| E hene, 11.02.2008, 10:54 PM |
Në nderim të Bajronistëve pararendës*
![]() |
Lord Byron me kostum shqiptar |
Kështu dihet tashmë afiniteti i De Radës, për veprën e Bajronit si dhe poetëve të tjerë të Romantizmit arberesh.Nga gjiri i mërgatës arbëreshe do të ishte dhe përkthyesi i parë i Bajronit në shqip, Luigji Petrasi,i cili do të përkthente Këngen e parë të poemës “Child Harold” në 1843.
Në vitet e mëpasëshme do të ishte eruditi Faik Konica, i cili do të botonte një shkrim në frëngjisht “Le voyage de Lord Byron en Albanie” në numrin e parë të gazetës së mirënjohur “Albania”, më 1897. Po kështu Konica do të jetë i pari që tenton të përkthejë në prozë vargje nga “Child Harold”-i me titull “Dheu i Shqipërisë”, të botuara sërish në gazetën “Albania”. Në faqet e gazetës së tij Konica do të botojë dhe dy këngët shqip të mbledhura nga Bajroni si dhe në gazetën “Dielli”më 1924, një pjesë nga letra e Bajronit dërguar të ëmës ku poeti i madh flet për Shqipërinë. Si shikohet, Konica i është rikthyer shumë herë figurës së Bajronit në një hark kohor për më tepër se 30 vjet.
Një figurë tjetër e rëndësishme e viteve 20’ ka qenë shkrimtari, publicisti dhe dramaturgu Zef Harapi, i cili përmes një serish artikujsh në të përkohshmen “Agimi” më 1919, jep një panoramë të plotë të veprës dhe udhëtimeve të poetit të madh. Kështu ai mund të konsiderohet bajronisti i pare i mirëfilltë shqiptar.
Poeti i njohur i Rilindjes dhe i Pavarësisë Asdreni, i kushton poezinë e parë në shqip Lord Byron-it, të botuar në gazetën “Shqipëria e Re” të Konstancës. Poezia evidenton Bajronin si “kampion të lirisë” nje imazh i kudo gjendur jo vetëm në Ballkan por dhe në Evropë dhe më gjerë.
Konferenca e parë studimore për Bajronin organizohet nga studiusi i njohur Stavro Skëndi më 1936. Dy vjet më vonë më 1938, ai boton në revistën serioze të kohës “Përpjekja Shqiptare” studimin e parë të plotë shqiptar rreth veprës dhe jetës së Bajronit. Intelektuali i shquar shqiptar Stavro Skëndi, mund të konsiderohet si “bajronisti i parë i përplotësuar shqiptar”. Në vitet në vazhdim figurës së Bajronit do i referoheshin figura të rëndësishme të elitës shqiptare si Fan Noli, Eqerem Çabej e Arshi Pipa.
Në vitet e pas luftës së dytë botërore do të jetë Profesor Skënder Luarasi i cili fillimisht me përkthimin e letrës së Bajronit më 1955, të botuar në “Nëntori” dhe një vit më vonë me botimin e përkthimit të “Child Haroldit”-it më 1956, do të rikthejë në mënyrën më elegante dhe profesionale Bajronin në tokën ku ai gjeti frymëzim. Përkthimi mjeshtëror i Profesor Luarasit mund të themi se hapi një kapitull të ri për adhuruesit e Bajronit, të cilët tashmë mund ta shijonin muzën e poetit të madh në gjuhën e mëmës. Përkthimi ishte dhe një sprovë e vështirë për gjuhën shqipe, për të arritur dhe dhënë të plotë muzikalitetin dhe e origjinalit, provë e cila falë përkushtimit dhe talentit të profesor Luarasit kaloi me sukses.
Impakti dhe influenca e Bajronit nuk do të kushtëzohej vetëm brenda kufinjve shtetërorë por do të ishte i madh dhe në Kosovë. Aty vepra e Bajronit do të gjente talentin dhe përkushtimin e Dr Abdullah Karjagdiut, i cili përmes disa shkrimeve të botuara në gazetën ‘Bota e Re” në harkun kohor 1976-1978, do të përshkruante ndoshta portretin më të plotë të jetës dhe veprës së Bajronit në hapësirat shqiptare.
Disa nga artikujt e tij më të rëndësishëm mund të përmendim “Bajronizmi në poezinë arbëreshe”, “Bajroni dhe Shqiptarët”, “Mbi shqiptarët e Bajronit”, “Legjenda e Bajronit” dhe fejtonin “Tragjedia e Gjenive” më 1982 në faqet e “Rilindjes” së Prishtinës.
Duke mbyllur këtë rrugëtim të veçantë të Bajronit në Shqipëri përmes evidentimit të emrave të bajronistëve shqiptarë, mund të themi se rikthimi i Bajronit ka qenë një rikthim dinjitoz falë përkushtimit të tyre profesional dhe dashurisë së madhe ndaj poetit të madh. Ata kanë mundur të krijojnë një “frymë të vertetë studimore “, e cila e ka bërë të njohur Bajronin për të gjitha grupmoshat jo vetëm si një poet të madh të Romantizmit Anglez, por mbi të gjitha si një mik të vërtetë të shqiptarve. Merita e veçantë e këtyre parendësve bajronistë shqiptarë është se përmes një harku kohor rreth njëqind vjetësh rikthyen Bajronin, në tokën ku muza e tij gjeti frymëzim dhe duke bërë të mundur që çdo rikthim, ti ngjajë shtegtimit të parë të poetit në vise tona, romantik, të bukur dhe të vrullshëm.
Dorian Koçi
Pedagog i gjuhës angleze
U.F.O University
*Kumtesë e mbajtur në Konferencën “ Nderime bajronistëve pararendës” organizuar nga shoqata e bajronistëve shqiptarë dhe U.F.O University me rastin e 220 vjetorit të lindjes së poetit. Pjesa më e madhe e kumtesës është mbështetur në librin “Miti shqiptar i Bajronit” të Prof.Dr. Afrim Karagjozit.