Kerko: a
Fotaq Andrea: Festa e luleve për Skënderbeun
E merkure, 24.08.2011, 09:05 PM
Festa e luleve për Skënderbeun
Një festë e harruar shqiptare, paraqitur një shekull më parë në shtypin francez.
Artikull i vitit 1910.
Nga Fotaq Andrea
Më 10 korrik 1910, mbi një shekull më parë, organi i mirënjohur parisian “Journal des Voyages”, botonte një artikull me titull kuptimplotë : “Për nder të Heroit Kombëtar – Festa e luleve në Shqipëri”. Artikulli është shkruar nga Leon Charpentier, publicist e shkrimtar francez, deputet e senator në vitet 1914-1930, si dhe kryetar i Bashkisë së Sedanit. Në artikull i bëhet jehonë figurës së ndritur të Gjergj Kastriotit, trimërisë dhe gjenisë së tij ushtarake, si dhe qëndresës së shqiptarëve kundër hordhive osmane, sipas fjalëve të vetë autorit. Por diçka tjetër më interesante spikat në shkrimin e Charpentier-it, sintetizuar që në titull : “Festa e luleve në Shqipëri për nder të Skënderbeut.” Ç’është në fakt kjo festë që nuk përkon me ndonjë përvjetor të posaçëm, madje as me vetë ditën e lindjes së Heroit, por që organizohej çdo muaj tetor, pikërisht në fillim të Bajramit?
Le të lëmë këtu vetë autorin Leon Charpentier të shpjegohet. “Është një festë, thotë ai, mjaft e veçantë tek shqiptarët, për të kremtuar kujtimin dhe kreshnikëritë e Heroit të Madh Kombëtar, që çliroi Shqipërinë nga zgjedha e turqve”. Dhe, duke vijuar, autori jep shpjegime më të hollësishme se si konkretisht organizohej kremtimi i kësaj feste :
“Gjatë natës që i paraprin “Festës së Luleve”, burrat e Shqipërisë, të gjithë pa dallim luftëtarë, mblidhen, dhe pleqtë zënë e u tregojnë të rinjve historinë e Skënderbeut, e cila përcillet nga brezi në brez. Pasi luftëtarët kanë kaluar tërë natën duke i kënduar lavdisë së Heroit Kombëtar, gratë dhe vajzat, me të zbardhur agu i mëngjesit, ngjiten në ballkone e tarraca, duke mbajtur në duar shporta plot lule, të cilat nisin e i hedhin simbolikisht drejt tokës e drejt diellit”.
Sa festë e bukur në thelb, në dy kuptimet e veta simbolizuese : si Festë e Luleve, festë e vetë bukurisë natyrore, dhe si Festë për Heroin Kombëtar, pra për krenarinë dhe dinjitetin e kombit! E jo vetëm kaq, por kjo festë përkon me fillimin e Bajramit, pra të një feste popullore në vendin tonë. Plekset këtu harmonishëm një lloj feste kombëtare, vendosur me vetë vullnetin e sovranit popull - në një kohë kur shteti shqiptar ende nuk ishte krijuar -, me një festë fetare të ritit mysliman, që kish fituar të themi të “drejtën e qytetarisë popullore” pikërisht në ato kohëra të guximshme kur luftohej për pavarësinë e vendit dhe të kombit shqiptar.
Nuk ka si të mos prekesh tek përfytyron një hop, në atë agim mëngjesor të pazakontë, majë kështjellave, mureve të lashtë, ballkoneve e tarracave, vajzat shqiptare tek zbrazin shportat me lule, lëshojnë në ajër kurora e buqeta, thurin këngë për trimat e dashurinë, lodrojnë e gëzojnë...
Dhe për ta ilustruar këtë festë të luleve në Shqipëri, atë traditë aq të madhërishme në vitet që i paraprinin Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, gazeta franceze boton me këtë rast një gravurë të realizuar nga Caton R. Woodeville (Udëvil), piktor dhe litograf i shquar anglez, i cili kaloi gati një çerek shekulli nëpër Ballkan e Shqipëri, duke lënë rreth tridhjetë vepra vetëm me tematikë shqiptare. Është një litografi në teknikën e quajtur “të zezë”, një dëshmi e vetë kohës, kur kryengritjet e armatosura shqiptare mbanin lart flamurin e Kastriotit të Madh. Nga të dhënat që kemi, kjo gravurë është botuar gjatë atyre viteve në disa organe shtypi të Anglisë e Francës, sikurse dhe më vete në formë posteri. Një grup vajzash plot hir, fytyra të zbuluara - gjë që flet për emancipimin e tyre në shoqëri pa perçe që në atë kohë, ndonëse të ritit mysliman -, me veshje të lehtë festive, sa orientale, aq edhe oksidentale në çiltërsinë apo lirshmërinë e tyre, me flokët zbukuruar nga kapa plot sumbulla të shndritshme, hipur në bedenat e një kështjelle të lashtë, lëshojnë në ajër lule. LULE PËR SKËNDERBEUN. E në sfond qyteti, një minare dhe malet. Tërë mjedisi të kujton Rozafën, Shkodrën loke, qytet që iu përkushtua me penelin e tij mjeshtëri Udëvil.
Duke shoqëruar artikullin e Charpentier-it, kjo grafikë harmonizohet me të dhe na jep kësisoj një tablo të përplotë të lirizmit të penelit dhe të poezisë së fjalës, ndërkohë që thelbi i grafikës e i shkrimit është epik. Pikërisht këtu, në dyanshmërinë e kësaj simbolike, shfaqet e bukura dhe e veçanta e Festës së Luleve, forca e vetë përmbajtjes së saj. Dhe për ta bërë edhe më domethënëse këtë Festë të Luleve në Shqipëri, Charpentier jep përmbajtjen e një kënge shqiptare me “simbolizëm poetik”, sikurse nënvizon ai :
“Ti ishe, - thotë kënga – i ri, si trëndafil i kuq, gjithë dritë si vetë agimi, o Heroi ynë, kur u shfaqe ngadhënjimtar para motrave e nënave shqiptare. Ishe gjithë dëlirësi, si vetë vesa e mëngjesit, dhe gjithë fuqi, si vetë ky diell që po lartohet qiellit. I dhe dritë e shkëlqim natës së errët që
Ja përmbajtja e këngës, të cilën autori e përfundon me konkluzionin se “Nuk ka vajzë a grua në Shqipëri që të mos i dhurojë lule Kastriotit”. Në fakt, nuk do ishte e vështirë të kuptohej, nga vetë përmbajtja e kësaj kënge, dhënë në prozë në frëngjisht, se kemi të bëjmë këtu me një penë të fuqishme rilindësi shqiptar, të cilit i pikon në zemër për shekujt e robërimit, dhe që i drejtohet kohës së lavdishme të Skënderbeut për një hovje të re shpirtërore, për një rizgjim e dinjitet kombëtar.
Popujt, gjithmonë kanë ditur t’i vlerësojnë e t’i nderojnë heronjtë e tyre, të mburren me ta, të frymëzohen nga shembulli i tyre, madje dhe t’u referohen në ditë të vështira. Kështu, populli francez çdo vit kremton me madhështi festën e Zhan d’Arkës në Orlean. Sa bukur do ishte që edhe populli ynë të ripërtërinte traditën e shkuar, të kremtonte çdo vit Festën e Skënderbeut. Festë me lule, lule e kurora shumë, ngado, nga Shqipëria në Kosovë, nga Saranda në Podujevë.
Një lule zbukuron syrin, shpirtin, lehtëson edhe vetë dhimbjen. Një lule është dhuratë e Natyrës, dhuratë e Perëndisë. Kur falë një lule, ke falë një ndjenjë, dashuri, mirënjohje, mirësi e fatmirësi, si ato mygetat franceze të 1 Majit, apo lulet tona të Shëngjergjit.