Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Mani: Dr. Nuhi Veselaj, gjuhëtari më i madh aktual i gjuhës shqipe

| E premte, 15.02.2008, 10:00 PM |


Të dhëna bio-bibliografike për autorin:

Nuhi Veselaj
I. Nuhi (Muharrem)Veselaj u lind në fshatin Reçan të Therandës (ish-Suharekës) më 20. 8 .1933. Shkollën fillore  (me semimaturë ) e kreu në Suharekë (1948), Shkollën normale (katërvjeçare) e mbaroi në Gjakovë, ku maturoi më 30. 6. 1952.  Provimin shtetëror profesional e dha më 3. 9.1959 në Prizren. Shkollën e lartë, përkatësisht Shkallën I të Fakultetit Filozofik të Prishtinës - Dega e gjuhës dhe e letërsisë shqipe e kreu më 23. 9 .1963, ndërsa Fakultetin Filozofik të Prishtinës- 
Dr. Nuhi Veselaj   Dega gjuhë dhe letërsi shqipe, më 23. 11. 1965. Ndoqi studimet pasuniversitare dhe më 3. 4. 1980 mori gradën: magjistër i shkencave filologjike, ndërsa  tezën e doktoratës e mbrojti më 24. 12. 1992.
Jeton në Prishtinë. Është anëtar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë dhe të Rinj me qendër në Tiranë si dhe anëtar i Lidhjes  së shkrimtarëve të Kosovës.
Nuhiu qysh i ri, që nga viti 1951 ishte i organizuar në Lëvizjen për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare. Në vitin 1952  u burgos për veprimtari të tillë, por moszbulim provash nga ai u dënua vetëm 3 vjet. Pasi doli nga burgu, ndonëse, me vështirësi, arriti të punësohej në arsim që e kishte ideal veprimësie. Disa herë pati ndërprerje të dhunshme nga marrëdhënie e punës: Mushtisht (Suharekë) 1952, Suharekë 1956, Grejçec (Suharekë)1957, Ferizaj 1962, Tankosiq (Ferizaj) 1963, Prishtinë 1972, 1973 , kur me motive politike iu ndalua puna në arsim e organizata shoqërore- shtetërore. Pas një kohe si i papunë u detyrua të punësohej në ndërmarrjen për ndërtimin e rrugëve Partizanski put të Beogradit - dega në Prishtinë, prej nga kaloi  në Uzinën e amortizatorëve të Prishtinës, përkthyes. Edhe prej andej më 1991 e larguan, andaj u detyrua me dalë në pension të parakohshëm.
Edhe pse, pothuajse ishte përherë nën mbikëqyrje ai me punë të palodhshme dhe me qëndrim konstruktiv e parimor, përkundër pengesave e përndjekjeve, arriti të korrë suksese, qoftë në jetën arsimore e shoqërore- politike, qoftë në veprimtarinë letrare e shkencore. Edhe gjatë Luftës së fundit, ai dhe familja e tij nuk ishin pasivë, përkundrazi kryen punë delikate e me rrezik. Në shtëpinë e tij në Prishtinë, muaj të tërë, janë shëruar ushtarë të plagosur të UÇK-së. Është e vërtetë, se kur filluan bombardimet e NATO-s shtëpia e tij qe objekt sulmi me bombë nga paramilitarët serbë. Disa herë i është rafaluar servisi, garazhi si dhe muret e shtëpisë. Si mbarë popullata gjatë eksodit të madh edhe Nuhiu u detyrua të shpërngulet drejt Maqedonisë, mirëpo, në zonën neutrale në Glloboçicë (në vend që të shfrytëzonte rastin për të vizituar vajzën në SHBA si dhe djalë e vajzë në Zvicër me familjet e tyre që s’i kishte parë me dekada, pasi, përkundër tentimeve, atij i qe ndaluar dalja jashtë Jugosllavisë), ky pasi e bekon djalin, me të cilin ishin bashkë, që t’i bashkohet UÇK-së, duke i hyrë rrezikut, kthehet në Prishtinë, ku ka dhënë ndihmesën e vet në mënyra të ndryshme deri në çastin kur çlirimtarët i priti dhe përshëndeti me ndonjë libër të tij, por edhe me një material modest buroteknik. Ndërkohë kreu me nder çdo angazhim që iu besua, por nuk u ekspozua në parti politike, më tepër u përqendrua në veprimtarinë krijuese.

II. Nuhiu është marrë me shkrime që në bankat e shkollës së mesme, po për arsye, që tashmë dihen, edhe për shkak të përmbajtjes, s’ka mundur të botojë të gjitha dorëshkrimet. Përveç prozë e poezi në revista e gazeta të ndryshme publikoi edhe punime shkencore nga fusha e gjuhësisë. Deri tashti botoi këto vepra:
 
1. Nga fusha e letërsisë:

1. Miklime (vjersha për fëmijë), Rilindja, Prishtinë  1967),  (ribotim) 1997;
2. Rrezet e ylberta (vjersha për fëmijë), Rilindja, Prishtinë, 1971), (ribotim) 1997;
3. Me buzët në gaz (vjersha për fëmijë), Iliriku, Prishtinë 1997;
4. Fletë ditari rreth një motmotari  (vjersha), Iliriku, Prishtinë) 1997;
5. Trimoshi (tregime për fëmijë dhe të rinj), Iliriku, Prishtinë 1997;
6. Cace e hope djaloshare (poezi), Iliriku, Prishtinë 1997;
7. Shfrime nëpër mjegullnajë (reflekse poetike e mendimore), Iliriku, Prishtinë 1997;
8. Mësime nëpër pësime (shfaqje teatrore), Iliriku, Prishtinë 1998
9. Gërricje në damarët e djalërisë (tregime), Rozafa, Prishtinë 1998;
10. Bulëza të përshenjura, (vjersha kushtuar stinës rinore), Rilindja, Prishtinë 2000;
11. Ther me pupël (vjersha humoristike), Rilindja, Prishtinë 2000.
                                               
2. Nga fusha e gjuhësisë:

1. Çështje të shqipes standarde në fushë të leksikut dhe të fjalëformimit I, Rilindja 1997;
2. Paskajorja, çështje e shqipes standarde, Dardania sacra, Prishtinë 2000;
3. Foljet më -O - në gjuhën shqipe, Dardania sacra, Prishtinë 2002;
4. Paskajorja dhe standardizimi i gjuhës shqipe, Prishtinë, 2006.

Pritet që nga penda e këtij autori mjaft të frytshëm të shohin dritën e shtypit edhe vepra të tjera në dorëshkrim, qoftë nga fusha letrare-artistike, qoftë, sidomos, nga ajo shkencore-gjuhësore, ngase (përveç mbi 100 artikujve, trajtesave e vështrimeve të botuara) ka të përgatitura për shtyp disa vëllime, ndër të cilat edhe disertacionin e magjistraturës si dhe atë të doktoratës. Gjithnjë qëndron në pritje të sponzorizuesve eventualë vullnetmirë.

Prishtinë, mars 2006

Sot për të parën herë do ta paraqesim në analet e kompjuterit Dr. Nuhi Veselajn, gjuhëtarin më të madh aktual të gjuhës shqipe: Dr. Nuhiu e ka përqafuar standardin e gjuhës shqipe, por angazhohet me mish e me shpirt për balancimin e dy dialekteve gegë-toskë; ka katër vepra të botuara si dhe në dorëshkrime përpaskajoren gege: në vijim nga dita në ditë do t'i radhisim  punimet shkencore të këtij shkencëtari tepër modest, që për turpin  e redaksive të Fjalorëve dhe të Enciklopedive, nuk e ftojnë atje, paçka se atje 'punojnë' llojlloj elementësh të skaduar!!
KADRI MANI