Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avdi Gjata: Kriza në Kosovë do të vazhdojë edhe vitet e ardhshme

| E enjte, 28.07.2011, 07:57 PM |


Kriza në Kosovë do të vazhdojë edhe vitet e ardhshme

 

Nga Avdi Gjata

 

Trashëgimi i gjendjes së rëndë pas luftës në Kosovë dhe i gjendjes së pa zgjedhur të krizës politike dhe ekonomike e që nuk pritet të stabilizohet për një kohë bukur të gjatë. Brenda këtyre viteve të shkuara, institucionet tona politike dhe ato ekonomike nuk arritën të krijojnë kushte dhe ambient të përshtatshëm për zhvillimin e të gjitha proceseve të nevojshme për strukturimin e ekonomisë edhe ashtu të çrregulluar me vite nga pushteti serb  Gjatë gjithë këtyre viteve të kaluara nuk arritëm të krijojmë bazë dhe ambient të qëndrueshëm për zhvillimin e të gjitha proceseve të nevojshme për strukturimin e ekonomisë së Kosovës.

Angazhimi i deritashëm që është i pamjaftueshëm për aktivizimin e kapaciteteve prodhuese në ekonominë e shoqërore të Kosovës, është vetëm përpjekje për ta bind opinionin e brendshëm se gjoja qeveria  është mjaft e angazhuar rreth këtij problemi. Realisht kjo ishte vetëm përpjekje për një pritje kohore që ekonomia e trashëguar shoqërore të transformohet në ekonomi private e cila është bërë e  bëhet pa ndonjë kriter apo normë ekonomike të caktuar me qëllim që  privatizimi të bëhet në mënyrë më profesionale që të jetë sa  më rentabil. Përkundër trendeve pozitive për rehabilitimin e infrastrukturës telekomunikative, ndërtimit të shtëpive, rrugëve, funksionimit të sistemit financiar, vendosjes së pikave doganore dhe përpjekjeve për funksionimin e biznesit privat edhe më tutje mbetet dështimi më i madh rehabilitimi i infrastrukturës energjetike e cila brenda këtyre viteve pothuajse e ka paralizuar përmbi 50% zhvillimin e ekonomisë Kosovare. Kurse pengimi i zhvillimit të kapaciteteve ekonomike gjatë kësaj kohe është edhe pengim i zhvillimit normal të jetës shoqërore të qytetarëve të cilët janë  të detyruar  për çdo ditë të migrojnë në vendet tjera evropiane, për një jetë më të mirë. Për këtë qëllim te qytetarët e Kosovës për çdo ditë, po krijohet një mosbesim dhe atmosferë jo e këndshme  ndaj UNMIKUT-(EULEKSIT) dhe Bordit udhëheqës të KEK-ut.

Tani për tani, aftësitë momentale krijuese të ekonomisë së Kosovës, nuk janë në gjendje që t’i plotësojnë vakumet e politikës fiskale të saj.. Kjo duhet të realizohet nëpërmjet ndihmave financiare të organizatave të akredituara në Kosovë dhe jashtë saj me qëllim zgjerimi të ekonomisë vendore si dhe  privatizimit sa më të shpejtë të pronës private në mënyrë më të mirë të mundshme, integrimeve ekonomike në rrafshin sa më të madh kombëtar dhe at euro-atlantik, ku kriter kryesor duhet të jetë zbutja e papunësisë dhe krijimi i kushteve normale për jetën e qytetarëve.

Strategjia e zhvillimeve ekonomike dhe sociale duhet të ndërtohet e të institucionalizohet me ligje dhe masa të ngjashme përkatëse juridike dhe ekonomike të shteteve të cilat kanë kaluar nëpër kësi tranzicioni siç janë psh: Sllovenija apo Çekosllovakia si edhe vendet Baltike si Estonia, Lituania etj. Strategjinë e tillë duhet ta hartojnë institutet apo institucionet e brendshme dhe ato jashtme me renome të cilat do të kërkojnë zgjedhje financiare për projektet e prezantuara.

Vërejtjet e shumë ekspertëve, qendrave ndërkombëtare dhe të Bankës Ndërkombëtare për çështjen e ekonomisë së Kosovës,  kanë të bëjnë me investimet e gabuara të sektorit privat siç janë:investimet e tepërta në automobila, pompa benzine, ndërtimeve të shtëpive megalomane dhe në tokat më të mira bujqësore, kafeneve, bingove, kasinave etj, apo këto në ekonomi ndryshe njihen  si investime për përfitime të shpejta dhe të momentit po që nuk e zgjedhin krizën. Konkurrenca jo reale afariste e tregut e krijuar  në Kosovë do të manifestohet negativisht për një periudhë të shkurtër në të ardhmen. Është bërë disi traditë që qytetarët e Kosovës  ta kopjojnë njëri-tjetrin në veprimtarinë afariste, duke mos llogaritur pasojat e dështimit të më vonshëm. Ky kopjim, vjen si rezultat i asaj se mbi 80% e kapitali në Kosovë, tani për tani, gjendet në duart e qytetarëve që nuk posedojnë njohuri e ngritje  të mjaftueshme profesionale për menaxhimin e nevojshëm  të kapitalit dhe në drejtimin e duhur profitabil të tij..

Euforia e pas luftës për arritje sa më të shpejtë  te kapitali  sa më i madh dhe dëshira për t’u bërë  një biznesmen i dalluar ne u orientuam kryesisht në tregti, pa  respektuar e zgjedhur partnerin nga i cili blejmë apo edhe  pa e ditur kualitetin e mallit që e sjellim në Kosovë pavarësisht asaj se a i plotëson kushtet për konsumim e shfrytëzim apo është i dëmshëm për shëndetin e popullit.

Kjo, kryesisht është realizua nga përfituesit e komunizmit,  të kohës së okupimit serb  dhe përfituesve të rinj    morën mësim  nga ata.  Nga këta përfitues nuk duhet të shpresojmë shumë që investimet t’i orientojnë në drejtimin e duhur pasi edhe nuk kanë njohuri të mjaftueshme që të menaxhojnë  një ekonomi prodhuese e cila do të punësojë, numër të madh e të rinjve që i kanë përfunduar  shkollat e larta, që janë duke pritur me vite të punësohen.

Dua të theksoj se edhe gjatë viteve të okupimit të Kosovës  e veçanërisht sot gati dymbëdhjetë vjet pas luftës nuk kemi dije apo ndoshta edhe guxim si nga institucionet, liderët apo ekspertët që ta marrin përsipër këtë sektor shumë të rëndësishme për jetën e popullit dhe afaristëve të Kosovës, që të marrin një vendim të përbashkët për çështjet më të domosdoshme  të kësaj sfere ekonomike të Kosovës.

Diskriminim ekonomik në Kosovë normalisht është edhe zvarritja dhe mos definimi i qartë i statusit politik dhe ekonomik të saj  Në rrethanat e tanishme, mos siguria politike do të reflektohet edhe në atë ekonomike të investitorëve të huaj po edhe ata shqiptarë i cili do të funksionojë me autorizime dhe buxhet të limituar.

Në përpjekje të forcimit të institucioneve me miratimin e ligjeve dhe rregulloreve adekuate, te ne duhet të mbizotëroi, logjika ndaj iluzioneve e emocioneve që e kemi servuar qe një kohë bukur të gjatë, se ndërkombëtarët janë ata që do t’i na i kryejnë të gjitha punët dhe ne mjafton vetëm që t’i dëgjojmë këshillat dhe sugjerimet e tyre. Nëse ne dëshirojmë që biznesmenët e jashtëm dhe ata të brendshëm të na ndihmojnë, së pari duhet ta pastrojmë oborrin tonë nga keqpërdorimet ekonomike, korrupsioni dhe qarjet politike, aberrrracionet materiale dhe apozicionale ndaj të cilave masa e gjerë është mjaft e mllefosur dhe e pashpresë. Nëse dëshirojmë që populli të na respekton e dëgjon  është mirë që së pari ne ta dëgjojmë e të hymë në mesin e tij, për ta ditur se çka po kërkon.