| E premte, 05.08.2011, 07:59 PM |
Katandisja e shoqërisë sonë Kosovare e cila nuk dinë as të festojë
Nga Palush Domgjoni
Secili popull në Evropë ka kaluar stadet e zhvillimit primitiv fisnor dhe jeton sot si komb i zhvilluar dhe i qytetëruar në paqe dhe siguri , ku mbretëron ligji, vlera humane dhe demokratike, ndërsa ne ende jetojmë me rregulla fisnore dhe shumë herë më shumë e respektojmë rregullin fisnor, se sa atë ligjor, po thuajse numri më i madh i martesave bëhet sipas zakonit fisnor, gruaja në një masë të madhe ende trajtohet sipas zakonit fisnor e që është e diskriminuar, ligji mbi familjen dhe ai i të drejtës trashëgimore aplikohen pjesërisht kur vjen në shprehje gjinia femërore, dhe se për këtë është zakoni më i aplikuar.
Ende femra tek ne është objekt marrëveshjesh se meshkujve sa i përket martesës, ende as normat e ish ligjit mbi marrëdhëniet familjare dhe trashëgimore të vitit 1984 nuk do mund të aplikoheshin, e mos të flasim për ligjet bashkëkohore , sepse nuk është emancipuar shoqëria për të jetuar si shoqëri e zhvilluar(komb) ku mbretëron ligji e jo zakoni, sepse vetëm në rregullimin fisnor gjënë aplikim zakoni.
Nëse bën një vështrim vendeve të qytetëruara , ku sundon ligji, ku sundon shteti i së drejtës dhe demokracia, dhe provon te besh një krahasim e vëren edhe me tepër këtë nivel të ulët të emancipimit shoqëror të vendit tonë. Kjo vjen si pasojë edhe e mungesës së vullnetit të institucioneve të Kosovës, për të zbatuar ligjin dhe për të mos i lënë vend zakonit. Nuk mundë të ketë zhvillim , nëse një shoqëri nuk respekton të drejtën pozitive, ku shteti është shtet që bën rregull dhe siguri, këto janë parime thelbësore në vendet demokratike, siguria është elementi kryesor për zhvillimin ekonomik. Përderisa ne nuk arrijmë të kemi një ambient të sigurt atëherë nuk kemi pse presim që do investohet në këtë vend.
Qytetarët e ndershëm që jetojnë në Kosovë muajt e verës i kalojnë nën ankthin e krismave të armëve te ndryshme, e që ndodhin askund tjetër për pos në qaste gëzimi dhe hareje, pra neper dasma, dhe se çuditërisht organet për siguri dhe rend të Kosovës as që ndërmarrin ndonjë masë, kundër atyre që posedojnë arme pa leje dhe haptas ditën dhe natën gjuajnë me to e shpeshherë ne praninë e policeve dasmorë. Ku është siguria që shpesh na flasin politikanë dhe qeveritarë si qendrorë ashtu edhe komunal, c´farë bën ministria e brendshme ne këtë drejtim, si shkollohen këta polic që lejojnë një gjë të tillë?!!!!.
Secili popull i qytetëruar e ndanë gëzimin nga lufta dhe urrejtja, dhe së vetëm në vendin tonë në qaste gëzimi i këndohet luftës ,në qaste gëzimi i këndohet urrejtjes , në qaste gëzimi shkrepin armët e ndryshme, e që të gjitha këto nuk kanë vend në qaste gëzimi dhe hareje, por kanë vend në beteja lufte, dhe se kur është puna për beteja pak gjënë këso „patriotesh“.
Në asnjë vend të qytetëruar dhe demokratik nuk e sheh këtë katandisje siç e sheh mjerisht në vendin tonë në popullin tonë, i cili as të festoj nuk dinë. Kjo na del që ne nuk dimë as të festojmë . Edhe një mungesë e vetëdijes qytetare lejon që të ndodhin këso gjërash primitive , në një shoqëri demokratike dhe të emancipuar , nuk do ishte e mundur , që të ekzistojë një situatë e tillë, sepse edhe ministri i brendshëm , do kishte pasur shumë „telashe „ me qytetar të ndershëm që dëshirojnë jetë të qetë dhe të sigurt. Ata do kishin kërkuar me këmbëngulje që polici të sillet si polic , që ai të kryej detyrën me ndërgjegje dhe përgjegjësi siç parasheh ligji, që ai qytetarit të i mundësoj të jetojë në një ambient të qetë dhe të sigurtë.
Të vijë turp ta sjellësh një mik të huaj në Kosove në këtë kohë vere ku mbretërojnë „festime“ dasmash , ku mbizotëron muzika tallava e pa kompozuar dhe ma asnjë ngjyrë as vlerë muzikore, ku mbretëron zhurma e armëve si të ishte ndonjë betejë lufte, dhe se nuk mundë ta kuptosh a je në luftë apo je ne liri, dhe c´farë përgjigje do i japish nëse do të pyeste miku i huaj se nga vijnë këto krisma armesh, si munde ti thuash se është dasmë , nuk do te besojë sepse me siguri s’ka para ndonjëherë.