| E merkure, 24.08.2011, 07:55 PM |
Skicë verore nga periferia (2)
Lulia në plazhin e Durrësit
Kur ia ktheu gjinjtë diellit, mprehu veshët të dallonte dialektet, sepse Lulia nuk mund të rrinte qetë si të ishte mumie, donte të rrezitej por edhe të bisedonte me ata që i kishte pranë. Të dashurin-Kreshnikun, e kishte gjithë kohën. Të tjerët këtu i takonte, këtu i linte.
Lulia si e gjithë bota prej Llapit deri në Dukagjin ia mësyu plazheve të Durrësit. Ulqinin e harroi prej se u hap rruga e re Morinë- Durrës. Në bregdetin turk nuk shkeli që nga hera kur pa dy gra të mbuluara këmbë e krye, ndërsa fusnin vetëm gishtërinjtë e këmbëve në ujin e detit. Në vendet e tjera nuk mendon që ia vlen të kalohet vera. Plazhet e Adriatikut shqiptar janë të pazëvendësueshme, mendon ajo. Toka shqiptare, deti shqiptar, qielli shqiptar e mbushin me frymëzim atdhedashurie. Edhe zogjtë që fluturojnë sipëri sigurisht shqiptar janë, logjikon ajo sikur t’i kishte mbaruar Shkencat Politike me diplomaci.
Njëmbëdhjetë muaj, me tha Lulia, u rropatë me punë, në mënyrë që në muajin e dymbëdhjetë të robëtimit ta nxijë lëkurën e bardhë si bora në diellin e nxehtë shqiptar, e kishte rrëmbyer vala e patriotizmit kuq e zi. Disa ditë para nisjes filloi ta praktikojë të folurit e atjeshëm që të mos turpërohet, apo Zoti na ruajt të mos i thoshte dikush prapa krahëve: se si e flet gjuhën si ta kishte një çorapë në gojë!
Natyrisht do t’ua mësojë edhe ca fjalë gjysmë sllavisht, gjysmë turqisht bashkëkombësve mesdhetar po ashtu në frymën e patriotizmit kuq e zi. I vinte habi se si ata nuk i kuptonin këto fjalë, ndërsa një pjesë e tyre digjeshin të mësonin sllavisht. Nuk i dihet i patën thënë disa shoqe herën e fundit që ishte në plazhin e Durrësit, mund t’u duhet dhe është më mirë të jenë të gatshme për çdo rast. Një moshatare e saj pa menduar keq tha: nuk është në rregull të mos e dish gjuhën e fqinjëve. Lulia e përflakur i zuri ngushtë duke ua kthyer: Kosova i kishte në fqinjësi serbët e jo ata. “Ua mami, vërtet qenka ashtu!? E pse politikanët tonë, prapë nuk dorëzohej tiransja që thekej në diellin e Durrësit, thonë shteti fqinj serb! S’dorëzohej ajo.
Heroina jonë rri gjithnjë në gatishmëri që bashkëkombësit e saj mesdhetar të mos gabojnë politikisht e kombëtarisht. Një herë, natyrisht në fillim të pelegrinazhit në plazhet e nxehta shqiptare, e frymëzuar nga një këngë patriotike u tha papritur - do t’ua marrim Çamërinë grekëve. “Uaa, mami, ku do të punojnë shqiptarët, po u prishem me grekët?” Pyeti tiransja e pikëlluar. Lulisë i erdhi keq nga kjo gjëmë që mund t’i gjente patriotët e saj, por nuk mund të tërhiqej nga ajo që tha.
Shpesh përpiqet që edhe liderin që ajo e ka për qejfi, t’ua imponoj të tjerëve, derisa thekën në plazh. Mirëpo, këtu ata merrnin zjarr, nuk pajtoheshin as në mes veti. Dhe fillonte një polemikë me zhurmime ku askush nuk e merrte vesh askënd si në debatet politike të Televizionit Klan. Lulia vihej në rolin e Blendi Fevziut, shpesh e përhumbur, nuk e dinte anën e kujt të merrte dhe kujt t’ia jepte fjalën e kujt t’ia shkyçte mikrofonin. “Lamë thiu bëhet e gjitha”, me thotë ajo duke rrudhur me supe për pafuqinë e vet. Këtu Luilia dorëzohej, sepse është më e ngathët në të folur, ndërkaq, çunat dhe gocat e plazhit shpejtojnë më artilerinë e fjalëve si NATO- më bombardimet në Libi.
Pastaj ajo më tregon misionin patriotik që ia ka caktuar vetës. Do t’ua heq Lulia nga fjalori edhe zhargonet italiane e angleze. Lulia ka mbaruar Shkollën Ekonomike, por është e sigurt se merr vesh nga gjuha. Sa herë është përpjekur edhe më herët t’ua mësoj shqiptimin e fjalëve “live”, e “Miami”, që sipas saj ata i thonë ashtu si janë të shkruara e jo si shqiptohen. Dhe ia plas gazit! Nuk bënë, “plako”, në tokën mëmë të përzihet gjuha me fjalë të huaja, mendonte zëshëm Lulia. Kishte mësuar ajo edhe shprehje të tjera nga shteti mëmë, duke ndjekur filmat e përkthyer me nxitim në kanalet televizive shqiptare, por nuk i kujtoheshin ato fjalë “për momentin” parodizon refrenin e folëses automatike të Valës 900.
E rrëmbyer nga euforia e shkuarjes në Durrës, me tregoi se si i rrëmbushën sytë me lot sa herë intonohet himni kombëtar. Për këtë arsye me tha ajo, i ndjek ndeshjet e futbollit, jo pse i bëhej vonë për vrapin e gjithë atyre burrave pas një topi, që i duket veprim i pamend. Me himnin tonë, kosovar, mos me ngarko Zot me mëkate, me tha ajo, nuk e nxitë as ta ngreh pirunin deri të goja, e lëre më të rrëmbej pushkën e të mbroj atdheun. Asaj i vjen plasja pse ishte e vogël-fëmijë kur u bë lufta, sepse është e sigurt do të bënte namin. Për te do të flitej gjatë - natë e ditë. Ka shikuar shumë filma për Zhan Dark dhe për amazonat e pamposhtura. Por nuk e pranon ta quash feministe. I vjen plasja pse nuk pati fuqi t’ua ndryshonte rrjedhat ngjarjeve të pasluftës. “Eh”, ofshani një herë, “e kishim ne një himn që kur e dëgjoja me dukej se do të fluturoja, flokët me ngriheshin përpjetë, por e hoqën”, e tha me psherëtimë. Fillova të qesh dashamirësisht me entuziazmin e ofshamat e Lulisë, por ajo ma mori për keq, kështu që e ndërpreu ligjërimin patriotik. Kemi ndonjëherë keqkuptime, por shpejt i vëmë punët në vi. Ajo ka nevojë t’i rrëfehet dikujt, ndërsa unë jam dëgjues i vëmendshëm.
Kështu, me tregon Lulia, pas digresionit për motet e shkuara, bëri gati çka iu desh për rrugë dhe për plazh, la porositë në shtëpi gjatë kohës kur nuk do të ishte aty dhe mori vrapin drejt Adriatikut. Në shtëpi u tha babait e nënës se do të shkonte më shoqe, ndërkaq nuk tregoi për të dashurin që ende e mbante të fshehur nga familja. Mua ma tha në besim, por me detyroi të betohem se nuk do t’ia them kujt sa t’i bie dielli tokës.
*
Pa u këndellur durrsakët nga gjumi, Lulia i afrohej plazheve, ndërsa e mbyste era e kripës, besa edhe një erë metani a kalbëzimi që ajo nuk iu gjente burimin posa shkeli mbi urë në Durrësin e vjetër, përskaj Portit detar. Nuk zgjati shumë ajo erë e rëndë, që desh ia zu frymën. Lulia është mësuar me shpërthimin e ujërave të zeza edhe në Kodrën e Trimave që nuk e ndërron me asnjë lagje të Parisit, por këtu era qe më e fortë. Durrsakët ishin më të sertë, me tha ajo duke qeshur dhe duke u skuqur me metaforën e vet.
Vetura e të dashurit të saj sikur fluturonte asfaltit të butë shqiptar si në filmat amerikan, pa therë në këmbë. Për tri orë ajo erdhi nga Kodra e Trimave në Durrës. As me helikopter më shpejt nuk do të vinte, flet ajo me mburrje.
Nuk vonuan dhe dolën të Shkëmbi i Kavajës. Mos mendoni se Lulia priste Bubullimë të Shkëmbi i Kavajës, sepse nuk ishte për herë të parë këtu. Por kënga e moçme i kujtohej sa herë i afrohej Shkëmbit, megjithëse nuk e dëgjonte më në asnjë radiostacion dhe nuk e pa CD-në e kësaj kënge as të shitësit ambulant prej Kodrës së Trimave deri të Kodra e Diellit. Nëse nuk ka në këto pika shitje, vetën sa lodhesh se nuk e gjen në faqe të dheut, është e sigurt ajo.
U gëzua që gjeti apartament, sikurse i thoshin këtu një dhome me katër shtretër me ballkon të ngushtë, me pamje nga apartamenti tjetër. Por Lulia nuk erdhi të shijonte as pamjen, as apartamentin. Deti e mallëngjente. Në lagjen e saj një lumth që e patën dikur, komunarët e mbyllën me beton e asfalt dhe e bënë rrugë me gropa.
La rrobat në dhomë, mori ato që i duheshin në plazh dhe u nis, pa shikuar i vinte i dashuri prapa apo jo. Të zgjedhurin e ka ca të mëndafshtë, e cilëson ajo brishtësinë e tij, kështu që ajo çau turmën. Nuk i pëlqen ngurrimi i tij, por është i lezetshëm, me tregon ajo dhe sytë i shkëlqejnë. Është e dashuruar këmbë e krye në Kreshnikun e saj.
Mushkëritë iu mbushen me erën e athët të detit e të kripës, lëkurën e bardh si bora ia përkëdheli dielli më këndshëm se sa dora e butë e Kreshnikut që i shkonte prapa si manare. “Ata bënin banjo dielli, ndërsa unë u rrezita deri sa mu skuq lëkura si gaforret e detit në skarën e ndezur”, me tregonte Lulia dy ditë pasi u kthye e djegur në fytyrë dhe në llëre. Dielli i sertë shqiptar e kishte skuqur në disa vende.
Më bëhej se e shihja Lulinë duke ecur krenare dhe pa u turpëruar skaj trupave të zhveshura të bashkëkombësve, për të cilët nuk e dinte janë nga Kolovica, Tropoja apo Skrapari. Kureshtja e mbyste. Të gjithë i dukeshin të njëjtë dhe të afërt: Rreth plazhit të përbashkuar! Më një dëshirë më një qëllim.
Kur ia ktheu gjinjtë diellit, Lulia mprehu veshët të dallonte dialektet, sepse nuk mund të rrinte qetë si të ishte mumie, donte të rrezitej por edhe të bisedonte me ata që i kishte pranë. Të dashurin-Kreshnikun, e kishte gjithë kohën. Të tjerët këtu i takonte, këtu i linte. E kënaqte të folurit e tyre të shpejt si t’i ndiqte dikush prapa. Në atë ngarendje oratorie të vendësve gati gjysma e fjalëve për njërin vesh i hynin, për tjetrin i dilnin. Por kjo nuk e shqetësonte, nuk shqetësoheshin as bashkëkombësit mesdhetar, sepse nuk përtonin t’ia përsërisnin fjalët edhe kur ajo nuk ua kërkonte. Fjalët lek nuk kërkojnë, i thoshin ata për t’ia hequr brengën.
Dita e parë i kaloi për mrekulli. Disa herë çau detin blu, pa larg në horizont derisa notonte dhe pastaj kur e lodhte uji i plumbtë, zdërhallej në zallin e ngrohtë. Por në mbrëmje e kapi një zjarrmi si të kishte ngrënë speca të djegës. As natën nuk e bëri si duhet. Në mëngjes e zgjati gjumin deri në orën 10, që nuk i kishte ndodhur kurrë më parë.
Ditën e dytë u tregua më e kujdesshme: mbuloi supet dhe gjinjtë jo nga shikimet e pushuesve por nga dhëmbët e diellit. Uji i ngrohtë i detit e përkëdheli sërish nëpër gjithë trupin, notonte herë cektinës me fëmijë e plaka në ujin e turbullt si në puse bretkosash, herë i jepte trupit dhe çante ka mesi i detit, ndërsa i dashuri i rrinte përskaj.
Ajo që nuk i pëlqeu edhe sivjet si herët e kaluara- Durrësi nuk kishte jetë të natës, si të ishte në Kodrën e Trimave. Ndonjëherë kur lakmonte diskotekat e Prishtinës, zihej me babanë në të kthyer pas orës dy të mesnatës. Sikur të kishte disko këtu do të rrinte deri në mëngjes pa i dhënë askujt llogari. Muzika orientale me ca fjalë shqip e mërziste! Kishte filluar ta kultivonte shijen ajo. Në Durrës kërkonte muzikë tjetër.
Shëtiste mbrëmjeve bulevardit kryesor me ndriçimin e kursyer, ndërsa kapte tingujt e këngëve të zhurmshme, të njëjtat që sapo i kishte lënë në dasmën e të vëllait. Një zhgënjim i lehtë e kaploi, priste të paktën të dëgjonte Eli Faren a Greta Koçin. Vazhdonte të shëtiste me të dashurin për dore, i përftonin fytyra të njohura të cilat shtihej sikur nuk i njihte dhe nuk i shihte. Një herë iu bë se është në rrugën e gjerë me dy korsi të Kodrës së Trimave që kalonte nga Prishtina në Llap. Edhe qebaptorët me erën e mprehtë të mishit të bluar, të përzier me miell e vaj të djegur ia shponin hundën si të ishte të Hani i Dilit.
Ëmbëltorët tetovare e provokonin thekshëm, por ajo donte të mos shtonte në peshë, donte të dukej shtathedhur si spitullaqet e Prishtinës. Kishte vendosur të hante vetëm koc e midhje.
Natën tjetër i dashuri i propozoi të vizitonin Durrësin e vjetër, filloi ta merrte malli edhe Lulinë për durrsakët që nuk shiheshin gjëkundi. Të kthehej në Kodrën e Trimave dhe t’u thoshte njerëzve eca sa eca, por durrsak nuk pashë për be, nuk do ta besonin. Vetëm në mëngjes e takonte zonjën e shtëpisë ku banonte, megjithëse ajo i tregoi se nuk është durrsake, por se a ishte nga Kurveleshi apo nga Mallakastra, i doli nga mendja. Durrsak ka pak këndej pari, ia shoi kureshtjen nikoqirja gjakëmbël, që fliste shpejt, ndërsa gjysmën e fjalëve Lulia i kapte më vonesë. Prandaj, ndonjëherë e luste të përsëriste jo pse qe e shurdhër, por nuk i zbërthente me kohë, apo i merrte tjetër për tjetër.
Lulia në frymën e patriotizmit kuq e zi, pa harruar asnjë çast se ishte nga Kodra e Trimave, u kthye e kënaqur nga plazhi i Durrësit. Ajo do të fliste gjatë për përjetimet e veta, të cilat mua mi tha fragmentarisht derisa mi mbështillte frutat e më kthente të imtat.
Sytë i shkëlqenin nga entuziazmi e përjetimet...