Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kostas Kristalis: E dashura

| E diele, 07.08.2011, 06:33 PM |


Kostas Kristalis

 

E DASHURA

 

Pa shih flokë të gjatë, të butë si mëndafsh

i varen nëpër supe, bien gjer përdhe

si katarakt me ujë të florinjtë.

Pa shih ballin e grunjtë, me rreze porsi diell

i marsit a i prillit që tringëllin majë malit.

Pa shih ç`sy të mëdhenj, të kaltër, të zalisur,

sy të ëmbël, sy të fshehtë, me dritë mbushur

sikur njëri të jetëYlli i Mëngjesit e tjetri yll i Mbrëmjes.

Vetulla, pa shih, të mbledhura, të shkruara me laps

si të ishin gjarpërinj të gjallë që takohen e puthen,

sikur janë gjarpërinj të gjallë që vijnë të më lidhin.

Pa shih ç`buzë të kuqe, si me bojë të ngjyera

që hapen e flasin ëmbëlsisht, që mbyllen e buzëqeshin

si trëndafila maji në mbrëmje a në agim.

Pa shih shtatin e lartë, të derdhur porsi pishë

që shqota e vadit dhe flladi e përkëdhel.

Pa shih qafën e qumësht, qafë pëllumbeshe,

e freskët si ujë i ftohtë dhe porsi borë mali.

Pa shih dhe gjoksin si një mollë me kokrra ngarkuar.

Vallë a s`është e hidhur, e tillë rini, e tillë bukuri

ta gëzojë shkretia e unë për të të tretem?

Mos më plas, mos më plas e mos më ik moj vajzë,

para meje mos u trëmb si një sorkadh` e egër

që futet midis xunktheve e fshihet në mes tufës.

 

E përktheu Llambro Ruci