| E hene, 01.08.2011, 07:59 PM |
MOS
Nga Luan Çipi
Lexoj komentet e shumta në shkrimin e Ilir Dardanit me titull “Une, Anders Breivik, Europa, Emigrantet, Islami dhe Shqiptaret dhe ngelem krejt i hutuar dhe i habitur.
1)Unë, që do të thotë Ilir Dardani. Ne e dimë se i nderuari Gëzim Marku, drejtori i të përditshmes së përndritur “Zemra Shqiptare” (ku edhe unë shkruaj që prej disa vitesh), ka caktuar si Kryeredaktor të riun e talentuar, guximtar e prodhimtar “Ilir Dardani”. Kjo është puna e tij dhe në fund të fundit, nuk ka pse të na pyeste ne.
Tjetër gjë do ishte të anatemosh veprimet ekstreme, veshjet, qëndrimin ndaj grave, faljen arabisht, ndonjë fetar anadollak, servilizmin dhe përuljen atdhetare, etj. Edhe drejtime të tjera kritike dhe ekstreme do pranoheshin si një mendim i veçuar i Ilirit, kur ai të mos ishte Kryeredaktor. Unë edhe pse nuk do isha diku me mendimin e tij, do ta respektoja dhe nderoja atë, si kalorës i fjalës së lirë dhe të kulturuar.Po edhe këtu do isha kundra disa fjalëve vulgare e fyese, që ulin personalitetin e kujtdo.
Më lejoni të jap edhe një mendim: Kryeredaktori juaj duket se është i ngarkuar me një urrejtje patologjike, jo vetëm ndaj islamit dhe fesë islame, po çuditërisht edhe kundër Turqisë dhe turqve. Kjo duket jo vetë me insinuatat direkte të shprehura në disa shkrime të tijat por edhe sepse unë e kam ndjerë në kurriz, me refuzimin e disa shkrimeve ku përmendet vizita ime turistike në Turqi. Kam dërguar gjatë muajit korrik katër shkrime, kryesisht mbresat e mia nga vizita për pushime në Turqi, por që ju nuk i kini postuar. Kjo është e drejta juaj dhe unë nuk kam të drejtë proteste: Mund te kini konstatuar cilësi të ulët shkrimi, mendime që nuk u shkojnë për shtat dhe i kundervihen platformës tuaj, që cenojnë harmoninë, që kini mbingarkesë momentale dhe njëqind arsye tuajat.
.Në disa drejtime, sidomos në ato që lidhen me pushtimin gjakatar 500 vjeçar osman dhe aktualisht me terorin e "xhihadit", unë jam plotsisht dakord me Ilir Dardanin.
. Unë personalisht, as që jam fanatik islam, aq më tepër se gjysma e fisit tim të shtuar janë ortodoks shqiptar, ndërsa krushqitë janë të gjitha me ortodoks dhe katolikë. Feja ime është Shqiptaria.
.Në këtë kuptim nuk më duket i drejtë dhe të qënit sot anti Turk, kur atje ka mbi 5 miljon banorë me origjinë shqiptare. Madje do ishte fare i normal bashkepunimi i gjerë me ta, me fqinjët dhe me gjithkënd, kudo ku ka interesa për Shqipërinë Europiane, duke mos harruar gatishmërinë dhe ndihmen për Shqipërinë dhe Kosovën, që kanë dhënë ata në çastet kritike, në vitet 1997 dhe 1999.
Me këtë rast më lejoni të bëj dhe më tej vërrejtje për z.Ilir. Si i moshuar që jam, do t’i thoshja, si të ishte nipi im: Të uli mllefet dhe urrejtjen e pavend ndaj myslimanëve të ndershëm shqiptar, që provokon urrejtje sociale dhe konflikte fetare dhe të jetë më i kujdesëshëm për mos të popullarizuar më këngët e mbrapshta të xhihadit islamik, që ne as që i kemi dëgjuar kund dhe as që duam t’ua dëgjojmë zërin, por veç i shohim të shkruara si tekst dhe melodi nga vet Iliri.
2)Anders Breivik, në këtë shkrim që duhet të ishte në qëndër të urrejtjes si kriminel, biri i një babe imoral dhe i një nëne të dyshimtë, nga Ilir Dardani duket se diku justifikohet, si i ispiruar ose i fabrikuar nga islamikët, që e paskan prodhuar këtë monstër antinjerëzore.
Në këtë kuptim, mendoj unë, “Zemra Shqiptare” edhe pse nuk mund ta ndalojë Ilir Dardanin të paraqes mendimet e tij, duhet të diferencohet nga ai, pse jo edhe duke dhëne mendimet e veta redaktoriale.
Me respekt
Luani, nga Vlora