Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Engjëll Koliqi: Ka ardhur koha!!!

| E premte, 29.07.2011, 08:02 PM |


KA ARDHUR KOHA !!!

 

Shefi aktual i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi, më në fund mori vendimin e duhur,që në mbarë territorin e shtetit tonë të fillojë kontrolli institucional dhe ngushtimi i hapësirave të krimit, që origjinë kishte Beogradin. Absurd - EULEX, që këtu është për të instaluar ligjin, ka kundërshtuar masat ligjore në veri të Kosovës. Edhe në këtë shekull, që bota e quan të paqes, për të instaluar ligjin dhe kushtetutën në çdo pëllëmbë të Dardanisë, haraqi ishte gjak dhe jetë njeriu. 

Afati 100 vjeçar i aneksimit të tokave Shqipërisë po kalon, dhe po na rikthehet e drejta historike e ribërjes së Shqipërisë Etnike. Gëzuar dhe përpara!

 

Shkruan: Engjëll Koliqi

 

            Tashmë jemi mësuar me absurdet ballkanike dhe nuk po çuditemi. Këto ditë jemi dëshmitarë të çudirave të absurdeve në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, ku për të instaluar kushtetutën, ligjin dhe rendin, jemi të detyruar të paguajmë edhe me gjak dhe jetë njeriu.

            Në të vërtetë, filloi të ndodh ajo që duhej të ndodhte moti, para më se 12 vjetësh, kur makineria kriminele ushtarake e Serbisë kapitulloi dhe përjetësisht e humbi Kosovën. Kanë kaluar dymbëdhjetë vjet të Kosovës së dalë nga zgjedha e dhunës terroriste serbiane, dhe duke e ndërtuar gradualisht demokracinë, kemi arritur, që më 17 shkurt 2008, ta rishpallim dhe ta formalizojmë pavarësinë, për të cilën kemi paguar shumë gjak dhe jetëra njerëzore, e edhe shumë pasuri tonat natyrore. Duke mos dashur të hetoj fajtorët, po them se me fajin tonë të përbashkët, nga euforia e lirisë nuk kemi logjikuar si duhet, dhe një pjesë bukur e mirë, pjesa më e pasur e vendi tonë, ka mbetur në duart e pushtuesve serbë. Sidomos në veri të Mitrovicës nuk ka funksionuar në këtë periudhë (as pas formalizimit të pavarësisë) shteti i Kosovës, por në të kundërtën janë tërbuar hordhitë kriminale serbiane dhe ka lulëzuar krimi i organizuar, në të gjitha sferat e jetës. Ekspertët thonë se në këto dymbëdhjetë vjet, vetëm nga fitimet doganore, atje në vendkalimet kufitare 1 dhe 31, ku edhe është riaktualizua dhuna serbiane, shteti i Dardanisë së Re, me emrin Republika e Kosovës, ka humbur së paku 7 miliardë euro.

            Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, që në këto rrethana do ta quaja “Trimi i Mirë me shokë shumë”, më mirë vonë se hiç, këto ditë bëri një hap të madh e të duhur, mbase historik, në mbrojtje të shtetit të Kosovës, duke urdhëruar njësitet speciale të policisë së Kosovës, që të marrin një herë e përgjithmonë ato pika doganore, shumë problematike, nga i vinin vendit tonë të gjitha problemet. Peshë të barabartë me vendimin historik për këtë akt, kishte edhe deklarata publike e kryeministrit Thaçi, se bandat e dhunës, që po vrasin e po djegin atje janë të dërguara dhe të mbështetura e trajnuara nga regjimi shovenist i Beogradit, pra nga Beogradi zyrtar.

            Mua nuk më duket fare çudi kërkesa e Beogradit për mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sepse me turpet dhe absurdet e Beogradit, të mbështetura nga Moska, tashmë jemi mësuar. Madje e dijmë se nga atje e ka burimin edhe gjashtëpikëshi i Ban Ki Munit, për legalizimin e të cilit dyshoj se po bisedohet me atë aparat shovenist qeveritar, që nuk merr vesh tjetër gjuhë, pos atë të dhunës dhe të bllokadës totale.

            Kryeministrin Thaçi e quaj “Trimi i Mirë me shokë shumë”, edhe për faktin se është i mbështetur nga të gjitha kategoritë njerëzore – profesionale, sociale e politike, nga pozita edhe nga opozita, i ka të gjithë me veti dhe të gjithë të gatshëm edhe të flijohen në mbrojtje të vendit. Kjo u vërtetua sot edhe në Kuvendin e Kosovës, ku u shpreh përkrahja e qartë e të gjitha grupeve parlamentare dhe u kërkua që të mos lëshohet pe dhe të vazhdohet, sepse në mbrojtjen e pavarësisë dhe të shtetit e të sovranitetit të Kosovës, Qeveria i ka të gjithë me veti dhe të gatshëm.

Sidomos, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, më ka pëlqyer propozimi i Vetëvendosjes, i shprehur nga lideri i saj Albin Kurti, i cili i kërkoi presidentes së Republikës Atifete Jahjaga shpalljen e jashtëzakonshme. Unë bile kisha shkuar edhe më larg dhe kisha kërkuar që zyrtarisht të shpallet gjendje lufte, sepse Serbia, siodomos në këto tri ditët e fundit ka bërë agresion të hapur ndaj shtetit të Kosovës. Shumë me vend është edhe kërkesa e Kurtit për ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve me Serbinë, nga të cilat Kosova nuk fiton asgjë, përkundrazi mund ta humb sovranitetin, sipas gjashtëpikëshit të Ban Ki Munit dhe të njëfarë plani që po quajnë “Ahtisaari plus”, duke përmendur njëfarë pavarësie që do e njihte edhe Serbia, të modelit të Irlandës së Veriut, me sovranitet të përzier, sikur atje, ku edhe sot përzihet Londra.

            Në fund të fundit, jemi në Ballkan, prandaj edhe ne duhet të veprojmë sipas stilit ballkanik, duke e përdorur, nëse është e nevojshme, edhe dhunën. Pse jo, prej kombeve ballkanike jemi kombi më i madh (mbas turqëve) dhe nëse është nevoja duhet të ngritemi në këmbë si tërësi nacionale, si komb në përgjithësi dhe t’ua tregojmë dhëmbët të gjithë shovenistëve të pangopur, që janë mësuar të jetojnë mbi supet tona e duke na i tkurrur tokat çdo shekull. Edhe po të bëheshin bashkë serbët, maqedonasit dhe malaziasit, nuk do të bëheshin sa shqiptarët.

            E them këtë, edhe me meritë të një argumenti tjetër, që na e jep të drejtën historike për ribërjen e Shqipërisë Etnike. Ç’është e vërteta, historianët kanë zbuluar se në Konferencën e Londrës, Shqipërisë i janë aneksuar tokat me një afat 100 vjeçar, kështu që në vitin 2013 e kemi të drejtën historike për ribërjen e Shqipërisë Etnike. Prandaj, jorastësisht këtë shkrim e kam titulluar “Ka ardhur koha”. Tashmë po kalon afati 100 vjeçar i aneksimit të tokave shqiptare nga trungu amë, nga ana e ambasadorëve europianë, në Londër, pra lirisht mund të themi se ka ardhur koha e ribërjes së Shqipërisë Etnike. Dhe, nëse është nevoja, do të ngritemi në këmbë mbarë kombi, në atdhe e në diasporë, një komb afër 20 milionësh, për ta bërë, jo Shqipërinë e madhe, por një federatë shqiptare natyrore, ku të gjithë me normat më të mira demokratike, do t’i gëzonin të gjitha të drejtat dhe liritë njerëzore. Besoj se mund t’ia dalim me faqe të bardhë, sepse ne – kombi i Konstantinit të Madh, i Aleksandrit të Madh, i Gjergj Kastriotit – Skënderbe dhe i Nënë Terezës e Ibrahim Rugovës, i kemi dhënë prova të mjaftueshme harmonie e tolerance bashkësisë ndërkombëtare dhe të tillë do të jemi gjithmonë.

Mbase, duke ditur këtë, janë bërë  njëmijenjë kombinime diplomatike e politike, për të ardhur deri te plani Ahtisaari, që na la pa flamur kombëtar e pa hymn. Dhe, për çudi, sot mu ata që në flamur na e kanë vënë hartën e Kosovës, po na kritikojnë për masat e mbrojtjes së kufijve të po asaj harte. A nuk është ky absurd!? A nuk është absurd sjellja e EULEX-it, që janë këtu për vendosjen dhe funksionimin e ligjit në tërë Kosovën, dhe lejojnë krimin e organizuar në pikat doganore veriore, madje edhe kritikojnë Qeverinë tonë për masat historike që mundësojnë funksionimin e shtetit ligjor në çdo pëllëmbë të Kosovës.

 

Dhe po e përfundoj, duke i ftuar të gjitha qeniet arbërore, që të jenë të gatshëm në çdo çast, për rimarrjen dhe mbrojtjen e çdo pëllëmbe të tokës sonë, që nga sot, duke iu bashkuar “Trimit të Mirë me shokë shumë” – kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi-t, në mbrojtjen e vendimit për funksionimin e shtetit ligjor në çdo pëllëmbë të trojeve tona dhe për t’ia prerë të gjitha shtigjet krimit të organizuar dhe korrupcionit. Ta dëgjojmë edhe Albin Kurtin dhe të ndërpresim çdo formë bisedimesh me zyrtarët e Beogradit, që historikisht janë sjellur si padronë të dhunshëm e terroristë mbi tokat tona. Me ta mund të bisedojmë vetëm për një bashkëpunim paqësor e të barabartë si dy shtete fqinje. Nëse nuk pajtohen assesi, besoj jemi të gatshëm të marshojmë deri te kufinjtë e vjetër – te Molla e Kuqe. Por, edhe të jemi në lidhje të përhershme me Tiranën, Brukselin e Washingtonin, që të veprojmë gjithherë në koordinim me vëllain e madh dhe me bashkësinë ndërkombëtare. Mbase mund të ishte i frytshëm një marshim paqësor, nga të gjitha trojet shqiptare, drejt pikave doganore 1 dhe 31, në veri të Kosovës, që të bindet Serbia dhe EULEX-i, se dijmë t’i dalim zot vendit tonë dhe të organizohemi në mënyrat më demokratike, kundër krimit dhe kundër dhunës. Nëse dyshohet se mund të rrezikojmë, unë do pranoja që të jem në ballë të turmave paqësore dhe në mbrojtje të tokës dhe sovranitetit të Kosovës, edhe të flijohem.

Gëzuar Dardani, shteti sovran me emrin Republika e Kosovës!

Gëzuar Federata Mbarëshqiptare!

Gëzuar demokracia e mjirëfilltë dhe sovraniteti shqiptar në mbarë trojet arbërore.

 

Stubëll, korrik 2011