Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avdi Gjata: Vështrimi i artikullit të ‘Rilindjes’ (18.6. 1984) për organizatorët e grupet ilegale shqiptare në Kosovë

| E premte, 05.08.2011, 07:58 PM |


Vështrimi i artikullit të ‘Rilindjes’ organ i LSPP  i datës 18.6. 1984 për organizatorët e grupet ilegale shqiptare në Kosovë

 

Nga Avdi Gjata

 

Gazeta e përditshme në gjuhën shqipe ‘Rilindja’ e cila  botohej në Prishtinë e cila ishte gazetë zyrtare dhe Organ i LSPP të Kosovës, në artikullin e saj  të datës 18. 6. 1984 ditë e enjte fq. 2, lidhur me ngjarjet, demonstratat dhe dënimet e grupeve ilegale politike të shqiptarëve në Kosovë në komentin e saj shkruan:

Në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, sot fillon gjykimi i një grupi prej dhjetë vetash të akuzuar për veprimtari armiqësore nga pozita e nacionalizmit e irredentizmit shqiptar, ndërsa para gjyqit të popullit në bankën e zezë do të gjenden edhe individ të tjerë, të akuzuar se janë anëtarë të organizatave ilegale armiqësore ‘Lëvizja për Republikën e Kosovës’, Lëvizja për Republikën Socialiste të Shqiptarëve në Jugosllavi’, Fronti Nacionalçlirimtar’ dhe ‘Kosova e Re’. Rilindja, përmes artikullit tenton të bënë dezinformata rreth karakterit të tyre, ngritjes intelektuale, numrit dhe pozitës të organizatorëve në shoqëri, qëllimeve të tyre si edhe platformës që ndër të tjera edhe shkruan se: Vetë emrat e këtyre organizatave tregojnë, armiqësinë, demagogjinë e qëllimet e errëta të tyre, ndërsa platforma e tyre në thelb është e njëjtë me qëllimet e qarqeve më ‘reaksionare’ e ekstremiste në vend e në botë. Që në fillim të theksojmë edhe këtë se për zbulimin e këtyre organizatave armiqësore gjë që është sukses i madh i organeve të Punëve të Brendshme të Kosovës që ndihmë të madhe dha vetë ‘populli’.

Rilindja, më tutje vazhdon se; ata kanë planifikuar formimin e  grupeve dhe kanë preferuar përdorimin e forcës për shkëputjen e KSA të Kosovës nga Jugosllavia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, që të krijohet një ‘shtet’ i madh i shqiptarëve i modelit ‘fashist e stalinist’. Për aksione e veprime kanë paraparë edhe organizimin e format e ashtuquajtura ‘shtabe operative’ rajonale e të qarkut. Secili anëtarë ka pasur për detyrë të formoj treshin e vet  të ashtuquajtur ‘Brigadë Sulmuese’ për kryerjen e aksioneve të armatosura dhe kështu të paraqiten si ‘gueril’. Sipas saj, ata  kanë shkuar aq larg në iluzionet e marra, sa që kanë paraparë edhe grada ushtarake më të larta dhe ato ua kanë dhënë ‘armiqve’ më të përbetuar të vendit tonë. Nga materialet që janë gjetur te të pandehurit del në pah se këta e konsiderojnë veten si pjesë të ‘PPSh’-së, prandaj edhe aksionet e tyre kundër vendit tonë përputhen me qëllimet dhe propagandën e udhëheqjes së Shqipërisë.

Më tej Rilindja vazhdon : Iluzionet e të ‘ashtuquajturit  Fronti Nacional Çlirimtar shtriheshin edhe më gjerë. Anëtarët e kësaj organizate në Prishtinë dhe dhe rrethinë kanë shpërndarë afro katërqind afishe me titull, Trakt në të cilin sulmohen ‘serbët’ dhe ‘malazezët’ si edhe udhëheqja shqiptare e Kosovës, kurse në disa pamflete kanë paralajmëruar aksione të armatosura.

Ndërsa për organizatën tjetër, Kosova e Re,  komenti i Rilindjes shkruan: Kosova e Re është formuar nga personat e indoktrinuar me ideologjinë nacionaliste dhe irredentiste, ndërsa anëtarët e saj kanë ndërmarrë një sërë aksionesh konkrete nga fundi i vitit 1981 dhe gjatë vitit 1982 duke shkruar dhe shpërndarë afishe me titull; Thirrje dhe duke shkruar parulla armiqësore. Kështu pjesëtarët e akuzuar e të gjitha këtyre organizatave kanë kryer aksione ‘armiqësore’ konkrete. Në arsenalin e tyre janë gjetur, pos armëve edhe libra, revista, videokaseta, të incizuara, strehimore dhe vende ku janë strehuar gjatë veprimit ilegal ‘ armiqësor’.

Në përmbajtjen e një pjese  të artikullit të Rilindjes të 18 qershorit të vitit 1984 ku thuhet, plot të drejtë  argumentohet  se UÇK-ja rrënjët dhe fillimin  e ka shumë më herët dhe nismën e ka me fillimin e krijimit dhe veprimit të grupeve ilegale ose individëve që vepronin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë apo edhe për krijimin  e shtetit të Kosovës që u realizua me çlirimin e saj nga UÇK-ja në vitin 1998.

Komenti i Rilindjes spekulon në mënyrë të paskrupullt edhe për atë, se kinse organizatorët e këtyre organizatave ilegale ‘armiqësore’ për realizimin e qëllimeve të tyre ishin të gatshëm të bashkëpunojnë edhe me dreqin e zi. Ajo më tutje vazhdon se ata bashkëpunuan e mbajtën lidhje edhe me qarqet e organizatat më ‘reaksionare’ e më ekstreme në botën e jashtme të cilave edhe u shërbenin verbërisht.

Në përmbajtjen e artikullit të Rilindjes, tingëllon shumë qesharake fraza e saj kur thotë se;  Nuk janë në burg e as s’dalin para gjyqit të gjithë ata që patën dorë u mashtruan, indoktrinuan e u gjenden në këto grupe nacionaliste ‘armiqësore’. Shumicës  prej tyre iu është thënë ‘përmirësohuni’ e shkoni në familjet e shtëpitë e tuaja. Pastaj komenti duke u munduar që t’i arsyetoj dënimet para opinionit shprehet; Në burg janë vetëm  ata që me fanatizëm mbrojnë pozitat, pikëpamjet e qëndrimet tyre armiqësore, ata që ka shumë rrezik të lihen përjashta, e ata janë, krerët,  organizatorët e aktorët më të merituarit të organizatave e aksioneve dhe ekspozimeve armiqësore.

Gjithashtu, në një pjesë të këtij artikulli, tingëllojnë qesharake frazat mbi gjykimet ku edhe shprehet. Edhe nacionalistët edhe irredentistët e këtyre grupevenacionaliste do  të përgjigjen para gjykatës dhe sipas  peshës së fajit do të marrin dënimin e merituar. Po,gjykimi më i madh e dënimi më i madh,  është ai i ‘popullit i klasës punëtore, i rinisë, i të gjithë qytetarëve i të gjitha kombeve e kombësive’.

Rilindja, edhe me këtë rast, me paturpësinë më të madhe deklaron; Veçmas, populli shqiptar e gjykon ashpër dhe e lufton me këmbëngulje nacionalizmin dhe irredentizmin e kësaj së keqeje që këtu solli më së shumti dëme se para se gjithash secili më parë duhet ta pastrojë oborrin e vet e këtë mandej ta kërkojë nga të tjerët.

Na brengos thellë edhe si kombësi shqiptare edhe si qytetar të Jugosllavisë sesi  artikulli i Rilindjes, zërin e përfaqësuesve të grupeve ilegale atdhetare që vepruan përmbi 100 vjet me radhë për çështjen e lirisë së popullit shqiptar që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit  e deri sot, herë në mënyrë legale e shumicën e kohës ilegalisht pasi nuk kishte mundësi që të veprohet legalisht pasi trysnia e pushtuesit ishte tepër e shumë perfide.