj gjenden në konflikt për kufijtë. Gjermania u shfaq në rastin e vizitës së Merkelit në Beograd, si vend i përgjegjshëm për të ardhmen e kontinentit dhe si lokomotivë e tij.
Në të vërtetë, vizita e zonjës Merkel në Beograd erdhi në një moment delikat, pas trazirave që ndodhën në veri të Kosovës pas 25 korrikut. Duket se ndërhyrja e policisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të pikave kufitare ka shënuar një moment kthese në marrëdhëniet midis Prishtinës e Beogradit. Ajo dëshmoi se rajoni mund të destabilizohet lehtësisht dhe se paqja e siguria nuk janë të garantuara pa zgjidhjen e konfliktit midis dy vendeve. Anxhela Merkel ka bërë dje me dije linjat e kuqe në këtë drejtim, dhe kjo do të shërbejë si udhërrëfyes për palët gjatë bisedimeve që do të vijojnë në fillim të shtatorit në Bruksel. Por mesazhet e qarta të Merkelit ka guxuar t’i kundërshtojë mikpritësi i saj, presidenti i Serbisë, Tadiç. Ai ka ripohuar se, “Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, duke thënë se ajo nuk heq dorë nga territoret e saj. Më pas ka tribluar, duke kërkuar një zgjidhje “të logjikshme”, “të pranueshme”, çka nënkupton ndarjen e Kosovës dhe aneksimin e veriut të saj prej Serbisë. Më tej Tadiç është shprehur se, “nuk beson se dikush do të japë alternativën: ‘ose BE-në, ose Kosovën’”, duke lënë të kuptojë se pranimi i Serbisë në BE nuk do të kushtëzohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Linjat e kundërta, të cilat u shfaqën në takimin dhe konferencën e shtypit të Merkelit e Tadiçit, duket se nuk do ta ndihmojnë Serbinë në marrjen e statusin të vendit kandidat për t’u pranuar në Bashkimin Europian. Ndërkaq, Tadiç ka kërkuar jo vetëm statusin e vendit kandidat, por edhe një datë të caktuar për fillimin e bisedimeve për pranim, duke shfaqur një agresivitet të dukshëm diplomatik në përpjekjet për të siguruar ardhmërinë europiane të vendit të tij, ende pa pranuar njohjen e shtetit të Kosovës. Me siguri, Merkel qëndrimet e Tadiçit i ka lexuar njëkohësisht si sfidë të presidentit të Serbisë ndaj kancelares së Gjermanisë. Por do të duhet t’i ketë lexuar edhe si sfidë të vetë Serbisë ndaj Bashkimit Europian e si kërcënim të saj për t’u afruar me Moskën.
Kundërshtitë midis Merkel dhe Tadiç do ta ndihmojnë Europën që të njohin më mirë agresivitetin e Serbisë dhe qëndrimin e saj inkoherent. Madje, deklarimet e presidentit serb se, “nuk do të donte zgjidhje, të cilat pas një ose dy dekadash do të çonin në konflikte të reja”, lexohen si akt i paprecedent në marrëdhëniet e ndonjë vendi kandidat me vendin më të madh të Bashkimit Europian. Ndaj dhe mund të thuhet se vizita e Merkel në Beograd ka qartësuar disa enigma:
Së pari, ajo u ka dhënë kurajë Prishtinës dhe qytetarëve të Kosovës, që me maturi, por dhe me vendosmëri të vazhdojnë të punojnë për shtet-ndërtimin në të gjithë territorin e Kosovës. Edhe nëse ndodh siç ndodhi dje, që serbët të protestojnë kundër rendit, ligjit, kundër gjykatave dhe shtetit ligjor, Prishtina ka marrë mbështetjen e kancelares gjermane që t’u bëjë ballë me guxim, vendosmëri e kurajë sfidave që dalin në këtë rrugë. Natyrisht, është rrugë e vështirë, sepse serbët janë të gatshëm, si në kohën e Milosheviçit, ta sfidojnë vetë Europën e Bashkuar për shkak të ambicieve territoriale në Ballkan.
Së dyti, Serbia për herë të parë ka marrë sinjalin e qartë se nuk mund t’i afrohet më tej Brukselit nëse nuk normalizon marrëdhëniet e saj me Kosovën, gjë që përkthehet si njohje prej saj të pavarësisë së shtetit më të ri europian. Njohja e Kosovës prej dje do të jetë kushti themelor i pranimit të Serbisë në Bashkimin Europian. Edhe nëse ajo do ta fitojë statusin e vendit kandidat, Beogradi nuk do të ulet në bisedime me Brukselin për pranim pa njohur Kosovën si shtet të pavarur e sovran.
Së treti, Beogradi është kushtëzuar për marrjen e statusit të vendit kandidat me shkrirjen e strukturave paralele në veri të Kosovës, me pranimin e EULEX-it, pra të ligjit dhe shtetit ligjor në këtë pjesë të vendit, me ngritjen e gjykatave, doganave dhe kontrollin e kufirit, madje me hartimin e një marrëveshjeje për njohjen e kufijve aktualë të Kosovës. Këto do të duhet të ndodhin shpejt, brenda shtatorit. Kjo do të thotë se Beogradit i ngutet që të bëhet kandidat për t’u pranuar në BE. Por, kjo nuk do të thotë se për këtë ka ndonjë detyrim Prishtina për ngutje. Prishtina është në pozicionin komod e në pritje të pranimit prej Beogradit të opsioneve që Merkel i ka shpallur publikisht në vizitën e saj në Beograd. Tash Kosova ka epërsinë e saj të merituar në marrëdhëniet me Beogradin, epërsi të cilën gjithnjë asaj ia kanë dhënë më të fuqishmit e botës.