| E shtune, 20.08.2011, 06:47 PM |
Pjesë nga libri "FILOZOFIA POLITIKE E ÇËSHTJES SHQIPTARE"
Demokracia që do t'i përsëriste përvojat jonjerëzore të raporteve shoqërore nuk është demokraci por neofashizëm.
Përgatiti : Ramiz DËRMAKU
Shumica e njerëzve i di përgjigjet dhe di ta vlerësojë korrektësinë e sjelljeve të veta, por nuk e preferon pranimin e jo-korrektësisë. I duket virtut edhe atëherë kur nuk është veçse ligësi. Ata vazhdimisht akuzojnë, në vend se të mendojnë. Disa po thonë po bënë gabime gjuhësore gjatë të shkruarit. Disa akuzojnë sepse në shkrimet e gjertanishme i kisha paraqitur të padijshëm, kurse të tjerët akuzojnë se i "ke ngritur lart pa sens të mjaftueshëm politik". E po ata që akuzojnë e kritikojnë vetë nuk shkruajnë. Ndërkaq e vërteta është se nuk dua të polemizoj me ta. Ukshin HOTI, e kishe mbrojtur tezën politike se të rinjtë e moshës 18-24 vjeçare, që i kishe takuar nëpër burgje, por edhe jashtë tyre, nuk mund të kishin qenë, edhe po të kishin dëshiruar, njohës të thelluar të sistemeve komplekse të mendimit dhe se andaj, politika e dënimeve të tyre të rënda nuk kishte qenë me vend. Për çfarë sensi politik mund të ishte fjala në argumentimin e një prototipi, qoftë edhe të një gjenerate? A nuk preferohet vallë pjekuria politike e çdo gjenerate? Dhe si mund të pritet integrimi në Europë pa pjekurinë politike të bartësve të këtij integrimi?
Pastaj filluan të nxirrnin në shesh gjëra të parëndomta: veprimet e motivuara me një politikë të caktuar të një kohe deshën t'i arsyetojnë dhe t'i relativizojnë me mistifikimin e shtetit në kohën tjetër. Në qoftë se me një tezë të tillë synohej bindja e të tjerëve, atëherë ç'u duhej vallë të thirreshin në dëshminë e të vdekurve për të arsyetuar veprimet e të gjallëve? Dhe po të ishte ashtu siç thuhet, atëherë si shpjegohet fakti që redaksitë e gazetave të tjera në gjuhën shqipe, si edhe ato të vendit në tërësi, asnjëherë nuk e panë të arsyeshme gjatë më tepër se 9 vitesh të plota, të bisedonin edhe me palën tjetër, me atë të dëmtuarën? Pretekstet e ndryshme dhe të llojllojshme sikur e kanë për qëllim të shënohen në librin e Ginisit. Ato nuk mund të shërbejnë për të ndriçuar të vërtetën dhe nuk janë në funksion të saj. Ekziston apo nuk ekziston akoma cenzura e shtypit ndër ne? Ndoshta një ditë duhet të jepen përgjigje në këto pyetje dhe ndoshta ato janë të lidhura me vetë karakterin e demokracisë që synohet të ndërtohet: demokraci që do të mbështetej ekskluzivisht në formalizmin logjik apo demokraci që do ta demokratizonte shoqërinë në tërësi? Përmbajtja e konceptit të parë është e shtytur nga jashtë. Përmbajtja e të dytit buron nga vendi. Është e drejtë e secilit të zgjedhë rrugën e tij, por jo në kurriz të tjetrit, dhe as në kurriz të së vërtetës. Asnjë superioritet teknologjik i armatimit të huaj nuk do të përdoret në funksion të bllokimit të së vërtetave shoqërore. Ata që dikur një gjë të tillë e bënin pa përtesë, pikërisht ndeshja e logjikës formaliste me realitetin gjithnjë e më tepër po i detyron të kuptojnë se vazhdimi i kësaj politike do të ishte në dëm të të gjithëve, por më parë në dëm të vetë atyre. Demokracia që do t'i përsëriste përvojat jonjerëzore të raporteve shoqërore nuk është demokraci por neofashizëm. Shqiptarët u përcaktuan për diç tjetër dhe ajo do të ndërtohet, deshën apo nuk deshën të tjerët. Akceptimin e një demokracie të tillë do ta bëjë edhe Evropa, pavarësisht nga dëshira e atyre që deshën të imponojnë zgjidhje të tjera.
Më në fund akuzonin se në shkrimet me të cilat vazhdimisht synohej gjetja e përgjigjeve e jo thellimi i krizës, theksohej ca si tepër uni autorial. Këtë nuk e bënin më parë (atëherë kur kur mungonin përgjigjet, sepse nuk lejoheshin, në mendime të shtrembëruara) por e bëjnë tani me pretekstin e depersonalizimit të së vërtetave shkencore. Megjithatë mund të kenë të drejtë, por duhet kuptuar se Politika Ndërkombëtare është një disiplinë e veçantë shkencore, me metodë të theksuar të kontributit personal të atyre që kanë një përvojë të tillë. Një shfletim vetëm sipërfaqësor i shkrimeve nga kjo lëmi mjafton që të përfundohet se duke e bërë sintetizimin e përvojës në harmoni me ngritjen profesionale të autorit synohet gjetja e rregullave të caktuara të sjelljes së aktorëve ndërkombëtarë dhe shquarja e ligjshmërive që i kushtëzojnë ato. Për këtë shkak, njëri nga ekspertët e njohur të kësaj disipline shkencore, duke u përgjigjur në vërejtje të ngjashme shkruan: "Por nuk ekzistojnë shtigje njëmend të shkurtra, nuk ka rrugë mbretërore për të arritur gjer ke njohuritë, dhe gjithmonë na duhet të mësojmë nga përvoja praktike dhe studimi i së kaluarës ku vetëm disa mund të kenë sukses; është një shfaqje vërtetë e rrallë një njeri që në vetvete e bashkon njëherësh përvojën praktike me shkollarin kompetent" (shih Charles McClelland, International Relations: Wisdom or Science? në James N.Rosenau, Internatinal Politics and Foreign Policy, The Free Press, Macmillan Publishing Co.In.New York,1969).
Në rrethanat e ndryshuara politike, vështrimi mbi "Kosovën dhe Evropën" nuk është përgjigje ndaj askujt, përveç ndaj atyre që e preferojnë manipulimin me injorancën; nuk e rrezikon askend, përveç ëndrrave të pabazuara të cilësdo palë të interesuar (ndoshta edhe të vetvetes) dhe nuk e pretendon ekskluzivitetin e kompetencës, përveç në relacion me inkompetencën. Për këtë shkak, porosia që të mos merrja përgjegjësi mbi vete ishte e tepërt dhe ambivalente: ata që dikur nuk merrnin kurrfarë përgjegjësie mbi vete, tani do të dëshironin të delnin me merita, por meritat nuk u takojnë atyre, sepse nuk i patën. Ato thjesht i takojnë popullit, sepse ai e barti barrën e luftës, të vuajtjeve dhe të gjakosjes. Populli e di kontributin e secilit veç e veç, sikurse edhe qëllimin e atij kontributi. Lëreni popullin të vendosë vetë për besimin e tij, sepse historia askujt nuk i fal asgjë. Evropa e tij nuk është ajo e lugetërve të kohëve të shkuara, por është Evropë e gjeneratave të ardhshme që do të dijnë t'i lidhin fijet e holla, të padukshme, të krenarisë kombëtare, të bujarisë dhe të fisnikërisë me rrezet e holla të universit, të kohës dhe të perspektivës. Hapësit eventualë të mundësive të këtilla le të jenë mendjendritur dhe le të kenë rrugë të mbarë!
Punuar me 15.08.2011
Weingarten- Gjermani