| E marte, 02.08.2011, 06:31 PM |
Vullnet Mato
TRADHTIA E LEJUAR
Unë dashuroj valëzën e internetit,
gruaja do marrëzisht televizorin.
Prej tyre s’na shkul dot as kiameti,
kur tradhtojmë me kuçkën e horrin.
Kësisoj të heshtur, ne urtë e butë,
shijojmë burra dhe gra virtuale.
Unë e tradhtoj gruan në facebook,
Ajo ma dredh mua në disa kanale.
Sipas Biblës e Kuranit quhet tradhti,
kur mendon një grua a burrë të huaj,
ose kur të pëlqen dhe e ndjek me sy,
sepse bën mëkat njësoj, pothuaj.
Joshësit brazilianë mustaqespicë,
po ma çojnë gruan deri në lotim.
Mua më trokon zemra me patericë,
kur vajzat shkruajnë: “O shpirti im!”
Shyqyr zotit këto dy lloj dashuri,
mbeten mbyllur brenda ekranit,
ndryshe do plaste sherri në shtëpi
dhe çdo ditë me ne do bëhej nami.
Por ndonëse të pavarur e të lejuar,
zgjedhim të lirë në kutitë e qelqit,
pasi dëshirat vetjake kemi votuar,
ndjenjat shkojnë në favor të dreqit...
HIPERBOLA E GOJËS
Goja e njeriut
sa filxhan kafeje,
ka brenda
një hambar gjigant.
Për të ushqyer
gjakun nëpër deje ,
përtypë gjatë jetës
malin e lartë.
Me lapsin e thjeshtë
llogaritar,
në shtatëdhjetë vjetët
e gjatë,
njeriu,
pa qenë llupës lakmitar,
ha bukë,
sa tulla ka një pallat.
Përcjell
nëpër tubacione intime,
njëzet çisterna
lëngje natyrale,
kapërdin
dhjetë vagona gatime,
përtyp mishin
e një kopeje të madhe.
Mirëpo a heq goja
e ngopur në jetë,
për të sëmurë
apo të paralizuar,
nga shtatëdhjetëmijë
vaktet drekë,
njërën t’ia japë
fatkeqit në duar?...