| E marte, 26.07.2011, 06:25 PM |
Doli “Metafora”, nr. 2, 2011
Revistë letrare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës
Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës nxori edhe numrin e tretë të revistës letrare “Metafora” (2, 2011), në të cilën janë botuar krijime poetike, në prozë, eseistike, punime të shpërblyera në manifestime e takime letrare, si dhe materiale të tjera shkencore e kulturore të autorëve nga vendi e nga jashtë.
Në faqet e para të revistës është botuar poezia e Antonio Belushit “Nëna ima arbëreshe burrnore”, dërguar në shenjë përshëndetjeje festivalit ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik”, që u mbajt në Prizren më 10-11 qershor 2011, kurse pastaj janë publikuar krijimet poetike që juria e festivalit i nderoi me çmime të autorëve H. Abazi, F. Açka, D. Shala, A. Papleka e U. Ajradini, si dhe poezi të poetit e atdhetarit Zeqir Gërvalla (tani jeton në SHBA), i cili u nderua me Emblemën e Prizrenit nga kryetari i KK të Prizrenit, prof. dr. Ramadan Muja.
Në faqet e revistës letrare “Metafora” gjithashtu janë botuar edhe vargjet e poetëve R. Ramabaja, H. Hyseni, A. Desku, A. Berisha, P. Buzhala, S. Basha, S. Krasniqi, B. Halimi, J. Fetahaj, B. Hoti, T. Duraku, I. Neziri etj., pastaj proza “Shitja e shpirtit” e autores Lediana Paja, disa nga poezitë e lexuara në “Lirën magjike” të festivalit ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik” (Prizren, më 10-11.6.2011) – I. Gjoni, S. Salihu, S. Zisi, M. Kërveshi, K. Zavalani, A. Bozaxhi, R. Moisiu, N. Selmani, S. GolikuA. Gojçaj, S. Gjergji, S. Bytyçi, N. Spathari, F. Bruqi, Sh. Rexhepi, K. Rexha etj. Po ashtu janë botuar edhe krijime të shkrimtarëve botërorë si “Engjëjt e territ” të Ernesto Sabatos, “Nga dashuria për artin” e autorit O’Henri, krijime poetike të Tagorës, të Borhesit, të Transtromerit etj. Nga “Mjellma e Lumbardhit” (krijime të lexuara te “Drini poetik”) janë botuar edhe poezitë e A. Zaplluzhës, të A. Rashkajt, të A. Ibrahimit, të E. Loshajt, të F. Ahmetit, të M. Havollit, të N. Rexhës, të Y. Berishës, të V. Veliut, të N. Prokshit, të Gj. Gjergjajt, të I. Skënderit e të S. Kelmendit.
Janë prezantuar në këtë numër të revistës edhe dy poetët mysafirë të “Drinit poetik”, Ataol Behramoglu nga Turqia dhe Beste Sakalli nga Qiproja, pastaj poetët Arif Bozaxhi, Zeynel Beksaç e Arif Haliti në turqisht në gjuhën boshnjake. Pos prozës “Rrezet i censuronte betoni” të Sylë Osmanajt, janë botuar edhe poezi të A. Vincës, të M. Avdylit e të Sh. Hasanit.
Prof. dr. Shyqri Galica ka botuar punimin “Elena Gjika në monografinë e Vehbi Balës”, ndërsa prof. dr. Begzad Baliu atë me titull “Josif Bageri – rilindës i dy rilindjeve”, kurse nga sesioni letrar “Si trajtohet letërsia shqipe sot?” i “Drinit poetik” janë publikuar kumtesat “Gjendja e letërsisë shqipe sot: një përfundim i pritur apo një fillim i ri” e dr. Arben Hoxhës, “Përfaqësimi i letërsisë shqipe sot në tekstet e letërsisë në gjimnazet shqiptare” e dr. Irena Gjonit, “Vajtimi për librin shqip ose kultura e mosleximit” e prof. dr. Agim Vincës dhe “A u duhet shqiptarëve letërsia?” e Rushit Ramabajës. Në këtë numër të revistës është botuar edhe kumtesa e LSHK-së “Letërsia në tekstet mësimore”. Lexuesi do të gjejë dhe poezi të M. Haxharit, të G. Ajgerajt, të D. Kërliut, të A. Bajramit, të D. Haxhit e të R. Lahit.
Vështrime për librat kanë botuar prof. dr. Emin Kabashi (“Plotnia e një studimi për jetën dhe veprën e një atdhetari dhe një krijuesi”), prof. dr. B. Baliu (“Poezia si përjetim historik dhe estetik”), Abdyl Kadolli (“Malli i poetit të mërguar”), Faik Xhani (“Perla poetike të atdheut”), Shqipe Hasani (“Realja dhe fiktivja në një roman”) dhe Ismet Lecaj (“Paralajmërim i pranverës së lirisë”). Ka dhe mjaft punime të tjera që janë me interes për lexuesin.