| E shtune, 15.09.2007, 10:57 PM |
Rinus Mishels është trajneri Nr.1 në botën e futbollit. E përditshmja angleze "Times" ka publikuar klasifikimin e 50 teknikëve më të mirë të të gjitha kohërave, duke i lënë podiumin më të lartë holandezit që revolucionoi futbollin në tërësi. Mishels, i ndarë nga jeta dy vjet më parë, ka lënë pas përveç lojës spektakolare edhe shumë trofe me Ajaksin, Barcelonën dhe Holandën.
Ai është përzgjedhur edhe si "Trajneri i Shekullit" nga FIFA në vitin 1999. Përfaqësuesja holandeze nën drejtimin e tij njeh të vetmin trofe evropian, atë të 1988-s, të fituar në Gjermani. Në vendin e dytë është renditur Mat Basbi, i cili drejtoi Mançester Junajtid në vitet e pas Luftës së Dytë deri në sezonin 1970-'71, duke e ngritur klubin mes më të mirëve në futbollin anglez, por edhe në atë ndërkombëtar. Pasi fitoi Kupën e Kampioneve në vitin 1967, u emërua "Kavaljer i Urdhrit të Mbretërisë Britanike". Në podiumin e nderit është futur edhe austriaku Ernst Hapell. Ky i fundit ka fituar disa tituj në katër kampionate të ndryshme, Holandë, Belgjikë, Gjermani e Austri. Vetëm i katërti, Aleks Ferguson, trajneri që drejton Mançester Junajtid që prej vitit 1986. Në 50-shen e më të mirëve janë edhe legjendat e futbollit italian si Arrigo Saki (11), Marçelo Lipi (17), Fabio Kapelo (21), Xhivani Trapatoni (28) dhe Karlo Ançeloti (44). Në këtë renditje të "Times" nuk kishte si të mungonte edhe Rehagel, fituesi i Kampionatit Evropian "Portugali 2004" me skuadrën e Greqisë.
1. Rinus Mishels
Holandezi që vdiq më 2005-n është “Trajneri i Shekullit”, sipas FIFA-s. Mishels ka fituar kampionate me Ajaksin dhe Barcelonën, si dhe Kampionatin Evropian 1988, teksa drejtonte kombëtaren holandeze.
2. Met Basbi
Ai themeloi një prej skuadrave më të forta në botë, Mançester Junajtid, ekip që u përgjysmua vite më vonë nga tragjedia e Bavarisë. Basbi fitoi edhe Kupën e Kampioneve të vitit 1968.
3. Ernst Hapel
Një njeri fjalë-pak, por me shumë trofe. Austriaku ka qenë fitues trofesh në katër vende të ndryshme Holandë, Belgjikë, Gjermani dhe Austri. Drejtoi dhe kombëtaren holandeze në botërorin e 1978-s.
4. Aleks Ferguson
Emri i tij është i lidhur ngushtë me Mançester Junajtid. Është aty prej 20 vjetësh dhe më shumë se një punë si trajner dhe menaxher i kësaj skuadre, klubi i është bërë një shtëpi e dytë.
5. Bill Shankli
Në fakt Bob Paislej dhe Xhoe Fagan nuk do të kishin pasur aq shumë suksese me Liverpulin më vonë, nëse ata nuk do të kishin marrë në dorë pankinën e “të kuqve” nga i madhi Bill Shankli.
6. Bob Paislej
Mbetet i vetmi trajner që ka në baketën e tij tre medalje në Kupat Evropiane. Ai drejtoi Liverpulin me futbollistë të mëdhenj si Dalglish, Hansen, Sounes dhe Jan Rash për tri sezone rresht.
7. Brian Kloug
Padyshim që edhe ai vetë do të vinte emrin e tij ndër më të mirët. Kloug arriti të çonte Derbi Kauntin në Ligën e Kampioneve dhe Notingham Forest, fituese të këtij trofeu për dy herë resht.
8. Bela Gutman
Ishte ai që zbuloi “Perlën e Zezë”, Euseboin. Ishte ai që përdori për herë të parë sistemin 4-2-4 në botën e futbollit. Hungarezi Gutman mbetet profesori dhe idhulli i shumë trajnerëve portugezë.
9. Miguel Munoz
Ai drejtoi Real Madridin e Pushkash dhe Di Stefanos, duke fituar Kupën e Kampioneve ndaj Frankfurtit 7-3. Më pas, ai do fitonte edhe 9 tituj kampionë dhe themeloi kampionatin e klubeve më 1966.
10. Arsene Venger
Prej dhjetë vjetësh ka zënë rrënjë në Londër tek Arsenali dhe jo pa qëllim. Nuk është thjesht një trajner për atë skuadër, por një menaxher i shkëlqyer që ka nxjerrë talente të mëdhenj të futbollit.
11. Arrigo Saki
Sistemi i tij rigjeneroi futbollin botëror. Ai krijoi një Milan shumë të fortë në mbrojtje me Barezin dhe Maldinin, dhe shpërthyes në vijën e sulmit me Van Basten, Gulit dhe Masaron.
12. Xhok Stein
E quajtën si të pavdekshëm për atë çka bëri me Rejnxhers më 1967-n, duke çuar në ishull trofeun e parë evropian të fituar nga një skuadër britanike. Fatkeqësisht nuk pati sukses në Premier League.
13. Helenio Herrera
Franko-argjentinasi theu në një farë mënyre hegjemoninë e Real Madrid në Evropë në vitet ‘60. Teksa ishte në drejtim të Interit, ai arriti të fitonte për dy herë trofeun e Kupës së Kampioneve.
14. Mario Zagalo
Ai ishte përkrah Peles, Tostaos, Zhairzinjos dhe Rivelinos në botërorin e 1970-s. Ndërsa brazilianët ende nuk i falin faktin se aktivizoi Ronaldon jo në formë të mirë, në finalen e “Francë 98”.
15. Johan Krujf
Futbolli mori një shkëlqim tjetër kur filloi të luante ai. Barcelona u ringjall duke fituar Kupën e Kampioneve më 1992-shin nën drejtimin e tij. Nuk është veçse lojtari i shekullit në Evropë.
16. Jose Mourinjo
Përkthyesi që u bë trajner. Trajneri që u bë Kampion i Evropës. Kampioni kontinental që u bë trajneri më i paguar në botë. Arroganti dhe fodulli. Ky është portugezi i Çelsit, Jose Muorinjo.
17. Marçello Lipi
Askush nuk do të vinte bast për Italinë e tij në botërorin “Gjermani 2006”. Pas skandalit calciopoli besimi për një kombëtare fitimtare ishte zero. Por jo për Marçelo Lipin.
18. Luiz Felipe Skolari
“Big Phil” pranoi sfidën e tij të fitonte diçka nën drejtim të kombëtares portugeze, pasi kishte bërë të tijën Kupën e Botës me Brazilin në 2002-shin. Bilanci: Portugali arrin finalen e evropianit.
19. Visente Del Boske
Katër vjet në krye të Real Madrid duke fituar gjithçka, kampionatin spanjoll, Kupën e Mbretit dhe dy Kupa Kampionesh. Ai është ndër trajnerët më jetëgjatët në pankinën madrilene.
20. Franz Bekenbauer
“Kaiser Franc” i thërrasin në Gjermani dhe gjetkë. Në librin e trajnerëve më të mirë ka hyrë si fitues i Kupës së Botës, 1990, ndërsa më 1986 kishte shkuar deri në finale me Argjentinën.
21. Fabio Kapelo
Jo pa qëllim i kanë vënë titullin simbolik “Don”. Ai ka fituar pothuajse gjithçka me skuadra të mëdha si Real Madrid, Milan e Roma. I mungon vetëm kombëtarja të cilën shpreson ta drejtojë së shpejti.
22. Sesar Luis Menoti
“El Flacao”, kjo ishte nofka e Menotit, argjentinasit që fitoi Kupën e Botës në shtëpinë e tij më 1978-n. Më pas drejtoi edhe në Evropë, skuadrën e Barcelonës, por pa shumë sukses.
23. Enzo Bearzot
Nëse nuk do të fitonte Kupën e Botës më 1982-shin, Bearzot do të përfshihej nga një lumë kritikash. Por kombëtarja e tij edhe pse nën atmosferën e skandaleve të basteve bëri surprizën e madhe.
24. Alf Ramsej
Ai do të mbahet mend si trajneri i vetëm për deri tani që ka çuar në Angli një Kupë Bote. Ramsej drejtonte kombëtaren angleze në botërorin e ‘66-s, të cilin e fitoi në finalen me Gjermaninë.
25. Tele Santana
Dështoi fitimin e Kupës së Botës “Spanjë 1982” me Brazilin e tij, por gjithsesi atë skuadër specialistët më të mëdhenj të futbollit e shohin si shumë herë më të fortë se Brazili Kampion Bote më 1994.
26. Nereo Roko
Dy herë fitues i Kupës së Kampioneve me Milanin në vitet ‘60. Ai është trajneri që solli në botën e futbollit lojën e fortë dhe fizike e aplikuar më së miri nga Milani i tij në atë kohë.
27. Aime Zhake
Ishte ai në drejtim të kombëtares franceze kur kjo e fundit fitoi Kupën e Botës më 1998 në “Francë 98”. Me këtë fitore Zhake meritoi medaljen e legjionit, ndër më të vlerësuarat në Francë.
28. Xhiovani Trapatoni
Është padyshim një nga italianët më të famshëm në botë. Ka drejtuar shumë skuadra në Itali, por sukseset i njeh me Juventus (7 tituj kampionë). Ka fituar edhe në Gjermani me Bajernin.
29. Gus Hidink
Nuk ka pasur një karrierë domethënëse deri në 1988-n, kur me PSV Eindhoven fitoi Kupën e Kampioneve. Më pas drejtoi edhe kombëtaren holandeze, atë koreano-jugore dhe tashmë atë ruse.
30. Karlos Bilardo
Është ai që solli në kombëtaren argjentinase Diego Armando Maradonën. Por gjatë gjithë karrierës së tij ka “vuajtur” famën e argjentinasit tjetër Sesar Menoti me të cilin e krahasonin.
31. Otmar Hitzfeld
Në baketën e tij numëron dy tituj evropianë me Bajernin e Mynihut dhe Borusian e Dortmundit. Shpeshherë është krahasuar me Aleks Fergusonin, meqenëse ka kaluar një periudhë të gjatë kohe te Bajern.
32. Valeri Lobanovski
Futbolli sovjetik përfaqësohej nga ai në drejtimin e Dinamos së Kievit në vitet ‘70-‘80. Një lider i padiskutueshëm dhe drejtues i përfaqësueses sovjetike në finalet e evropianit “Gjermani ‘88".
33. Rafael Benitez
I mungon vetëm titulli i kampionatit anglez për të qenë më se i kompletuar. Ka fituar në Spanjë me Valencian. Ka bërë të tijin Kupën e Kampionëve me Liverpulin më 2005-n e ka qenë vjet finalist.
34. Helmut Shoen
Nën drejtimin e tij Gjermania ishte finaliste në botërorin anglez të 1966-s, përfundoi e treta më 1970-n, fitoi evropianin e 1972-shin, fitues i Kupës së Botës më 1974-n, e finalist i evropianit më 1976-n.
35. Bobi Robson
Vetëm disa penallti e larguan nga botërori “Italia ‘90" kundrejt Gjermanisë, teksa drejtonte kombëtaren angleze. Ndërsa prej 13 vjetësh ka marrë në drejtim pa shumë sukses Ipsuiç Taun.
36. Luis Van Gal
Ndonjëherë as ai vetë nuk i besonte metodat që përdorte me talentet e Ajaksit, por ai arriti të fitonte gjithçka me ta. Ka drejtuar më vonë Barcelonën dhe kombëtaren holandeze.
37. Karl Rapan
Njihet me emrin edhe “novatori”, kjo për faktin se sapo mori drejtimin e përfaqësueses së Zvicrës, ai ndryshoi gjithçka duke futur një sistem krejt të ri në botën e futbollit.
38. Sep Herberger
“Në se nuk gjuan nuk bën kurrë gol”, kjo ishte shprehja e tij e famshme kur mori drejtimin e kombëtares gjermane pas Luftës së Dytë Botërore, duke e çuar në finalen e Bernës më 1954-n.
39. Bill Nikolson
Fitoi ndeshjen e tij të parë me Totenham 10-4 ndaj Evertonit. Por kjo ishte vetëm maja e ajsbergut të fitoreve. Me këtë ekip fitoi Kupën e Kupave, duke qenë anglezi i parë që fitonte në Evropë.
40. Udo Latek
Shkroi historinë e tij tek skuadra e Bajernit të Mynihut. Me bavarezët ka fituar 6 kampionate, një Kupë Kampionesh dhe në një tjetër arriti deri në finale e kompeticionit në vitet ‘80.
41. Xhorxh Rajnor
Ai ka qenë ndër të vetmit anglezë që ka mundur kombëtaren angleze. Suedia nën drejtimin e tij më 1958-n arriti deri në finalen e botërorit dhe mundi bindshëm edhe Anglinë në Uembli.
42. Oto Rehagel
Një fitore e Greqisë në evropianin “Portugali 2004” ishte kuotuar 100/1, duke mos besuar kurrë se ajo do ishte kampionia. Por ja grekët nën drejtim të Rehagel thyen çdo parashikim.
43. Karlos Alberto Parreira
Është një ndër trajnerët që ka drejtuar në pesë skuadra të ndryshme që kanë marrë pjesë në pesë kampionate botërore. Kulmin e pati me Brazilin më 1994-n, kur fitonte Kupën e Botës në “USA ‘94".
44. Karlo Ançeloti
Ai është trajneri që ka fituar gjithçka me Milanin. Dikur Aleks Ferguson mburrej teksa fitonte Kupën e 2-të të Kampioneve, por u desh pak kohë që të njihte supermacinë e Ançelotit në Evropë.
45. Don Revie
Shumica e tifozëve anglezë mbase nuk do ta kishin futur në këtë renditje pas dështimit që ai pati në krye të kombëtares angleze. Por emri i tij u skalit në vitet ‘70 tek ekipi i Lids Junajtid.
46. Sven-Goran Erikson
Vendi i tij në këtë listë do të ishte në pozicionet e para në rast se do të bëhej nga një suedez, portugez ose italian. Por anglezët nuk e mbajnë mend veçse për skandale dhe dështime.
47. Karlos Bianki
Pesë herë trajneri më i mirë në kontinentin amerikan teksa drejtonte Boca Juniors në Argjentinë. Provoi të drejtonte edhe në Francë, Spanjë dhe Itali, por pa shumë sukses.
48. Albert Bato
Është ndër francezët që ka fituar më shumë. Në baketën e tij numëron nëntë tituj kampionë që pati fituar teksa drejtonte skuadrat e Stade de Reims dhe Saint-Etien në vitet 1953-1970.
49. Xhesi Karver
Ka drejtuar, duke fituar një titull, Juventusin në vitet ‘50. Por liverpulasi drejtoi me shumë sukses edhe kombëtaren holandeze në vitet ’70, si dhe skuadrën e Milluall në chiampionship.
50. Henes Ueisveiler
Falë tij Borusia Monshengladbah shkroi emrin e saj në elitën e futbollit evropian në vitet ’70, duke shkuar dy herë në finalen e Kupës së Kampioneve. Krahasohet me trajnerët më të mëdhenj në botë.
Marrë nga “TIMES.CO.UK