| E premte, 19.08.2011, 08:00 PM |
Nga KFOR-i anglosakson i 1999, tek KFOR-i teuton i 2011
Nga Kastriot Myftaraj
Kur KFOR u dislokua në Kosovë, në 1999, nga rreth 50 mijë trupat e tij, më tepër se gjysma, ose mbi 27 mijë, përbëheshin nga kontigjentet e tre vendeve anglosaksone, SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë. Kontigjenti britanik prej 19 mijë trupash, më i madhi i KFOR, përbënte 40% të trupave të KFOR. Kontigjenti amerikan ishte i dyti në numër për nga madhësia, me 7 mijë trupa (në të njëjtën madhësi ishte edhe kontigjenti francez). Kanadaja (një vend nën Kurorën britanike) merrte pjesë në KFOR me 1470 ushtarë. Dominimi në KFOR i vendeve anglosaksone dukej i natyrshëm se amerikanët, britanikët dhe kanadezët veprojnë sipas një agjende strategjike globale të përbashkët. Por gjërat kanë ndryshuar në vitin 2011 Britania e Madhe tashmë merr pjesë në KFOR me një individ të vetëm, çka praktikisht do të thotë se kontigjenti britanik është larguar nga Kosova. Gjithashtu edhe Kanadaja praktikisht e ka larguar kontigjentin e saj ushtarak, duke marrë pjesë në KFOR me vetëm pesë ushtarë. Sot Britania e Madhe dhe Kanadaja së bashku marrin pjesë në KFOR me një numër ushtarësh rreth katër herë më të vogël se Luksemburgu kontigjenti i të cilit në KFOR përbëhet nga 23 ushtarë!Natyrisht se kontigjenti britanik i KFOR do të zvogëlohej me kalimin e viteve, por britanikët së paku mund të ruanin një kontigjent sa 5 % e numrit të KFOR. Kjo nuk do të kërkonte një numër të madh trupash, se pas shkurtimeve të fundit, KFOR-i, në gusht 2011 përbëhet nga 5872 ushtarë, pa llogaritur këtu përforcimet që janë dërguar përkohësisht nga rezervat, me rastin e krizës së fundit për vendkalimet kufitare, dhe të cilat përforcime tekefundit në këtë rast nuk duhet që të llogariten se përbëhen vetëm nga ushtarë gjermanë dhe austriakë. Ajo çka të bën përshtypje është se tërheqja e KFOR britanik ndodhi që fill pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndonëse Britania e Madhe e njohu pavarësinë e Kosovës, ajo reagoi duke e ulur numrin e ushtarëve britanikë, nga 1500, ose rreth 10% të numrit të përgjithshëm të trupave të KFOR, në 2007, në 161 trupa, ose 1.05% e numrit të përgjithshëm të trupave të KFOR prej 15 453 ushtarësh, në fund të vitit 2008.Tërheqja e britanikëve nga Kosova nuk mund të ketë si shkak paaftësinë e Britanisë së Madhe për të përballuar një tjetër mision ushtarak ndërkombëtar, aq më tepër kur trupat britanike tashmë janë tërhequr nga Iraku. Tërheqja e britanikëve nga Kosova tregon se për Londrën karta strategjike e Kosovës është konsumuar tashmë përfundimisht në gjeostrategjinë anglosaksone. E vërteta është se Britania e Madhe nuk ka qenë entuziaste për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, por shkoi pas SHBA-ve, dhe sipas traditës së bashkëveprimit të posaçëm mes Washingtonit dhe Londrës, kryeministri britanik në kohën e fushatës kundër Serbisë, mori përsipër të bënte rolin e atij që është një hap para amerikanëve. Por që ky ishte një bluff, kjo u kuptua kur komandanti i KFOR, gjenerali britanik Johnson, refuzoi urdhërin e komandantit të NATO, gjeneralit Clark për të kapur aeroportin e Prishtinës para rusëve, një refuzim ky që sigurisht reflektonte qëndrimin e qeverisë britanike.Në krizën e vitit 2004 në Kosovë, ishin britanikët ata që dërguan 500 trupa shtesë, megjithëse ushtria britanike atëherë gjendej e angazhuar në Irak dhe Afganistan. Në krizën e vitit 2011 në Kosovë, Washingtoni u detyrua që t’ u kërkojë Gjermanisë dhe Austrisë që të dërgojnë trupa shtesë nga rezervat e NATO. Pasoja më e keqe e tërheqjes britanike nga Kosova është se ajo vuri një lëvizje një proces tërheqjesh që çoi në atë që mund të quhet profilizimi teuton i KFOR-it dhe që bëhet më i dukshëm me vajtjen e trupave rezervë shtesë të NATO-s, ditët e fundit në Kosovë. Tashmë ka një KFOR me profil të ri, si të thuash teuton, gjerman. Gjermania ka sot kontigjentin më të madh të KFOR me 1023 ushtarë, dhe bashkë me përforcimet që ka çuar në krizën e fundit, në rreth 1600 ushtarë. Aq më tepër kur vendi tjetër gjerman, Austria, ka kontigjentin e katërt më të madh të KFOR, pas SHBA-ve dhe Italisë, me 472 ushtarë, dhe bashkë me përforcimet që ka cuar Austria, me rastin e krizës së fundit, praktikisht ka kontigjentin e tretë pas SHBA-ve. Me rastin e krizës së fundit të vendkalimeve kufitare në Kosovë, atje u dërgua si përforcim batalioni gjermano-austriak i forcës operacionale të reserves. Batalioni prej 700 ushtarësh, përbëhet nga 550 gjermanë dhe 150 austriakë. Kjo do të thotë se kontigjenti teuton i KFOR-it arrin në 2195 ushtarë. KFOR-i sot, me gjithë forcat shtesë përbëhet nga 6572 ushtarë, nga të cilët një e treta janë gjermanë.Gjermanët dhe austriakët së bashku e kanë pushtuar dy herë Serbinë shekullin e kaluar në dy luftërat botërore dhe në të dy rastet ka pasur beteja në Kosovë. Në Luftën e Parë Botërore, për herë të parë në historinë e luftërave, aeroplanët luftarakë u përdorën kundër ushtrisë serbe në Kosovë. Në vetëdijen kolektive serbe KFOR-i i ri mund të shihet si pushtimi i tretë gjerman i Kosovës. Si për të ushqyer animozitetin serb, në KFOR janë me kontigjente të pazvogëluara, ose pak të zvogëluara edhe hungarezët, aleatët e gjermanëve dhe austriakëve në dy luftrat botërore, me një kontigjent të madh prej 223 ushtarësh, dhe armiqtë historikë, turqit me kontigjentin e pestë më të madh, me 426 ushtarë. Në KFOR-in me 30 vende sot dominojnë armiqtë historikë të Serbisë.Profili teuton i KFOR-it nuk ka ardhur nga ndonjë konspiracion amerikan për ta provokuar Serbinë, por thjesht nga fakti se vendet pjesëmarrëse në KFOR i kanë tërhequr ose zvogëluar kontigjentet e tyre, në mënyrë krejt të shpërpjestuar me pjesëmarrjen e tyre fillestare. Derisa numri i trupave të KFOR është zvogëluar me nëntë herë në krahasim me vitin 1999, atëherë kaq ishte dashur të zvogëloheshin dhe kontigjentet e vendeve pjesëmarrëse. Vetë kontigjenti amerikan është zvogëluar nëntë herë, nga 7000 trupa që ishte në 1999, në 796 në vitin 2011. Natyrisht se vendet e tjera, të cilat kanë shkuar në Kosovë me shtysën e amerikanëve, do të përfitonin që të zvogëlonin trupat së paku në përpjestim me zvogëlimin e kontigjentit amerikan. Kështu bëri Italia, e cila nga 5000 ushtarë që kishte në 1999, sot ka 575.Por, shumë vende të tjera i kanë larguar krejt kontigjentet e tyre, dhe disa të tjera i kanë zvogëluar shumë ato. Kështu, kontigjenti francez nga 7000 trupa është ulur në 313, ai finlandez nga 395 në 20, kontigjenti belg, fillimisht prej 1100 ushtarësh është larguar krejt, kontigjenti hollandez prej 3600 ushtarësh është zvogëluar në 7 ushtarë, kontigjenti suedez prej 1100 trupash është ulur në 60, e kështu me rradhë. Në këto rrethana SHBA-të qenë të detyruara që t’ u kërkonin Gjermanisë, Austrisë dhe disa vendeve të tjera, të cilat për koincidencë kanë qenë aleate të Gjermanisë në dy luftrat botërore, që të mbanin një Kosovë një kontigjent ushtarak më të madh se sa do të dëshironin që të mbanin, dhe të mos bënin shkurtime të shpërpjestuara. Gjermania pritej që të shkurtonte trupat në Kosovë në përpjestim me Francën, aleaten e saj më të ngushtë europiane. Nëse do të kishte ndodhur kështu sot Gjermania, nga 8500 trupa që kishte në KFOR në 1999, sot do të kishte pasur 400 trupa, nga 1023 sa i ka sot, pa përforcimet, me të cilat ka 1600!!! Austria, nga 561 trupa që kishte në 1999, sot do të kishte rreth 60 trupa dhe jo 472 sa i ka sot, pa përforcimet, me të cilat ka 622!!! Hungaria, nga 223 trupa, sa i kishte në 1999, sot do të kishte rreth 25, dhe jo 223 sa i ka sot.Në Kosovë shumë njerëz mund të jenë të lumtur nga largimi i kontigjentit spanjoll dhe nga zvogëlimi i madh i kontigjentit francez etj., por në situatën kur është zvogëluar shumë bërthama anglosaksone e KFOR, zvogëlimi i kontigjenteve nga vendet jo të dëshirueshme, krijon në perspektivë rrezikun që vjen nga profilizimi teuton i KFOR. KFOR-i teuton shihet nga Serbia si një alibi për veprime ushtarake kundër trupave të KFOR-it, për të cilat Beogradi jo vetëm që do të shfajësohet, por do të drejtojë gishtin e akuzës në Washington, duke e konsideruar KFOR-in teuton një provokim që u bëhet serbëve, ashtu që të ndërmarrin atentate terroriste ndaj ushtarëve gjermanë dhe austriakë të KFOR-it, me ç’ rast do të projektohet konflikti në Serbi, kur Beogradit do t’ i bëhet presion që të ndëshkojë përgjegjësit e këtyre akteve terroriste.Profil teuton i KFOR-it përbën “Thembrën e Akilit” të tij, se e bën KFOR-in peng të Beogradit. Se Beogradi do të kërkojë një çmim të lartë që të frenojë atentatet ndaj ushtarëve gjermanë dhe austriakë të KFOR-it. Çmimi që do të kërkojë Beogradi është mbështetja e Gjermanisë dhe Austrisë për anëtarësimin e shpejtë të Serbisë në Bashkimin Europian pa u kushtëzuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në Berlin dhe në Vienë janë të vetëdijshëm për rrezikun të cilit i ekspozohen trupat gjermane në Kosovë, në suazat e KFOR-it teuton, kështu që në rast se nuk do të zvogëlojnë kontigjentet e tyre ushtarake në Kosovë, nuk u mbetet që të bëjnë tjetër veçse të mos ia refuzojnë Beogradit pagesën e çmimit që kërkon, anëtarësimin në BE pa kushte. (E nëse Beogradi e arrin këtë, atëherë do të jetë në gjendje që të vendosë veton ndaj Kosovës, madje edhe ndaj Shqipërisë, sa herë që të dëshirojë.) Nëse në Kosovë vriten ushtarë gjermanë dhe austriakë, qeveria gjermane dhe ajo austriake do të gjenden para pyetjeve të pakëndshme të opozitës se përse ato nuk e kanë zvogëluar kontigjentin e tyre ushtarak në përpjestim me vendet e tjera, pse Gjermania ka në Kosovë një kontigjent ushtarak gjashtë herë më të madh se Franca, në kohën e krizës në Kosovë, apo përse Austria ka atje një kontigjent ushtarak dy herë më të madh se Franca? Dhe tekefundit, përse dreqin Austria neutrale është i vetmi vend pjesëmarrës në KFOR që ka në 2011 në Kosovë më tepër trupa se sa kishte në 1999?!Nuk është ironi e vogël që Gjermania, e cila në 1999, në kulmin e fushatës ajrore të NATO kundër Serbisë, kërkoi ndërprerjen e përkohshme të bombardimeve, me anë të kancelarit Shreder, sot në 2011, është vendi që ka kontigjentin më të madh ushtarak të KFOR në Kosovë, dy herë më të madh se kontigjentet e marra së bashku të krejt atyre vendeve të marra së bashku, të cilat në 1999 përbënin promotorrin e fushatës ushtarake kundër Serbisë, SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Kanadasë!!! Dhe kjo forcë ushtarake Gjermane në Kosovë po përballet me krizën më serioze që prej vitit 1999, dhe që ende nuk i dihet përfundimi. Kjo është një peshë të cilën Gjermania, e aq më pak Austria, e cila bashkë me përforcimet që ka çuar ka kontigjentin e tretë të KFOR, thjesht nuk mund ta përballojnë.Në këto rrethana, Gjermania dhe Austria mund të detyrohen që të ndjekin shembullin e Britanisë së Madhe, duke e zvogëluar shumë, ose duke e tërhequr krejt kontigjentin e tyre nga Kosova. Qeveria gjermane dhe ajo austriake do të detyrohen që t’ i bëjnë presion Prishtinës që të arrijë një marrëveshje me Serbinë, duke ceduar nga pavarësia nga pavarësia e shpallur. Në rast të kundërt Gjermania dhe Austria do ta kërcënojnë Prishtinën me tërheqjen e kontigjenteve të tyre ushtarake, çka do të çojë në shpërbërjen e KFOR, se pas tyre do të tërhiqen kontigjentet e shumë vendeve të tjera. Natyrisht se Franca, Italia dhe vende të tjera do të mbajnë të njëjtin qëndrim. Në rrethanat, kur britanikët dhe kanadezët janë tërhequr nga Kosova, SHBA-të do të gjenden të vetme dhe do të detyrohen që të konceptojnë një strategji daljeje nga Kosova.Loja me zjarr që nisi Hashim Thaçi me aksionin për kontrollin e vendkalimeve kufitare në Kosovën veriore, në fakt ishte pikërisht ajo çka nuk duhej që t’ i ndodhte KFOR-it teuton, pra përballimi me një krizë. KFOR-i teuton është KFOR-i në pikën kritike të shpërbërjes. Nëse KFOR-i shpërbëhet, atëherë Kosova shndërrohet në një areal të hapur gjuetie për ushtrinë serbe, e cila mund të ndërhyjë atje sa herë të dojë, sipas shembullit të ndërhyrjeve të ushtrisë izraelite në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Tashmë që Kosova e ka humbur dhe armën demografike, pra të rrezikut që paraqet një eksod i ri shqiptar nga Kosova, se regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë tregoi se ky vend në 2011 ka më pak shqiptarë se në 1999, kurrkush në Perëndim nuk i trembet më dyndjes së shqiptaro-kosovarëve. Shpërbërja e KFOR mund të sjellë që Kosova të ndahet jo tek Ura e Ibrit ku propozuan Tadiç dhe Daçiç para pak kohësh, por në hyrje të Prishtinës, duke marrë Serbia edhe pjesën më të madhe të monumenteve të saj kulturore në Kosovë, me Fushë-Kosovën, Pejën etj. Prandaj është e arsyeshme që Prishtina të pranojë ndarjen e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë, sipas propozimit të Tadiç dhe Daçiç, me ç’ rast Kosova humb 11% të territorit që i kompensohet, se të humbë 40% të territorit pa u kompensuar, çka pritet të ndodhë kur të shpërbëhet KFOR-i teuton.