Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Xharra: Princ Vidi, Shqipëria, EULEX-i dhe Kosova

| E marte, 16.08.2011, 07:04 PM |


Princ Vidi, Shqipëria, EULEX-i dhe Kosova

 

“Lavdia është një helm që duhet marrë me doza të vogla” Balzak

 

Nga Fahri Xharra

 

Greqia, e pavarësuar nga Turqia më 1829, kërkoi nga familjet e vërteta mbretërore të Evropës të ketë një mbret nga gjaku evropian. Greqia bëri më shumë për t'u shkëputur nga e kaluara otomane dhe u udhëhoq nga mbreti Otto, djali më i ri i mbretit Ludvigu I i Bavarisë.

Turbullirat e brendshme dhe moskënaqja me të e rrëzuan, por asambleja kombëtare nuk e mbivlerësoi veten si të aftë për çdo gjë, por prapë kërkoi mbret të Evropës dhe zgjodhi princin e ri danez, mbretin Gjorgji I, i cili e filloi Dinastinë e Oldenburgëve të Monarkëve Grekë.

Edhe pse i huaj, ai punoi për Greqinë dhe pas luftës ruso-turke, bëri ekspansion territorial, duke aneksuar Thesalinë dhe një pjesë të Epirit. Për ne, fuqitë e mëdha e zgjodhën princin Wielhelm nga familja princore e Vidëve, që të udhëheqë me shtetin e ri të pavarur e të parehatuar të Shqipërisë.

Lajmi u bë i ditur në nëntor të 1913-s. Por ne e larguam. Pse iku Princ Vidi? Na u duk ”i paaftë”, e për atë ia dhamë udhën? Thelbi i së vërtetës qëndron në pyetjen: Pse nuk kërkuam nga Evropa, që të na ndihmojë edhe një herë duke na e dërguar një princ tjetër, nga dyert e traditës?

A është e nevojshme një qasje ndryshe në historinë tonë, duke e krahasuar me të kaluarën e njëjtë shumëshekullore të popujve të Ballkanit? Ku ishte gabimi që na bëri që të mbesim të fundit në Ballkan? Pse na u desh që të mos ndahemi nga e kaluara në mënyrë të butë? A ka pasoja edhe sot nga ajo mosndarje e domosdoshme?

A jemi duke u ballafaquar me të njëjtat “marifete” “të miqve“ tanë? Kush është “miku“ e kush “armiku” ynë? Kush na pengon të bëjmë dallimin mes tyre? Çka lypset prej nesh? Bota vëren dhe vrojton. Ne shqiptarët sigurisht që jemi në qendër të vrojtimit. Ata e dinë që ne jemi të lehtë, ata e dinë që ne nuk kemi qendër të rëndesës.

Duke mos pasur qendër të rëndesës, e kemi të vështirë aplikimin e koncepteve të gravitetit.Të tjerët këtë e dinë dhe llogarisin saktë se çfarë mundi iu duhet për të na larguar nga graviteti ynë, si dhe nga orbita jonë e qëndrueshmërisë historike. Si veprojnë ata?

E kanë të qartë dhe shumë mirë të llogaritur energjinë fi nale dhe nxitimin e duhur të një objekti që bie prapa në tokë dhe e dinë mirë se çka duhet bërë që ne të qëndrojmë gjithmonë pezull si objektet e humbura në gjithësi. Por, si veprojmë ne? Një nga të metat tona është se mu aty ku nuk duhet e mbivlerësojmë vetveten.

Mbivlerësimi, nëse nuk ka bazë, është vetëvrasës. Koha është një paradoks, një paradoks që shtrihet mes së kaluarës, të sotmes dhe të ardhmes, e e verteta jonë është se jemi të lumtur me gjëra të vogla e të pavlera. Secili komb ka një pjesë të “çmendur” brenda tij, e ne pak më shumë se te tjerët.

Shpesh, fatkeqësisht mu atëherë kur nuk duhet, e harrojmë që miku i vërtetë është ai që na mbajti dhe na mban për dore. Ia harrojmë të mirat dhe kërkojmë mbështetje tjetër aty ku nuk duhet. Edhe pse Zoti na ka dhuruar mendjen, por nuk bën që në janar të shijojmë aromën e zambakut.

Të kthehemi pak në historinë tonë të përjetimeve të shëmtuara, mu nga ajo pse nuk donim të shkëputemi nga e kaluara: Deutsches Volksblatt i 8 marsit 1913 shkruante: “ Ministri serb i Kuturës dhe Edukimit, Ljuba Jovanoviq, e ka publikur deklaratën, në të cilën thuhet: ”Myslimanët do të shikohen si çdo të tjetë sa u përket të drejtave të tyre prej qytetari. Sa për çështje të fesë, Vakyfi (i cili i takon pasurisë fetare) do të mbetet nën juridiksionin mysliman dhe xhamitë e tyre do të trajatohen pa përjashtim si kishat tona serbe.

Myslimanët që nuk iu kanë kundërvënë okupimit serb, nuk do të pësojnë. Ndërsa shqiptarët tjerë pa dallim feje që kanë luftuar kundër Serbisë, do të shohin hakmarrjen tonë. Kjo, edhe do të vazhdojë kundër të gjithë atyre që i kundërvihen okupimit serb“. Na mëson diçka ky shkrim? Bota vajtonte për ne.Bota vajtoi edhe më 1998 e më 1999. Një paralajmërim apo një parandjenjë e presidentit amerikan Klinton, se e fi tuam luftën, por të mos e humbim paqen – ishte më tepër se i vërtetë.

A guxojmë ta humbim paqen? Ç’po ndodh me ne? A thua po i ndihmojmë vetë përmbysjes së vërtetës mbi ne? Ndërhyrja euroatlantike në Kosovë nisi të quhej e gabuar. A jemi ne pak a shumë për këtë mëdyshje vetë fajtorë?“ Qëllimet punojnë në atë që Evropa dhe Amerika ta pranojnë gabimin.

E ne, me veprimet tona e trashim atë dyshim. “Po kthehet teza e Millosheviqit se shqiptarët nuk e kishin merituar, ngaqë ata kishin luftuar jo për liri, por për islam. Për të bërë sa më bindës këtë ngulmim, u provokua djegia e kishave më 2004, e më pas sulmi ndaj Nënës Tereze, ku nuk mbetën pu u përzier rimohues shqiptarë në Tiranë e në Prishtinë“.

(Ismail Kadare: “Mbi krimin në Ballkan”) Apo “vrasja e dy aviatorëve amerikanë prej një renegati shqiptar, nuk ishte vetëm një akt burracak dhe i pabesë, por shkonte edhe përtej kësaj” (Ismail Kadare. Po aty). Sa më shumë po e cek të kaluarën, aq më shumë po më duket se po e harrojmë të tashmen. Prapë viti 1913, vit i thyrjes së madhe në kyçjen tonë evropiane.

Me titullin “Serbët e etshëm për gjak”, The Daily Telegraph shkruante: ”Të gjitha tmerret e historisë i vë në hije fushata vrasëse e general Jankoviqit. Në marshimin e tij anë e përtej tokave shqiptare, serbët në mënyrën më të vrazhdë i mbytën jo vetëm shqiptarët e armatosur, por egërsia e tyre shihejedhe në në ata të paarmatosurit,të vjetërit, gratë e fëmijët e të posalindurit në gjoksat e nënave të tyre.

Të dehur nga fitorja, oficerët serbë proklamuan se paqja vjen vetëm me zhbërjen dhe zhdukjen e shqiptarëve (extermination of Albanians)”. Thënia e Balzakut se lavdia është si helmi dhe duhet marrë në medicament (bar), u pa në kërkesat e pareshtura për largimin e EULEXit. Jo se nuk jemi të paaftë për udhëheqje, por ende jemi në kthetrat e së kaluarës, të farefi snisë, nipërimit, bajraktrizmit dhe shumë e shumë të metave që ndihmojnë në mosfunksionimin e shtetit.

Nuk i mohoj aftësitë tona. Ato janë të dëshmuara. Do të ishte më e mençur dhe më diplomatike, më e kapshme dhe më historike po të kërkonim nga BE-ja ndërrimin e individëve të EULEX-it, të cilët u treguan jo ashtu si pritëm ne. Pse, a nuk po e dimë që në EULEX janë nga BE-ja, nga ata që s’e kanë endjen të na njohin, e që vijnë këtu vetëm për rroga të majme e për të prishur punë?

A mos ka në EULEX edhe asi që iu konvenon të tanëve? Me një imazh tonin të pastër të krijuar në Evropë, mund të kërkojmë më shumë. Mirëpo, kërkesa për largimin e EULEX-it në tërësi e shpreh papjekurinë tonë, mospërshtatjen dhe mosditjen e vlerave të europianizimit. Pra, si duhej të vepronim? Asgjë më tepër se të mos e mbivlerësojmë vetveten.